MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (69)

Pashtriku, 11 shtator 2020:
8.1.6 ”Udhëzime për konspiracion” 1973 (1)

“Është momenti i fundit që edhe në Lëvizjen Revolucionare të Kosovës të bëhet një kthesë rrënjësore… sepse gjer më sot, pothuaj çdo organizim apo tentim për të organizuar masat për liri politike, kombëtare dhe shoqërore, në një mënyrë ose tjetër, është zbuluar dhe shuar me gjak e si pasojë aktiviteti revolucionar ka pushuar për një kohë të gjatë… Çdo sulm i policisë, kundër radhëve dhe veprimtarisë sonë ilegale, çdo përcjellje e marrje në pyetje, etj., na mësojnë që t’i kontrollojmë të metat dhe vlerën e metodave tona konspirative, t’i perfeksionojmë ato, duke i zhvilluar e përsosur në përputhje me kushtet tona…Si anëtar i celulës nuk guxon t’u tregosh shokëve se ke lidhje me ndonjë shok ose celulë tjetër me të cilën ke filluar të punosh më parë. Për veprimtarinë tënde politike nuk guxon të dijë as familja, madje as shoqja jote e jetës… Shokët që janë nën kontrollin e policisë (që përcillen nga ajo ose që kanë rënë në sy), mos i përshëndet në rrugë dhe mos rri me ta në vende ku mund t’ju shoh dikush, sepse do të biesh në sy edhe ti… Për çdo takim duhet pasur arsyetim të përshtatshëm dhe bindës. Ndeja duhet të maskohet kinse jeni duke pirë çaj, kafe, luani shah, përgatitni provime, dëgjoni muzikë, etj. Kur të shkosh në takim, shiko mirë se mos je i përcjellë nga agjentët dhe nëse heton diçka atëherë ndërroje drejtimin e më vonë i njofton shokët… Literatura duhet të shpërndahet dhe lexohet rreptësisht sipas planit që e formulon celula. Literatura ilegale për ne ka një rëndësi të madhe. Prandaj ajo duhet të ruhet si sytë e ballit që të mos bjerë në dorë të policisë, por njëherit edhe të mos rrijë kot… Gjatë demonstratave duhet mbajtur disiplina e hekurt dhe çdo udhëzim i udhëheqjes së tyre të zbatohet me përpikërinë më të madhe. Të mos mbahen veshje dhe emblema simbolike sepse në ato raste burgosjet bëhen në masë. Pjesëmarrjen tënde në demonstratë para policisë e arsyeton si kalim rasti ose diç tjetër por shumë natyrshëm…

Çfarëdo pozitë që të zësh, sado e madhe qoftë ajo, në aparatin shtetëror titist, ti duhet ta kesh gjithherë parasysh se aty je dhe vepron në emër të një çështjeje të madhe dhe të drejtë. Këtu nuk ka kurrfarë arsye për mendjemadhësi… Përhapja e fjalëve nga ndonjë anëtar i celulës, se ai ose ai tjetri shok ka devijuar, se është agjent etj., duhet dënuar rëndë, sepse dihet se kjo është një metodë e preferuar e policisë që në radhët tona të fus konfuzion dhe përçarje. Madje, ajo ka si qëllim diskreditimin e aktivistëve të njohur të çështjes sonë në sytë e popullit…Lufta politike në kondita të ilegalitetit nuk është një gjë e thjeshtë, aq më pak e lehtë. Ajo është një luftë plot mund, vuajtje dhe sakrifica. Prandaj që në fillim të punës së organizuar në celulë, ekziston mundësia që ne të burgosemi, të torturohemi, etj. Me një fjalë, pra, i ekspozohemi një rreziku të madh, kur dihet se kemi të bëjmë me një armik të rrezikshëm që nuk ka lënë gjë pa bërë në kurriz të popullit tonë. Andaj, ne duhet ta dimë: së pari para kujt gjendemi, së dyti kënd përfaqësojmë dhe së treti-çfarë interesash mbrojmë… Pranimet tuaja gjatë hetimeve (gjëra te të cilat s’guxon të vihet në asnjë mënyrë), sa do të vogla qofshin ato, nuk do ta lehtësojnë pozitën tënde. Përkundrazi, ato do ta keqësojnë edhe më shumë. Hetimet do të vazhdojnë edhe më tutje, bile me një temp edhe më të ashpër…Nëse ndonjë “shok” që ka tradhtuar çështjen të del përpara dhe t’i numëron gjërat, ti as atëherë mos prano gjë. Çdo gjë që e rrezikon Çështjen duhet mohuar në mënyrë kategorike… Mos e harro një gjë, se mbështetja jonë e vetme në luftën tonë të drejtë, është në besnikërinë e shokëve dhe konspiracionin tonë. Prandaj, duhet ta dish mirë se çfarë përgjegjësie mban para shokëve edhe për lëshimin më të vogël…Gjatë gjykimit, duhet pasur parasysh se kryesorja është, jo që ti të dënohesh sa më pak (jo që të marrish dënim sa më të vogël), por që qëndrimi yt në gjyq të ngjallë autoritetin e çështjes në sy të masës popullore, aq më shumë po qe se ti je i njohur si revolucionar…Kudo që të gjendesh në burg ti duhet të jesh shembull i pastërtisë, mirësjelljes, antikopracisë, drejtësisë, humorit të këndshëm, solidaritetit, etj., në mënyrë që ta fitosh admirimin edhe të më keqit kriminel. Njëherit, armikun ta mahnitësh me drejtësinë dhe pastërtinë shpirtërore… (2)
8.1.7 Pjesë nga artikulli “Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve”, botuar te “Zëri i Kosovës” më 1974
“Celulat revolucionare janë shkëndija të cilat formojnë zjarrin e madh të revolucionit. Në celula revolucionare mund të organizohen nga tre-pesë, apo më shumë vetë për të punuar sistematikisht në shërbim të çështjes. (3) Nuk është mirë të jetë numri i madh i pjesëtarëve të celulës sepse bie në sy të armikut më lehtë. Çdo punë që bëjnë ata në celulë e planifikojnë dhe e studiojnë mirë që më parë. Për t’i kryer punët si duhet është e nevojshme të caktohen takime të rregullta në mes të aktivistëve të celulës. Si përgatitje paraprake për takim (mbledhje të celulës) duhet caktuar koha e saktë dhe vendi ku mbahet takimi. Largësia kohore nga një takim në tjetrin duhet të jetë dhjetë gjer pesëmbëdhjetë ditë. Kjo rregullohet edhe sipas nevojës. Koha më e përshtatshme për takim është mbrëmja. Duhet pasur kujdes edhe në vendet ku mbahet takimi, ai duhet të jetë i sigurt. Vendet e takimit duhet të ndërrohen. Gjatë punës në mbledhje nuk guxon të mungojë vigjilenca e duhur revolucionare. Organizimi i punës së këtyre mbledhjeve duhet të bëhet sipas një rendi të caktuar. Kështu, e gjithë puna e një mbledhjeje të këtillë do të përmblidhej në disa pika kryesore:
1. Raportim mbi punën teorike dhe praktike të çdo aktivisti, vështirësitë që ka pasur dhe sukseset që ka arritur nga takimi i fundit gjer në atë që mbahet. T’i bëhet analizë kritike e gjerë dhe e thellë çdo aksioni praktik. Të mos tolerohen lëshime pa arsye në punën teorike apo praktike dhe po ndodhi kjo, të merret qëndrim. Përgjegjësia para detyrave duhet të jetë e madhe si në planin personal, ashtu edhe në atë kolektiv.
2. Leximi i punimeve me shkrim dhe bisedë rreth tyre. Përveç që duhet caktuar literaturën që duhet ta lexojë çdo aktivist nga takimi në takim, duhet të caktohen edhe tema të ndryshme për të cilat shkruajnë aktivistët e caktuar apo të gjithë. Kështu, secili merr një temë për të cilën ka njohuri dhe mund të flasë, e punon me shkrim dhe në mbledhje e lexon para shokëve. Të tjerët, që po ashtu kanë lexuar material për atë temë, japin mendimet e veta analizojnë mirë punimin që të përvetësohet dhe të mos lëshohet ndonjë gabim. Temat duhet të jenë të natyrës së ndryshme dhe aktuale.
3. Caktimi i detyrave për kohën gjer në takimin tjetër. Kjo është pika në të cilën ndahen detyrat që duhet të kryejë celula gjer në takimin tjetër, gjegjësisht detyrat e çdo aktivisti veç e veç. Për kryerjen e këtyre detyrave duhet të merret vendim. Nuk duhet të lejohet asnjë qëndrim formal ndaj vendimeve. Qëndrimi formal në punën e mbledhjes apo në vendime do të thotë mos përgatitje për mbledhjen. Është detyrë e secilit të mendojë çdo kohë për çështjen dhe në takim të vijë me mendime konkrete, të sakta, i përgatitur. Vetëm shumica e përbërjes së celulës mund të marrë vendim. Duhet pasur kujdes që punët të mos monopolizohen vetëm në duart e ndonjërit apo të disave nga pjesëtarët e celulës. Të mos mungojë po ashtu iniciativa dhe guximi që të veprohet. Detyrat duhet të kuptohen drejt nga secili. Është e nevojshme që të organizohet mirë si metodë pune, çështja e kontrollit në zbatimin e vendimeve nga çdonjëri. Ky kontroll duhet të jetë sa rigoroz aq edhe shoqëror dhe ndihmës.
4. Të ndryshme. Kjo do të ishte pika e fundit e mbledhjes në të cilën shqyrtohen problemet e ndryshme. Në këtë pikë caktohet edhe vendi dhe koha në të cilën duhet të mbahet mbledhja e ardhshme. Në fund, gjithë punës së mbledhjes është mirë t’i bëhet një rezyme e shkurtër. Mbledhjen e udhëheq njëri nga shokët.
Që celula të ketë një platformë politike e organizative të shëndoshë dhe të jetë e kalitur, pjesëtarët e saj duhet të bëjnë një punë të gjerë teorike dhe praktike. Njëra dhe tjetra, këto, duhet të jenë të lidhura ngushtë sepse kushtëzojnë shoqja-shoqen. Pa teori revolucionare nuk mund të ketë praktikë revolucionare dhe anasjelltas. Që të dyja janë të lidhura në mënyrë dialektike mes veti…
Plogështia dhe dembellëku si në punën teorike ashtu edhe në atë praktike, na kushton shumë. Të mos bëjmë përpjekje për rritjen e aftësive tona, për ngritjen e nivelit teorik dhe shtimin e kalitjes politike e ideologjike, do të thotë të ngelim ushtarë të çarmatosur në fushë të betejës, apo ndoshta edhe më pak. Vetëm me një punë të pareshtur në ngritjen ideopolitike e teorike në përgjithësi, duke përpunuar mirë literaturën, taktikën dhe strategjinë luftarake, mund të mësojmë ligjet e lëvizjes, ligjet e revolucionit, mund të edukohemi në frymën e luftës revolucionare.
Ndërkaq, të mos marrim iniciativën, të na vijnë të rënda detyrat në punën praktike dhe të mos veprojmë në këtë drejtim do të thotë, të mos vëmë veten në provë, në rend të parë para vetes e pastaj para shokëve, do të thotë të mos kalitemi, do të thotë të jemi vetëm me fjalë për çështjen, llafazanë të saj.
Të përshkohemi nga një vrull revolucionar dhe nga një frymë praktike në veprimtarinë tonë si në planin teorik ashtu edhe në atë praktik. Ta thyejmë plogështinë e ta gjallërojmë punën tonë dhe ta mbajmë konstante këtë gjallëri! Puna e përditshme dhe sistematike, duke u vënë gjoksin pengesave e vështirësive dhe duke i kapërcyer ato me durim dhe në fund, revolucioni i armatosur do ta çojë çështjen tonë drejt fitores.
Që të arrihet kjo, masat e gjera duhet ta kuptojnë drejt nevojën e lëvizjes dhe të lëvizin në momentin e duhur, prandaj, para nesh si celulë revolucionare, është edhe një detyrë e madhe: lidhja e ngushtë me masat. Që të mos mbyllemi në punën brenda celulës, ne duhet të hyjmë në masat, ta njohim gjendjen shpirtërore të masave, të veprojmë në masat, ta shtrijmë ndikimin e ideve revolucionare nëpërmjet propagandës dhe agjitacionit, të bëjmë punë të frytshme në to, të mësojmë njëkohësisht nga masat dhe të nxjerrim kuadro udhëheqës nga masat për t’u prirë në luftë atyre. Duhet të jemi kurdoherë në shërbim të masës që të jemi të afërt e të dashur për atë, duhet të jemi besnikë kurdoherë ndaj saj që të fitojmë besimin nga ajo. Është detyrë jona që aty ku gjendemi në masë, të bëjmë propagandë dhe agjitacion, por për ta kryer mirë këtë punë duhet pasur qartësi mendimesh në problemet që i trajtojmë. T’i sqarojmë masës gjendjen në të cilën është, shkaqet e saj, t’ua zbulojmë fytyrën e vërtetë, aq sa ka mundësi, tradhtarëve dhe shfrytëzuesve të popullit, duke lënë që nevojën e lëvizjes ta kuptojë ajo vetë. Të gjitha këto duhet të bëhen me përgatitje solide dhe me mjeshtëri si profesionalistë. Në raste të këtilla mund të përcillemi nga agjentët ose të qëllojnë aty rastësisht, prandaj kërkohet syçeltësi dhe kujdes.
Kombinimi i punës legale me atë ilegale, si metodë e punës, duhet të zbatohet drejt në celulat tona. Ne duhet të futemi te punëtorët, te masat punonjëse të fshatit, te rinia, studentët, intelektualët etj., për të vepruar atje. Aty ku ka shoqëri të ndryshme, futemi në to dhe aty ku nuk ka ndikojmë që të formohen për të hyrë në to. Kështu, me pjesëmarrjen tonë aktive shumë shoqëri legale të punëtorëve, zejtarëve, studentëve etj., do ta ndryshonin lëvizjen e tyre nga ajo spontane në atë të organizuar, duke hequr indiferencën politike. Të marrim pjesë dhe të ndikojmë edhe në grupet e ndryshme letrare, në shtypin legal etj.
Duhet ta kemi në mendje gjithmonë se ne duhet të jemi frymëzues, edukues dhe mobilizues të masave të gjera popullore për luftë çlirimtare.
Që të lidhemi mirë me masat e gjera, duhet të krijojmë në to celula të reja. Kështu, në ndërmarrje të ndryshme, te punëtorët, duhet të formojmë celula revolucionare, të cilat janë si kusht vendimtar për luftën greviste. Këto celula duhet të interesohen për kushtet e punës të punëtorëve, pagën e tyre, mënyrën e jetesës, mënyrën e shfrytëzimit që u bën borgjezia revizioniste, ta ngritin nivelin politik të punëtorëve, të organizojnë në forma të ndryshme kërkesat e punëtorëve, të organizojnë greva dhe t’u prijnë atyre etj. Kështu veprohet edhe në masat tjera popullore.
Për kryerjen e të gjitha detyrave plotësisht dhe pa gabime, celula në rend të parë duhet të ketë unitet të fortë brenda radhëve, disiplinë të hekurt në punë, kritikë dhe autokritikë të shëndoshë, konstruktive e parimore, konspiracion të thellë, organizim të mirë të punës, metoda të reja të saj dhe iniciativë e gjallëri në punë.
Pra, ta ruajmë dhe ta forcojmë akoma më shumë unitetin brenda celulës dhe në mes të celulës e masës. E gjithë lufta e mendimeve të kthehet në unitet vullneti në marrjen e vendimeve dhe në veprime.
Njësinë e disiplinës ta kemi në vetëdije dhe të mos na vie kurrë e rëndë disiplina e hekurt në çdo punë që bëjmë.
Kritikën dhe autokritikën ta kemi si metodë edukimi dhe ngritjeje. Të mos i fshehim gabimet dhe të metat, por t’i gjejmë shkaqet dhe t’i ndreqim ato. Të mos ngurrojmë kurrë në kritikën e hapur dhe shoqërore.
Forma kryesore e punës sonë është puna konspirative, prandaj të mos e lëndojmë atë sepse dëmton celulën, dëmton çështjen. Të jemi konspirativë në çdo punë që bëjmë, si ndaj organeve të ndjekjes, ashtu edhe ndaj shokëve, kur është e nevojshme.
Të bëjmë organizimin e mirë të punës sonë. Ta planifikojmë punën që do ta bëjmë për një vit, një muaj, javë, madje dhe punën e një dite të vetme. Celula duhet të ketë plan-programin e punës që do ta bëjë në të ardhmen. Ky plan-program duhet të shqyrtohet rregullisht dhe të përmirësohet (d.m.th. të shtohet apo të hiqet diç sipas nevojës dhe mundësisë). Duhet pasur kujdes që në përcaktimin e detyrave të mos jemi të njëanshëm; të ketë detyra si në drejtimin teorik ashtu edhe në atë praktik. Kohë pas kohe (në fund të muajve dhe viteve) të raportohet mbi veprimtarinë e celulës. Të paraqiten të metat dhe gabimet, të zbulohen shkaqet dhe të gjenden mjetet për t’i ndrequr ato. Të bëhet përgjithësimi i eksperiencës dhe të përcaktohen detyrat e reja. Të mos dehemi me sukseset dhe të mos dëshpërohemi e demoralizohemi me disfatat. E para të shërbejë si bazë për suksese të reja, kurse e dyta cytje për të mbledhur forcat, pa humbur kohë, që të kalojmë nga disfata në ofensivë. Nuk duhet ta humbim kurrë besimin në forcat tona dhe në fitoren e sigurt.
T’i përmirësojmë dhe perfeksionojmë çdo ditë metodat e punës dhe t’i zbatojmë drejt ato.
Të jemi plot iniciativë, seriozitet dhe gjallëri në çdo punë.
Celula duhet të bëjë luftë të pandërprerë edhe në ruajtjen e pastërtisë brenda saj. Ajo duhet të jetë një kështjellë me bedena të forta ndaj agjentëve…
Ne duhet të jemi luftëtarë të rreptë po ashtu edhe të mendjemadhësisë e arbitraritetit, arrogancës e gjaknxehtësisë, subjektivizmit e ambicieve personale, frymës së komandimit e karrierizmit, atribuimit të meritave vetes e hedhjes të tjerëve gabimet e të metat dhe neglizhencës, frymës për t’u dukur e frymës së lëkundjes dhe të oportunizmit e të demoralizimit dhe të mos vendosjes, frymës së përçarjes dhe të çorganizimit e shfaqjeve dhe koncepteve tjera të dëmshme për punën tonë në celulën revolucionare. Kjo luftë është e domosdoshme dhe duhet të jetë në rend të parë për të bërë me sukses tjetrën: luftën e hapur kundër armikut.
Pas një pune të gjatë edukuese, teorike dhe praktike, celula duhet të fillojë zgjerimin e radhëve, formimin e celulave të reja. Të bëhet zgjerimi i radhëve, futja e gjakut të ri në radhët tona, do të thotë, pjesëtarët e celulës që e bëjnë këtë janë të aftë të vlerësojnë drejt cilësitë, të mirat dhe të metat e aktivistëve të rinj, do të thotë, ata i njohin mirë kriteret e shëndosha për ta kryer këtë punë të rëndësishme dhe të madhe. Nuk duhet të ngutemi në asnjë mënyrë në këtë drejtim, sepse në radhët tona mund të futen elementë të rastit si dhe njerëz tjerë që nuk janë për këto radhë, sepse forca jonë qëndron në rend të parë në cilësi dhe pastaj në sasi.
Çdo pjesëtar i ri që hyn në radhët tona duhet ta kuptojë nevojën e organizimit të Lëvizjes dhe ta konsiderojë veten si ushtar besnik e të devotshëm në shërbim të popullit gjer në vdekje.
Ai duhet të shohë mirë rrugën e vështirë dhe plot pengesa e rreziqe që ka përpara dhe të kalitet mirë në çdo pikëpamje për t’i përballuar ato me sukses.
Ne duhet të karakterizohemi nga një ndërgjegje e pastër, besnikëri e patundur, modesti dhe maturi e duhur, largpamësi në politikë, vetëmohim në punë, vendosmëri e palëkundshme dhe shkathtësi në kryerjen e detyrave, disiplinë e fortë dhe e përhershme dhe nga një karakter e vullnet i çeliktë.
Duhet të jemi të dashur me shokët dhe në masat, të lidhur ngushtë me masat e gjera popullore, të guximshëm e të gatshëm në çdo moment për sakrificë kur e kërkon çështja, të aftë për të punuar në mënyrë të pavarur dhe të bindur thellë në fitoren e çështjes sonë.
Të jemi të edukuar mirë në frymën e autokritikës së hapur dhe t’i ndreqim me kohë të metat dhe gabimet tona, të bëhemi militantë të fuqishëm politikë, të jemi aktivë në punë, të papërkulshëm përpara vështirësive, të pafrikshëm dhe plot iniciativë. Të mos përfillim interesat personale. Të tregojmë heroizëm të pashoq, kur ai është i nevojshëm, sepse kështu mbajmë lart moralin e shokëve, u japim kurajë dhe guxim atyre, fitojmë prestigj në masë, kurse armiqve u fusim tmerrin.
Të jemi pra, revolucionarë që nuk njohin kurrë lodhje në shërbim të popullit dhe të atdheut, çështjes sonë të madhe.
Vetëm njerëzit me cilësi të këtilla mund t’i shërbejnë çështjes sonë, mund të jenë në radhët tona.
Zgjerimi i radhëve bëhet në atë mënyrë që çdo pjesëtar i celulës formon nga një celulë të re. Që të ruhet konspiracioni, nuk duhet t’i njohin shokët e njëri-tjetrit pjesëtarët e celulës që bëjnë zgjerimin e radhëve. Ata mund të flasin për cilësitë, sjelljet dhe vështirësitë që kanë në punë me shokët e rinj, por në mënyrë të përgjithshme, pa u treguar shokëve kush janë ata. Kjo është e domosdoshme. Të kesh kureshtje për të njohur për së afërmi pjesëtarët e celulës së re në të cilën bën pjesë shoku yt dhe ta bësh atë, do të thotë ta lëndosh haptas konspiracionin.
T’i ndihmojmë shokët, sidomos ata të posa rekrutuar, t’i orientojmë dhe udhëzojmë drejt, t’u japim ndihmën e nevojshme në ngritjen e nivelit teorik, në kapërcimin e pengesave dhe të vështirësive, të kontrollojmë punën dhe t’i bindim për ndreqjen e gabimeve të tyre. Në të kundërtën, ne duhet të jemi të pamëshirshëm ndaj atyre që nuk pranojnë këshillat e drejta, ndaj atyre që janë të pandreqshëm dhe shoqërisht të rrezikshëm.
Formimi i disa celulave lind nevojën e një qendre të përbashkët të tyre, e cila duhet të koordinojë dhe drejtojë veprimtarinë e tyre.
Të shkojmë në këtë mënyrë me hapa të sigurt drejt zgjerimit të Lëvizjes revolucionare, drejt luftës së përgjithshme popullore për liri, drejt fitores përfundimtare të çështjes sonë” (4)
_______
Referenca:
1 Shkruar nga Mehmet Hajrizi dhe Xhafer Shatri
2 GRK: Udhëzime për konspiracion, Arkivi i Kosovës
3 Në fjalorin e veprimtarëve, çështja e Kosovës, madje edhe vetë Lëvizja Kombëtare quhej shkurt “çështje”.
4 Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve, “Zëri i Kosovës”nr 1, shkurt 1974

VIJON …

__________________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (68)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10457

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura