MSc.ALBERT HABAZAJ* KOHA DHE LETËRSIA, BALLAFAQIM VLERASH ESTETIKE

Vlorë, 28. 01. 2017 > Pasthënia e librit “Koha dhe letërsia. Analitika shqiptare bashkëkohore” me autor Eqerem H. Canaj/ Para disa vitesh, duke thyer tabunë e maratonës popullore në letërsi, shkrimtari, esteti dhe kritiku letrar Eqerem Canaj, botoi librin studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”. Libri u përtyp nga studiuesit, miqtë e letrave dhe dashamirësit e penës, jo vetëm në rrethet letrare të Vlorës, u realizua një bisedë në një studio televizive, u bë gjithashtu një diskutim libri dhe në fundkorrikun e vitit 2016, autori i kësaj pasthënie botoi shkrimin “Estetika e letërsisë bashkëkohore e poetëve dhe prozatorëve vlonjatë” në rubrikën “Kulturë” të gazetës “Telegraf”, (e mërkurë, 27 korrik 2016, f. 20), që u botua si burim elektronik edhe në shtypin online: (gazeta “Fjala e lirë” Londër, Angli, 26/07/2016, 09:21:00; revista “Dituria”, Borås, Suedi, e martë, 26 korrik 2016, 11:19; “Voal”, Vjenë, Austri, July 26, 2016, gazeta “Dielli”, Boston, SHBA, July 28 th, 2016) etj.
Pas një pune të gjatë studimtare, autori i njohur Eqerem H. Canaj, del në skenën e botimit me librin më të ri: “Koha dhe letërsia. (Analitika shqiptare bashkëkohore”), në vështrimin thellësisht studimor, edhe pse duket thjesht si vijim, si pjesa e dytë e librit studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”,, ndryshimi është i dukshëm, jo vetëm në këndvështrimin e autorit përsa i përket përzgjedhjes së poetëve dhe prozatorëve të marrë në shqyrtim, por edhe përsa i përket konceptualitetit të tij në formulimin e librit, duke patur në bazë të trajtimit cilësinë artistike dhe estetike të veprës së iks autori. Po ashtu, në librin e parë studimor, Canaj ka trajtuar 99 tituj librash të autorëve vlonjatë me kontribute: 1. në gjininë e poezisë dhe përkatësisht në: a) poezinë popullore dhe, b) poezinë moderne; 2. në gjininë e prozës dhe përkatësisht në: tregim, novelë, roman; 3. në letërsinë për fëmijë dhe 4. të tjerët për krijimtarinë letrare të Eqerem Canajt.
Studimi “Koha dhe letërsia” trajton tre nënfusha të letërsisë artistike: 1- Poezinë bashkëkohore, 2- Prozën bashkëkohore dhe 3- Memorialistikën. Në këtë botim, studiuesi Canaj merr në shqyrtim rreth 33 autorë të 45 titujve letrarë, të cilët nuk janë vetëm poetë dhe prozatorë vlonjatë, por zgjerohet gjeografia e studimtarisë edhe nga qytete të tjera të vendit, si Fieri e Tirana, apo dhe autorë nga Diaspora, si dhe të shteteve të tjerë sikurse është Greqia, Italia. Pra kemi të bëjmë me kaplime hapësirash më të gjera, që, sipas gjykimit tonë, na mbushin me frymëmarrje letrare, e cila pretendohet cilësisht më e lartë. Nëse libri i parë studimor pati edhe vlerat si i pari i këtij lloji në Vlorë, “Koha dhe letërsia” është hapi i dytë i rëndësishëm i këtij autori që s’njeh pushim dhe guxon e futet sy më sy dhe në fushën e vështirë të kritikës (sidomos sot). Në këtë libër vërejmë përgjedhjen që ka bërë autori. Kjo ka të bëjë me masën kohë, vend, hapësirë në sensin libror të letërsisë artistike. Ai ka zgjedhur përfaqësues të veçantë në treva, qytete e shtete. Dhe është bërë me një qëllim të caktuar, që lexuesi, hap pas hapi, të ballafaqohet me letërsinë bashkëkohore krahasimtarisht me të tjerët. “Koha dhe letërsia” e estetit vlonjat E. Canaj synon, qëllimshëm, thellinat e veprave, sipas konceptualitetit të studimit të cilënai ua kumton lexuesve ndërshtetesh, si një arritje e sukseshme e fillimshekullit XXI.
Poezia qytetare vlonjate ballafaqohet me poezinë e Maku Pones e Petraq Kotes në Fier, me poezinë e Flora Gjondedaj në Durrës, me poezinë tiranase të Novruz Devishajt; por ndërkohë poezia qytetare vlonjate dhe ajo shqiptare ballafaqohen me poezinë e sotme greke të Panajota H. Zallonit dhe Jorgjia Papadharacaqit. Mendohet kësisoj, hidhet hapi i parë dhe i rëndësishëm drej poezisë moderne ballkaniko-mesdhetare.
Tregimi dhe novela e A. Hajdinit, E. Canajt, A. Petromilos ballafaqohet me krijimtarinë e G. Ziles (Tiranë), Gj. Ferrarit (Diasporë), Themistokli Kacaunit (Greqi). Ky synim ballafaques arrin në përfundimin se veprat përfaqësuese synojmë modernizimin bashkëkohor edhe në gjininë e prozës së shkurtër dhe asaj të mesme.
Ballafaqimi është trajtuar edhe në gjininë e romanit, vendosur në themel të kësaj vepre estetike, sepse ballafaqohen autorët tashmë të njohur si romancierë. Kështu kritiku krahason veprat që kanë botuar E. Canaj, Ç. Hoxha (Vlorë) me ato që kanë botuar autorë të tjerë që s’banojnë në Vlorë, por matanë Vjosës, si Fran Ukcama (Fier), Eva Gavani, Fatmir Hysi, Muhamet Derri, Ibrahim Vasjari (Tiranë), përballë Flogerta Krypi, Lindita Fejzaj përtej deteve (Diasporë). Përmes këtij ballafaqimi, proza qytetare shqiptare merr krahë fluturimi përtej kufijve shtetërorë.
Memorialistika si gjini, është një kërleshje, në kuptimin më të bukur të fjalës, midis historisë, studimeve biografike dhe të tjera lidhur me to, si biografitë personale dhe kolektive, që spërkaten me lëng trëndafili nga ujëvarat letrare. Ajo është spikatje në lumin e madh të historisë dhe të krijimtarisë shqiptare. Ka marrë hov dhe duhet të ketë pozicionin e vetë të klasifikuar. Nuk është vetëm histori memorialistika, as histori e letrarizuar, është e dhe histori, edhe art, edhe dokument. Shquhen në këtë fushë, sipas Canajt: Bardhosh Gaçe “Mjeshtër i Madh”, pasuar nga studiuesit Albert Habazaj, Ruzhdi Bajrami, Asqeri Llanaj, Andera Petromilo e Foto Bixhili (Vlorë). Autori vë përballë veprën madhore të Nuri Dragoit (Tiranë) kushtuar poetit të madh Xhevahir Spahiu. Po ashtu trajton me vëmendje memorialistikën e Xhevdet Shehut (Tiranë) “Me syrin e ciklonit” (George Tenet e Bill Harlov, SHBA), monografinë e Sulejman Abazit (Neshaj), Enver Memishajt e Novruz Dervishit, si dhe monografinë “Robert Shuman – Ati i Europës”, përkthyer nga Pëllumb Nako.
Metoda e ballafaqimit është esenciale për letërsinë e sotme që kërkojmë për të cilën vetë koha bën filtrin cilësor. Në themel të librit është përzgjedhja ballafaquese, çka na duket interesante. Dhe kuptojmë se kjo nuk është rastësore, është e studiuar, e qëllimshme (aqsa studiuesi e njeh letërsinë dhe vizionit që ka). Po rritet një plejadë e re krijuesish. A nuk duhet njohur mirë ky grupim? Akoma do të presim nga të ububushmit?!… E. Canaj, me këtë vepër studimore, ka vënë edhe një gur tjetër që rri mirë në ndërtesën e Kritikës Letrare Shqiptare.
“Koha dhe letërsia” është një ballafaqim vlerash estetike, e një rëndësie të veçantë të artit bashkëkohor
__________________
Albert R. Habazaj, poet, studiues, bibliograf dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, ALBANIA është dhe redaktor i librit “Koha dhe letërsia” i autorit Eqerem Canaj.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura