Pashtriku.org, 06. 05. 2014 – “Nuk ka dallim midis lexuesit dhe shkrimtarit. Dallimi është një marrëzi dhe një mashtrim. Shkrimtari i mirë është një lexues i rrallë, që di të lexojë atë që nuk e lexojnë të tjerët. Kjo e bën aq të paturpshëm dhe mendjemadh sa, në vend që ta quajë veten një lexues, kinse vetëquhet shkrimtar. Më mërzit dhe më lodh për vdekje miti i shkrimtarëve, paturpësia e tyre. Madje ka dhe një dukuri të shkrimtarokracisë që është dëshmi e sigurt se mrekullia e intelektit është më tepër tiranike. Përralla e elitës, apo e gjenive, që bëjnë një sekt okult nuk ka asnjë kuptim. Edhe një mjellmë e di këtë gjë më mirë se sa Homeri. Libri im më i ri (pse jo më i vjetër?) “Kështu foli Mona Liza” është një libër për të gjithë dhe për askënd, pra, unë nuk shkruaj për veten time. E pse unë qenkam vetja ime? Nga forma, nga lëkura, nga rrobat, apo nga kapela? Ndoshta kapela është e vetmja gjë e mençur, që kam, më e rëndësishme, sesa koka ime.” – kështu thotë Dr.Moikom Zeqo, në një bashkëbisedim me shkrimtaren dhe përkthyesen tonë të njohur – Mira Meksi, të botuar në maj 2000, në revistën “Më shumë dritë”. Në vazhdim lexoni të plotë këtë bashkëbisedim.
– DR.MOIKOM ZEQO –
* * *
Mira Meksi: – Kam kohë që më është krijuar përshtypja se një njeri si ty nuk mund të jetojë dot, qoftë edhe pak kohë, pa shkruar dhe se vetmimi nga shkrimi do të qe dënim i madh, je shumëfaqësh, fort i ndërlikuar: arkeolog, historian, poet, shkrimtar për fëmijë, prozator, zhbirues i mitikës dhe mistikës, interpretues i Nostradamit, studiues i pikturës sonë të vjetër, studiues i shumë gjërave, erudit, piktor… ngjan se është e vërtetë ajo teoria e gjenive me sirtarët e gatshëm të trurit, të cilët mjafton t’i çelësh dhe… Drita e njohjes nuk hyn e del kollaj nëpër faqet e tua të shumta, por thyen këmbët e qorrolliset teposhtë… gjithsesi unë do të mundohem t’ia dal të hedh pakëz dritë njohjeje mbi ty. Do të kërkoj vetëm të jemi sa më lakonikë dhe të kuptueshëm në bisedën tonë. Kur dhe si ke filluar të shkruash?
Moikom Zeqo: – Ç’do të thotë të shkruash? Kjo është një pyetje e tmerrshme! A ka pasur abetare për Adamin dhe Evën? Dihet se Zoti s’ka pse të bëjë një abetare. Kozmosi nuk është një abetare. Abetaret i shpikin naivët, janë me një fjalë nga e njëjta gjedhe me MENYTË, E RESTORANTEVE. Hygoi ka thënë dikur se Katedralja e “Notre Dame” është një Homer gotik. Por mrekullisht Homeri qe analfabet. Piktorët e paleolitit të shpellave të Altamirës qenë absolutisht të gjithë analfabetë. As gjuha parababilonike që e dinte vetëm Nembroti nuk ka pasur alfabet. Alfabetet kanë qenë shpikjet më të llahtarshme, sepse i kanë thjeshtëzuar marrëzisht sendet dhe gjallesat, madje janë forma më e rëndë e alibisë dhe mashtrimit të jetës. Unë nuk besoj tek alfabetet dhe as tek shkrimi, por si gjithë vdekatarët budallenj kam rënë dhe unë në këtë çark vdekjeprurës. Megjithatë e dashur Mira nuk po bëj asnjë shaka, sepse s’kam fuqi jetike për të bërë shaka. Ime më më ka kujtuar një mëkatin tim të hershëm: përpara sesa të shkoja në vitin e parë të fillores në një shkollë në kodrën e Durrësit, që sot është rrafshuar dhe nuk ekziston më, unë në fleta letre kisha shpikur disa shenja të veçanta me trekëndësha me pika dhe çuditërisht me presje, ose me ca vija, që i ngjanin një ortografie makabre së bashku me disa simbole të tjera që unë p.sh. i quaja trëndafila, por që kishin vetëm tre petale dhe nga një sy peshku në mes, ose anije me vela në formë brekësh, ose mace me ganxha gaforreje. Me këto simbole të pakuptueshme unë gjoja kisha filluar të shkruaja, diçka si një mesazh idiotësh, ose një tekst, që s’e kuptonte askush, prandaj nuk kishte asnjë arsye që ta kuptoja as unë vetë. Mos u trondit nga kjo që po të them sepse nuk jam i denjë që të habitesh fare lehtë. Unë ndoshta kisha shpikur një “shkrim”, por jam i bindur që vetë Zarathustra do të tallej, me atë të qeshurën e tij të pandalur por unë akoma dhe sot nuk e besoj dhe nuk dua ta besoj se ka ekzistuar Zarathustra, madje as vetë Niçja. Më vonë pasi kisha mësuar alfabetin fonetik, që ka një karakter të abstraguar më tepër sesa duhet, jam habitur, gjë, që vërteton injorancën time të tejzgjatur, se dikur njerëzimi ka njohur të ashtuquajturin shkrim piktografik, të paraqitur nëpërmjet sendeve. Barleti thotë,s e Gjergj Kastriot Skënderbeu e njihte akoma shkrimin piktografik dhe i dërgoi renegatit gjenial Ballabanit një drapër, një plug dhe kazmë për t’i treguar se është më e ndershme dhe më me kuptim të korrësh, madje përpara sesa të mbjellësh dhe përpara sesa të rrënosh tempujt e ngritur. Akoma më vonë, ja, që mosha e shton marrëzinë dhe moskuptimin lexova në një nga faqet e romanit të mitizuar tej mase “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos se si qe gjendur një pergamenë e shkruar me një alfabet zodiakor, d.m.th. shenja e Diellit paraqiste germën “A”, shenja e Jupiterit germën “Z” kurse shenja e Binjakëve një germë që nuk ekziston në asnjë alfabet të botës. Po tmerri im u hiperbolizua, kur mësova, se edhe Gjon Buzuku në 1555 kishte përdorur shenjën zodiakore të Demit për germën “U” dhe atë të Ujorit për germën akoma më djallëzore “Th”. Por tashmë ne i kemi harruar këto mrekullira dhe përdorim alfabetin fonetik pa tentuar t’i shpëtojmë skllavërisë. Kështu shkrimtarët janë skllevër të skllevërve. Kurrë nuk e kam menduar, se do të bëhesha shkrimtar dhe kur në moshën nëntë vjeç bëra disa vargëzime absurde dënova veten time përjetësisht. Lumturisht shkrimin e parë në jetën time e kam botuar në moshën 13 vjeçare për garat e notit në të vetmen gazetë sportive të Shqipërisë. Duke qenë një notar i shkëlqyer i stilit delfin të quajtur në mënyrë heretike edhe si stili Batërflaj (e ku ta dija unë se kjo fjalë anglosaksone do të triumfonte me një sistem të tërë politik të një ideje utopike të Platonit të keqpërdorur!), unë me anë të lëvizjeve të mia në det apo në pishinë mundet të kisha shkruar libra më të mrekullueshëm. Kur kam parë varrin e Kitsit në Romë dhe kam lexuar epitafin e tij që thotë “emri im është i shkruar në ujë” e kam kuptuar me një dhimbje të patregueshme, se notarët janë më simbolikë dhe më me fantazi se sa shkrimtarët. Ja, pra se si e kam pësuar unë e dashur Mira. U shmanga nga kopshti i Edenit dhe mëkati i Adamit rastësisht është mbiquajtur njohje, ose akoma dhe më turpshëm letërsi.
Mira Meksi: – Si e ka fillesën një vepër e jotja, është një ide, imazh, një ndjesi, një ëndërr, një libër i lexuar e ndryshme gjithsaherë, apo thjesht je ti vetë në gjendje të ndryshme, në kohë dhe hapësira imagjinare? Dhe si punon me atë fillesë?
Moikom Zeqo: – Kush është fillesa? Ç’quhet fillesë? Në një fragment tek “Upanishadat” indiane kam lexuar këtë mendim: “Zoti nuk mund të jetë shkak i sendeve të lindura për arsye se as vetë nuk është Zoti i lindur, sikurse as lulja e lotosit që nuk lindet nga ajri. Po të ishte kështu të gjitha sendet do të krijoheshin në të njëjtën kohë”. Pra nuk ka fillesë sepse nuk ka as mbarim. Mendja njerëzore është e kufizuar midis tyre. Kam shkruar dhe botuar shumë libra, por nuk mund të them se përse ime mëmë u martua me tim atë dhe përse linda pikërisht unë dhe nuk lindi p.sh. një ketër, një kometë, një molekulë, apo një kontinent. Si mund të ketë një fillesë të librave, kur këtë gjë nuk e di as vetë Zoti dhe si mund të mendojmë për krijimin e botës në gjashtë ditë kur kjo ide heretike do të na krijonte një blasfemi akoma më të rëndë, për të menduar edhe vetë fillesën e Zotit? Brenda vdekjes mund të jesh njeri kurse vetëm jashtë vdekjes mund të jesh brahman (ndoshta dhe shkrimtar) thotë një tekst i stërlashtë kinez. Krijuesi është real në kufizimin e tij tmerrësisht të shkurtër dhe mbase ka kohë dhe hapësira imagjinare por edhe për to nuk ekziston fillesa.
Mira Meksi: – Të duhen kushte “speciale” për të krijuar, fjala vjen të kesh përherë pranë diçka, pa të cilën nuk mund t’i futesh dot krijimit?
Moikom Zeqo: – Kushte “speciale”? D.m.th. të kesh gjak në deje, të të rrahë zemra dhe të kryesh ritualin e jashtëqitjes, që është gjithashtu një formë akoma më jetike e krijimit? Nuk e njoh komoditetin, por kuptoj më mirë asketët e shpellave se sa mediokrit e kompjuterëve.
Mira Meksi: – Gjatë procesit të ngjizjes së veprës, a e ke kokëçarjen e përballjes me lexuesin, a mendon për të? Gjatë leximit tani së fundi të një fragmenti të veprës tënde “Kështu foli Mona Liza”, m’u krijua përshtypja se Moikomi shkruan (të paktën në këtë libër) vetëm për veten e tij.
Moikom Zeqo: – Nuk ka dallim midis lexuesit dhe shkrimtarit. Dallimi është një marrëzi dhe një mashtrim. Shkrimtari i mirë është një lexues i rrallë, që di të lexojë atë që nuk e lexojnë të tjerët. Kjo e bën aq të paturpshëm dhe mendjemadh sa, në vend që ta quajë veten një lexues, kinse vetëquhet shkrimtar. Më mërzit dhe më lodh për vdekje miti i shkrimtarëve, paturpësia e tyre. Madje ka dhe një dukuri të shkrimtarokracisë që është dëshmi e sigurt se mrekullia e intelektit është më tepër tiranike. Përralla e elitës, apo e gjenive, që bëjnë një sekt okult nuk ka asnjë kuptim. Edhe një mjellmë e di këtë gjë më mirë se sa Homeri. Libri im më i ri (pse jo më i vjetër?) “Kështu foli Mona Liza” është një libër për të gjithë dhe për askënd, pra, unë nuk shkruaj për veten time. E pse unë qenkam vetja ime? Nga forma, nga lëkura, nga rrobat, apo nga kapela? Ndoshta kapela është e vetmja gjë e mençur, që kam, më e rëndësishme, sesa koka ime.
Mira Meksi: – Nëse mundesh ta shpjegosh cila është lidhja jote me Meduzën si figurë? E rastësishme? E pashpjegueshme? E menduar mirë?
Moikom Zeqo: – Meduza është një figurë e fantazisë, ashtu si grifonët, si sirenat, si centaurët dhe si piktura e Mona Lizës. Ajo ka flokë prej gjarpërinjsh, ka një buzëqeshje të tmerrshme dhe dy dhëmbë të mëdhenj prej derri të egër ose prej Drakule. Një mitolog si Mirçea Eliade ka thënë, se gjuha e nxjerrë jashtë nga goja e Meduzës është simboli i fallosit. E gurët vertikalë të varreve janë simbole të mjera të fallosit. Meduza tregon, se sa e rrezikshme është fantazia njerëzore dhe se surrealizmi i miteve sundon shumë shekuj më parë mendjet njerëzore të tjetërsuara. Emblema e Meduzës ka për mua një karakter humoristik, shpesh satanik. Unë nuk e besoj Meduzën, por dhe nuk mund të hakmerrem dot ndaj saj. Më beso Mira, as jashtëtokësorët nuk mund të përballen dot me Meduzën.
Mira Meksi: – Je i kudogjendur, si e ke bërë ujdinë me kohën?
Moikom Zeqo: – Unë i kudogjendshëm? E di teorinë e ubikuitetit? Kjo teori shpjegon se një profet fjala vjen Makabeu ose Krishnja mund të jenë njëkohësisht në pika të ndryshme të hapësirës edhe në Sinai edhe në Tibet edhe në Atlantidën e fundosur, ose edhe në shekullin XII edhe në shekullin e sulmit mbi Trojën edhe në shekullin XXXIII. Nuk mund të bësh ujdi me kohën. Marsel Prusti na gënjeu të gjithëve. Shën Agustini na tregoi paradoksin e kohës kurse gjithë të vdekurit na tregojnë se ka vetëm kohë të sendeve dhe amshimi vërtetë është amshim sendor, pra pa kohë. Jam kaq i përkohshëm në kohë moj Mira, saqë as trishtohem por as ngazëllohem. Vita brevis…
Mira Meksi: – Shumë shkrimtarë i janë qasur deri studimit të metaforës, ti që, për mua, je shkrimtari më emblematik i metaforës, ç’mund të na thoshe për të, ekzistojnë vetëm ato metaforat e gjithhershme që janë krijuar në fillim të kohërave dhe krijuesit vit pas viti vetëm na japin variante të tyret, apo mund të shpresojmë në krijime metaforash të reja? Ti vetë, a ke krijuar ndonjë metaforë të re, cilën?
Moikom Zeqo: – Ç’është metafora? Të besojmë ato që thotë Aristoteli për metaforën apo Derridanë? Simiotika e Ekos mua më kujton më tepër një “vidio game”. Hamleti i Shekspirit e shpjegon më mirë metaforën, kur thotë, se kur vdes një mbret, mishin e tij e hanë krimbat, me një krimb të tillë peshkatari kap një peshk dhe kështu ndodh, që një mbret të udhëtojë në zorrët e një liparaku. Kjo është metafora. Ka një panteizëm negativ. Naim Frashëri e apologjizoi këtë gjë si bektashizëm botëror, princi i përvuajtur Buda mendonte se kishte qenë më përpara si gaforre, si deve, si yll, si e pëgërë shqiponje, si gjarpër dhe në fund fare si Budë, kurse Pitagora është një plagjiator i rrezikshëm por i paharruar i metapsikozës, metamorfozës, ose metaforës. Sa shumë emra krejtësisht të padobishëm! Unë nuk kam krijuar asnjë metaforë të re, ndaj kuptoj diçka më shumë nga të tjerët se ç’është metafora. Nuk jam dinak, sepse nuk jam gënjeshtar. Raca e shkrimtarëve është një racë tipike gënjeshtarësh, por me një alibi kaq të fuqishme sa na bëjnë të mahnitemi pas tyre (unë jo dhe aq)
Mira Meksi: – A mund të shpjegohet letërsia, apo ajo është diçka që ndodh dhe aq?
Moikom Zeqo: – A mund të shpjegohet letërsia? Shkoni në një kopsht fëmijësh dhe dëgjoni bisedat e tyre. Ata nuk e dinë gramatikën, nuk e dinë as emrin e Eduart Sapirit as të Ferdinand de Sosyrit. Kush ka fuqi t’i shpjegojë bisedat e fëmijëve? Po kush tha që nuk janë të kuptueshme? Ç’kuptim ka shpjegimi? Cila agjenci funerale është marrë seriozisht me vdekjen e Milosaos?
Mira Meksi: – Si do ta përcaktoje stilin e një krijuesi në përgjithësi. Ç’është pra, stili letrar?
Moikom Zeqo: – Nuk besoj tek stilet letrare, kurse metodat krijuese janë akoma më të pabesueshme. Çdo stil letrar është si shkëlqimi i thonjve, por që ka gjithmonë diçka të papastër. Pse paskan stil letrar gjenitë dhe nuk paska fjala vjen vallëzimi i flakëve të një zjarri, ose hieroglifet në lëkurën e zebrave? Stilet letrarë, ose artistikë janë vetëm konvencione, ose si rregullat e ceremonialit bizantin për të cilat ka shkruar një libër të mrekullueshëm Porfirogjeneti. Nuk ka stil artistik tek Onufri, por ka vetëm Onufër.
Mira Meksi: – Çdo shkrimtar ka fantazmën e tij, cila është fantazma jote?
Moikom Zeqo: – Fantazma ime mund të jetë ajo e pasvdekjes, ose mund të jetë fantazma e princeshës bizantine Ana Komnena e martuar me Artur Rembonë për të më lindur jo mua por Ndre Mjedën, ose fantazma e Safos e dashuruar me shën Palin, moralistin e pamëshirshëm.
Mira Meksi: – Shkruan shumë, aq shumë sa, ndoshta nuk e ke të lehtë të gjesh tribunë botimi; madje, unë kam vënë re edhe një lloj “bezdie” që shkakton te disa botues gjer edhe “a priori” pa e parë krijimin tënd. Përse? Lidhet vallë me një lloj bindjeje se një prodhimtarie të tillë me siguri i mungon thellësia, apo ka diçka tjetër?
Moikom Zeqo: – Ka “bezdi” ndaj meje? Është e vetëkuptueshme. Sartri guxon akoma më tej kur shpall se “Ferri janë të tjerët”. Fjala “bezdi” është një fjalë alibike. Unë s’kam bezdi për të tjerët, por nuk më pëlqen aq shumë edhe Sartri. Thellësia e krijimit është një gjë e pamatshme. Në një psalm të Solomonit bëhet kjo pyetje: “E kush i përmbledh dot në pëllëmbën e vet gjithë detet?”
Mira Meksi: – A përsëritesh në krijimet e tua dhe në ç’masë?
Moikom Zeqo: – Përsëritja është Sizifi. Sizifi ka lindur përpara Adamit, përpara Dantes, përpara Ernesto Sabatos. Dinaku Borges, që ti Mira e adhuron ashtu si dhe unë, flet për kohët ciklike, madje dhe për hapësirat ciklike. Në çdo rreth fillimi është dhe ndërsjelltas. Pse dreqin hamë dhe pimë çdo ditë, flemë dhe kinse jetojmë? Epokat janë vetëm përsëritje. Por jo çdo përsëritje është tautologji. Tautologjia është diçka tjetër. Një proverb modest thotë “nëntë rrobaqepës bëjnë një njeri” po njëqind shkrimtarë sa njerëz bëjnë? Po statuja e Afërditës së Milosit a ka mitër, po Danaja e Rembrandit i ka njohur prezervativët? Megjithatë, numri i njerëzimit është rritur pambarimisht. A është kjo një përsëritje?
Mira Meksi: -Po të kishe kohë, do t’i ktheheshe ta rikrijoje veprën tënde nga e para?
Moikom Zeqo: – Lavdi hyut Medaur që nuk kam më kohë dhe rëra e klepsidrës sime po mbaron. Asnjë vepër nuk do të krijoja nga e para, por vetëm nga fundi. Vdekja është gjithmonë një fillim. Arti nuk mund të ribëhet, sepse kjo do të ishte shkatërrimi i tij. Përsosmëria është ajo që nuk ekziston.
Mira Meksi: – Me çfarë ndihesh më mirë, me prozën apo poezinë?
Moikom Zeqo: – Për Hyun Redon kush dreqin e ka bërë këtë ndarje të poezisë me prozën? Poezia është prozë, por që ra në dashuri me muzikën dhe padyshim zhgënjimi më i madh i takon asaj. Proza dhe poezia janë një. Është pikërisht ideja e Platonit që Njëshi dhe Shumësia janë e njëjta gjë.
Mira Meksi: – Ç’të tërheq më shumë në pikturë, linjat apo ngjyrat?
Moikom Zeqo: – Në pikturë? Zoti në gjashtë ditë krijoi gjithçka sipas Biblës. Ç’e tërhoqi më tepër Atë? Linjat, apo ngjyrat?
Mira Meksi: – Cilët mendon janë livrat në letërsinë shqipe që mund të konsiderohen si vepra kombëtare letrare?
Moikom Zeqo: – Kjo është një pyetje për koleksionistët. Nuk jam i tillë dhe as dua të jem i ngjashëm me ta. E dua letërsinë shqipe, por në mënyrë tragjike pa e mbivlerësuar po dhe pa e mohuar. Vepra kombëtare letrare? Kush i përcakton? Ndoshta janë poezitë e humbura të poetit të quajtur Gjoni i Epidamnit, që vdiq në shekullin VI pas Krishtit, të cilit një bashkëkohës më me fat, poeti aleksandrin Kristodor Kopti, i kushtoi dy poezi epigramatike, që unë i kam përkthyer në gjuhën shqipe, Kodiku i Purpurt i Beratit që thuhet se e ka shkruar Gjon Gojëarti (që nuk qe shqiptar!) përrallat popullore shqiptare, pothuajse tërë proverbat, Cikli poetik i Sibilave i Pjetër Bogdanit në vitin 1685, nja njëqind mrekulli poetike të De Radës, disa dhe nga Serembja, nismat danteske letrare të Naim Frashërit, dhjetë poezi të Lasgush Poradecit, sonetet e Mjedës, nja 30 vargje të Hasan Zyko Kamberit, poezia e vetme madhështore e Vaso pashë Shkodranit, shqipërimi i rubairave nga Fan Noli, gati 90 % e veprës së Migjenit etj. etj. Migjeni qe një gjeni konceptual shumë më i madh nga ç’mund të mendohet. Duket sikur harrova Barletin por s’është e vërtetë. Një letër origjinale të Gjergj Kastriot Skënderbeut ku ai thotë “se dua të jem mik i virtytit dhe jo i fatit” është shumë më tepër se sa një vepër kombëtare letrare. Frang bardhi ka akoma një frazë më apokaliptike “Nevoja është zekthi i pamëshirshëm i vdekatarëve”. Kurse në një akt noterial të gjetur në Venedik të më 24 qershor 1515 në praninë e noterit Viktor Mathei, konti Andrea, i biri i Pjetër Engjëllit nga Drishti ka shënuar dhe këto fjalë “meqenëse natyra e mendjes njerëzore është e prirë ndaj dëshirës për të ditur ngjarjet e kaluara dhe sa më shumë ato ngjarje t’i qëndrojnë afër nderit dhe dobisë së vet, për këtë arsye unë po shkruaj ato, që kemi dëgjuar për madhështinë e ndritur të paraardhësve, me ndryshimet e Fatit, siç e ka zakon Fati, që dikë e lartëson dhe dikë e zbret poshtë, si t’i pëlqejë…”. E kush mund t’i shpëtojë Fatit? Po Artit?
– Faleminderit.
Intervistoi Mira Meksi për revistën “Më shumë dritë”.
(Botuar më 2 maj 2000, Tiranë)