Tirana, 10. 02. 2015 – Nuk e di, ta dua veten a ta urrej? Eca me djersën e patharë, pa ndaluar në skutat e errëta që ngrinin leqet e shtruara me shkëlqimin vezullues të florinjtë, sepse nuk doja të cungoja dinjitetin tim. Nëse do ta bëja, (të më joshte shkëlqimi), si do të isha sot? Si ‘ata’… apo një degë e bukur pa rrënjët e personalitetit? Ta dua tim Atë apo t’i zemërohem, atje në errësirën e ndriçuar prej virtytit të heshtur?! Linda, i rrita, i mësova dhe edukova fëmijët njëlloj si të parët e mi, me të njëjtat vlera. Thonë që fati është i lidhur me gjenin, thonë që edhe e ndihmon vetë. Ky është dhe ngërçi i njerëzimit. Të jemi ashtu siç lindëm, apo të bëhemi pjesë e kohës së zhvilluar ku ‘ha njeriu njeriun’?! Slogani ‘përshtatu ose vdis’ është kaq i frikshëm! Frikë nga e nesërmja e pasigurt. Punohet me nder dhe përkushtimisht, por pa dobi. Mbetesh udhëve me këpucë të grisura dhe këmbë të lodhura. Nuk mjafton të djersitësh. Sepse ‘ajo’ mban erë të rëndë dhe asfikson sallonet mondane të djersë-shtrydhësve.
Askush nuk lindi për të verbuar me shkëlqim Njerëzinë. Diku në një fushë të Kosovës pashë një vilë super luksoze. M’u mahnit vështrimi teksa parakaloja, por indiferente në mermerin që reflektonte diellin.. (sepse mendimet më shkonin valë-valë.) Tavanet me kolorit floriri mbysnin heshtjen time. Ca më tej, orenditë luksoze talleshin me ‘egon’ time të mbetur pas në kohë, që ngatërruar në ekuacionet e arsyetimit të sinqertë… nuk mori kurrë një përgjigje, të paktën për respekt të kohës së harxhuar. Dhomat parakalonin një nga një para indiferencës time tashmë të rrënjosur në karakter. Kisha kohë që nuk bëja më pyetje. Thjeshtë vështroja si një somnambul ato që nuk më habisnin më. Midis meje dhe orendive luksoze kishte një mal me dhimbje… pikëpyetje… pikëçuditëse. E kisha menduar shpesh pastërtinë e sjelljes dhe ndërgjegjen. Do t’i merrja me vete t’i groposja bashkë me sinqeritetin tim të ndershëm, të devotshëm, të panevojshëm mbase, për kohën ku jetojmë. Pastaj, fakti që nuk isha vetëm unë e përhumbura e shekullit, më ngushëllonte dhe më bënte optimiste për vazhdimësinë. Këshillat e të mençurve më godisnin si çekan në sallën e ligjeve;
– ‘asgjë nuk do marrim me vete bija ime, vetëm dy metra tokë’. Rrokullisem nën gjëmimin e ditëve të kaluara mes mijëra këshillave të tilla, ku djersa rridhte mbi damarët e lodhur nga stërmundimi. Atëherë kur plaku i mençur belbëzonte mes ngashërimës të ditëve të fundit:
– Eh’ moj bijë, punuam një jetë e gjë s’fituam’ Mua më mbetej ngashërimi i pashprehur, sepse nuk do kisha fatin e plakut të mençur por… do kisha një të ardhme të bukur. I shërbeva kësaj dëshire, jo vetëm me mendime pozitive nga fizika kuantitative, por dhe me vepra e punë të përditshme, pa llogaritur asnjëherë lodhjen. Ajo shtëpia e madhe e ëndrrave me kopsht me lule shumëngjyrëshe mbeti një utopi në xhepin e peshkaqenëve, që shëtisnin para virtyteve të mia. Virtytet oh-tashmë të kthyera në një thes mbetjesh njerëzore prisnin radhën për të plehëruar të kaluarën e nxjerrë jashtë loje, si një xhaketë e vjetër relike varur në murin ndarës të kohës moderne.
Heshtjen e përhumbjes në meditim ma theu zëri i të zonjës së shtëpisë.
-‘A të pëlqeu kjo vilë’?
Kërkova të dal sa më shpejt jashtë, se po më zihej fryma. Ulur në bordurën e kopshtit nxora një zë që sa mezi e dëgjova dhe vetë.
-‘Të tilla vila ka shumë në Tiranën time. Ka shumë herë më të bukura e moderne se kjo’.
Ndërkohë sillja ndërmend disa kronika lajmesh, se ato nuk mund t’i vizitonte një mësimdhënëse studentësh si unë. Mjafton që mahnitesha duke i parë nga jashtë.
E zonja e shtëpisë sikur më kishte lexuar mendimin, shtoi:
-‘Im shoq dhe unë kemi punuar shumë në Zvicër, madje bashkëshorti ka kryer tre operacione në shpinë nga stërlodhja, por ama djersën nuk ja ka shkelur askush me këmbë, përkundrazi’.
Një bekim e frymëmarrje e thellë më pushtoj qenien për këta njerëz të mirë. E urova me shumë shpirt ta gëzonte frytin e djersës së tyre. Mëndja më shkoj te ditët e para-zgjedhjeve, kur diku një deputet tha;-
-‘Do ta bëjmë Lagjen tuaj të madhe si një Zvicër të vogël, ku ju të jetoni të lumtur’.
Që nga ajo kohë kanë kaluar 15 vjet por çuditërisht e kujtoj, si një recetë valeriane që qetëson shpirtrat e trazuar, prej djersës së tharë e të përbaltur nga ‘ata’, “Ata” që parakalojnë ‘shkëlqimtarë’ para heshtjes tonë të sëmurë prej dekadash. Mu dhimbs vetja dhe njerëzit e mirë gjithashtu… që nuk iu dha kurrë kostoja e djersës së tyre. Ikën me lot dhimbje në sytë e lodhur nga pritja e dëshpëruar…ikën me djersën e përbaltur.
Tiranë 16 janar 2015
………………………………………………………….
Poezia ‘Kryepoema e shpirtit – Nëna’: Nga Mimoza Agalliu – lexoi Dani…
Poezia “Jetim” nga Mimoza Agalliu – lexoi Dani
………………………………………………………..
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)