ALI HADRI POLEMIZON ME TRILLUESIT E BEOGRADIT!

SULMET E GAZETARIT ZEJNEL ZEJNELI NDAJ AKADEMIK ALI HADRIT DHE THEKSE NGA PËRGJIGJIA E AKADEMIK ALI HADRIT NDAJ ZEJNEL ZEJNELIT

Nga Bedri Halimi, Prishtinë 17 Janar 2024

Në gazetën “Politika” më 17 e 18 janar 1987, fillimisht nga gazetari Sava Dautoviqi, sulmohet historiani Ali Hadri me akuzën “falsifikim të dokumentit përdalje para kohës në pension” dhe për dyshim lidhjesh me disa organizata irredentiste”. Të nesërmen të njëjtën gjë po në të njëjtën gazetë e bën edhe gazetari i gazetës “Politika”, Zejnel Zejneli.

Ndaj këtyre sulmeve të pabaza ndaj akademik Ali Hadrit, reagon vet Ali Hadri, të cilin shkrim me titull “Internacionalizmi përcaktim imi jetësor” e dërgon më 27 janar 1987 në redaksinë e gazetës “Politika”, ku që në hyrje thekson: “Me shpresën se do të bëhet tradita e njohur demokratike e së drejtës së patjetërsuar për dialog demokratik, pavarësisht nga prejardhja kombëtare e racore, e lus redaksinë e “Politikës që ta botojë përgjigjen time në vështrimin e Sava Dautoviqit “Për internacionalizmin e Ali Hadrit” të datës 17 janar dhe të Zejnel Zejnelit “Hadri akademik i panjohur” të 18 janarit 1987.”

Në këtë përgjigje, Ali Hadri pos tjerash thekson: “Së pari në kushtet e krizës shoqërore jugosllave, ekonomike e morale, numër jo i paktë gazetarësh, dhe jo vetëm ata, me kujdes drejtojnë në adresë të inteligjencës shqiptare insuniata më të zeza nacionaliste me plot akuza. Me punë antishqiptare, kushtëzuar me refuzimin e fuqishëm antishqiptar dhe me albanofobi të thellë dallohen edhe gazetarët Sava Dautoviqi dhe Zejnel Zejneli, prandaj për këtë arsye aspak nuk më befason se edhe ndaj meje janë drejtuar me gurë e me drunj, aq më parë kur pa masë u pengon kontributi im në fushën e albanologjisë, e posaçërisht ndikimi im vendimtar për lindjen, rritjes dhe zhvillimin e historiografisë kosovare. Jo vetëm një numër gazetarësh, por edhe shumë forca unitariste antishqiptare nuk hezitojnë së përdoruri madje edhe mjete e metoda të palejueshme për ta bllokuar zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, sidomos për t’i penguar shkencat e albanologjisë e të historiografisë kosovare”…

 Por, përgjigjen ndaj shpifjeve të gazetarëve Zejnel Zejneli dhe Sava Dautoviq të cilave u është përgjigjur akademik Ali Hadri, gazeta “Politika” nuk e pa të arsyeshme që ta botoj. Prandaj, më datën 03.03.1987, akademik Ali Hadri përsëri i shkroi redaksisë së gazetës “Politika”, duke e dërguar reagimin në formë më të zgjeruar, me titull “Kujt i nevojiten dyshimet, trillimet dhe shpifjet”, ku në fund të shkrimit potencon: mbetem me shpresë se do ta botoni këtë letër të hapët, po qe se ju intereson e vërteta, e jo dyshimet, trillimet e shpifjet.

Natyrisht se as këtë përgjigje gazeta “Politika” nuk e botoi. Prandaj në vijim po sjellim vetëm disa citate nga shkrimi i akademik Ali Hadrit, të cilat flasin vet, për karakterin si të Sava Dautoviqit, po ashtu edhe të gazetarit nga Gora, Zejnel Zejneli.

 “…gazetari Zejnel Zejneli nuk mund të nderohet, siç vepron delegatja Bilana Stajiq, për dështimin total të etikës gazetare me shpifjet se qenkam marrë në pyetje për lidhje me “disa organizata irredentiste”. Ai nxitoi me këtë informim të rrejshëm në “Politikë”, duke dëshiruar t’i vijë në ndihmë kolegut të tij, Sava Dautoviqit, me të cilin isha në polemikë rreth lirisë së krijimtarisë shkencore. Nuk është as rast i parë, dhe as që do të jetë rast i fundit, e qepjes së këtij gazetari pas dezinformatave. Edhe pse gazetar i politikës së ditës, ai duhet të mendojë sado pak edhe për dyshimet policore. Nëse policia dyshon në ndonjë njeri, kjo gjithsesi nuk do të thotë se kemi të bëjmë me të vërtetën materiale, e aq më pak se dyshimet duhet botuar në gazeta. UDB-a ka dyshuar në mua pandërprerje, që nga mosha ime rinore, por, megjithatë, para Plenumit të Brioneve nuk praktikohej publikimi i dyshimeve në mjetet e informimit, sepse dihej, së paku, se nuk është mirë të trazohet opinioni publik me dyshime policore. Edhe atëherë ekzistonin listat dhe dosjet e zeza famoze të të dyshimteve, të cilat u kritikuan ashpër që nga gjysma e dytë e vitit 1966, krahas deformimeve të tjera që dëmtonin pa masë shqiptarët, e që bëheshin nga forcat unitariste serbomadhe për arsye krejtësisht shoviniste”. …

 “Në mungesë të argumenteve shkencore Sava Dautoviqi dhe Zejnel Zejneli, e jo vetëm ata, mendimin e tyre të zi për mua si falsifikator të historisë, po përpiqen ta mbështesin në akuzën e rrejshme mbi falsifikimin e ditëlindjes sime për dalje para kohës në pension. Gazetarët në fjalë, e krahas atyre edhe delegatja Bilana Stajiqi, së bashku me ata që janë në prapaskenë të këtij rasti të kurdisur me motiv e tendencë thjesht politike, as që e kanë të qartë domethënien e fjalës falsifikim. Mbase edhe për këtë arsye as që e kanë të vështirë të më akuzojnë botërisht, madje pa vendim gjyqi, për një çështje të kurdisur fund e krye nga policia e bashkëmendimtarët e saj. Nuk është vështirë të provohet falsifikimi i dokumentit, sepse ky lloj delikti është i kapshëm, qoftë në shikim të parë, qoftë nëpërmjet ekspertizës profesionale”. 

Më tej, duke shtjelluar përgjigjen e tij në hollësi për çdo akuzë, akademik Ali Hadri, ripotencon:

 “Në kushte të krizës së përgjithshme shoqërore, ekonomike, politike e morale jugosllave, një numër i konsiderueshëm i gazetarëve, e jo vetëm ata, po drejtojnë në adresën e inteligjencies shqiptare insinuata dhe akuza më të zeza nacionaliste. Me veprimtari antishqiptare, si pasojë e urrejtjes së fuqishme antishqiptare dhe e albanofobisë së thellë, shquhen edhe gazetarët Sava Dautoviq dhe Zejnel Zejneli, e pikërisht për këtë arsye aspak nuk çuditem pse janë vërsulur aq ashpër kundër meje, aq më parë pse i pengon pa masë kontributi im albanologjisë, e veçanërisht ndikimi im përcaktues në lindjen dhe zhvillimin e historiografisë së Kosovës”. 

Duke i pasur parasysh këto veprime të Zejnel Zejnelit dhe shumë të tjera me të cilat është dëshmuar si antishqiptar, nuk është vështirë për të kuptuar vet Zejnel Zejnelin ku në një intervistë, para ca vitesh kur pohon se në Kosovë nuk ka qenë dhe nuk ka dëshirë të vij, sepse në fakt ai vet e potencon se ishte dhe mbetet kundër shtetit të Kosovës.

Po në këtë vazhdë të politikës antishqiptare, Zejnel Zejneli, ka vazhduar të shkruaj libra kundër shtetësisë së Kosovës. Madje të shkruaj edhe kundër masakrës së Reçakut, të cilën mundohet po përmes një libri ta mohoj si masakër e kryer nga shteti serb.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura