Nga arkivi i LRSSHJ-ës, 1984
MËRGIMTARËT DHE KOSOVA REPUBLIKË
Më 14 korrik 1984, patriotë mërgimtaré të rretheve të ndryshme u mblodhën në Bern të Zvicrës, duke iu përgjigjur thirrjeve që lëshohen në emër të LRSSHJ dhe të ”Kosovës Republikë”. Demonstrata e 14 korrikut në Bern qe një prej atyre shumë demonstratave që bënë jehonë për çështjen shqiptare, dhe një prej atyre që kohëve të fundit individët duke shfrytëzuar gatishmërinë e popullit për të luftuar për ”Kosovën Republikë” duan të sigurojnë kapitale politike për t’u zgjatë jetën veprimeve spontane.
Kush u bë ”zëdhënës i denjë i propagandës së Beogradit?”
Shkaqet lidhur me mosparaqitjen e një numri patriotësh në mërgim, në demonstratën e fundit në Bern, nuk është vështirë për t’u gjetur. Para së gjithash ato mund t’i gjejmë të përmbledhura në thirrjen e cila u lëshua për këtë demonstratë.
Shumë mërgimtarë kishin vërejtur më parë gjëra të papëlqyera që bënin individët në emër të LRSSHJ. Sjelljet në formën: ”Pse e bëtë këtë punë pa e pyetë Lëvizjen?”, ”Nuk bënë të përgatitet kjo dramë pasi nuk e ka dhënë pëlqimin Lëvizja!”, ”Pse u ndihmua familja e filanit?”, ”Atij e atij iu ka hap dosja në Lëvizje!” ishin bërë një dukuri. Para këtyre sjelljeve, megjithëse mërgimtarët patriotë nuk i pëlqenin e as aprovonin, pakënaqësia e tyre e përmbajtur shprehej me fjalët si: ”Ata duhet t’i dinë më mirë këto punë”, ”ata duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të kenë përgjegjësi për çdo fjalë që thonë.” Edhe kur hasnin në devijime flagrante, punëtori ynë i thoshte vetes: ”Ndoshta kështu po u dashka se ata janë më të ditur”. Me një fjalë ishte aso gjendje kur thuhej: ”Ka thënë Lëvizja dhe mos e nga më tutje!” Në këtë përshtypje është mbështetur edhe autori i thirrjes së demonstratës së Bernit, por për fatin e tij të keq dhe për fatin e mirë të popullit nuk është më ashtu. Ajo kohë kaloi dhe nuk kthehet më. Dhe ne gëzohemi për vigjilencën e shtuar të punëtorëve tanë të cilët i kanë bërë sytë katër dhe e lexojnë nga disa herë edhe një fjalë të vetme. Kështu rezultoi se vepruan edhe me thirrjen e demonstratës së Bernit e cila përfundonte me kryethirrjen: ”… të mblidhemi dhe t’ia dridhim themelet Jugosllavisë fashiste!”
Pasi e lexuan disa herë i thanë vetes: Ç’thotë ky? Po kështu është duke folur Beogradi natë e ditë, se ne nuk jemi duke kërkuar Republikë, por duami që ta shkatërrojmë Jugosllavinë. Po a tha kështu Bajrush Xhemaili e Ramadan Veliu. Ne nuk kemi punë me Jugosllavinë e as me themelet e sistemit të saj. Atij që ka punë me themelet e Jugosllavisë fashiste, me sistemin e saj politik, me kënetimin e pushteteve, me mbretërit e kuq, i qoftë rruga e mbarë pa ne.
Kush po i shantazhon punëtorët?
Redaktori i ”Zërit origjinal” ka turpin të akuzoj dikend për shantazhim të punëtorëve. Shpjegimi i fjalës ”shantazh” gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe me këtë shënim plotësues: “Shtrëngim që i bëhet dikujt për të plotësuar një kërkesë të papranueshme prej tij duke e kërcënuar se do të zbulohet një e fshehtë që e dëmton, se do të rrezikohet ai vetë apo ndonjë i afërm i tij.” Eshtë e ditur se njerëzit me qëllime të errëta u afrohen të tjerëve sipas devizës: ”Kompromentoje e pastaj tërhiqe nga të duash.”
Prej të gjitha qyteteve në Perëndim ku gjenden më së shumti ata shqiptarë që janë nxitur haptasi të eksponohen para përfqësive diplomatike të Jugosllavisë? Në cilat qytete thuren intrigat më të mëdha kundër shokushokut? Në cilat qytete bien ”këmbanat e alarmit” me rastin e afrimit të zgjedhjeve vjetore pranë ”Klubeve të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia” në të cilat krijohet aso gjendje thuase Republika e Kosovës do të shpallet në ato klube?! Çdo njeri me një informim sado sipërfaqësor, pa u hamendur do të përgjigjet se këto dy qytete janë Dusseldorfi dhe Gjeneva. Vetëm në këtë të fundit gjenden mbi 100 të rinj që e kalojnë sezonin e dimrit në një gjendje tejet të vështirë, pa guxuar të shkojnë në familjet e tyre. Në këto dy qytete keqpërdorimi me ndjenjën e pastër të patriotizmit ka shënuar vlera ekstreme.
Siç shihet këtu nuk kemi të bëjmë me atë daljen e domosdoshme në sipërfaqe të disa individëve në një situatë të vrullshme revolucionare që ishte karakteristike për Pranverën 81, por kur puna për kompromitimin e punëtorëve para diplomacisë jugosllave është shndërruar në sistem. Në klubet e këtyre dy qyteteve, punëtorët tanë nga ‘patriotët’ deri në palcë provokohen e fyhen me fjalë të ulëta si në stilin: ”Mos i keni krijuar familjet në ymyd të pasoshave të Jugosllavisë”.
Të tillët përpiqen që çdo klubi t’i japin vulën e ”antijugo-sllavizmit”, t’u thuhet udhëheqësve të klubeve të dërgojnë letra në Biel-Bienne, sepse me to duhet të ”bindin popullin se masa është me ne”, siç vepruan me letrën e klubit ”Asim Vokshi” të Llozanës. Siç dihet edhe anëtarët e klubit ”Asim Vokshi” janë shqiptarë që vazhdimisht udhëtojnë për tek familjet e tyre, por për këtë dikujt nuk i bëhet vonë që anëtarët e klubeve të dënohen e torturohen, sepse lot kanë me bollëk, e njëkohësisht t’u thuhet të tjerëve:
Ç’na duhet Republika nën Jugosllavi, kur ndodhi si ndodhi ajo do të na burgosë! Pra dihet shumë qartë se kush i shantazhon punëtorët tanë në mërgim.
Shtator 1984, Stockholm
(Nga Xhafer Durmishi: Protesta e aspirata, faqe 21 – 22)
© Pashtriku.org