(Pashtriku.org, 02. 10. 2012) – Nëse e kërkon emrin Peza në internet do ta ndeshësh në mbi 1000 uebsaite (website). Në këto saite mund të gjesh thjesht një bashkim mekanik inicialesh, siç është rasti i një shoqërie të madhe shtetërore filipinase e sigurimeve: PEZA (Philippine Economic Zone Authority); mund të vozitosh në dhjetra emra hotelesh, restorantesh, servisesh apo mbiemra familjesh Peza në Shqipëri, Meksikë, Argjentinë, Republikën Domenikane, Indi, Hong Kong, Malajzi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Kjo shtrirje gjeografike e emrit Peza e ka zanafillën në tre lugina dhe vendbanime që gjenden në pellgun e Mesdheut: Peza e Kretës, Peza e Spanjës dhe Peza e Shqipërisë.(1)
Me këtë rast natyrshëm lind pyetja: cili është kuptimi i këtij toponimi të përbashkët i të tre vendeve ku banorët flasin tre gjuhë të ndryshme: greqisht, spanjisht dhe shqip? Përgjigjen më të saktë për këtë problem e jep Kalvert Uatkins (Calvert Watkins), Doktor i Shkencave në fushën e Filozofisë, Profesor i Linguistikës e Gjuhëve Klasike, ish Pedagog і Nderuar (Emeritus) і Universiteteve të Harvardit në Boston dhe Kalifornisë në Los Angjeles (SHBA). Profesor Watkins, 79 vjeç, është autor i punimit shkencor: “Fjalori Amerikan i trashëgimisë së rrënjëve Indo-Europiane” (The American Heritage® Dictionary of Indo-European Roots, tre botime: 1985, 2000 dhe 2012), si dhe specialist kontribues në botimin “Fjalori i Trashëgimisë Amerikane në Gjuhën Angleze” (The American Heritage Dictionary of the English Language, botimi i parë viti 1969, botimi i pestë 2011)(2)
……………………………….
Sipas Prof. Watkins fjala peza është me prejardhje proto-indo-europiane: pedya (fonia: ped’zah), që do të thotë: këmbë, me këmbë, udhë, shteg këmbësorësh. Rrënja proto-indo-europiane e fjalës peza është: ped, kuptimi kryesor i të cilës është këmbë, shputë, taban, fund (emër) dhe eci në këmbë, pengohem, bie (folje). Rrënja ped e shoqëruar me parafjalë dhe prapashtesa të ndryshme është transformuar në dhjetra fjalë të tjera si: pede-strian (këmbësor), ped-al, ped-anë, ped-iatër, ped-ofil, pede-rast, ped-olog, pied-estal, pedo-meter, pod-ium, tra-pezë, paralelpi-ped, etj. Siç bie në sy edhe nga këto shembuj, fjala proto-indo-europiane ped në gjuhë të ndryshme është trashëguar me zanore të ndryshme, si p.sh. në italisht e frëngjisht në formën: pied; në spanjisht: pie; por ka rrëshqitur edhe drejt zanores o si në greqisht: (podhia) dhe fot (keltisht e teutonisht) dhe foot (fu:t- anglisht:); futb (gjermanisht) etj. (3)
Gjuha e sotme shqipe nuk e ka trashëguar nga gurra e saj proto-indo-europiane rrënjën ped për të treguar pjesën poshtë kyçit të këmbës, siç e kanë gjuhët e tjera indo-europiane, por përmblidhet brenda fjalës: këmbë, e cila i përket gjithë gjymtyrës; dhe kjo, ka hyrë në gjuhën shqipe, siç thotë Prof. Eqrem Çabej, nga latinishtja: gamba. Për shkak të kësaj mangësie, shqipja e sotme është e detyruar të huazojnë nga greqishtja e latinishtja fjalë të tilla të domosdoshme, të përmëndura edhe me sipër, si ped-al, ped-anë, ped-iatër, ped-ofil, pede-ras, ped-olog, peda-gog, pied-estal, pedo-meter, pod-ium, tra-pezë, paralelpi-ped, etj. (4)
Pavarësisht nga agresioni gjuhësor që ka shoqëruar në shekuj pushtimet e ndryshme romake, arabe, sllave apo osmane në trojet e Kretës, Spanjës e Shqipërisë, toponimi Peza, krahas shumë emrave të tjerë gjeografikë, i ka rezistuar me sukses asimilimit. Si toponim Peza shpreh një vendbanim që gjendet në fund të një lugine, prej ku fillojnë grykat e maleve e kodrave si në Andaluzi, në Kretë dhe në Pezë të Tiranës.
…………………………………………….
Peza e Andaluzisë së Spanjës …
………………………………….
Peza e Andaluzisë së Spanjës gjendet 12 km. në lindje të luginës dhe qytetit – Guadix dhe ka shërbyer qysh në thellësitë e shekujve si një një ndër kalimet më të volitshme të vargmaleve të Sierra Nevadas (3478 m.) nga Guadix-i në luginën pjellore të Granadës dhe territoret e tjera perëndimore të gadishullit Iberik. Për këtë arsye, romakët në kohën e tyre, kishin ngritur mbi një shpat të thepisur të Pezës një nga kështjellat e tyre më të forta dhe piktoreske, ku ndalonin ushtarët dhe udhëtarët për pushuar dhe ngrënë ushqim.7) Sipas etimologëve spanjollë, prejardhja proto-indo-europianëve e toponimit La Peza të Andaluzisë trashëgohet nga gjuha e fiseve vasko-baske Euskera. Sipas prejardhjes euskere, toponimi La Peza më parë është quajtur lapice, e cila në spanjishten e sotme do të thotë petra (gur). Me kalimin e kohës, ndoshta edhe nga përzjerja e vaskonëve iberikë me fiseve proto-indo-europiane kelte, prej nga kanë rjedhur iberokeltët, si dhe latinizimi i gadishullit nga pushtimi i gjatë romak, fjala lapice devijoi në lapece; banorët u quajtën lapecenos dhe gjatë shkullit XIX toponimi mori formën që ka sot: La Peza. (5)
Peza e Kretës gjendet vetëm 16 km. në Jug të kryeqytetit të vendit, Heraklion, që ngrihet në bregun verilindor të ishullit. Pas një udhëtimi të shkurtër nëpër luginën e Pezës do të gjendesh përballë një ndërtese karakteristike të vendbanimit me të njejtin emër, ku mund të marrësh udhëzimet e rastit për të hyrë në udhën e Pezës dhe të vazhdosh udhëtimin drejt vargmaleve të Diktit (2148 m.) e Psilorotis (2456 m.), ku gjenden shpellat e banuara qysh 6000 vjet para Krishtit. Sapo bie fjala për lashtësinë e popullsisë së Kretës, menjëherë vëmëndja përqëndrohet tek dëshmia e njohur gjerësisht e gjeografit dhe historianit Strabon (63 p. Kr.- 20 vjet mbrapa Krishtit), i cili thotë se në shekullin e Luftës së Trojës, Kreta kishte një popullsi të dëndur të shpërndarë në nëntëdhjetë qendra banimi. Duke iu referuar poetit të madh Homer, Straboni pohon gjithashtu se në atë ishull, ku banonin akenjtë (achaeans), eteokretët trima, kydonët, dorët trefish dhe pellazgët hyjnorë, secili kishte gjuhën e vet. Pra, na jepet një sinjal se toponimi proto-indo-europian Peza i Kretës i përket njerës ose të pesë gjuhëve që fliteshin në atë kohë në Kretë. Në favor të gjuhës pellazge flet fakti se në ishullin Andros, pranë Athinës së Greqisë, gjenden dy gjire të quajtur Megali Peza dhe Mikri Peza (Peza e Madhe dhe Peza e Vogël). Sipas wikipedia, në këtë ishull me emrin antik Gavros, jetonin pellazgët, karianët, kretanët, fenikasit dhe më pas jonianët (pellazgët e greqizuar), siç i cilëson studiuesi i shquar Arif Mati (Mathieu Aref).(6)
……………………………….
Peza e Kretës – në Jug të kryeqytetit të vendit, Heraklion.
……………………………………..
Peza e Madhe, Peza e Vogël, Pezë Helmësi, lugina e Pezës, përroi i Pezës, kodrat e Pezës, krahina e Pezës – të gjitha këto toponime fshatrash e relievesh në Shqipëri – gjenden nga shtatë-tetë deri në gjashtëmbëdhjetë km. në perëndim të kryeqytetit të Shqipërisë – Tiranës. Fillimisht rruga gjarpëron përgjatë krahut të majtë të lumit dhe luginës së Erzenit, ku ngrihen shtëpitë dhe lokalet e Pezë Helmësit dhe Pezës së Vogël. Pasi të kesh përshkuar 6 km. rrugë nëpër luginën dhe përroin e Pezës, do të të dalë përpara panorama piktoreske e vendbanimit të Pezës së Madhe, e ngritur në faqet e buta të kodrave të Çelmetjeve nga njëra anë dhe Kabxhukjes e rrëzë Kodrës së Postës nga ana tjetër. Të tre Pezat e Tiranës ndodhen në një nga zonat më të mëdha kodrinore të Shqipërisë, me rreth 860 km. katrore, midis rjedhjeve të mesme të lumenjve Erzen e Shkumbin; vargmalit të Kërrabës në lindje dhe kodrat e Kavajës në perëndim. Ndonëse kodrat në prapashpinë të Pezës së Shqipërisë janë më të ulëta se vargmalet Dikti e Psilorotis të Kretës apo grykat e vargmalet e Sierra Nevadas, përsëri relievi i saj krijon të njejtin konfiguracion si në Pezën e Kretës apo Pezën e Andaluzisë, ndonëse në përmasa më të vogla.(7)
Sipas të dhënave gojore të mbledhura nga albanologu Johan Xhorxh fon Han (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869) gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1863, në luginën e sipërme të Pezës ndodheshin masive të tëra midhjesh të ngurosura. Më lart, rrëzë malit të Dajtit, ishte nxjerrë një pllakë afërsisht dy këmbë e gjatë me skeletin e një ngjale të mbajtur në gjendje të mirë, skelet që ishte dërguar në Muzeun e Shkencave Natyrore të Stambollit. Po rrëzë malit të Dajtit, arkeologët kanë gjetur objekte prej kocke dhe thika stralli të mprehura si dhe kanë rënë në gjurmë jete në brendësi të shpellës së Pëllumbasit, disa kilometra më në Jug. Këto të dhëna tregojnë se në kohën e Paleolitit të Lartë (nga 40 mijë deri në 10 mijë vjet para Krishtit) lugina dhe kodrinat e Pezës, si e gjithë Ultësira Perëndimore e gadishullit të Ballkanit ishte e zhytur në ujë; ndërsa banorët nomadë të Rrëzës së Dajtit apo të Shpellës së Pëllumbasit jetonin si të gjithë “bregdetasit” mesdhetarë, me gjueti, me peshkim apo duke mbledhur barishte e fruta të egra.(8)
Është e llogjikshme të mendohet se, pas largimit të ujrave të detit, banorët e Rrëzës së Dajtit, të Shpellës së Pëllumbasit, si dhe të çdo rrëze e shpelle tjetër në zonat Shëngjergj e Shënmri prej nga rjedhin burimet e lumit të Erzenit (109 km.), të zbrisnin përgjatë brigjeve të tij dhe të zinin tokat e çliruara nga ujrat apo të thara nga moçalishtet. Këta banorë proto-indo-europianë të trojeve shqiptare, të cilët gojëdhanat popullore tiranase, të mbledhura nga intelektualët Skënder Jasa e Xhavit Maçi, i quajnë pellazgë, mund të kenë qenë të parët që i kanë emërtue përroin, luginën, krahinën dhe udhën e Pezës. Një tjetër dëshmi e pranisë së mjeshtrisë së ndërtimit të pellazgëve në trevën e Pezës së Shqipërisë gjendet në gërmadhat e Kalasë së Dorëzit, disa kilometra nga vendbanimi i Pezës së Madhe. Siç ka vërtetuar arkeologu i njohur i shekullit XX, Hasan Ceka, shtresa e parë e këtij fortifikimi është ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj të vendosur njeri mbi tjetrin pa asnji mjet lidhës; plasat dhe boshllëqet ndërmjet blloqeve janë mbushur me gurë të vegjël të lidhur organikisht me të mëdhenjtë. Këto ndërtime ciklopike gjenden edhe në muret e qyteteve ilire të Marshenjit e Gajtanit në trevën e Shkodrës, thotë mjeshtri Ceka; ndërsa për historianin enciklopedist Arif Mati, “gjenden e rigjenden kudo në pellgun mesdhetar (Greqi, Azie Vogël, Egje, Itali, Palestinë…) ku jetonin Pellazgët dhe Tursanët (Tirrenët apo Etruskët).
Peza – në perëndim të kryeqytetit të Shqipërisë – Tiranës.
…………………………………………..
Në drejtim të Kalasë së Dorëzit e më pas drejt fshatit Vrap gjarpëron edhe Udha e Pezës për të zbritur në dy vendbanimet e luginës së Shkumbinit: Rrogozhinë e Peqin. “Kjo rrugë, thekson Ceka, duhet të ketë qenë me randësi, siç dëshmon ndërtimi i saj i shëndoshë… urat e ndërtueme edhe mbi disa përrenj të vegjël që mund të kaloheshin në çdo kohë edhe pa këto”. Shkrimet e autorëve antikë mbi gjeografinë e historinë, arkeologjinë e etimologjinë, folklorin e mitologjinë e banorëve të luginave e kodrinave midis rjedhjeve të mesme të lumenjve Erzen e Shkumbin tregojnë se këtu jetonin fiset ilire parthinë, të cilët shtriheshin deri në brigjet veriore të lumit Vjosa. Shprehimisht, historiani antik Thukididi (Thucididis, 460 – 400 p. Kr.) thotë se fiset ilire parthinë banonin në shpinë të “kushërinjve të tyre” taulantë, në trevat kodrinore, të kufizuar me tokat e labeatëve në Veri deri te bylinët e atintanët në Jug; duke patur në Lindje kandavët, dasaretët, një pjesë të enkelejve dhe lynkeasit. (9)
Padyshim udha e fiseve parthinë të Pezës ishte një nga arteriet kryesore që vinin nga fushat veriore të Ilirisë për të dalë në Asparagus (Rrogozhinë) e Klodiana (Peqin), dy stacionet e njohur të rrugës perandorake Egnatia. Nëpër udhën e Pezës e kaloi ushtrinë e tij prej 40 mijë trupash, ushtaraku dhe burri i shtetit romak Jul Cezari (Caius Julius Caesar, 100-44 p.Kr.) për t’i dalë në mbrapashpinë rivalit të tij Pompeut (Magnus Pompeius). Në kujtimet e tij me titull: “Belli civilis” (Lufta civile), pikërisht në librin III të tij, paragrafi 41, autori shkruan: “Cezari, kur mori vesh se Pompeu ndodhej pranë Asparagut (stacion i rrugës “Egnatia” në afërsi të Rrogozhinës së sotme-sh. H.Gj.), u nis për aty me ushtrinë… Por, kur pa se ai nuk po tundej nga vendi që kishte zënë, e futi ushtrinë përsëri në lëmë dhe mendoi se duhej të ndërronte planin e parë. Të nesërmen pra, u nis me gjithë ushtrinë për në Dyrrah, duke i rënë rreth e rreth, nëpër një udhë të ngushtë e të vështirë, duke menduar se me këtë mënyrë do ta detyronte Pompeun të ndryhej në Dyrrah ose do t’ia priste lidhjet me këtë qytet, ku ai kishte grumbulluar gjithë ushqimet dhe armët për luftë… Cezari…, si u foli ushtarëve dhe i porositi t’u qëndrojnë me durim lodhjeve të udhëtimit, natën bëri një pushim prej disa orësh dhe në mëngjes arriti në Dyrrah, pikërisht në atë kohë kur u dukën së largu pararojet e Pompeut.” Siç dihet, tek Shkëmbi i Kavajës, Cezari korri fitoren e tij historike.(10)
Edhe gjatë Mesjetës, shtegu i Pezës vazhdoi të lidhte Shqipërinë e Veriut me atë të Jugut, për ta humbur rëndësinë e dorës së parë pas ndërtimit të rrjetit automobilistik të Qafë Kërrabës në Lindje dhe Rrugës së Kavajës në Perëndim. Gjithsesi, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri (1939-1944), kur rrugët automobilistike që lidhnin qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë Rrogozhine, Peqin e Elbasan u okupuan nga trupat fashiste e naziste, udha e Pezës funksionoi përsëri me të gjithë kapacitetin e saj në dispozicion të luftëtarëve antifashistë dhe Shtabit të Grupit Partizan të Pezës për realizimin e komunikimit midis luginës së Erzenit në Veri dhe luginës së Shkumbinit në Jug.
Pra, si përfundim, mendojmë se traseja e emërtimeve me bazë fjalën proto-indo-europiane Peza në Shqipëri është vazhdimësi e gjuhës pellazgo-iliro-shqiptare.
————————
Shënimet
1. htt:/www.yahoo.com/search web: Peza, La Peza, Peza Union.
2. The American Heritage Dictionary of the English Language (botimi i parë viti 1969, botimi i pestë 2011), publikuar nga shtëpia e njohur e librit “Hakën Miflin” (Houghton Mifflin), Boston, SHBA; The American Heritage® Dictionary of Indo-European Roots, tre botime: 1985, 2000 dhe 2012).
3. The American Herritage. Dictionary of the English Language, Fourth Edition. 2000/ Indo-european and the Indo-europians; ped, ped-ya; Calvert Watkins, The American Heritage® Dictionary of Indo-European Roots, ped/ped-ya.
E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, I, “Akdemia e Shkencave”, Tiranë 1982, f. 129; Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, Akademia e Shkencave”, Tiranë, 1980, f. 1394.
4. htt:/www.yahoo.com/search web: La Peza, Lapecenos.
5. Chambers Dictionary of world history, New York, 2000, f. 43; K. Grimberg, Historia botërore dhe qytetërimi, vëll. 1, “Eugen”, Tiranë, 2003, f. 234; htt:/www.yahoo.com/search web: History of Creta. Sipas Homerit në anglisht: Odyssey, 19,172-74; sipas botimit në shqip: Odiseja, përkthyes Pashko Gjeçi, Tiranë 1976; kënga XIX, f. 295. Po ashtu: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, “Toena”, Botimi i tretë, Tiranë, 2002, Strabonis Geographica, Libri V, f. 151-52; Mathieu Arif, Shqipëria (Historia dhe gjuha), Odisea e pabesueshme e një populli parahelen, përkthyer nga frengjishtja nga Iliriana Angoni, Tiranë: Plejad, 2007, f. 576-77.
6. Gjeografia fizike e Shqipërisë, vëll. 2, Tiranë, 1991, f. 498-507.
7. Johann G. von Hahn, Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar, Vjenë 1867, përkthyer në shqip: Nëpër viset e Drinit e të Vardarit, Botimet “Geer”, Tiranë 2001, f. 29; Po ashtu: Nëpër viset e Drinit, Botimet “Horizont”, Tiranë 2001, f. 35-37; Historia e Shqipërisë, vëll. I, Tiranë, 1959, f. 39; Historia e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, vëll. I, f. 24.
8. Historia e Shqipërisë, vëll. 1, Universiteti i Tiranës (Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë), Tiranë 1959; f. 51, 58; 9. Historia e Popullit Shqiptar, vëll. 1, Akadamia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Historisë), Botimet “Toena”, Tiranë 2002, f. 50; Skënder Jasa, Xhavit Maçi, Lashtësia e Tiranës, kopje e shaptilografuar në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, botuar në përmbledhjen Kuvendi i Studimeve Ilire, Tiranë 1974, f. 304; Ilirët dhe Iliria te autorët antikë: Thucididis, Historiae, Libri I. f. 24; Stefanus bizantius “De urbidus et populis (Ethnica), f. 416 e të tjerë autorë te Treguesi i emrave: Parthinët f. 570; Taulantët, f. 582.
10. H. Ceka, Kalaja e Dorëzit, Revista, Buletini i Institutit të Shkencave (1951), nr. 1, Tiranë 1951, f. 86-89; H. Ceka, Dega rrugore e rrugës Egnatia, Rev. “Monumentet 2”, Tiranë 1975; Gj. Karaiskaj, 500 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë, 1981, f. 99; Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, “Toena”, Botimi i tretë, Tiranë, 2002, C. Juli Caesaris, Belli Civilis, libri III, f. 89; G. Veith, Der Feldzung von Dyrrhachium zwischen Caesar und Pompejus, Wien 1920, f. 98, 148 dhe harta. Shih edhe L. Heyzey, Les operations militaire de Jules Cezar, Paris 1886; Stoffel, Histoire de Jules Cezar Guerre Civile, Paris 1887; V. Kasapi, Cezari kundër Pompeut, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë, 1993; N. Ceka, Ilirët, “Ilar”, Tiranë, 2001, f. 128.
—————————————–
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)