MSC.DORINA ARAPI: NJË VIZITË NË SHTËPINË E FAIK KONICËS

(Tiranë, 08. 09. 2012) – Por ajo çka është më e rëndësishmja në këtë qytet të vogël dhe që unë ndihesha më e lidhur me to ishte shtëpia e Zenel Beut dhe Hamkos, gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës, si dhe shtëpia e Faik Konicës, por që në qytet kjo e fundit njihet e emërtuar si shtëpia e Hysein Siskos. Këto dy banesa të mëdha u përkisnin familjeve më të pasura myslimane të qytetit të Konicës. Duke pasur fatin të qëndroja disa ditë në këtë qytet, fillova të pyes qytetarët rreth këtyre dy shtëpive. Për shtëpinë e Hamkos, qytetarët ishin më se të informuar për vendndodhjen e saj dhe të gjithë e njihnin si nëna e Ali Pashës dhe me shumë lehtësi të tregonin shtëpinë. Madje, dhe me një farë bindjeje, thoshin se kishte qenë një grua shumë e njohur për kohën e vet dhe e fuqishme, ashtu siç pohohet nëpër libra, Hamko pat qenë një grua me një bukuri mahnitëse, ku i gjithë qyteti asokohe fliste për bukurinë e saj, madje i kishin thurur dhe këngë. Shumë djem e patën kërkuar për grua, por ai që arriti të martohej me të ishte Veli Bej Tepelena. Nga martesa e tyre lindi Aliu dhe vajza e tyre, Shanisha. Roli i Hamkos në jetën e djalit të saj, ka qenë vendimtar. Ashtu siç shkruan Richard A.Davenport në librin e tij “Jeta e Ali Pashë Tepelenës, vezir i Epirit”(1837), Ali Pashai do t’i shprehej një konsulli francez ku thoshte se nëna e tij e bëri burrë dhe vezir ashtu siç përmenden dhe fjalët e saj drejtuar të birit se ai, i cili nuk mbron pasurinë e tij, meriton ta humbë atë. Lidhja e Pashait me të ëmën ka qenë tejet e fortë dhe vendimtare në krijimin e figurës së vezirit të Janinës.

Faik Konica

………………………………………………

Një tjetër shtëpi, e cila gjendej në afërsi të shtëpisë së Hamkos, ishte shtëpia e Faik Konicës, shtëpia ku ai u lind, jetoi vitet e para të fëmijërisë derisa shkoi në shkollë të mesme. Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. Ai ishte prozator, publicist, estet, i cili u diplomua në Universitetin e Harvardit për letërsi. Konica ishte kryetar i shoqatës “Vatra”, ishte një ndër udhëheqësit e grupit përfaqësues në konferencën e ambasadorëve në Londër, si dhe ministër i Shqipërisë në SHBA. Kaloi vitet e para të fëmijërisë së tij në Konicë dhe nga përshkrimet e tij duket se ka qenë i lidhur me shtëpinë e tij me një lloj nostalgjie e malli që e mundoi gjatë gjithë jetës së tij.

Shtëpia e Faik Konicës

………………………………………….

Për shtëpinë e Faik Konicës, asnjë njeri nuk kishte njohuri se ku mund të ishte dhe ku mund të ndodhej. Rastësisht, një ditë në kafenë e rrapit e cila ndodhej në qendrën e qytetit, duke bashkëbiseduar me një shqiptar me origjinë nga Leskoviku, ai më tregoi se shtëpia e Faik Konicës ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit. Ajo faktikisht në qytet njihej si shtëpia e Hysein Siskos, vëllait të vogël të shkrimtarit. Personi në fjalë, filloi të më shpjegonte ashtu siç e kuptonte ai, për një shtëpi të rrënuar, ku dallohej një oxhak i madh. U lumturova shumë dhe menjëherë shkova ta shoh. Nuk mund të humbja kurrsesi një gjë të tillë. Atë pasdite, një shi i lehtë kishte freskuar disi qytetin e vogël. Një shqiptar, që punonte e jetonte aty me familjen e tij prej vitesh, na shoqëroi të shihnim shtëpinë e Faik Konicës. Ai na shpjegoi se falë shiut, rreth shtëpisë nuk mund të dilnin gjarpërinj. Duke qenë se ishte një vend plot rrënoja e barishte të larta e plot myshk, mund të ishte një terren i favorshëm për shfaqjen e tyre. Pasi kaluam gardhin e hekurt dhe barishtet e larta, vështrova me entuziazëm shtëpinë e Konicës. Për fat të keq, ndërtesa kishte mbetur në gjendje të mjeruar. E dëmtuar gjatë kohës së tërmetit, sot kjo rezidencë e madhe është tejet e rrënuar. Për shumë vite me radhë ajo ishte përdorur si shkollë e mesme. Ndjeva keqardhje për shtëpinë duke menduar për figurën e lartë të kombit tonë. Teksa e sheh, dallohet ngrehina e një rezidence të madhe që ka humbur shkëlqimin. Familja e Konicës kishte qenë asokohe një nga më të pasurat familje shqiptare myslimane të kohës. Ndërtesa ishte një shtëpi e madhe, ku mungonte çatia e ku muret ishin të larta e prej guri, të rrethuara me lule zvarranike. Kati i parë i shtëpisë ishte i ndërtuar me blloqe guri të rregullta drejtkëndore, ndërsa kati i dytë ishte me gurë jo të rregullt dhe me një ngjyrë disi të errët. E tërë shtëpia kishte një ton gri në umbra, ku në sfondin e maleve dukej sikur zhytej akoma më shumë në një atmosferë mistike e të humbur në kohë. Hyrja kryesore e shtëpisë ishte një portë me një hark të plotë e të konsiderueshëm, i cili rrethohej në pjesën e sipërme nga një tjetër hark gurësh drejtkëndorë. Në pjesët anësorë të sipërme të portës, gjendeshin dy pllaka guri të shkruara në arabisht. Nga kërkimet e mia falë miqve të mi, të cilët mund ta deshifronin, u arrit të lexohej se në njërën pllakë është shkruar në arabisht një sure për mbarësi, ndërsa te pllaka tjetër është shkruar data e ndërtimit të banesës sipas kalendarit islam, e cila përkon me 19 safar 1261 dhe me kalendarin tonë 26 shkurt 1845. Arkitektura e shtëpisë përngjason me atë epirote, që të kujton shtëpitë e gurta të Epirit e me kulla të larta e të fortifikuara. Nga pamjet satelitore në “Google”, duket që shtëpia ka një planimetri në formën e U-së. Në cepin juglindor gjendet kulla, të cilën e dalloja me vështirësi ndërmjet trarëve që zaptonin shtëpinë. Ndoshta ky grumbull trarësh mund të ishte struktura e çatisë. Brendësia e ndërtesës ishte e mbushur me gurë, me shumë barishte e myshqe dhe dukej që kishte prani lagështie. Kjo shtëpi dallohej që mund të kishte qenë mjaft e madhe. Sapo hyje brenda, në të majtë dhe në të djathtë, dalloheshin nga 3-4 shkallë, të cilat zbrisnin e të çonin në dy porta me harqe. Ndoshta këto dy porta mund të bënin lidhje me pjesën e poshtme të shtëpisë ose mund të kenë qenë hambare.
Sipas studimeve të kryera, para tërmetit, shtëpia e Faik Konicës kishte në katin përdhes 7 dhoma dhe në katin e parë kishte 6. Thuhet se ka pasur mure të larta e të mbuluar me lule kacavjerrëse, dyert e dritaret kanë qenë prej druri, si dhe dhoma kryesore e tavani kanë qenë të dekoruar me gdhendje druri dhe të pasur me elemente dekorative e ndoshta të realizuar nga mjeshtrit dru gdhendës të zonës. Kopshti i shtëpisë ka qenë i mbushur me lule të ndryshme, me shatërvanë guri të gdhendur që ftonin njerëzit në një atmosferë të këndshme dhe aristokrate.
Sipas autobiografisë së Faik Konicës, ashtu siç shkruan dhe gazetari Ilir Konomi në librin e tij, Faik Konica binte në fis me Aliun, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës ishte katragjyshi i Faik Konicës.

Shtëpia e Hamkos

……………………………………………………..

Shtëpia e Zenel Beut dhe e Hamkos ishte disa hapa më sipër se ajo e familjes së Konicës. Në pamje të parë, shtëpia e Hamkos, ashtu siç e thërrisnin të gjithë e siç njihej, ishte një ndërtesë me të vërtetë impresionuese. Ajo ishte në përmasa shumë më të mëdha në krahasim me atë të familjes së Konicës. Që në momentin e parë më dha përshtypjen e një familjeje të fuqishme e të pasur të asaj kohe. Zeinel Beu kishte qenë një nga vendasit myslimanë më të pasur të qytetit, i cili kishte pasur prona dhe në Selanik. Sipas studimeve që janë kryer, duke qenë se kishte mjaft pasuri, për shkak të sigurisë së tij shtëpia ka pasur hyrje-dalje sekrete për t’u mbrojtur nga sulme të ndryshme. Që në pamje të parë, rezidenca shfaqet madhështore me muret e saj rrethuese dhe portën e hyrjes kryesore, e cila mban një hark të plotë e të lartë. Harku i portës ishte i gjerë, i rregullt dhe i rrethuar me tre breza harqesh të tjerë. “Për nga stili i ndërtimit dhe ornamentet e përdorura në harkun e jashtëm të hyrjes, kjo gjë është cilësuar si një traditë që përdorej zakonisht nëpër kisha dhe shtëpi të Epirit”. (Një takim me qytezën e Konicës, Dhionisios Dhim Tacis, Konicë, 1993)
Interesante ishin disa daltime e vizatime që gjendeshin në brezin e mesëm të harkut te porta e jashtme ku pasqyroheshin rozeta, kalorës, çekiçë, skuadra që ishin mjete të gurëgdhendësve, sëpata, shpata, bimë dhe ndoshta kaligrafi arabe. E ndërtuar në pjesën e sipërme të qytetit të Konicës, shtëpia e Hamkos duket sikur mbështillet nga malet e larta të qytetit. Ajo çka mbetur nga e gjithë kjo ndërtesë është kulla mbrojtëse, një pjesë e shtëpisë, disa kolona guri, si dhe muret rrethuese. Sipas studimeve të kryera, shtëpia e Hamkos filloi të ndërtohej nga mesi i shekullit XVIII nga babai i saj, Zenel Beu, dhe me kalimin e kohës u shtuan dhe hapësira të tjera. Në pjesën e saj perëndimore gjendet kulla e cila është ndërtuar në vitin 1843 dhe është restauruar në vitet ‘97-‘98. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje të shumta si ndërrimi i çatisë duke ruajtur stilin e kohës, ndërrimi i mureve, konservimi i harqeve të shtëpisë dhe i oxhakut, si dhe kthimi në gjendje funksionale i portave dhe i dritareve. Në projektet e shumta të bashkisë për shtëpinë e Hamkos mendohet të realizohet një muze për figurën e Ali Pashës.
Dëshira për të vënë në dukje këto momunte, vjen si një reflektim ndaj tyre, duke qenë se ato flasin diçka për historinë e dy figurave shqiptare. Duke menduar figurën e lartë të Faik Konicës dhe kontributin e tij për Shqipërinë, si dhe duke menduar figura historike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, që paraqet një periudhë të rëndësishme të historisë sonë, e ndjeva si diçka që të vjen natyrshëm ta shprehesh e ta bësh ditur. Duke u larguar nga qyteti i Konicës, ndjeva një lloj keqardhjeje. Ato ditë korriku në këtë qytet, kishin qenë për mua të mbushura me kuriozitet, me një sfond historik që do të mbeten në kujtesën time për një kohë të gjatë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura