MIMOZA AGALLIU: TË BESOSH…(Skicë)

Tiranë, 01. 10. 2015: Të besosh, do të thotë: Të ngrihesh në mëngjes dhe ta falënderosh Krijuesin tënd për ditën e re; Të kuptosh rrjedhën e të sotmes, me një pikëtakim të së nesërmes, duke shpresuar; Të përkëdhelësh sytë me bukuritë natyrore, duke harmonizuar shqisat dhe perceptimet, për të shijuar efektin e gurgullimës së lumenjve, shushurimës së valëve të detit në buzëmbrëmje, pranë zemrës që ke zgjedhur deri në mahnitje dehëse… drejt paqes. Formula e besimit krijohet në njohjen e njeriut me thellësinë dhe të fshehtat e natyrës, ku gjithçka është e përkryer. Ndjenjat, emocionet shkrihen, kur syri lodron mes peizazheve të gjelbëruara, maleve të lartë, thesareve që mbart toka. Aty emocionet të pushtojnë në rrethin e ekzistencës së lumtur në çdo qelizë të qenies tënde...

Qëndron shtangur, duke u mahnitur nga bukuritë e krijuara nga një dorë e përkryer, duke besuar në Atë… Drejton sytë lart dhe pëshpëritë: “Faleminderit që ekzistoj!”, duke u larguar, për t’u rikthyer sërish e sërish. Ke besim tek e bukura e krijuar, jo rastësisht, që ta mbush frymën, zemrën e shpirtin. Në këtë Univers mrekullish, vëren gonxhet të hapin petalet shumëngjyrëshe, duke u përkëdhelur prej diellit. Beson e shpreson se aroma e tyre është krijuar për të joshur dashurinë… Jeton jetën në ditët e saj, duke i falur zemrën në mos ndodhtë të veshë puthjen me hipokrizi… Dhe tha; – ‘Të dua me gjithë shpirt, besomë’. Dashuria ia fali të gjitha çka pati, por në mëngjes u zgjua në udhën e saj të vetmuar, kur pabesia shpeshherë formatizon hiret e saj të shëmtuara. Por përsëri…duhet besuar në atë dritëz, që të le pas zhgënjimi, sepse të besosh do të thotë të njohësh, kuptosh, të ndjesh, të dashurosh përsëri me besim…

Beson në rrugën tënde që ke nisur, ndaj shpreson të ecësh pa u ndalur e gjithmonë, pa u ndikuar nga përplasjet a rrëzimet e herëpashershme. Sepse i tillë është misioni i jetës: Të udhëtosh duke ëndërruar, duke shijuar çdo çast, ndoshta, duke fshirë dhe bulëzat e lotit të hidhur, që rrjedh pikë – pikë nëpër udhën tënde.Kupton se dashuria është ekzistenciale dhe mundohesh t’i afrohesh ngadalë-ngadalë, për ta njohur e joshur. Ke frikë nga ajo dhe shpeshherë tërhiqesh, si zbaticë në detin e frikshëm, por të bukur të ndjenjave, ku zëri i besimit të thotë të provosh e rrezikosh. Sa më i fortë të jetë ky besim, aq më shumë zgjatë dashuria. Çdo ditë gëzohesh, puthesh, përqafohesh, pendohesh, falesh, gabon, dështon e provon… Por, në fund, përplasesh tek ai besim, që të bën të rritesh e të forcohesh çdo ditë e në vijimësi, duke përcjellë tek e nesërmja shijen e tij. Besimi është vazhdimësi, duke njohur e kuptuar jetën tënde, për ta bërë më të bukur se e djeshmja. Të besosh, do të thotë të njohësh veten e të tjerët, duke përqafuar vlerat ose duke u larguar nga e keqja. Të besosh kur të mashtrojnë të gjesh forcën për të jetuar, sepse ti nuk ke forcë të ndryshosh Botën. Bota është e atyre që nuk besuan derisa një ditë të vijë… Të besosh, do të thotë të njohësh dashurinë në labirinthet e panjohura të saj dhe të qëndrosh aty, nëse ti beson në të, duke jetuar në lumturinë e mundshme, që të dhuron… / Tiranë, shtator 2014 /

________________
MIMOZA AGALLIU: KUR FLASIN ËNDRRAT (Esse)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4475
***
MIMOZA AGALLIU: DUKE JETUAR ҪASTIN (Esse)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4403
***
MIMOZA AGALLIU: NË EMËR TË DASHURISË PËR JETËN (Skicë)
https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=3762
***
MIMOZA AGALLIU: DJERSË E PËRBALTUR…(SKICË)
https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=3580

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura