Jetëshkrimi historik i Xhabir Moroinës
MLK-ja E XHABIR MORINЁS SI VAZHDIMЁSI E OMLK-ës SЁ KADRI ZEKЁS …
GRUPI I FERIZAJIT DHE GRUPET TJERA ILEGALE … 1979
Veprimtaria e organizuar ilegale e grupit të Ferizajit, të arrestuar në nëntor të vitit 1979 dhe të dënuar ngë gjykata e Qarkut të Prishtinës në qershor të vitit 1980, i ka fillimet e veta të veprimtarisë patriotike në vjeshtën e vitit 1975.
Pas shkuarjes ilegalisht në Shqipëri (shtator 1975) qëndrimit atje 15 ditë, kthimit në Kosovë nga ana e shtetit shqiptar legalisht dhe përkundër denimit prej 30 ditësh nga ana e gjykatës komunale për kundërvajtje të Ferizajit, dënim të cilin e vuajta tërësisht (edhe pse isha vetëm 16 vjeç) kisha ardhur në përfundim se e vetmja rrugë dhe mënyrë për t´ju kundërvënë regjimit titist jugosllavë dhe për ta ndryshuar e për ta avansuar statusin e Kosovës, ishte veprimtaria e organizuar ilegale e kombinuar edhe me forma të mundshme legale.

Në këtë rrugë, gjeta edhe bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë të gjeneratës sime në gjimnazin e Ferizajit, në mesin e të cilëve të parët ishin:
1. Rexhep Delolli
2. Emrush Xhemajli
3. Skënder Haliti
4. Enver Topalli
5. Imer Grainca
Kjo përbërje ishte bërthama kryesore organizative dhe vepruese e këtij grupi, i cili më vonë u zgjerua dhe u shtri edhe jashtë komunës së Ferizajit.
Një zgjerim dhe shtrirje më serioze, grupi e arriti në vitet 1978 – 1979, kur e përfunduam shkollën e mesme në Ferizaj dhe i vazhduam studimet në Prishtinë.
Grupi u zgjerua me: Ramadan Veliun etj, në Shtimje; dhe me Besim Baraliun, Ibrahim Shalën, Fadil Vatën, Halil Krasniqin, Murat Bytyqin etj, në Therand (ish-Suharekë) dhe i vuri kontaktet e para me veprimtarët e organizuar në perëndim si me: Ibrahim Kelmendin e Riza Salihun, të cilët në atë kohë kishin ardhur ilegalisht nga perëndimi në Kosovë dhe kishin sjellur literaturë ilegale si dhe gazetat e para ilegale të botuara në perëndim, si “Bashkimi“ e „Zëri i Kosovës“ (?).
Krejt kjo veprimtari mjaftë e dendur në zgjerimin e radhëve të grupit, avancimit organizativ të grupit për ta shndërruar atë në një organizatë të mirëfillt kombëtare dhe kontaktet e takimet e shumta të brendshme dhe me veprimtarët e ardhur nga perëndimi në Kosovë, të cilët veç ishin të regjistruar për ndjekje nga UDB-a, bënë që grupi të zbulohet dhe të arrestohet në nëntor të vitit 1979.
U arrestuan dhe u morën në pyetje një numër shumë i madh i veprimtarëve të organizuar të këtij grupi dhe të atyre që ishin të afërt, që kishin kontakte me këtë grup por nuk u denuan të gjithë. Pjesa më e madhe e tyre u lirua pas marrjes në pyetje dhe kjo, si duket ndodhi për shkak të një politike selektive që ndoqën organet e atëhershme politike titiste të Kosovës dhe të Jugosllavisë. Kuptohet në koordinim dhe bashkëpunim me UDB-në dhe gjykatat.
U denuan vetëm:
1. Ymer Grainca
2. Ibrahim Shala
3. Emrush Xhemajli
4. Xhabir Morina dhe
5. Besim Baraliu, me denime prej 6 muajve deri në 3 vjet burg.
Mirëpo është me rëndësi të theksohet se një pjesë e konsiderueshme e shokëve dhe bashkëveprimtarëve të këtij grupi (edhe pse ishin arrestuar, marrë në pyetje, torturuar, e ndonjëri prej tyre kishte mbetur edhe i pazbuluar) e kishin vazhduar me vendosmëri e guxim veprimtarinë e organizuar patriotike ilegale për çka më vonë, sidomos pas vitit 1981 u denuan me vite të tëra burgu, sikurse ishin:
1. Fadil Vata
2. Halil Krasniqi
3. Murat Bytyqi
4. Bajrush Xhemajli
5. Ramadan Veliu
6. Enver Topalli, etj.
Dhe, punën e tyre e vazhduam ne pas lirimit nga burgu duke i kapur lidhjet e mbetura të pazbuluara nga puna dhe veprimtaria e tyre.

Jetëshkrimi historik i Xhabir Moroinës në dorëshkrim
… PARTIA E LUFTЁS E KOSOVЁS (PLK) – MARKSISTЁ – LENINISTЁT E KOSOVЁS (MLK) DHE LЁVIZJA POPULLORE PЁR REPUBLIKЁN E KOSOVЁS (LPRK) (1983 – 1985) …
Pas vuajtjes së denimit dhe lirimit nga burgu në të njejtën ditë, në maj të vitit 1983, unë dhe Emrush Xhemajli u morëm vesh që ta vazhdojmë veprimtarinë e organizuar ilegale. Tash ishim të paisur edhe me një përvojë më të madhe dhe shumë të rëndësishme. Përvojën e hetimeve të UDB-së dhe vuajtjes së denimit nëpër burgjet e Kosovës e të Jugosllavisë.
Fillimisht, ramë në kontakt me disa shokë dhe njerëz të rrethit tonë dhe me Kadri Osmanin që ishte liruar nga denimi shumëvjeçar po në maj të vitit 1983. Ai na njoftojë se ishte në lidhje me Rexhep Malën, poashtu i liruar nga denimi shumëvjeçar atyre ditëve dhe me Nuhi Berishën, i cili ishte ilegal me stazh.
Që nga lirimi nga burgu në maj të vitit 1983, e deri në fund të këtij viti unë dhe Emrush Xhemajli ishim të përqëndruar në organizimin e radhëve ilegale në rrethin e Ferizajit dhe të Kaçanikut, kurse si lidhje qëndrore në nivel të Kosovës e kishim Kadri Osmanin.
Gjatë kësaj kohe u punua intenzivisht në organizimin dhe riorganizimin e radhëve ilegale, duke i kapur lidhjet me shokët që kishin mbetur të pazbuluar, me pjestarë të rinjë, me pjesë të grupeve e organizata që aktualisht ishin të pazbuluara, siç ishin:
1. Grupi i Sejdi Veselit me shokë;
2. Grupi i Bajram Ajetit;
3. Grupi i Ismet Begollit;
4. Grupi i Mustafë Xhemajlit;
5. Grupi i Sherif Konjufcës etj, me shokë dhe grupe të tjera, për të cilat Kadri Osmani na kishte njoftuar se kishin vënë dhe se po zhvilloheshin bisedime për bashkimin e të gjithave në një organizatë të vetme çlirimtare me forma unike të organizimit e të veprimit.
Në ndërkohë unë dhe Emrush Xhemajli, kishim vënë kontakte edhe me shokë të tjerë të liruar nga burgu siç ishin:
1. Hajdin Abazi
2. Ymer Grainca
3. Ibrahim Shala etj.
Dhe me një grup që kishte shtrirje në Kosovë e Maqedoni që quhej LRSSHJ, në mesin e të cilëve ishin:
1. Shaban Shala
2. Elmi Zeka
3. Tahir Hani
4. Agron Morina
5. Ali Elshani
6. Kamber Elezi …etj
Në muajt e fundit të vitit 1983, Kadri Osmani na njoftoi se nga shokët që po punonin në organizimin dhe riorganizimin e radhëve ilegale në nivel të Kosovës, ishte propozuar që organizata e unifikuar në nivel të Kosovës (ku do të përfshiheshin duke u bashkuar – shkrirë të gjitha grupet dhe organizatat e pazbuluara deri atëherë, me emërtime nga më të ndryshmet) të quhej PARTIA E LUFTES E KOSOVES. Na tha se me këtë iniciativë ishin njoftuar të gjitha këto grupe e organizata dhe rrethet e reja dhe se prej të gjithëve ishte kërkuar që pikëpamjet, mendimet dhe qëndrimet e tyre lidhur me këtë iniciativë t´i paraqitnin në formë të projektpropozimit dhe projektstatutit të PLK-së. Më vonë pasi që të silleshin nga të gjitha rrethet dhe grupet e organizatat e ndryshme këto projektprograme dhe projektstatute do të hartoheshin PROGRAMI DHE STATUTI FINAl i organizatës.
Sipas Kadri Osmanit kjo punë duhej të finalizohej në një kongres partiak (të parë themelues), në gjashtëmujorin e parë të vitit 1984.
Duhet përmendur se format e propozuara organizative (sipas njoftimeve të Kadri osmanit) ishin tërësisht ushtarake, duke filluar nga organi më i lartë i PLK-së Shtabi Operativ Madhor (ose qëndror) dhe duke vazhduar me shtabe operative rajonale e lokale. Por, sipas tij edhe këto forma i shtroheshin diskutimit e shqyrtimit përmes projektprogrameve e projektstatuteve që na ishte propozuar t´i bënim. Poashti Kadri Osmani, na kishte njoftuar se projektprograme dhe projektsatute, duhej të hartoheshin e të dorëzoheshin deri në fund të dhjetorit të vitit 1983.
Unë dhe Emrush Xhemajli në konsultim edhe me shokët e tjerë të rrethit të Ferizajit dhe me aprovimin e tyre, këtë punë e kryem me kohë dhe këto projekte ia dorëzuam K. Osmanit në fund të dhjetorit të vitit 1983. Dhe si duket ishim të parët dhe të vetmit që e kishim kryer këtë punë (siç e morëm vesh më vonë).
Unë dhe E. Xhemajli e kishim njoftuar me kohë dhe gojarisht K. Osmanin në emër të rrethit të Ferizajit, me mospajtimet tona, lidhur me format organizative të propozuara që i përmenda më lartë, duke konsideruar se këto forma organizative ishin në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me një organizatë politike – parti, që kërkohej të formohej, përfshirë edhe vetë emërtimin e saj PLK. Ne nuk ishim kundër organizimit ushtarak, por konsideronim dhe ishim të bindur e këmbëngulës që kjo duhej të bëhej ndaras nga organizimi poliik. Partia duhej të ishte parti, e ushtria ushtri, sepse (i thamë shumë qartë K. Osmanit) së paku ne, nuk kishim dëgjuar deri atëherë të kishte organizatë politike – parti me shtabe e komandant shtabesh?!
Poashtu, i thamë që këto mospajtime dhe kundërshtime tonat do t´i paraqitnim në projektprogram dhe projektstatut, ku do t´i paraqitnim pikëpamjet dhe qëndrimet tona lidhur me këto çështje duke u përqëndruar në formimin e një organizate – partie politike të fortë e të qëndrueshme, e cila do të mund t´i parashihte edhe format e tjera të rezistencës, deri edhe ato ushtarake dhe vetëm një organizatë parti e tillë do të mundëte dhe do të duhej të udhëheqte e të drejtonte luftën politike dhe në rast me situatën e caktuar edhe atë të armatosur, e jo e kundërta e saj.
Në fund të dhjetorit të vitit 1983, UDB-a ndërmori një fushatë të gjerë dhe të egër të arrestimeve që vazhdoi edhe në janar të vitit 1984. Kësaj fushate të arrestimeve nuk iu nënshtruan Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët ranë heroikisht me armë në dorë, kurse K. Osmani nuk arriti të dilte nga rrethimi dhe u arrestua.
U arrestuan edhe: 1. grupet e Sejdi Veselit me shokë, 2. grupet e Bajram Ajetit me shokë dhe shumë veprimtarë të tjerë. Disa të tjerë kaluan në ilegalitet (Mustafë e Emrush Xhemajli, Bexhet Luzha, Bexhet Mehmeti etj). Një kohë arritëm që të kujdesemi për ta duke i strehuar ilegalisht, kryesisht në Prishtinë edhe pse në rrethana jashtëzakonishtë të rënda. Këto rrethana i rëndonte edhe më shumë fakti se nuk dinim gjë deri ku kishte arritur UDB-a në zbulimin e radhëve tona dhe deri ku do të arrinte pas arrestmeve. Këto rrethana na detyruan që të lartëpërmendurit t´i largojmë ilgalisht në perëndim (Zvicër), në shkurt-mars të vitit 1984 me ndihmën e Elmi Zekës, i cili kishte kontakte me Xhafer Shatrin që në atë kohë ishte në krye të LRSSHJ-së në Zvicër dhe kjo u bë në konsultim dhe në marrëveshje edhe me të.
Vrasja e Rxhep Malës e Nuhi Berishës, arrestimi i një numri jashtëzakonisht të madh të veprimtarëve të grupeve e organizatave dhe largimi i disa të tjerëve jashtë vendit, ishte edhe fundi – dështimi i idesë-projektit të formimit të PLK-së, sepse dëmtimi i lëvizjes ilegale ishte aq i madh e i rëndë saqë për një kohë të caktuar ishte i pamundur të riparohej.
Unë dhe disa shokë të tjerë që nuk ishim arrestuar, pas një konsultimi të gjithanshëm, vendosëm që deri në gjykimin e shokëve të arrestuar të mos ndërmerrnim ndonjë hap serioz në drejtim të organizimit dhe riorganizimit të radhëve, në mënyrë që këtë kohë ta shfrytëzojmë për të parë se deri ku do të shkonin dekonspirimet, sepse kishte mundësi që kjo të na ndodhte edhe ndonjërit nga ne që nuk ishim arrestuar për shkak se kishim pasur lidhje të drejpërdrejta me ata që ishin arrestuar. Meritën më të madhe që unë nuk u dekonspirova në atë kohë, e kishte Kadri Osmani, i cili mbajti qëndrim të menqur dhe të fortë gjatë hetimeve. Për këtë na njoftojë pas lirimit nga hetimet Bajram Doçi, i cili u lirua për merit të qëndrimit të Kadri Osmanit.
Pas gjykimeve të shokëve të arrestuar, në qershor të vitit 1984 me denime jashtëzakonisht të larta, që për neve nuk ishin të papritura, sepse nga regjimi jugosllav dhe UDB-a e nga argatët e tyre shqiptarë nuk pritej gjë tjetër, si dhe pas konsultimit se ne që nuk ishim arrestuar nuk kishim pësuar ndonjë dekonspirim, së paku joserioz, vendosëm që t´i hyjmë punës intensive për riorganizmin dhe organizimin e radhëve të ilegales, duke i vendosur lidhjet e reja. Njëkohësisht vendosëm që si qëllim kryesor të jetë ndërtimi dhe formimi i një organizate të fuqishme dhe të qëndrushme politike, të cilën armiku mund ta dëmtonte por jo edhe ta shkatërronte.
Për realizmin e këtij qëllimi, vendosëm që t´i grumbullojmë dokumentat dhe materialet kryesore të të gjitha grupeve e organizatave kryesore të deriatëhershme (LNÇKVSHJ, GMLK-OMLK, PKMLSHJ, LRSSHJ, etj) dhe pas një analize dhe studimi të hollësishëm të tyre si dhe grumbullimit të përvojave të tyre, më të mira organizative, politike, taktike e strategjike, të vendosim se çfarë organizate do të ndërtonim.
Për ta kryer këtë punë, u analizua e u studjua edhe literaturë tjetër legale e ilegale (sidomos nga Shqipëria) që kishte të bënte me luftrat, revolucionet dhe vepritarinë ilegale, e sidomos me çështjet organizative të cilat na preokuponin më së tepërmi.
Pas kryerjes së kësaj pune, u përcaktuam që veprimtarinë tonë ta vazhdojmë si MLK (jo si organizatë, sepse radhët tona ishin të shkapërderdhura dhe të paunifikuara). Pra, si vazhdimësi e GMLK – OMLK-së, sepse kishim ardhur në përfundimin se OMLK-ja kishte qenë organizata më serioze në pikëpamje organizative, politike, taktike e strategjike, nga të gjitha organizatat tjera që kishin vepruar ilegalisht deri në atë kohë në Kosovë.
Me qëllim që MLK-në ta shndërrojmë në OMLK e formuam KOMITETIN ORGANIZATIV TЁ MLK-së si organin kryesor, më të lartë udhëheqës të MLK-së dhe si organ të përkohshëm, që kishte për detyrë ta riorganizonte OMLK-në.
Organi politik – ekzekutiv i Komitetit Organizativ, ishte SEKRETARIATI I KO të MLK-së në përbërje prej 5 vetave:
-sekretarit politik
-atij organizativ dhe
-tre sekretarëve të tjerë.
Vendimi i dytë me rëndësi ishte hartimi i projektprogramit dhe projektstatutit të MLK-së si dhe i disa materialeve për çështjet organizative, politike, taktike e strategjike ku do të shpjegoheshin qëllimet afatshkurtëra dhe afatgjata të MLK-së.
Vendimi i tretë me rëndësi, ishte rikthimi te TEZAT E FRONTIT POPULLOR Për Republikën e Kosovës të OMLK-së, me qëllim që duke u bazuar në to, të formonim FRONTIN ose LЁVIZJEN POPULLORE PЁR REPUBLIKЁN E KOSOVЁS, kërkesë kjo që në atë kohë në Kosovë ishte bërë kërkesë gjithpopullore e popullit të Kosovës.
Pas një veprimtarie shumë të dendur dhe shumë intensive të KO të MLK-së dhe sekretariatit të saj, ishte arritur konsolidimi i radhëve të mbetura në rrethet e Ferizajit, Kaçanikut, Tetovës, Strugës, Gjilanit, Bujanocit etj., dhe ishin vënë kontakte me grupe të reja ilegale që po vepronin paralelisht me ne, siç ishin:
A. Komitetet lokale ML
1. në Prishtinë,
2. në Prizren,
3. në Vushtrri etj)
dhe përfaqësuesit e tyre:
1. Nuhi Ahmeti
2. Bashkim Mazrreku
3. Xhavit Haziri etj.
B. Komiteti i Trojeve Shqiptare në Maqedoni dhe përfaqësuesit e tijë:
1. Ali Ahmeti
2. Bajram Limani,
3. Pasho Maksuti
4. Tahir Hani etj
C. LRSSHJ dhe përfaqësuesit e saj:
1. Shaban Shala
2. Elmi Zeka
3. Ali Elshani
4. Kamber Elezi
5. Agron Morina
6. Idriz Hysenaj etj
D. Komiteti i Trojeve Shqiptare në Maqedoni (KTSHM) kishte lidhje edhe me një grup të Drenicës që përfaqësohej nga: 1. Fehmi Lladrovci me dy grupe të veçanta nga Theranda (ish-Suhareka), -grupi i parë përfaqësohej nga: Gafurr Elshani dhe Haki Gashi dhe -grupi i dytë nga: Sadik Halitjaha si dhe individë të tjerë sikurse ishte: Xhavit Haliti etj.
Pas bisedimeve të gjata, të mundimshme dhe shterruese mes përfaqësuesve të KO të MLK-së: Hajdin Abazit dhe Xhabir Morinës (në atë kohë sekretar politik dhe organizativ të KO të MLK-së) dhe përfaqësuesve të grupeve e individëve të lartëpërmendur, gjatë verës së vitit 1985 u arrit që të gjitha këto grupe e individ, kush më herët e kush më vonë të bashkoheshin-shkriheshin në MLK, nën udhëheqjen e Komitetit Organizativ /KO-s/ duke i pranuar (pas diskutimit e shqyrtimit të gjatë) projektprogramin dhe projektstatutin e MLK-së edhe dokumentat tjera të MLk-së si të vetat.
Duhet përmendur që për ta kryer këtë punë, Ali ahmeti kishte ardhur ilegalisht në Kosovë nga Zvicrra në pjesën e parë të vitit 1985, duke qëndruar për dy muaj me radh ilegal, kryesisht në Prishtinë dhe pasi kishim kryer punë prap ishte kthyer në Zvicër, pasi që ishim marrë vesh që një bashkim-shkrirje të tillë ta bënim edhe jashtë vendit, diku kah fundi i verës së vitit 1985 kur do të udhëtoja unë për në Zvicër me ndonjë shokë tjetër, si përfaqësues të KO të MLK-së.
Bashkim-shkrirja e këtyre grupeve në MLK, ishte një e arritur dhe një sukses i jashtëzakonshëm organizativ e politik duke i shtrirë radhët tona pothuajse në tërë Kosovën dhe jashtë kufijëve të saj administrativ, në serbi e Maqedoni dhe duke u përqëndruar të gjitha grupet me laramani emrash e formash organizimi e veprimi në një organizatë unike me forma unike organizimi e veprimi.
Ky zgjerim shumë i madh i radhëve, imponoi edhe ndryshime kadrovike në MLK dhe plotësim formash organizative duke krijuar organe të reja për një udhëheqje dhe veprim më praktik e më efikas me organizatën.
Me pëlqimin dhe aprovimin e të gjitha grupeve,
1. Xhabir Morina u ngarkue me detyrën e sekretarit politik të KO të MLK-së, nga përbërja e mëhershme e KO të MLK-së;
2. Bashkim Mazreku, u ngarkue me detyrën e sekretarit organizativ (si përfaqësues i KL të ML-s); dhe tre sekretarë tjerë të KO të MLK-së;
3. Xhavit Haziri (përfaqësues i KL-ML);
4. Fehmi Lladrovci (grupi i Drenicës – Komiteti i Trojeve Shqiptare në Maqedoni /KTSHM/; dhe
5. Bajram Limani – KTSHM.
Kjo ishte përbërja e plotë e sekretariatit të KO të MLK-së pas bashkim-shkrirjes së madhe të grupeve të ndryshme në MLK, në pranverën e vitit 1985.
Si organe të reja të MLK-së u formuan:
a. Këshilli i MLK-së dhe
b. Byroja Ekzekutive e KO të MLK-së.
I pari si një organ rezerv politik, teorik e organizativ që do të kishte për detyrë ta ripërtrinte organizatën në rast të dëmtimit nga UDB-a.
I dyti si një organ praktik – ekzekutiv (një lloj qeverie) i KO të MLK-së, ku do të përfshiheshin sektorët më të rëndësishëm të veprimit praktik në teren, siç ishin paraparë për rrethanat aktuale:
-sektori ushtarak,
-sektori i Informimit dhe kundërinformimit,
-Sektori i lidhmbajtjeve me brenda dhe jashtë vendit,
-Sektori i propagandës e agjitacionit,
-sektori i sigurimit të bazave ilegale etj.
Në organin e parë (organin rezerv) nga brenda ishin caktuar:
1.Hajdin Abazi
2.Ymer Grainca
3.dhe duhej të caktohej edhe një i 3-të, kurse nga jashta vendit ishin caktuar:
4. Emrush Xhemajli dhe
5. Ali Ahmeti (pra gjithsejt 5 veta).
Në organin e dytë (Byron Ekzekutive) ishin caktuar:
1. Xhavit Haliti,
2. Elmi Reçica,
3. Xhavit Haziri,
4. Fehmi lladrovci,
5. Xhabir Morina,
6. Bashkim Mazreku etj., dhe mbetej të plotësohej edhe me njerëz të tjerë sipas sektorëve përkatës.
Organizimi i radhëve në bazë, u vendos të bëhej sipas ndarjes aktuale administrative. Në çdo komunë të formohen Komitete të rretheve të MLK-së që do të udhëhiqeshin nga sekretariatet 5 anëtarëshe si ai i KO të MLK-së dhe pastaj të formoheshin sektorët sipas shembullit të Byrosë ekzekutive (BE-s) të KO të MLK-së, që do të udhëhiqeshin nga sekretariatet e Komiteteve të rretheve (KRR).
U formuan këto Komitete të Rretheve:
1. KRR i Prishtinës, i udhëhequr nga: Nysret Pllana e Sabit Tahiri;
2. KRR i Ferizajt (më herët), i udhëhequr nga: Agron Morina e Elmi Reçica, më vonë Xhevat Ukshini;
3. KRR i Prizrenit, i udhëhequr nga Ismet Badallaj;
4. KRR i Therandës (ish-Suharekës), i udhëhequr nga: Gafurr Elshani e Haki Gashi;
5. KRR i Kaçanikut, i udhëhequr nga Remzi Elezi e Avdyl Gafurr Luma;
6. KRR i Vushtrisë, i udhëhqur nga Abdullah Zhegrova dhe Abdurrahman Magjuni;
7. KRR i Drenasit (ish-Gllogovcit), i udhëhequr nga Shaban Shala dhe Elmi Zeka;
8. KRR i Skënderajt (nuk më kujtohet?)
9. KRR i Tetovës, i udhëhqur nga Bilall Sherifi e Fatmir Ibrahimi;
10. KRR i Kërçovës, i udhëhqur nga Pasho Maksuti etj;
11. KRR i Strugës, Tahir Hani etj;
12. Grupi i Bujanovcit, Preshevës e Medvegjës, udhëhiqej nga Jonuz Musliu.
Kurse sa më kujtohet, ishin në formim e sipër edhe KRR-të në Pejë, Kumanovë, Dibër etj.
Vendimi i tretë me rëndës ishte formimi i DEGЁS së MLK-së jashtë vendit, e që u realizua pas udhëtimit tim ilegalisht për në Zvicër së bashku me Nuhi Ahmetin e Xhavit Hazirin dhe qëndrimit atje për 15 ditë. Me atë rast u formua Dega e MLK-së jashtë vendit pas bashkim-shkrirjes së shokëve tanë që kishin dalur atje para më tepër se një viti (Emrush e Mustafë Xhemajli, Bexhet Luzha, Bajram Mehmeti, Muhamer Shabani etj), me shokët nga Maqedonia të udhëhequr nga Ali Ahmeti e Fazli Veliu.
Sekretar Politik i Degës së MLK-së jashtë Vendit u zgjodh: Emrush Xhemajli, kurse sekretar organizativ Ali Ahmeti.
Duhet përmendur se deri në atë kohë, MLK-ja kishte nxjerrur 2 numra të organit të vetë “PARAROJA“. Numri i parë ishte nxjerrë brenda, kurse i dyti jashtë.
Para se të niseshim për në Zvicër, KO i MLK-së na kishte ngarkuar edhe me detyrën që të kontaktonim me KQ të LRSSHJ-së për t´jua paraqitur propozimet tona (të MLK-së) për shndërrimin e LRSSHJ-së në front ose Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës (në bazë të tezave të Frontit Popullor të Republikës së Kosovës të OMLK-së) dhe për disa ndryshime kualitative dhe politike të organit “Zëri i Kosovës“ si dhe formimit të organeve të reja organizative ku mendonim se duhej të përfshiheshin të gjitha organizatat e grupet ilegale brenda e jashtë (MLK, LRSSHJ, PKMLSHJ etj).
Dhe, ky vendim për formimin e një fronti ose lëvizjeje, ku do të përfshiheshin masat e gjera popullore pa dallim ideologjie, feje, gjinije, moshe etj., duke mjaftuar që ta përkrahnin kërkesën për Republikën e Kosovës që konsideronim se ishte shndërruar në kërkesë gjithëpopullore të popullit të Kosovës, ishte ndoshta vendim kryesor dhe më i rëndësishëm i KO të MLK-së për atë kohë.
Për këtë qëllim i ftuam në një takim të gjithë anëtarët e KQ të LRSSHJ-së, por erdhën vetëm Hasan Mala, Saime Isufi, Mustafë Xhemajli dhe Fazli Veliu. Mungonin edhe tre (3) të tjerë, por pasi që shumica ishin prezent, pranuan që të bisedonin për propozimet tona pasi që ne nuk insistuam që patjetër të merreshin edhe vendime të menjëhershme. Kërkuam që së paku të merreshin në konsideratë propozimet tona, të analizoheshin dhe pas ndonjë kohe të caktuar (sa më parë aq më mirë) të merreshin edhe vendimet konform atyre propozimeve.
Duhet të përmendi se Hasan Mala i mirëpriti propozimet tona dhe ky ishte sinjal i mirë se ata së shpejti do të realizoheshin. Në fund u kërkua një kohë e caktuar (nga Hasan Mala e Saime Isufi) për t´u përcaktuar rreth propozimeve tona, sepse duhej të konsultoheshin edhe 3 shokë të tjerë të KQ të LRSSHJ-së.
Kuptohet edhe fronti ose lëvizja, udhëheqësinë do ta kishte brenda, kurse jashtë vendit do të vepronte si Degë. Pas kthimit tonë në Kosovë, aty kah fundi i tetorit (me sa mëkujtohet) na erdhi njoftimi së bashku me përshëndetjet nga shokët, se propozimet tona kishin kaluar dhe se ishte formuar LPRK-ja (LPK-ja). Për neve në Kosovë, ky ishte një lajmë jashtëzakinisht i mirë, por ishte edhe përgjegjësi e obligim për fillimin e menjëhershëm të organizimit të LPRK-së brenda në Kosovë.
Fatkeqësisht, arrestimet masovike që i ndërmori UDB-a ndaj nesh, prej fillimit të nëntorit e deri në fund të vitit 1985, e dëmtuan tepër rëndë organizatën tonë. Megjithatë, pas qëndrimit për disa kohë në ilegalitet, disa nga shokët ia kishin arritur të largoheshin jashtë vendit, si: Hajdin Abazi, Xhavit Haliti, Gafurr Elshani e ndonjë tjetër.
————-
Kush është Xhabir Morina
Xhabir Morina, ka lindur më 3 qershor 1959 në Gjilan. Ёshtë ish i burgosur politik. I ka kaluar 8 vite nëpër burgjet e ish Jugosllavisë. Për herë të parë u arrestua në vitin 1979, ndërsa në vitin 1980 në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë u dënua me 4 vjet burgim. Burgun e vuajti në Mitrovicë dhe në Zajeçar të Serbisë. Ai për herë të dytë u burgos në vitin 1985, ndërsa u gjykua një vit më vonë (1986). Dënimin e dytë e vuajti në burgjet e Prishtinës, Gjilanit, të Lepogllavës dhe të Stara Gradishkës në Kroaci. Në verën e vitit 1990 u lirua nga burgu (me kusht) – në bazë të nenit 34 të Ligjit Penal të Kroacisë dhe nenit 183 – 186 të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve të shqiptuara për vepra penale të Kroacisë.
Ka kryer Fakultetin Filozofik të UP’së – Departamenti i Shkencave Politike dhe Administratës Publike, me notë mesatare 9.51 dhe i ka përfunduar provimet e nivelit Master me notë mesatare 10.00. Ka kryer edhe një kurs pasuniversitar 3 mujor intensiv për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare.
Ka qenë: – Sekretar i Degës së PDK’së në Ferizaj, një mandat e më tepër, – Anëtar i Kryesisë së Degës së PDK’së që nga viti 2001, – Anëtar i Këshillit Drejtues të PDK’së në dy mandate, – Drejtor i Drejtorisë së Administratës dhe Personelit në Komunën e Ferizajt, mars 2008 – qershor 2010, – Anëtar i Komisionit për Emërime të Larta dhe Disiplinë në Polici, nga 24 shtatori i vitit 2008.
Më 28 mars 2014, Xhabir Morina dha dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, dhe nga anëtarësia si dhe të gjitha funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo dorëheqje pasoi pas dorëheqjes së bashkëshortes së tij, Lumnije Morina nga Partia Demokratike e Kosovës, rrjedhimisht edhe nga grupi parlamentar i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, (për të kaluar pastaj në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe në grupin e saj Parlamentar),
Pas largimit nga PDK, edhe Xhabir Morina u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje.
Është autor i monografisë, ”Shembull qëndrese dhe pathyeshmërie”, kushtuar Rexhep Bislimit (1966-1998), komandantit të parë të UÇK’së për Ferizaj e rrethinë. Ka shkrime të botuara në gazetat e përditshme të Kosovës dhe në tre numra të revistës periodike POLITICUM të Asociacionit Kosovar të Studentëve të Shkencave Politike etj.
Përgatiti: Sheradin Berisha © Pashtriku.org – prill 2026