MONIKA SHOSHORI STAFA: “E IO PAGO”

Tiranë, 17. 09. 2015: Bota është e rrezikshme dhe e egër. Ajo po bëhet gjithnjë e më e tillë. Mjedisi po rrënohet, ushqimi po ndotet gjithnjë e më tepër, ndërsa punësimi po zhduket. Shtresa e mesme po shkërmoqet dhe rritja ekonomike që duket se e dëgjojmë si term reference çdo ditë në edicionet informative apo në konferencat live të udhëheqjes së lartë, nuk u përgjigjet më nevojave të një popullsie urbane gjithnjë e më të dendur. Pabarazia mes një grupi të vogël të pasurish dhe një numri gjithnjë e më të madh të varfërish po zgjerohet dhe që këtej fijet e sigurisë në punë dhe familje po bien njëra pas tjetrës. E kur askund nuk po shënohet më ndonjë rritje ekonomike që mund të ruante nivelin e jetesës, në mendje të shkon se përkundrazi, jeta e njeriut dhe mirëqenia e tij po kërcënohet nga të gjitha anët nga shteti vetë, po aq sa dhe nga biznesi apo individi, të cilët sot po jetojnë në kurriz të brezave të shkuar. Të parëve po ua hanë pasurinë, të dytëve po ua rrënojnë trashëgiminë. Dhe përballë këtij rreziku, pjesa më e madhe e drejtuesve të kompanive të mëdha bëhen merak vetëm për të tashmen, duke u mjaftuar me administrimin sa më optimal të aspekteve të përditshmërisë dhe përpjekjeve frenetike që t’u mbushin mendjen aksionerëve për të rritur fitimet në çdo tremujor, ndërsa politikanët përpiqen si të shtojnë popullaritetin para zgjedhësve nëpërmjet formave të ndryshme të demagogjisë. Dhe pothuaj të gjithëve u del nga mendja për të përpunuar plane më afatgjata për njerëzinë e madhe, e cila një pjesë e mirë u përket brezave të kaluar e pjesa tjetër brezave të ardhshëm e Shqipëria nuk është assesi jashtë këtij sistemi.

***
Ditë më parë, m’u desh të blija jo më pak se katër panine dhe një litër qumësht, duke i shtuar vetes pak më pas dhe blerjen e një litri kos. Me këta tre artikuj në qeset e plastmasit më kot prita disa sekonda për kuponin tatimor. Prita duke vërejtur shitësen me qortim, që ajo të kujtohej vetë çfarë me gjasë kish harruar. Por nuk pati asnjë ngurrim nga sytë e mi “hetues”, ndaj unë e shqiptova kërkesën për mungesën e kuponit, të cilën pa asnjë lloj ndjese ma zgjati në dorë. E për këtë arsye, por dhe për një tjetër, si quhet ndryshe ndërgjegjja qytetare, ula sytë ta lexoja nëse i kish shënuar artikujt e mi. Por … sikur ta dija! Sipas kuponit, veç një simite 10 lekëshe nuk kisha blerë asgjë më shumë. Po tani? Dhe të mendosh se dyqani ku kisha hyrë për të psonisur gjendet mu në anë të djathtë të Rrugës së Kavajës, dikur aty ka qenë Radio Tirana. E kapur në befasi pas pyetjes sime, ma zgjati pa droje për herë të dytë kuponin e vërtetë tatimor, por asnjë habi nuk bëri për të, ky rreng i fëlliqur. Qoftë edhe të më kërkonte ndjesë se ndoshta kish marrë një urdhër apo mos unë isha ndier e fyer nga ai lloj veprimi i saj që të godiste me një budallallëk trashanik. Jo asgjë, asaj s’i lëvizi as qerpiku. Për të qenë e sinqertë se kisha bërë kurrë më parë këtë vramendje kuponësh me vajzën përballë, por dhe me asnjë shitës tjetër. Përkundrazi këtë ndërgjegjësim qytetar e ndieja ta bëja në Vjenë e Paris, Romë e Berlin, por këtu në Tiranë, asnjëherë. Ndoshta ngaqë në vetëdijen time ky ishte sistemi këtu, një sistem që mësonte të vetët të vidhnin njëri-tjetrin, derisa spiralja e vjedhjes kish sjellë kalbjen e një shteti të tërë. Ishim mësuar me këta lloj evazorësh të mëdhenj e të vegjël dhe njëkohësisht të pangopur, të cilët nuk njihnin asnjë entitet shtetëror kur konsumonim artikujt tanë, bukën apo dhe ujin. Ata na mbanin përqindjen tonë të blerjeve, ndërsa vetë 20 përqindëshin nuk ia nisnin shtetit, sepse kështu ka qenë deri tani; kush ka prodhuar dhe shitur e ka mbajtur 20 përqindëshin për veten e vet, atë që unë dhe çdokush, madje dhe shitësja e panineve, e kemi paguar rregullisht. Dhe kaherët çdo gjë mbyllej me një faturë financiare fiktive, pa njohur asnjë detyrim ndaj shtetit, i cili do të duhej më pas të merrte përsipër, si ndodh kudo në vendet e zhvilluara, të ofronte rend, siguri, mbrojtje pronë, investime në arsim, shëndetësi, shërbime publike, pensione etj.
***
Jo shumë kohë më parë, të gjithë ne përtej Adriatikut ndoqëm me syrin kritik, shfaqjen e madhe të Çelentanos në arenën e Veronës, Rock Economy, në vitin 2012, ku artisti rebel parodizonte politikanë e pasanikë, ata të cilët e kishin humbur syrin e realitetit ndaj punëtorit të vet, i cili nën turravrapin e shtypjes nga kapitalisti i majmur në një epokë moderne, ishte kthyer në qenien më të dobët në planet. “E io pago”, ishte mesazhi i Çelentanos në këtë shou të madh, në fund të shfaqjes, sepse i vetmi që është korrekt edhe kur blen një bukë apo ujë është ai që konsumon. Paguante Çelentano, ashtu si paguanin dhe të gjithë italianët, ndaj ai kish gjithë të drejtën e botës t’u kërkonte hesape drejtuesve të shtetit të vet përse shkollat po shkatërrohen, përse mjedisi po rrënohet, përse shëndetësia po rrezikohet, përse shërbimet të tjera publike apo dhe pensionet nuk po përmirësohen, ndaj këlthitja e tij prej rokeri … “E io pago …” ishte një J’accuse publike e tij ndaj asaj klase politike. Shumë pak nga ne mund ta kuptonim këtë mesazh atëherë ose edukata e tregut të hapur na kish çmësuar të kërkonim sqarime të detajuara. Sot, me gjasë, asgjë nuk ka ndryshuar në Itali, por te ne që prej 1 shtatorit të këtij viti ka nisur një aksion i ri në të drejtat mes klientit dhe tregtarit, një lloj raporti në dukje më dinjitoz.

Ekonomia informale e kthyer në sistem, në vendet në proces zhvillimi ishte parë si një motor dinamik në zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të botës. Dhe pikërisht ky lloj sektori ishte përcaktuar të gjeneronte të ardhura të bollshme ekonomike duke pasuruar më shumë të pasurit dhe si rrjedhim varfëruar më shumë të varfrit e zhytur në mjerim shtresën e mesme. Duke pasur parasysh heterogjenitetin e ekonomisë informale, këto njohuri fillestare ekonomike që çdokush do të duhej t’i lexonte për kulturë, kanë disa të vërteta të hidhura. Megjithëse ekonomia informale në pjesën dërrmuese të saj duket se ndihmon ekonominë formale, nga ana tjetër ajo lehtëson rritjen e pabarazive socio-ekonomike. Kjo është po aq e vërtetë sa dhe për shitësit në rrugë, të cilët shesin mallrat me pakicë të prodhuara nga ajka e kapitalistëve apo ato që vijnë nga sektori publik. Ndaj nisma e fundit është një luftë që mbron konsumatorin dhe e bën qeverinë partnerin e vendosur të biznesit të ndershëm. Ky është një proces historik! Sepse e vendos pronarin tani përballë një muri të madh, të cilin për gati treçerekshekulli nuk ia kishim dëgjuar emrin, muri shtetëror, aty ku duhet të ndalen të ardhurat për të shkuar në atë thesin e madh që duhet të mbajë gjallë arsimin, spitalin apo shërbimet. Por lufta e madhe nuk është ma do mendja vetëm te marrja e kuponit, por nëse do të jetë po kaq i frymëzuar enti shtetëror të ndihet i lirë ballë frymëzimeve klienteliste e politike? Sepse, ashtu si lind nevoja e një ideali të revolucionarizimit të kryerjes së gjërave, po ashtu kërkohet një vullnet politik i hekurt i ndërkryerjes së tyre. Historia ka treguar se idealistët marrin përsipër revolucionet, por ku politika ka ndërhyrë me “goditjet” selektive të vetat, procesi i ndërkryerjes ka dështuar. E vërteta është se betejat e kësaj qeverie kanë qenë të shumta, më së shumti të papërfunduara, ndoshta sepse shpeshherë kanë qenë ndikuar nga tekat klienteliste. Ajo që presim nuk është me patjetër rrëmbimi i kuponit tatimor nga shitësja e panineve. Ai ishte vetëm një rast. Jam e sigurt se pas këtij shkrimi unë atë do ta marr ngado. Çështja është të mos jetojmë më, në një mjedis ku s’dimë se çfarë konsumojmë dhe se ku konsumojmë. Vetëm atëherë do të kemi të gjithë të drejtën e botës të çirremi nëse kemi shkolla të vërteta apo nëse i kontrollojmë ushqimet që hamë dhe të lëshojmë akuza prej Çelentanoje “E io pago”. Pikërisht ekzistenca e të tilla dilemave, si dhe diskutimi i çështjes nëse duhet ta paguajmë energjinë apo duhet të ketë përjashtime, tregojnë se sa prapa jemi në ndërtimin e një shoqërie moderne dhe të qytetëruar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura