MEHMETALI REXHEPI: UDHËHEQJE CILËSORE PËR ARSIMIN E KOSOVËS

Pashtriku.org, 3 qershor 2017: Ndërtimi i kapaciteteve për lidershipin shkollor në Kosovën e pasluftës (*) Osman Buleshkaj: “Student doktorant në Universitetin e Kalgarit në Kanada” (Nga Revista Shqiptare për Studime Arsimore); Volumi 1- numër 1- 2013.
Studimi i autorit Osman Buleshkaj “Ndërtimi i kapaciteteve për lidershipin shkollor në Kosovën e pasluftës”, kap një shtrirje prej njëzet e një faqesh të word-it, dhe në mënyrë shkollore parashtron qasje lëndës së tij, duke rrokur për shqyrtim ngritjen dhe ndërtimin e kapaciteteve edukative-arsimore, me përqendrim të veçantë tek drejtuesit e arsimit në Kosovën e pas Luftës Çlirimtare, përkatësisht ngritjen e drejtorëve të nivelit rajonal dhe komunal të arsimit parauniversitar në Kosovë.
I tërë përqendrimi hulumtues i këtij studimi, pos të dhënave të përgjithshme, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), si dhe literaturës bashkëkohore, me 43 njësi të cituara, pikënisje referencash për diskursin pasqyrues, përshkrues, krahasues e analizues, gjithnjë ka Zyrën Rajonale të Arsimit në Pejë. Studiuesi thekson veçantitë dhe të përbashkëtat, pa u thelluar në këtë pikëvështrim, si funksionoi deri tash sistemi arsimor në Kosovë.

– Osman Buleshkaj –

Strukturimi i studimit ka ndjekur një rend shkollor, një kronologji të ndërtimit të kësaj natyre studiuese, ngase në kapitullin e hyrjes, që ka tre nëntituj, nëntitulli “Fokusi kryesor në këtë studim”, po të shikohet më thellë, duket i sforcuar pohimi që dëfton mungesën e një diskursi, jo tërësisht të sigurt, për kompetenca studimore të natyrës së tillë arsimore prore evoluese.
Në kapitullin “Metodologjia e studimit”, strukturohen: ndërtimi, vend-shtrirja, çështjet “përfaqësuese” ose tipike, vjelja e të dhënave, analiza, klasifikimi, interpretimi, përshkrimi, supozimet, shtrirja dhe kufizimet e studimit.
Brenda kapitullit “Shqyrtimi i literaturës”, qasja dukurisë për shqyrtim merr kahe të drejtpërdrejt, sepse shtrohet ana profesionale e udhëheqësve, drejtorëve të shkollave të nivelit parauniversitar, duke cituar studiuesit e çështjeve kompetente, si Brundrett (2001); Brundrett dhe Dering (2006); Collorbone (1998); Andrews dhe Grogan (2002); Jackson dhe Kelly (2002); King dhe Youngs (2001); Peterson (2002) dhe Wong (2004)…
Disave nga këta ekspertë të lëmes së arsimit, studiuesi ua vjel përvojat teorike dhe praktike, për t`i pasuruar metodat e kërkimit për gjetje mënyrash dhe vlerash, që do t`i shërbenin ngritjes profesionale të drejtorëve përmes universiteteve, shoqatave profesionale, agjencive qeveritare, organizatave jofitimprurëse, formave plotësuese, me anë të programeve për përgatitje procesesh vijuese të shërbimit udhëheqës (menaxhues) në shkolla.
Studimi mëton të shtrojë, të zbërthejë ngërthesa, disa nga temat dhe perceptimet që ngrehin pesë përbërës për ngritjen e udhëheqjes efektive, për një sistem shkollor të përparuar në Kosovë: 1 përvoja si themel i fortë, 2 intervistat e hapura dhe të mirëfillta, 3 ngritja profesionale për përmbushje të kërkesës, 4 bashkëpunimi ndërveprues për udhëheqje të efektshme të shkollave, 5 perceptimi për ndryshimin që ndodh ose do të ndodh.
Nga pikëvështrimi metodologjik, titulli “Rezultatet, temat dhe perceptimet”, i bie ndesh kësaj rrjedhe logjike, ngase do të duhej zgjidhur, shtruar e rrumbullakuar temat dhe perceptimet për temat, teksa pas sistemimit përmbajtjesor të tyre do t`i prisnim rezultatet.
Në vijim të këtij kapitulli, studimi shqyrton intervistën, rregullat e përfshirjes në intervistë, mënyrat intervistuese të kandidatëve për drejtimin efektiv të shkollave, mundësitë e zhvillimit profesional, gjithnjë në përputhje me kërkesat; efektet e programeve trajnuese, ngritja profesionale dhe forcimi i anës praktike të mësim- nxënies, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, si ndërvarësi për udhëheqje efektive të shkollave. Në vazhdimin e këtij diskursi, përmbyllja e kapitullit ngre perceptimin për ndryshimin, që do të duhej të sillte cilësia e dukshme dhe e prekshme arsimore.
Studimi parashtroi kapitujt e diskutimit për procesin e rekrutimit, të zhvillimit profesional dhe përmbyllet nëpërmes kapitullit tjetër, të përfundimeve ose konkluzioneve, pastaj natyrshëm pasojnë rekomandimet për praktikat arsimore, në përputhje me vijat e parashtruara programore.
* * *
Në vijim të diskursit tonë kritik, le të nënvizojmë disa pikëvështrime, të cilat, mendoj, e lëndojnë këtë studim me vlerë për mbarëvajtje të rendit shkollor në Kosovë.
Sistemi i arsimit pas Luftës Çlirimtare në Kosovë, jo “pas konfliktit”, siç e redukton studiuesi, ndoshta pa qëllim, me anë të këtij termi, që është i padenjë për përmasën çlirimtare, tragjike dhe rrënuese, njëkohësisht ngadhënjimtare të Luftës sonë Çlirimtare; paraqet veprimtarinë më të ndjeshme, krejtësisht e ndërvarur me vijimin a ngecjen e gjithëmbarshme, ose zhbërjen e brezave të shkollarëve të Kosovës.
Si në çdo fushë të jetës, shqiptarët si degët e një trungu të ndarë, studiuesi i këtij profili, këtë rrethanë e ka anashkaluar, duke e shikuar procesin me teorinë e një studenti të Kalgarit, për t`i mënjanuar rrethanat, dy-mendjet ekzistenciale hamletiane: të qenies a të mos qenies së institucioneve arsimore në Kosovë, në zgripin e zhbërjes së tyre, gjatë periudhës së gjenocidit dhe të traumave… Mandej pason inkuadrimi dhe ngjitja e përnjëhershme në integrimet e programeve të avancuara arsimore e kulturore Euro-Atlantike… Si të arriheshin këta hapa gjigantë?
Vetëdija jonë është e përcaktuar për integrimet evropiane, por assesi si copëza komunitetesh të shkëputura nga tërësia e tyre etnike, përpos si tërësi: me autoktoninë, veçantinë e filozofisë dhe të identitetit, për të pasuruar mozaikun e vlerave universale të popujve. Në këtë kontekst, shprehja “konflikt” merr rolin e figurës së litotës, kundruall madhështisë së idealeve çlirimtare.
Në qoftë se terminologjia është çelësi i depërtimit në ngërthesa dhe zbërthimet e tyre, po aq ka vlerë saktësia e përdorimit të terminologjisë, pa e ndërlikuar qartësinë e pohimeve, të konstatimeve, shqyrtimeve dhe përkufizimeve të dukurive në lëndën e këtillë të studimit.
Në faqen 30, studiuesi u shpreh: “u ruajtën një zinxhir dëshmish…” Pse të përdoret shprehja e vrazhdë “zinxhir”?
Te nëntitulli “Interpretimi”, faqe 31, haset përdorimi i dyzuar i fjalës “praktikën”, “praktikën” në një paragraf të vetëm përmbyllës. Dyzimi i shprehjeve është tregues varfërie për një studiues . Studiuesin e mirëfilltë e karakterizon begatia e fondit të shprehjeve, dhe terminologjia e çelësave përkatës për të hyrë në të fshehtat e dijes.
Po ashtu, konsideroj, është i pa përshtatshëm përdorimi i shprehjes, si tek titulli “Zhvillimi profesional i drejtorëve”. Shprehja “zhvillim” në këtë kontekst të diskursit është mjaft e përgjithësuar. Autorit të studimit për të shënjuar saktësi, jo vetëm gjuhësore, por dhe kuptimore, do t`ia propozoja shprehjen e thjesht, po gjithsesi më të saktë: ngritje profesionale e drejtorëve.
* * *
Studimi sjell një pasqyrim krahasimtar për të sotmen, por i mungon pasqyrimi i të djeshmes së shkollës me mendësi dhe ndërtim monist. Ku fillon njëra e ku mbaron përvoja tjetër e shkollës në Kosovë? Shkollat e sotme të Kosovës kanë shumësi mundësish demokratike, janë të hapura për ide të reja krijuese, me kahe të shumta për ndërveprime, për përafrimin e teorisë me praktikën e jetës bashkëkohore, përderisa dinamika e bashkëkohësisë sjell ndërlikime të panjohura, dhe, ndonjëherë të papërballueshme.
Doemos duhet t`i kapim rrjedhat arsimore të modernitetit: arsimi edhe te ne të organizohet dhe të udhëhiqet në përputhje me programet e avancuara të teknologjive kompjuterike, duke ndërtuar, investuar, orientuar e pajisur nxënësin, përkatësisht studentin tërësisht me profil profesional, konkurrues cilësish e sasish për ekonominë e tregut.
Fati i arsimit në Kosovë ishte i lidhur me “statusin final”, i dëshiruar dhe i pritur për kohë të gjatë nga shqiptarët; “zgjidhja është ajo që vazhdonin ta shtynin diplomatët ndërkombëtarë”(Judah, 2008). Një konstatim i këtillë nga autori i këtij shqyrtimi është plotësisht i përtrollitur.
Pas mbylljes së shkollave nga Serbia, institucionet arsimore në Kosovë pësuan goditje rrënuese. Megjithatë, vullneti dhe shpresa për ta mbajtur të pashuar vatrën e diturisë, asnjëherë nuk u shua në gjirin e popullit arsimdashës. Shuarja e shkollës shqipe kushtëzonte pashmangshëm stërkeqen e identitetit kombëtar dhe të vlerave njerëzore. Mbajtja e arsimit publik nëpër “shtëpitë-shkolla”, do të jetë sprova e mbijetesës, e mbajtjes gjallë, nëpërmjet “sistemit paralel” të shkollimit. Si i tillë, “sistemi paralel”, ose më drejt sistemi i pavarur, por i penguar i arsimit në Kosovë, edhe pse mëtonte reformimin dhe ndryshimin, duke nxitur ndërtimin e kapacitetit sistemor, për një arsim të qëndrueshëm, nuk kishte premisa të mjaftueshme për të arritur një sistem të konsoliduar.
Padyshim, do të kishte qenë me interes, që kjo qasje studiuese të trajtonte më gjithanshëm “eksperimentimet” e dështuara të periudhës së bashkëqeverisjes me strukturat e UNMIK-ut në Kosovë. Do të duhej theksuar se programet e pastudiuara, shabllonet e huazuara, nuk i shkuan për shtati reformës arsimore në Kosovë.
Me gjithë masat e ndërmarra të qeverive të një pas njëshme, për të rritur nivelet e kualifikimit në proceset e miratuara për rekrutimin, ngritjen profesionale të drejtuesve të shkollave, ndonëse ky studim përqendrohet vetëm në rajonin e shkollave të Pejës, shtjellimi aludoi ngjashmërinë edhe me gjashtë rajonet tjera të Kosovës… Sistemi arsimor i këtij konteksti kohor nuk arriti shkallë të efektshme të përmbushjes së objektivave të programuara.
Informacionet që sjell studimi përkatës për rritjen e kapacitetit, me anë të ngritjes së udhëheqjes efektive të shkollave, nëpërmjet drejtorëve të kualifikuar, duke paraqitur përvojat dhe modelet e praktikave të vendeve të tilla si: Mbretëria e Bashkuar, Alberta, Kanadaja dhe Sllovenia, përfundimet krahasimtare në këtë studim janë të përgjithësuara, të pa konkretizuar me ilustrime të prekshme, që do t`iu përgjigjeshin interesimeve tona ndikuese: si, sa, ku, kur, çfarë dhe çka?…
Studimi solli një diskurs teorik, përgjithësues dhe standard kabineti të literaturës së huaj. Pse nuk është pohuar mania improvizuese e MASHT-it për improvizimet shterpe, përkitazi paraqitjes së reformave si risi dhe me rezultate të paqenë?! Udhëheqja e shkollave të mesme të larta dhe të mesme të ulëta, nuk mund të ishte efikase dhe me rezultate të kënaqshme, duke pasur drejtues kryesisht partiakë! Së fundi, (bëhet fjalë për të dhëna rezultatesh krahasimtare, të nxjerra gjatë vitit 2016), gjendjen e shkallës së tashme arsimore te ne, e dëshmoi, për moshën dhe nivelin e caktuar, treguesi i arritjes ndërkombëtare për mësim-nxënie i PISA-s.
Pleksja dhe dirigjimi i politikës dhe ideologjive dogmatike, jo shkencore, jo qytetëruese në shkolla është njëkohësisht rrënimtar për autonominë e shkollës, si institucion universal i edukatës, arsimimit, profesionalizmit, dijes kombëtare e gjithënjerëzore të brezave.
Nga kjo rrjedhojë, diskursi ynë do të na shpjerë në konstatimin, se përqendrimi i këtij studimi vetëm te marrja e kualifikimeve për drejtorë, nuk e përmbush esencën e synuar.
Një studim i mirëfilltë, për të qenë burimor dhe i besueshëm, nuk do të lejonte që të ngufatej nga moria e citateve, të cilat nuk përkojnë me mjedisin e piketuar, për tu bërë udhërrëfyes ose formula të sakta për gjetjen e zgjidhjeve, sikurse me ndonjë shkop magjik.
Ndonjëherë citatet e përkthyera, pa i shmangur kalket ose përkthimi ad literam, nuk e ilustrojnë bindshëm qëllimin e paravënë.
Autori i studimit “Ndërtimi i kapaciteteve për lidershipin shkollor në Kosovën e pasluftës”, nëpërmjet këtij studimi jep sprovën e gjendjes arsimore në një rajon të kufizuar, andaj është i vetëdijshëm, se si i këtillë, ky rajon “nuk është medoemos përfaqësues i rajoneve të tjera” (f.32). Le të pohojmë, se kësisoj studimi përmes të veçantës i shërben parimeve të përgjithshme, për të ndërtuar një sistem të vlerave unike arsimore në Kosovë.
Literatura, kryesisht e burimeve të huaja, të universiteteve e institucioneve me renome, duke cituar 43 njësi nga këto burime, me vetëm dy sosh autorësh nga Kosova; ndoshta dhe kjo rrethanë anashkalimi, autorit ia varfëroi qasjen për më shumë të dhëna të drejtpërdrejta, që studimi i tij të ishte më shterues, më i argumentuar dhe më ndikues, për proceset e forcimit të praktikës së udhëheqjes arsimore për rajonin e piketuar.
Natyrisht këtu literatura vihet në funksion të begatimit të përvojës përmes përvojave të tjerëve, për t`i kapur ritmet e dinamikën e tyre të modeleve për udhëheqje (menaxhim), për të ushtruar ndikimin e zbatimit në praktikën tonë shkollore që mëton konsolidimin e saj. Duke pasur parasysh, se modelet e huaja nuk mund të zbatohen si një copy-paste, ngase ka një varg faktorësh mjedisor, social, politikë ekonomikë, një mendësi dhe psikologji ende gjeneruese e mentalitetit të njëmendësisë…
Pohimet dhe konstatimet e ndikimit të përvojave të arsimit të konsoliduar, sipas metodologjive të sprovuara të modeleve për udhëheqjen e shkollave në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, Alberta dhe në Slloveni, tumiren në pikëpamje orientuese, ndikuese; përderisa zbatimit në praktikën tonë shkollore, i duhen kapacitete të superstrukturës profesionale, me infrastrukturë institucionale, ligje e programe parametrash të zbatueshëm, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
Qasja e këtij studimi, në shumë pasuese të tij, me të drejtë, ngre parimin madhor dhe një etikë të pa sanksionuar, por prore shtytëse, vepruese nga brendia e unit njerëzor me “përgjegjësi madhore për mësuesit në përgjithësi dhe shkollat në veçanti” (Rasti i Kosovës, f.34).
Parimi i përgjegjësisë nuk është diçka e re, për çështjen që shtron autori, Osman Buleshkaj. Ndoshta për specifikën e arsimit në Kosovë, këtij shtjellimi do t`ia shtonte vlerën ndikuese e vepruese, sikur autori të parashtronte dhe parashikonte mekanizmat konkretë për ngritjen, mbajtjen e shkallës së përgjegjësisë, përkatësisht sanksionimin e papërgjegjësisë në praktikën e kapaciteteve udhëheqëse të shkollave në Kosovën e pas Luftës Çlirimtare.
Nga pikëpamja metodologjike shtjellimi i praktikës arsimore mund të ishte më i thelluar, sikur pohimet e karakterit përgjithësues dhe përshkrues të kishin më shumë parametra tregues, kur pas përmendjes të secilit model, ose të modeleve të shtruara për shqyrtim, në këtë rast modeli anglez, por dhe të gjitha modelet e krahasuara, të ilustroheshin me anë të qasjeve tabelore treguesish, parametrash, përqindjesh, grafikësh të cilësisë e rezultateve të pritura të mësimnxënies.
Këtij diskursi natyrshëm i shtrohet pyetja: si u trajtuan drejtorët jo cilësorë në praktikën arsimore të shkollave të standardit model? Kësaj pyetjeje autori në shtjellimin e tij nuk i dha përgjigje. Padyshim do të ishte me interes për mjedisin tonë arsimor, një përgjigje tej prishja-qejfit politik.
Në kapitullin e studimit “Temat dhe perceptimet”, autori, pos tjerash, nënvizoi konstatimin e përvojës arsimore, që, kushti tri vjet përvoje të nevojshme, plotëson kriterin për udhëheqje në shkollë, por nuk e dëshmon realitetin. Ky kriter është i flashkët dhe, assesi parakusht për matje shkathtësish e vlerash udhëheqëse. E bëra dhe mëtimi për të bërë, kanë ndërmjet një det të tërë. Vetëm treguesit e rezultateve të prekshme, sjellin dëshmi të besueshme për një shkollë funksionale dhe drejtuesit e saj.
Nuk mund të mohojmë, se ana e procedurës formale e praktikës për përzgjedhje të drejtorëve të shkollave në rajone të Kosovës, sikurse në atë të Pejës, nëpër DKA të komunave është përfillur rendi procedural. Mirëpo, çfarë ndodh në praktikën e emërimeve? Paradokset nuk kanë të ndalur! Autori e ka prekur këtë praktikë të pakëndshme, improvizimin e kriterit dhe manipulimet e paneleve intervistuese. Anomali të tilla në praktikën e paneleve të pa trajnuar në Kosovë, për ironi ka pasur mjaft!
Rrethanat e pa përmbushura për mbarëvajtje sasiore e cilësore të shkollave të Kosovës, kushtëzohen nga mungesa e kapaciteteve për t`u sponsorizuar, ndonjëherë shpërdoruar, përkitazi programeve të ngritjes profesionale, që do të shpinin në përmbushje të kërkesës. Kërkesa shtron kritere të rrepta për ofertën, ndërsa oferta pa përmbajtje cilësore, profesionale nuk arrin dot përmbushje të kërkesës. Mos përmbushjet e ndërsjella mes ofertës dhe kërkesës, i japin shtytje dinamike konkurrencës.
Ku gjendet çelësi për hapjen dhe zbërthimin e vlerave? Autori i studimit, një çelës të tillë faqe-bardhësie e sheh te disa faktorë: koha, racionalizimi i kohës, respektimi i agjendës, lidhjet e drejtpërdrejta me klasën, me stafin, bashkërendimi i agjendave, mba-mendje e vijueshme, duke punuar dhe komunikuar në mënyrë vepruese…
Disa nga pikëvështrimet e këtij shtjellimi, nuk do të duhej të mbeteshin vetëm konstatime të shkruara në letër. Ligjvënia arsimore do të parashtrojë detyra për të fuqizuar kompetencën, për marrje e dhënie përgjegjësish, për të fuqizuar udhëheqje që shënon rezultate të pranueshme. Pse mos të përfshihej kjo rrethanë zbatuese për rekomandimin e kompetencës të udhëheqjes arsimore?
Cili është caku kërkimor i kësaj trajtese për autoritetin e shkollës bashkëkohore? Studiuesi kërkon ndërtimin e kapaciteteve efektive të udhëheqjes. Përbërësit edukativ-arsimorë shtrojnë domosdoshmërinë e ndryshimeve thelbësore dhe cilësore, për udhëheqje dinjitoze në shkollat tona. Këtë imperativ e kërkojnë ndryshimet dinamike në shoqëri, periudha e riciklimeve materiale të produkteve, ruajtja e mjedisit jetësor, si dhe imponimet e dukurive natyrore, nga të cilat varet ekzistenca njerëzore… Prandaj, të gjitha këto përmasa lypin që dija, arsimimi, shkenca, profesionalizimi, vetëdija njerëzore, të jenë në ballë të proceseve dhe transformimit të tyre për nevojat ekzistenciale të njerëzimit.
Studimit i mungon konstatimi themelor: çfarë ka ndryshuar dhe çka nuk ka ndryshuar pas përpjekjeve reformuese, jo aq të efektshme dhe ende jo përmbajtjesore?
Rekomandimet do të ishin efektive, sikur të tejkalohej rrafshi i mërzitshëm i rutinës, i marrjes vazhdueshëm me identifikimin, mangësitë, të metat, ankimet, ndërsa artikulimi i kërkesave ende mbetet “terra inkognita”.
Një artikulim i gjithanshëm i kërkesave për të tashmen dhe të ardhmen e udhëheqjes së shkollave, në sistemin e konsoliduar të arsimit në Kosovë është borxh e peng, jo vetëm i këtij intelektuali të respektuar, për kultivim e përtrollitje të një iluminizmi modern, praktik, kombëtar e bashkëkohor. /Gjilan, 10 janar 2017/

REVISTA SHQIPTARE PËR STUDIME ARSIMORE
Osman Buleshkaj: Ndërtimi i kapaciteteve për lidershipin shkollor në Kosovën e pasluftës, mund ta lexoni nga faqja 25 – 48/
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Revista%20Shqiptare%20E%20Studimeve%20Arsimore%201.pdf

=========================================

Zona B – Osman Buleshkaj – 06.12.2016 – Klan Kosova

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura