Gjilan, 26 mars 2021: Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e njëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Federatën Jugosllave
Pas tre dhjetëvjeçarëve të Demonstratave të Vitit 1981, mund të bëhet bilanci më i plotë: i peshës politike, i çmimit të jetës, i vlerësimit edhe i këndeve të pandriçuara për to, i përshpejtimit të ritmeve dhe kahjes, që duhej të merrte ideja dhe veprimi kombëtar…
Pohimet e lojalistëve të “legales” së pushtetit, se Demonstratat e Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit, qoftë kur e thoshin të shtyrë nga vartësit, ose duke pikënisur nga pozita vetjake, se ato qenë “provokim” për rrezikimin e Federatës Jugosllave, e, veçmas të shqiptarëve, krejtësisht inferiorë në atë rregullim federativ, se demonstratat qenë “të parakohshme”, “të dëmshme” e të ngjashme, u tretën si vesa e mëngjesit në diellin e verës.
Edhe brenda funksionimit të Federatës Jugosllave, funksionuan klanet për mbizotërimin e drejtimit të ekonomisë e politikës në Jugosllavi : klani serb dhe ai kroat-slloven.
Shqiptarët në këtë Federatë nuk kishin asgjë të përbashkët me ata që bënë kulmin e kësaj federate, pos luftës së përbashkët antifashiste, renditur në koalicionin botëror Antifashist, të viktimizuar e të martirizuar në mijëra, sidomos pas LDB-së, duke u bërë pre e fushatave të njëpasnjëshme të gjithë mandatarëve serbë dhe të tjerëve në shërbim të politikës serbe.
Lufta e Dytë Botërore, për më shumë se gjysmën e shqiptarëve nuk solli çlirimin kombëtar të tyre. Kjo luftë si shpërblim për shqiptarët bëri copëzimin e tyre në katër subjekte politike administrative-shtetërore të ortodoksisë sllave.
Herë fshehur, herë hapur përbindëshi serb i Federatës, gjithnjë mëtoi gllabërimin e përbërësve të saj, sipas programimit luftë-nxitës: aty ku është edhe një serb i vetëm, aty është Serbi. Deviza e këtillë e nacionalistëve të skajshëm serbë, do ta sjellë gjakderdhjen, gjenocidin dhe krimin shtetëror në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
*
Ku ndodheshin shqiptarët në vitet e shtatëdhjeta?”Lufta e ftoftë” mes Natos dhe Traktatit të Varshavës, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet, mori frymë për shtendosje, ndonëse pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968, riktheu dimrin rus në pranverën e Pragës.
Rezistenca gjithë-popullore prirë nga lëvizjet studentore, jo vetëm në Çekosllovaki, do të jetë faktori ndër-reflektues, i ndërsjellë, për klimën ndikuese edhe tek ne, kur priteshin ndryshimet në amendamentet e Kushtetutës së Federatës dhe të njësive federale, po ashtu edhe të statusit të Kosovës që ishte nën Serbi.
Vetëdijesimi i shqiptarëve për ndryshimin e pozitës së tyre ishte tejet i penguar. Në këtë klimë, për t’iu dhënë kahe kërkesave për ndryshimin e statusit të Kosovës, ndodhi Një mijë e nëntë qind e gjashtëdhjetë e teta, jo në Pranverën e Pragës, por në Nëntorin e Lirisë për shqiptarët.
Gjashtëdhjeteteta është pararendësja e artikulimit të kërkesave për barabarësi me popujt tjerë, sllavë të jugut të Evropës, për universitet, për përdorim institucional të shqipes, për simbolin kombëtar, e tjera, por nuk u zgjidh dot qenia e statusit të republikës për shqiptarët. Andaj, barrën e përmasës kombëtare për zgjidhjen e statusit të republikës nën Federatë, pas katërmbëdhjetë vitesh, ta merrte sivëllai i Gjashtëdhjetetetës: Pranvera e Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit.
Rikthimin në periudhën e diskutimeve kushtetuese, të një frymëmarrjeje më liberale, pas pezullimit të diktaturës së Rankoviqit, Titoja po mëtonte ta arrinte përmes baraspeshës mes klaneve të papajtueshme: serbëve me satelitët e tyre dhe kroatëve e sllovenëve. Përfaqësuesit “legal” të shqiptarëve në shtetin jugosllav, nuk e patën guximin që të prinin në kuvendet e komunave të Kosovës, madje edhe në Preshevë e Bujanoc, të këmbëngulej për kërkesën legjitime, të ngritjes së statusit të Kosovës në status të republikës brenda Federatës Jugosllave.
*
Përkeqësimi i gjendjes ekonomike-sociale në Kosovë si shkak dhe pasojë e shfrytëzimit nga Beogradi, kurdisja e fushatave ndaj akëcilit personalitet kombëtar, fletë arrestet e vazhdueshme politike, qasjet paragjykuese, që nga Akademia e Shkencave e Serbisë deri tek fshatarët e rëndomtë serbë, viktimizimet për etiketime pastaj ndjekjet policore, trumbetimi i urrejtjes në medie, shpifjet sistematike të politikave, të medieve të shkruara e pamore, ngritën diskursin e paragjykimit, që do ta derdhin me mllefin e gjenocidit në dy dekadat vijuese të viteve 1981-1999.
Degradimi dhe zhveshja e Autonomisë së Kosovës të Njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katrës deri në skeletin e saj, pashmangshëm zgjuan inteligjencën e re shqiptare për gjetjen e mënyrës së kryengritjes…
Tashti “ilegalja” jo-lojale ndaj strukturave të shtetit e pushtetit mori rolin jetik: për jetë a vdekje! Gjiri i popullit nxori profilin e ideatorëve të vet. Modeli i këtij profili, Adem Demaçi ishte prangosur me dekada, por fryma e idesë së tij gjallëronte. Ideatorë tjerë të veprimit të idesë së Demaçit do ta shtresojnë strumbullarin kombëtar: Metush Krasniqi, Jusuf Gëralla, Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Ali Lajçi, Bajram Kosumi…
Ndërsa Tahir e Nebih Meha 13 Majin e Sigurimit Jugosllav, do ta shqyejnë me krismat e pushkëve e të gjakut të tyre në Epopenë e Prekazit, pararendës të Epopesë së Jasharajve të UÇK-së.
Në ballë të Demonstratave të Tetëdhjetë e njëshit doli rinia studentore, klasa punëtore,nxënësit dhe minatorët. Lëvizja studentore, të cilën historiani at-dhetar, akademik Ali Hadri e quajti “Lulja e Kosovës”.
Përmbysja simbolike e tabakut të ushqimit në kuzhinën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, do të jetë gjëma e nismës së një përmbysjeje të paralajmëruar të ngrehinës tiranike. Lëvizja studentore e Universitetit të Prishtinës, do të jetë promotori i Demonstratave të Pranverës së vitit 1981, tashmë historike, që u zgjerua, duke u shtrirë në tërë Kosovën dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, në Preshevë, në Bujanoc, në Ulqin e gjetiu.
Demonstratat burimin e kishin te gjendja e pakënaqshme e popullatës dhe pozita nënshtruese e shqiptarëve. Përmbajtja e tyre tërësisht paqësore u shtyp, ngase përballja me policinë e Serbisë dhe njësitet e policisë Federale, i shndërruan demonstratat në kryengritje të përgjakshme. Gjithsesi, në këtë kryengritje spikati tipari heroik i të rinjve dhe të rejave tona, duke ua hapur gjokset djaloshare plumbave e gazit lotsjellës, ujit përvëlues, shkopinjve…
Fyerjet nga qarqet politike, represioni tejet i vrazhdë i policisë, demonstrimet e qeta i shpien në një kryengritje të pabarabartë gjithë popullore, që gjithsesi tronditi Jugosllavinë edhe Evropën. Mediet botërore kthyen shikimin kah një pikë e ndrydhur që quhej Kosovë. Megjithatë, përqendrimi tjetër i diplomacisë Euro-Amerikane ishin portet e Polonisë, përkatësisht Lëvizja Sindikale “Solidarnost”, prirë nga Leh Valensa.
*
Pranverën e përgjakshme të vitit 1981, e karakterizoi përmasa gjithëpërfshirëse, ndaj pikërisht kjo rrethanë ua humbi logjikën e gjakftohtësisë shtetarëve jugosllavë, kryesisht serbëve. Në tubimet e ethshme të partisë shtet, ngjarjet e Tetëdhjetë e njëshit u përkufizuan me togfjalëshat famëkeq, si:“kundërrevolucion”, “separatizëm”, “irredentizëm” e izma tjerë luftënxitës.Ishin të vështira rrethanat për tu përballuar të tëra ato gara të përditshme etiketash fyese e kërcënuese, propaganda e shfrenuar, e cila do ta kishte cakun e vet tejet tragjik, sikur e pati, jo më shumë se dy dekada më vonë, kur u zbatua gjenocidi, që do ta ndërpresë UÇK-ja dhe Aleanca Veri-Atlantike e Nato-s, në qershor të vitit 1999.
Autoritetet serbe e kishin humbur fare logjikën dhe etikën njerëzore në mësymjet e tyre; ngase kërkuan, gjykuan, shqiptuan dhe zbatuan masat policore e gjyqësore drakonike, tipike mesjetare. Për prijësit, organizatorët e përkrahësit e Demonstratave u shqiptuan shekuj vitesh burgimi! Qindra-mijëra shqiptarë u pezulluan nga vendet e tyre të punës. Qindra-mijëra tjerë morën rrugët e mërgimit…
Krahas pasojave për shqiptarët, Demonstratat e Tetëdhjetë e njëshit në sytë e botës ia nxorën bojën “idilës jugosllave”, “të mirëqenies e barazisë”, “mes kombeve e kombësive të Jugosllavisë.”
Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e njëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it.
*
Pas Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit, statusi etnik i shqiptarëve të trazuar, tashmë u trazua skajshmërisht nga politika policore… Marrëdhëniet ndëretnike i helmoi politika shoviniste serbe. Në çdo aspekt të veprimtarisë institucionale e publike, kuadrot shqiptare këqyreshin me sy zhbirues, gjithkah, në çdo kënd vigjilonte syri dhe veshi i dyshimit, i përgjimit, përcjellja nga hafijet si hije, censurohej fjala publike, programet arsimore dhe identiteti, kultura, letërsia, artet… Ndjekja u bë një veprimtari fitimprurëse, lulëzoi gojëtaria e diferencimit, hapeshin dyert për dëbime masive, ndërsa frika e kapjes për prangosje i solli gjumit të natës ankthin e pagjumësisë.
Diferencimi dhe përzgjedhja negative, si dhe pezullimi nga detyrat me peshë publike, do të jetë lëndë e përditshme e trajtesave të gazetarisë denoncuese dhe gjykatave të monizmit partiak në Kosovë, në Serbi, në Jug-Federatë!
Posaçërisht gjuha e diferencimit përçarës, si një ogur i zi, kalëroi në fushën e edukimit e të arsimit shqip. Diferencimi dhe kursi i tij hapnin taborre: pro et contra. Kush përfaqëson, anon, mbështet, simpatizon a mëshirohet për vijën “irredentiste”, “separatiste”, “armiqësore” e këso lloj formulash gërryese dhe, kush është besnik për zbatimin e direktivave të LKJ-së “fajtomë”?! Në këtë mes nuk lejoheshin qasjet e papërcaktuara.
Përmes këtij procesi totalitar vihej në sprovë karakteri njerëzor, vartësia sociale e kryefamiljarëve e kushtëzuar nga një politikë e panatyrshme. Thika e përçarjes ishte e mprehtë, mjet i ftohjes mes shokëve e miqve, sepse mëtoi ndarjet, prishjet dhe nënshtrimin, madje ndër-familjarë! Në vorbullën e këtij procesi famëkeq, pati të atillë që u ligështuan, por edhe nga të tillë që “taktizuan”? Akëcilët, ata që visheshin me demagogji, si mburojë e paskëshin zgjedhur heshtjen, ndonëse heshtja atëbotë nuk mund të ishte kapak i agjentë. Heshtakët morën tiparet e kameleonëve.
Më të shumtët arsimues shqiptarë nuk lejuan që t’iu njollosej dinjiteti njerëzor, etik e kombëtar.
Kategoria e dinjitarëve arsimorë do ta përjetojë edhe sprovën tjetër të radhës, dëbimin dhe mbylljen e shkollave shqipe nga okupatori. Por falë vokacionit atdhedashës të tyre, misionin e shenjtë të arsimimit të brezave, do ta vijojnë në gjirin e popullit, në “shtëpitë shkolla”.
*
Ideatorët, prijatarët, bartësit e organizatorët e Tetëdhjetë e njëshit, posaçërisht ata që mbijetuan ferrin burgjeve të okupatorit, por edhe sakrifikuesit që ranë, në sytë e brezave “morën nam me gjak në ballë”, siç shprehej Noli për heroin Bajram Curri.
Tetëdhjetë e njëshi, si kudo në Kosovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Preshevë, Bujanoc, në Kumanovë, në Ulqin e në Gjilan, në Gjermani, Zvicër e Belgjikë, ngriti tiparet e dëshmorëve dhe dinjitarëve tanë, si Rexhep Elmazi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia… Këto figura dhe të tjerë, do të bëheshin modele e shëmbëlltyra të adhuruara, natyrisht në Kosovë, në rrethe të mbyllura, por në qindra e mijëra zemra …
Këto modele joshëse frymëzuan të tjerë personazhe për tu identifikuar me një shpirtgjerësi të atillë, çfarë e patën ata e ia falën idealit të çlirimit e bashkimit… Ata ranë, por nuk duhej të këputeshin hallkat e vijimësisë…
*
Tetëdhjetë e njëshi solli një moral të paparë deri atëherë. Dhe ajo etikë etnike nuk u shua asnjëherë përkundër masave represive. Ajo etikë e tillë kultivoi shpirtin solidar, ndërsa aktin e flijimit e shpuri në lartësinë e kultit…
Në mesin tonë ka ende qyqarë që mëtojnë ta fshehin oportunizmin e tyre të atëhershëm dhe të tashëm, përmes teorive anarkike të një “konspiracioni“ botëror, për pleksje me faktorët e jashtëm si nxitës të këtyre ngjarjeve, për atë ose sferën tjetër të dominimit… Në këtë mënyrë, këta “urtarë kameleonë”, ende bien lehtë në grackat e përpunuara të konspiracionit të ortodoksisë ruse-serbe dhe, injorojnë burimin e ngjizjes iluministe të subjektivitetit të inteligjencës sonë çlirimtare!
Të tëra grupimet e kësaj periudhe, me ngjyrime të jashtme: të majta a të djathta, në brendinë e tyre nuk kishin tjetër çka, përpos zgjidhjes së çështjes shqiptare të pazgjidhur. Prandaj, këto figura flijuese do të jenë hallka të forta për t’i lidh brezat e mësymjeve kombëtare: Nacional-Demokratiken me Gjashtëdhjetetetën, Gjashtëdhjetetetën me Tetëdhjetë e njëshin, Tetëdhjetë e njëshin me Nëntëdhjetë e shtatën e UÇK-së dhe UÇK-në me koalicionin Veri-Atlantik të NATO-s.
Gjilan, e rishkruar më 24 mars 2021
Postime të Lidhura
NJË LIBËR ENCIKLOPEDIK PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË, 1912/1913
NJË LIBËR ENCIKLOPEDIK PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË, 1912/1913 Nga Sheradin Berisha Më 23 Janar 2014, në Prizren u…
GJOKË DABAJ: BASHKIMI EUROPIAN SI ANTANTA
(Durrës, 20 janar 2013) – Ne Shqiptarët nuk do të donim e, besoj, asnjë europian i kthjellët nuk…
DR.PËRPARIM DEMI: SHQIPTARIZMI NUK ËSHTË IDEOLOGJI – POR QËNDRIM, MENTALITET DHE PËRCEPTIM SHQIPTAR I SOVRANITETIT
Bukuresht, 08. 07. 2013 – Në vitin 1991, në Shqiperi mitingjet hapeshin dhe mbylleshin me thirrjet – ta…
PAVARËSIA
PAVARËSIA Dhjetë shkronja në një emër Në çdo shpirt e në çdo zemër Ndërtojnë emrin Pavarësi Fjalë e…