MIMOZA AGALLIU: KUR FLASIN ËNDRRAT (Esse)

Tiranë, 29. 09. 2015: Njeriu lind nëpër ëndrra, jeton në e me ëndrrat, e në pragvdekje, në koshiencën e tij në praglamtumire nga kjo botë, kupton se dhe jeta ka qenë një ëndërr, bile shumë e shkurtër…. Jeton një kohë të gjatë në mes tyre, ëndrrave, derisa vjen një çast ku realiteti e shkund, si një pemë. Ato lindin në çdo stinë, çdo lindje dielli, çdo perëndim. Ato kanë moshë. Lindin me të qarat e para dhe vdesin me amanetin e fundit. Çdo ëndërr ka një fillim-fund të ri. Nëse ëndrrat nuk do ekzistonin, do të ishte si lulet që shuhen në një shkretëtirë. Ëndrra është si lulja.. Rritet nëse e ushqen dhe i shërben. Ai që mbjell ëndrra të bukura është një filiz i bukur, që rritet shëndetshëm në shoqërinë njerëzore. Gjithkush do të dëshironte të merrte freskinë dhe ngjyrën e saj, sepse ato janë me ngjyra. Nëse ti e do jetën spektri i bukur të zbukuron sytë. Nëse ato janë pa ngjyrë jeta është e zbehtë e rakitike. Ato janë dhe të gjata.
Kur ka vetëbesim e vetërespekt, koha është shumë e shkurtër për të realizuar ëndrrën. Ato janë mes nesh, mjafton të preken. Ëndrrat nuk janë të pakapshme. Nëse tenton t’i afrohesh për t’i përqafuar, ato të ulen në gjunjë duke të treguar udhën. Nëse i braktis rruga jote mbetet e shkretë dhe errësirë. Ëndrrat lindin me kohën e vdesin me shpirtin. Nëse e ngre në qiell, ajo të ngjyros ditët me kaltërsi. Nëse i fal natyrën të ushqen me labirintet e ekzistencës. Nëse i fal buzëqeshje ta ndriçon hapin me diell. Ëndrrat janë si rrahjet e zemrës që nuk rreshtin kurrë, mjafton të jesh paqësore me to. Ëndrrat kane ciklin e tyre. Lindin, harrohen, por mund të rikthehen fuqishëm përsëri nëse i kërkon. Nuk ndodh të mos dëgjojnë. Mjafton ta duash një ëndërr dhe ajo vjen nëse e ke thirrur me forcën e shpirtit.

Ka ëndrra që këputen në mes, por që pikëtakohen në dashuri të përjetshme. Ëndrrat janë me ngjyra, mjafton të zgjedhësh ngjyrën e duhur që të shkon. Nëse zgjedh të gabuarën dukesh qesharak. Çdo ëndërr ka udhën e saj, e cila është me tatëpjeta e vështirësi të panjohura të pafundme, por mjafton të jesh në udhën e duhur, për të ndjerë frymëmarrjen e saj. Ëndrrat lindin nga shpirti e dëshirat. Ato janë rrahje pulsi që ushqejnë zemrën. Dëshirat lindin nga ndërgjegjja për vazhdimësi. Nëse zemra dhe dëshirat janë sinkron nën dirigjimin e koshiencës, lindin ëndrrat që nuk vdesin kurrë. Nëse e harron ajo të braktis duke të lënë qenie të zhveshur nga emocionet, por ato janë si bekim. Vijnë dhe kur je në gjumë duke përkëdhelur frymën dhe mendimet që mos t’i harrosh kurrë.
Jeta pa ëndrra është apokalips i qenies humane. Ato kanë emër dielli, hëne, yjesh etj., futen në to duke krijuar një univers ndjenjash për të përcjellë lotin, buzëqeshjen, puthjen, prekjen. Ato janë fatale duke të sjellë dhimbje, zhgënjim, ankth, depresion, kur ke zgjedhur ëndrrën e një bote të panjohur. Ato janë të bukura, kur janë produkt i një koshiencë inteligjente të mirë menduara. I dua ëndrrat. Me to ndjehem mbushur plot jetë edhe kur ndonjëherë më tradhtojnë. Jeta pa ëndrra është si trupi pa zemër.
Ëndrrat janë arsenal ndjenjash. Janë besim tek e vërteta duke u rrëfyer, ushqyer nga shpresa e të ardhmes. Janë shpërthim agimesh. Janë shpresë, rizgjim, fije bari që rilind, ujë kristal që rrjedh, një shkelje syri, një shëtitje mbi kalë… etj..
I dua ëndrrat kur rrënjët i kanë thellë në tokë. Ëndrrat janë vazhdimësi… Tek raporti me ëndrrat, shikoj më mirë realitetin, tek ëndrrat shtrihet makthi apo brenga e së pamundurës, tek ëndrra përballen realiteti e virtualiteti, në një peshore që asnjë shkencë nuk mund ta piketojë, veçse shpirti kompleks i qenies biologjike me emrin njeri..

***
MIMOZA AGALLIU: DUKE JETUAR ҪASTIN (Esse)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4403

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura