MR.SC.YMRET RESHITI: NDIKIMI I MENDIMIT POLITIK TË UKSHIN HOTIT NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE

Rahovec, 18. 05. 2016: – Karakteri shumëdimensional i mendimit politik të Ukshin Hotit – Mendimi politik i Ukshin Hotit, mendoj se paraqet mendimin më të guximshëm politik shqiptar në ish Jugosllavi, që nga vitet 1945-1991, ngase u bë intelektuali dhe zyrtari i parë nga ish Krahina e Kosovës që mori mbi supe misionin e shenjtë, të mbrojtjes dhe legalizimit të së drejtës së Kosovës për republikë, në kohën kur fatet e popullit shqiptar nën Jugosllavi ishin në rrezik.
Gjatë kësaj periudhe kohore, mendimi politik për çështjen shqiptare në ish Jugosllavi dhe çështjen e Republikës së Kosovës, zhvillohej në ilegalitet të thellë nga veprimtarët e kohës.
Demonstratat e pranverës së vitit 1981 sollën zgjimin kombëtar në Kosovë dhe kudo që kishte shqiptar. Pikërisht ishte kjo ngjarje që solli edhe shpërthimin intelektual të profesor Hotit, këtij uragani të mendimit politik të çështjes kombëtare shqiptare, i cili rrezatoi dritë, atdhedashuri mbi errësirën që politika sllave na kishte krijuar para syve tanë, nën parullën e bashkim-vëllazërimit dhe internacionalizmin socialist.
Ishte profesor Hoti, ai që lidhur me demonstratat e studentëve të prillit të vitit 1981 në mbledhjen e OB të LK-së në Fakultetin Filologjik, më 19.11.1981, bëri mbrojtjen e demonstratave të studentëve, me argumente shkencore, duke theksuar se demonstrata dhe kërkesa për Kosovën Republikë ishte evolucion i kohës, i shkaktuar nga pabarazia statusore ekonomike e Kosovës, si njësia më e varfër në Federatë dhe pikërisht kjo pabarazi kishte shkaktuar “jazin” e madh social të Kosovës me njësitë tjera më të zhvilluara të Jugosllavisë.
Si politikan vizionar dhe i guximshëm, profesor Hoti përpiqej të bindte politikën zyrtare në Kosovë, Serbi dhe Jugosllavi, se do të ishte i dobishëm avancimi politik statusor i Kosovës nga krahina në republikë, duke potencuar rolin esencial që ka vendosja politike në përcaktimin e parakushteve për zhvillimin ekonomik dhe të hovshëm në këtë krahinë.
Ai insistonte fort që këto ngjarje të kuptohen në ligjshmëri me shkaqet dhe rrethanat dhe mos të merren të fragmentuara dhe shkëputurazi, sepse të gjitha bashkërisht përbënin një unitet dialektik shkak – pasojë. Në kontekst të kësaj, profesor Hoti shkruante, “Për këtë shkak kjo që ngjau dhe kërkesat që u shtruan në atë mënyrë, esencialisht ndodhën brenda kësaj ligjshmërie dhe nuk mund të shpjegohen jashtë saj. Me fjalë të tjera, kërkesa për Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik”1.

Mendimi politik i profesor Ukshin Hotit ishte mendim që përbrenda tij kultivon demokracinë me vlerat e saj më sublime, atë të lirisë së mendimit dhe të fjalës. Atë demokraci të cilën e kultivoi brenda vetes së tij edhe pse jetonte në një ambient fare të ngushtë, për përmasat e tij intelektuale që i pati, që jetoi në një ambient ku çdo çast përballej me përndjekjen, burgimin, izolimin dhe linçimin (bojkotin). Profesor Hoti në gjykimin e vitit 1994, i drejtohet me këto fjalë gjykatës serbe, ”Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë “de facto” e njeh”2.
Liria e mendimit dhe e fjalës u mishëruan pandashëm me profesor Hotin, i cili kudo që gjendej kultivonte dhe mbronte me fanatizmin intelektual dhe patriotik këto vlera, nëpër gjykatore, burgje, izolime, në gazeta, protesta dhe tubime, kudo që i jepej mundësia. Ai paraqet avokatin më të madh të Çështjes Kombëtare. Krijoi një praktikë të re gjyqësore, që nuk njihej deri atëherë nga gjyqësori, ngase përmes fjalës së tij të mbrojtjes para gjykatës serbe, në mënyrë brilante bëri mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, me fakte dhe dëshmi historike, politike, ekonomike, sociale dhe praktike, duke demaskuar para botës regjimin serbo-sllav, që përmes gjykimit të shqiptarëve, po e gjykonte dhe e dënonte të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.
Mendimi politik i Ukshin Hotit ishte mendim paqësor dhe jo ekstremist, ngase jepte porosinë paqësore, pasi që ndiqte rrugën institucionale të realizimit. Profesor Hoti shprehej “Duke e njohur edhe “de jure” Republikën e Kosovës, serbët nuk bëhen popull më i vogël dhe as shqiptarët popull më i madh. Në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë”3. Luftën e parashihte si proces të pashmangshëm, bazuar në zemër ngurtësinë e politikës serbe për të pranuar Kosovën si Republikë, ashtu siç e shihte si proces të pashmangshëm pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimin Kombëtar. Për luftën profesor Hoti thoshte, “Një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrë njëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta. I takon virtytit të mençurisë së një populli përpjekja që idealet e veta t’i sendërtojë pa gjakderdhje. Do të duhej të ishte në natyrën e idealit të sendërtohej pa gjakderdhje”4.
Mendimi politik i Ukshin Hotit ishte forcë nxitëse dhe shtytëse, në lëvizjen e proceseve politike në vend e rajon, sepse kreativitetin shkencor të politikës e ndërlidhte me rrethanat politike që mbretëronin asokohe. Aksioma e mendimit politik të Ukshin Hotit ishte: Veprim, rezistencë, qëllim, unitet, rezultat. Mendimi politik i profesor Hotit kërkonte rezistencë aktive ndaj regjimit serb. Sipas profesor Hotit, rezistenca aktive nënkuptonte aksionin ”se duhet të jesh më i pranishëm në ngjarjet, më agresiv në kërkesat, më i vendosur në pikëpamjet tua dhe më demokratik në hapësirën informative” 5. Mendimi i tij politik mishërohej me argumente shkencore dhe në lidhje dialektike me tërë proceset politike të kohës, diku duke ju prirë e diku duke i shtyrë ato tutje.
Mendimi politik i Ukshin Hoti ishte i drejtpërdrejt dhe bindës. Në shprehjen e mendimit të tij, i shmangej dykuptimësive, sipërfaqësisë dhe përgjithësimeve. Ai dëshironte që të kuptohej drejtë ajo që e mendonte dhe që e shprehte, sepse vetë kështu mund të kuptohej “esenca e çështjes” dhe mund të gjendej zgjidhja. I vetëdijshëm se mendimi i tij ishte i drejtë, e mbronte deri në imtësi me guximin dhe me sakrificën më të madhe intelektuale dhe patriotike. Profesor Hoti me bindje thoshte se, “Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik, dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij një shtet të vetëm shqiptar” 6. Në lidhje me luftën e popullit shqiptar për vetëvendosjen e Kosovës dhe bashkimin kombëtar shqiptar në një shtet, bindja e profesor Hotit shkonte deri në sakrificën e tij, duke shtuar,“Nuk ekziston asnjë arsye me peshë që të mos fitohet kjo luftë. Ndoshta do të humbet ndonjë betejë, por lufta doemos do të fitohet, sepse kurrë njëherë nuk do të pajtohemi me rënien e jetës” 7.
Mendimi politik i Ukshin Hotit nuk kishte kurrfarë ngjyre ideologjike, pos idealeve të shenjta të popullit. Nuk është e drejtë që ai të akuzohet, herë si majtistë e herë si djathtist, vetëm pse promovonte më shumë se çdokush tjetër konceptin e demokracisë. Ishte çështje e maksimës së tij të ndërlidhjes së tij me popull dhe për popullin. Profesor Hoti angazhohej që demokracia ndër shqiptarët të lindte natyrshëm, pa imponime dhe pa kopjime. Vetëm “Demokracia autentike” ishte demokracia e vërtetë me tërë fizionominë e saj të natyrshme, dhe ai ishte kundër fragmentarizmit të demokracisë dhe stereotipave të saj. Sipas profesor Hotit, “Demokracia autentike” me një linjë të qartë të zhvillimit dhe të orientimit të vet, dëshiron që t’ju ofrojë mundësi të barabarta, të gjitha opsioneve-që të shfaqen, të gjitha specifikave-që të shprehen dhe të gjitha angazhimeve-që të marrin trajtë…ajo nuk dëshiron ta detyrojë shoqërinë t’i përshtatet demokracisë, por që demokracinë t’ia përshtatë shoqërisë”8.
Mendimi politik i Ukshin Hotit është mendim thellësisht intelektual, që vinte në spikamë urtinë. Profesor Hoti thoshte “Okupatorët provojnë që përmes individit të kontrollojnë masat e gjera…”9 Ai përkujtonte udhëheqjen politike të Kosovës për obligimin që kishin ndaj popullit, që të mos bënte gafe në dëm të çështjes së Kosovës ose ,,axhamillëk”. Sipas tij “Vrapimi pas famës mund të shpjerë në donkishotizëm, kurse veprimet politike kanë kuptim në vete, vetëm atëherë kur një njeri apo shumë sish me veprimet e tyre bëjnë që fama t’u vijë pas “10. Gjatë një ligjërimi të profesor Hotit në një tubim, një aktivist politik i kishte drejtuar një pyetje provokuese duke i thënë ”se mos doni të na ktheni komunizmin?Por, profesor Hoti me urtinë që kishte, ia ktheu: “Jo, por duam t’ua çrrënjosim feudalizmin”11.
Mendimi politik i Ukshin Hotit është mendim vizionar. Në lidhje me perspektivën e kombit shqiptar, profesor Hoti thoshte: “Perspektiva e bashkimit të shqiptarëve në një shtet shqiptar rrjedh pikërisht nga nevoja e zhvillimit, nga nevoja e rritjes së brendshme dhe nga theksimi i dobisë së përgjithshme prej saj”12. Vizioni i Ukshin Hotit tejkalonte kombëtaren dhe mbizotëronte ndërkombëtaren. Si luftëtar i denjë për lirinë dhe pavarësinë, ai insistonte që edhe Evropa e Bashkuar të ishte faktor i rëndësishëm dhe domethënës në proceset globale, në shërbim të vetvetes dhe jo në shërbim të diktatit të të tjerëve. Profesor Hoti thoshte, ” Evropën e Bashkuar nuk e shoh si mbështetje të diktatit të një apo dy fuqive, por në mbështetje të popujve të saj. Evropa do të duhej të ishte në funksion të vetvetes, e jo në funksion të dominimit të jashtëm”13.

Mendimi politik i Ukshin Hoti për shumë vite u bë institucion i fuqishëm që brumoste thukët argumentet shkencore dhe praktike, mbi të drejtën e Kosovës për republikë dhe zgjidhjen e drejtë të Çështjes Shqiptare në Ballkan. Mendimi i tij politik u bë muzë mbrojtëse dhe fije shprese për rininë e rebeluar studentore kundër zgjedhës serbo jugosllave dhe si fanar u rrezatoi mendjeve të tyre të njoma, duke iu trasuar rrugën e drejtë dhe autentike të çlirimit, pavarësisë dhe bashkimit. Mendimi politik i profesor Hotit u bë pikë strehe dhe pikë referimi në krijimin dhe zhvillimin e rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mendimi i politik si doktrinë politike Hotiane
Dekada e vitit 1981-1991 mbeti nën hijen e mendimit politik të Ukshin Hoti, si mendim i vetëm që i kundërvihej propagandës dhe elaborateve serbo sllave ndaj Kosovës dhe Çështjes Shqiptare në Ballkan, prandaj nuk do të ekzagjerojmë nëse themi se kjo dekadë mund të quhet si dekada e mendimit politik Hotian.
Vlera e mendimit të tij politik dhe filozofik, janë vlera të pamohueshme, të pakapërcyeshme, që burojnë nga një mendje thellësisht intelektuale, që mendimin e tij politik autentik, e ngre mbi të vërtetën historike juridike të kombit shqiptar, në rrethana tepër të vështira për kombin, mendim që më pastaj u formësua në doktrinë politike Hotiane.
Ukshin Hoti është princi i mendimit politik shqiptar, krahas princave tjerë, të kombit shqiptar si: Sami Frashëri, Ismajl Qemali, Hasan Prishtina, Fan Noli,Gjergj Fishta etj.
Dimensioni i mendimit të tij politik, më së miri profilizon figurën e ndritur të profesor Ukshin Hotit, që e bën KOLOS të mendimit politik shqiptar.Sa herë që do të mblidhemi për të folur për Ukshin Hotin, gjithnjë e më shumë do të kuptojmë se kemi thënë mjaft pak, fare pak dhe do të bindemi, se për të kemi për të thënë shumë e më shumë, ndër vite e brez pas brezi.
_______________
Referencat:
1Ukshin Hoti,Filozofia politike e çështjes shqiptare,shtëpia botuese ,,Rozafa’’,Tiranë 1995, f.139.
2 Ukshin Hoti,vep. e cit. f.118.
3 Ukshin Hoti, vep. e cit. f.128.
4 Ukshin Hoti, vep. e cit. f.93.
5 Ukshin Hoti, vep. e cit. f.167.
6 Ukshin Hoti, vep. e cit. f.149.
7 Ukshin Hoti, vep. e cit. f.111.
8 Ukshin Hoti, vep. e cit. f.151.
9 Ismet Mahmuti, Mendimi politik i Ukshin Hotit në burgun e Dubravës, në https://pashtriku.org/ index. php?kat=64&shkrimi=401.
10 Po aty.
11 Bislim Elshani,Ukshin Hoti dhe bazat morale të politikës, në – https://pashtriku.org/index.php?kat=64&shkrimi =346
12 Afrim Morina: Na mungon shumë mendja e Ukshin Hotit,në https://pashtriku.org/index.php?kat=64&shkrimi=352.
13 Sheradin Berisha,Intervistë me U.Hotin, për Revistën “Gurra”-Prizren, në
http://pashtriku.beepworld.de/files/Ukshinhoti/sheradin_berisha_bisede_me_ukshin_hotin_1992_9.5.08.htm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura