MUHAMET DERRRI: GJARPËRINJTË NËN GURË

Tiranë., 19. 03. 2015 – (Mbresa rreth librit “Drama e UÇK dhe e Adem Demaçit”, me autor Dilaver Goxhaj, ish pjesmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës.) – Fëmijërinë time, deri sa mbarova arsimin shtatëvjeçar, e kam kaluar në fshat. Shkollën e kishim rëzë një shkëmbi dhe na duhej të shkonim deri atje nëpër rrugina tërë gurë. Çdo ditë që niseshim për në shkollë, nënat, veç porosive të tjera, na thoshnin: “Kujdes, biro, nga gjarpërinjtë që rrinë nën gurë!” Ne këmbëzbathurve edhe mund të na kafshonin; gjë që kish ndodhur shumë herë. Duke shfletuar librin e Dilaver Goxhait: “Drama e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe e Adem Demaçit”, s’di pse m’u kujtua kjo porosi e nënave tona. Ndoshta ngaqë është porosi nënash, të cilat, i ziu njeri, nuk duhet t’i harrojë kurrë, pasi nënat janë ato që kanë vuajtur e vuajnë më shumë, ndaj dhe u themi shpesh: “gjalmëzezat”. Ndoshta, kjo porosi e nënave tona, m’u kujtua edhe për diçka tjetër, ngaqë libri në fjalë më së shumti merret me Kështjellën e Rambujesë, ku u zhvilluan bisedimet 22 ditore, (6 -22 Shkurt dhe 15-20 Mars 1999), dhe që dihet se kështjellat janë ndërtuar vetëm me gurë dhe që zakonisht nëpër to ka shumë gjarpërinj; por historia na ka mësuar se shpesh, kur këto kështjella ruhen e shfrytëzohen, në to gjallojnë edhe gjarpërinj me dy këmbë dhe jo vetëm ata shumëkëmbësh.
Kur e mbaron së lexuari librin “Drama e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe e Adem Demaçit” mëson se mbledhja e diplomacisë ndërkombëtare në Rambuje nuk qe thjshtë një ftesë për bisdime ndërkombëtare, por ishte një dëshirë e diplomacisë franceze dhe asaj europiane, e shndërruar në urdhër të G.8, për të nënshkruar shqiptarët kapitullimin pa kushte, pas një sërë intrigash e tradhëtishë, për të bërë eleminimin fizik e moral të atyre mijëra luftëtarëve shqiptarë që kishin rrëmbyer armët dhe kishin mbushur radhët e formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ky çarmatim të bëhej me qëllim që Kosova të mos i shkëputej Serbisë përjetësishtë. Sikundër del e faktuar në libër, kjo nisëm u muarr nga krijuesit e kombit dhe shtetit serb, francezët dhe anglezët, të cilët, (njësoj si në vitin 1903), plotësuan vendin e pretenduar nga gjermanët dhe rusët. Historia përsëritet me një përpikmëri të jashtëzakonshme!
Thënia e një diplomati të njohur: “Diplomacia shkon përpara ushtrisë”, ndoshta e ka fjalën për atë ushtrinë e nëndheshme, që në Luftën e Spanjës u quajt me emërin “Kollona e Pestë”, e që sot quhen me emërtimin kuptimplotë “Shërbimet Inteligjente”. Këto shërbime, për të realizuar detyrat që u përcakton diplomacia, janë edhe më të fuqishme e më të egra se ushtritë e armatosura me armë, artileri, raketa e avjona. Këto shërbime janë ata gjarpërinjtë nën gurë për të cilët na tërhiqnin vëmendien nënat tona kur ishim akoma të paritur, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës në kohën që u organizua ajo konferencë ndërkombëtare; janë ata gjarpërinj që të helmojnë gjakun, ata që vrasin fshehtas kundërshtarët e palëkundur e pa u zbuluar kurrë, ata që kompromentojnë të lëkundurit, derisa i kthejnë në kriminelë ordinerë për bashkëkombasit dhe bashkëluftëtarët e tyre.

“Shoku” francez, (i kudondodhuri sa në Zvicër, Shkup e së fundi edhe në Kosovë, i papërtuar për t’u ngjitur deri lart në malet ku luftohej, madje brenda në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), është një nga ata të shërbimeve inteligjente që rrinë nën gurë. Le të kujtojmë këtu librin e Umberto Ugos: “Varreza e Pragës”, dhe kuptojmë mirë se ç‘janë “shokët”, (ata nën gur), që na ofrojnë miqësi, të cilët nuk e kanë për gjë të të dërgojnë në moskthim, po qe se nuk u shërben ashtu si u intereson atyre.
Diplomacia franceze, që stisi aq shpejt Rambujenë, (e ndihmuar edhe nga anglezët, rusët, austriakët e italianët), e pafuqishme që të përballet me simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin, urdhëroi “shokun” t’i jepte detyrë Thaçit dhe ky Jakup Krasniqit që ta shmangnin atë nga drejtimi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse këtë detyrë ia kishin propozuar vetë. Ata, me arrogancë të pajustifikuar, e hodhën Demaçin poshtë, si diçka pa vlerë edhe pse vlerat e tij atdhetare, intelektuale, politike, filozofike e ushtarake i njihte dhe i njeh gjithë bota.
Asnjë nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Rambujesë nuk e pyeti veten: pse po luftohet e derdhen lumenj gjaku nga masakruesit serbë në Kosovë; pse shqiptarët e ardhur nga të gjithë trojet dhe kontinentet po derdhin gjak në Kosovë? Mos vallë me qëllim që Kosova të mbetej përjetësisht nën Serbi, që shqiptarët të jenë jetë e mot të nështruar?! Kjo që ndodhi me ne në Rambuje është njësoj si ajo historia që tregojnë, e vëllezërve Demo dhe Damo, e cila thotë: Njëri prej tyre, Demua, kish blegtorinë, Damua merrej me bujqësinë. Demua, si çdo ditë, nxorri delet për kullotë dhe kish mbrit në majë të malit, ndërsa Damua qe ulur tek pragu i shtëpisë dhe po qepte opingat me fëndyell. Zjarri bubulonte në oxhak. Damua, duke qepur këpucët, mbushi edhe çibukun me duhan, por, ngaqë përtonte të shkonte deri tek oxhaku e ta ndizte çibukun, i thirri me zë të lartë Demos: “Eja poshtë shpejt, nxito!”. Demua la kopenë me dele dhe, me të mbritur para pragut të shtëpisë e pyeti Damon tërë merak: “Ç’ka bërë vaki?! Ç’më deshe?!” “Nëm një kongjill të ndez çibukun!”. Demua pasi ia ndezi mirë e bukur çibukun, e pyeti vëllanë tërë habi: “E për këtë më deshe?!” Dhe Damua tërë autoritet i tha: “Po, more, pse çuditesh! Tashti merr edhe një copë bukë e ngjitu lart se mos na bie bisha në kope!”
E njëjta gjë ndodhi edhe me delegacionin tonë që shkoi në Rambuje. Pasi i “ndezën çibukun” Europës, pasi u gjeshën mirë e mirë me të ngrëna e me të pira në Kështjellë, u nisën për andej nga erdhën, se mos binte “bisha” UÇK në “kopenë” e Serbisë, që kulloste në Kosovë.
Vlera kryesore e librit “Drama e UÇK dhe e Adem Demaçit” qëndron kryesisht në atë që autori nuk komenton, por flet me gjuhën e protoganistëve, të Demove tanë e të Damove europianë, duke iu referuar dokumentave dhe dhjetra autorëve autoritarë të huaj e vendas, çka e bën librin të pakundërshtueshëm. Autori është edhe vetë një prej dëshmitarëve okularë në ato që thotë e shkruan, duke i qëndruar besnik ngjarjeve, pa anuar apo pa i mbajtur hatrin as njërës e as tjetër palë, pa i mohuar vlerat dhe gabimet as njërës e as tjetrës palë.
Një vlerë tjetër e veçantë e këtij libri është se autori nuk ka ecur nëpër mjegull, as është instaluar para ekranit të televizorit, apo të jetë ulur në një sallë biblioteke duke lexuar gazetat e pastaj të ulet e të na bëjë histori, politikë e art. Jo, ai i ka përjetuar vetë ngjarjet dhe ndaj tyre ka mbajtur e mban qëndrim kritik e atdhetar në secilin rast. Të gjithë protagonistët e ngjarjeve, autori i ka portretizuar me një gjuhë të pastër, me argumenta shkencorë, duke u mbështetur edhe në artin ushtarak për zhvillimin e një luftë çlirimtare, me plot kurajo e atdhetarizëm. Të shkruash një libër të tillë, kaq të faktuar e të argumentuar, ku protagonistët kryesorë të tij, të cilët anatemohen me fakte dhe janë aktualisht të plotfuqishëm në krye të shtetit të Kosovës, është shumë më tepër se guximi e trimëria e tij për të shkuar në luftë.
Kur Marrëveshja e Rambujesë u kundërshtua nga serbët, të cilët deklaruan se nuk do ta nënshkruanin atë, diplomacia europiane e befasua dhe u çudit njëkohësishtë; ndërsa amerikënët u entusiazmuan dhe nisën urgjentisht për në Rambuje kryediplomaten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Medlin Ollbrajt. Vetëm kur zonja Ollbrajt mbriti në Kështjellë, europianët u kujtuan për herë të dytë, (së pari në Bosnjë), se Amerika nuk i lë punët përgjysmë; vetëm në ato momente ata e kuptuan se Amerika nuk kish për ta lënë Kosovën në atë “substancialen europiane”. Dhe zgjidhja amerikane ishte fare e thjeshtë: Fillimisht znj. Ollbrajt pyeti përfaqësuesit serbë: “A do ta nënshkruani marrëveshjen, në të cilën Kosova njihet pjesë e pandarë e Serbisë?” Dhe kur ata iu përgjigjën me një “Jo!” të vendosur, dhe kur u bind se serbët e kishin seriozishtë, atëherë Ollbrajt nxiti shqiptarët që ta nënshkruanin marrëveshjen; ndërkohë serbëve u dha ultimatumin: “Meqenëse nuk e nënshkruani këtë marrëveshje, do të thotë se nuk e pranoni që Kosova të jetë pjesë integrale të Serbisë; atëherë largohuni prej Kosove brenda 3-4 ditësh, në të kundërt do të sulmoheni nga NATO!”. Përsëri serbët, tashti me gojën e vet Millosheviçit, kthyen përgjigjen: “Nuk largohemi nga Kosova!”. Kjo përgjigje ishte sinjal për ngritjen e avjonave të NATO-s për sulm mbi Serbi dhe ushtrinë e saj në Kosovë. Të gjitha këto dalin qartë në librin e Dilaver Goxhait.
Nëse Serbia do të ndryshonte qëndrim menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë nga shqiptarët dhe nënshkruanin edhe ata, atëherë do të dështonte Amerika. Në këtë rast tradhëtia e delegacionit shqiptar do të bëhej e plotë, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do të pranonte të çmobilizohej duke pranuar edhe prezencën e Serbisë në Kosovë. Atëherë, kush do të ishte objektiv për t’u goditur nga aviacioni i NATO-s? Kuptohet, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Por UÇK-ja në këtë rast nuk do të goditej vetëm nga aviacioni i NATO-s, por edhe nga aviacioni luftarak i Serbisë dhe gjithë arsenali i saj ushtarak, të cilin do ta sillte urgjentisht në Kosovë. Kjo këmbëngulje e Millosheviçit në dëm të Serbisë dhe në favor të Kosovës të nxit dyshimin: Mos vallë Millosheviçi ka punuar për amerikanët? Kjo mbetet një enigmë.
Ndaj me të drejtë autori thotë: “Rallë e tek, fatit i pëlqen të bëjë ca ironira. Një ndërmarrje diplomatike e nisur keq dhe e dënuar që më parë me disfatë, ndodh që çuditërisht kthehet e mbaron mirë nga një rrethanë e papritur prej faktorësh të favorshëm. Prandaj dhe Faik Konica, duke i ditur këto lodra të fatit, ka thënë: Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Lindi nga Zoti, vdiq nga politikanët, shpëtoi nga rastësia”. Dhe kjo u vertetua edhe në Rambuje, ku Kosovën e vdiqën politikanët, por e shpëtoi rastësia…, ajo që Millosheviçi urdhëroi delegacionin e vet që të mos e nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë.”, (f. 135). Evropa u kap nga amerikanët mat, ndaj dhe në shenjë hakmarrjeje, “pesë shtete të BE-së vijojnë ende të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.”, (f.138).
Skenat e prapaskenat në gjirin e udhëheqësve politikë të UÇK-së e në Shtabin e saj të Përgjithshëm, të trajtuara në libër, na jepen me fakte në mënyrën më të dhimbshme e tragjike. Udhëheqësit më potentë, më trima, më atdhetarë të UÇK-së ndeshen në intriga e dredhi deri edhe në eleminim e tyre moral, sikundër ndodhi me Adem Demaçin, por edhe e të tjerë tepër të zhgënjyer, të cilët i pamë dukshëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014, pas zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme, kur të anatemuarit prej Adem Demaçit krijuan Qeverinë PDK-LDK dhe po këmbëngulin me të madhe të themelojnë Gjykatën e Posaçme Ndërkombëtare për të dënuar me akuza hipotetike ish-luftëtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen asaj “udhehëhejes politike” të asaj ushtrie çlirimtare, sikundër janë: Jakup Krasniqi, Sulejman Selimi, Sami Lushtaku, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Rexhep Selimi e shumë e shumë të tjerë.
Libri është sa një vepër artistike, aq edhe diplomatik, politik dhe art i pastër ushtarak; sa atdhetar aq edhe real; ndaj me të drejtë shkrimtari dhe politologu luftëtar i UÇK-së, drejtuesi i radios së asaj lufte çlirimtare, Ahmet Qeriqi, thotë: “Është një analizë e thellë dhe më e goditura deri tani lidhur me këtë çështje. Më shumë se studim. Është një traktat i llojit të vet, në mbrojtje të së vërtetës dhe të së drejtës. Është një gjykim i thellë, i faktuar, i mbështetur në fakte e dëshmi që nuk kontestohen dot. Mbi të gjitha është një mbrojtje Drajfusiane që i bën luftës së pastër të UÇK-së dhe qëndrimit burrëror e të palëkundur të Bacës Adem.”
Të gjithë ata që morën pjesë në atë luftë çlirimtare, qoftë si ushtarë të thjeshtë apo si komandues të niveleve të ndryshme, kur të lexojnë këtë libër do të shikohen si në pasqyrë. Dikë edhe mund ta revoltoi portreti i tij dhe do të mundohet ndoshta edhe ta grisi librin, por, siç thuhet tek vjersha: “Ai ma grisi poezinë / Se në të të vetëveten gjeti / Kur ajo kish marrë aratinë / Në shtyp e në faqe interneti”. I këshilloj të mos e grisin, ta kenë për moshën e tretë, që të shikojnë ndryshimin e vet.
Le t’i urojmë autorit që, si dhe në librat e tjerë, të na japi vepra artistikite e me vërtetësi portretesh të tjera që do t’ia detyrojnë koha dhe ngjarjet.

– Autori është poet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura