MIMOZA CIKA: QERIM, TI ISHE I VËRTETI!

Pashtriku, 9 mars 2020: Vrasja e Qerim Kelmendit, ditë më parë ishte një tronditje e madhe për familjen tonë, për shokët apo gjithë shoqërinë kosovare, për politikën apo për shtetin e Kosovës. Thjesht dhe shqip: një vrasje makabër në mesnatë, një skenar preciz mafioz, një alarm për të gjithë.
Buja e madhe që shkaktoi kjo vrasje ngriti peshë një opinion të tërë, shkruar e cituar nga të gjitha mediet apo portalet shqip, gjermanisht apo anglisht. U vra një ish luftëtar i orëve të para, një UÇK-ist, mbi 20 vjet pas përfundimit të luftës.
Qerim Kelmendi ishte ndër të parët që e ka nisur angazhimin e tij kundër pushtuesit serb. Madje qysh 14-vjeçar ai do niste këtë rrugëtim të gjatë deri në çlirim. Unë personalisht e njoha pas vitit 1990 si pjesë e familjes sime, por bashkë me të njoha nga afër shokët e tij tashmë heronj të Kosovës si: Zahirin, Ardianin apo Ilirin, Xhemën, Edmondin, Fehmiun e Xhevën. Djem që lanë gjithçka pas edhe pse në vitet me të bukura të rinisë dhe u rreshtuan bashkë me te tjerët, aty ku e donte nevoja për një Kosovë të pavarur dhe të lirë.
Shiprtmadhi ishte djalë i zgjuar, me plot humor dhe mjaft i drejtpërdrejtë. Të gjitha siç i mendonte i shprehte, pa asnjë rezervë edhe kur ato qe thoshte ishin me “rrezik”. Pikërisht kjo kurajo e tij, por mbi të gjitha ndershmëria për të thënë dhe mbrojtur vetëm të vërtetën, i frikësonte shumë të tjerë në Kosovë apo jashtë saj. Ai nuk e njihte kompromisin dhe as nuk trembej nga vdekja. Madje ai u plagos disa herë nëpër aksione e megjithatë nuk zmbrapsej nga angazhimi i tij.

Por pse u vra Qera? Kush e vrau trimin? Pse pikërisht tani?
Janë këto pyetje që shtrohen më të drejtë nga të gjithë pas asaj që ndodhi dhe që na ra si një bombë në mesin tonë. Spekulimet ndërkohë gumëlojnë…… Shumë madje mendojnë se ishte një eliminim në prag të ndonjë ftese të Qerimit si dëshmitar në Gjykatën Speciale. Por fakt është që ai zyrtarisht nuk ishte ftuar.
Dihet se shumë gjëra mbi raportet e Qerimit me ish-anëtarë e LPK-së (PDK) ekzistonin dikur brenda një rrethi, por më pas zunë vend edhe në disa gazeta apo televizione. Viteve të fundit, falë rrjeteve sociale, “armiqësitë” me disa politikanë nga dy Shqipëritë, e risollën në vëmendje përsëri Qerimin. Ai me shkrim dhe më zë ka shprehur gjithçka dinte për disa të vërteta mjaft të shëmtuara apo kriminale që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës.
Them të vërteta, sepse po të ishin shpifje, të akuzuarit e kishin më kollaj ta dënonin me burg. Por për autoret e vrasjes së Qerimit kisha shumë shpresë se ndoshta na ndihmonte dikur Baton Haxhiu edhe pse, një jave pas vrasjes së tij, ai e braktisi televizionin Klan Kosova. Dha dorëheqje nga një televizion që e ktheu në studio prokurorie e hetuesie duke akuzuar njerëz të pafajshëm. Një prej të cilëve ishte edhe Qerimi. Por edhe pas akuzave të tilla ai vazhdonte jetën normale, duke u kthyer mesnatave vetëm në shtëpi. Ai madje mund të jetonte edhe gjetke në një vend shumë më të sigurt në Europe. Por ai nuk donte të braktiste shokët e vrarë dhe Kosovën për të cilën kaq shumë ishte derdhur gjak.
E vranë duke u kthyer për në shtëpi pas një ndeshje futbolli me një breshëri plumbash dhe e dogjën trupin e tij bashkë me makinën.
Nuk ju mjaftoi vdekja e Shpirtmadhit?
Për gjurmë nuk bëhet fjalë se skenari ka kohë që është gatuar dhe realizimi ndodhi ashtu siç ata e kishin parashikuar. Mesnatë, shi e furtunë, vetëm dhe në pritë.
Sigurisht që edhe kjo pyetje e ka përgjigjen. Qerim Kelmendin e kishin frikë edhe kufomë të mbushur me plumba. E kishin frikë se mos ngrihej edhe i vdekur për të dëshmuar të vërtetat që ai kishte parë e përjetuar. Ndaj e vranë për së dyti për të qenë me të sigurt.
Por Qerim Kelmendi është i pavdekshëm me veprën dhe heroizmin e tij.
Ai mbetet simboli i luftëtarit të ndershëm dhe të panjollosur sikurse gjithë vëllezërit e tij, të cilët kanë një jetë të tërë që luftuan për këtë Kosovë që po gëzojmë, por edhe që po na trishton.
Lavdi Heroit tonë shpirtmadh!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura