GJOKË DABAJ: EDHE BALTËN E MENTALITETEVET DIKUSH DUHET TA PASTROJË

Durrës, 25. 03. 2014 – Ne shqiptarët kemi aq shumë baltë mentalitetesh, sa, FLORIRIT, që e kemi më me shumicë se çdo komb tjetër, I DUHET TË LARGOHET që këndej, pa të mund të shkëlqejë. (Kujto këngëtarët, shkencëtarët, biznesmenët e suksesshëm, por edhe mijëra njerëz të thjeshtë, që e kanë gjetur mirëqenien jashtë Atdheut! A s’të vjen për të plasur?!) Ky lloj balte, në mentalitetin tonë, ngjan shumë me grumbujt e shishevet plastike, bidonavet, kanaçvet, copëzavet të plasmasit, telavet, thasëvet dhe rrobavet, të shqyera ose të pashqyera, që i shohim anash lumenjvet, ngecur në shelgjishte dhe ngulur në rërën e bregdetit apo në bregliqenet. (Në ata pak bregliqene që na kanë mbetur brenda këtij shteti të gjymtuar!) Ky lloj balte në mentalitetin tonë, ngjan me grykat e gjirizevet që derdhen me kutërbim të madh nëpër plazhet e Rep.së Shqipërisë. (Midis tjerëvet, edhe këtu në Durrës.)
Ngjan kështu vetëm PËRAFËRSISHT, sepse BALTA E MENTALITETIT në njerëzit tanë është ku e ku më JETËNEVERITËSE. Është aq JETËNEVERITËSE, sa njeriu, cilido njeri që të hasësh në rrugë, me të drejtë mund të të thotë: Do pastruar më parë KJO BALTË, pastaj HEDHURINAT FIZIKE. Ose, së paku, paralel.
Rrihen familjarët njëri me tjetrin. Gazetarët i thonë rutinisht kësaj hataje: dhunë në familje. Rreh i jati të bijën. Rreh djali të jatin. Rreh burri gruan. Rreh nganjëherë edhe gruaja burrin. Jo rrallë, madje shumë shpesh, kërcet pushka ose sëpata.

Kur korrupsioni e lufton Shtetin!?

Kujt i vlejnë këta njerëz, që s’janë në gjendje të rregullojnë as marrëdhëniet me të afërmit e vet?! E kam fjalën:
-,Kujt i vlen një prind që s’është në gjendje ta edukojë vajzën e vet, para se me e rrahë?!
– Kujt i vlen një vëlla, i cili s’e gjen dot mënyrën për të mos u konfrontuar me vëllanë e vet, sado i keq dhe negativ të jetë ai?!
A i hyn në punë VETËVETES, një vëlla, i cili nuk di të shkojë mirë me vëllanë e vet, sado të keqe ta ketë, psh kunatën?!
Një grua, të cilën e rreh i shoqi, gabimin e parë e ka vetë, se është martuar me një të tillë burrë. Ku i pat sytë, kur u martua?! Por, mund të ketë edhe të tjerë shkaqe. Mund t’ia kesh bërë borxh burrit, or fisnike ( ti, që s’di as nga bie fisnikëria)!
Ke marrë një grua, të cilën tani detyrohesh ta rrahësh.
Ku i pate sytë, kur e more?!
A s’është turp ta ulësh veten aq poshtë, sa të ngresh dorë kundër një gruaje?!
Aq më tepër, kur ajo grua është nëna e fëmijëvet të tu!?
Ka edhe më keq: Gruaja është e mirë, është grua zonjë, siç thonë ata që e njohin, por burri e rreh. Kjo është balta më e keqe e këtij pellgu mentalitetesh.
Kjo fushëbaltë është plot e përplot me papastërti. Duhet dikush doemos të merret me këtë punë INSTITUCIONALISHT. Dhe, kur them INSTITUCIONALISHT, s’e kam fjalën te shteti. Duhet INSTITUCION TEJSHTETËROR.
Vriten shtetasit njëri me tjetrin. Por, para se të vriten, ka grindje, ka shamata, ka zënie, ka qejfmbetje, shitje mendsh, trimërira burracakësh, të rënë në qafë tjetrit kot së koti. Me kë shet trimëri, o mendjendryshkur?! Me fqinjin tend? Me shokun tend?! Me kushëririn tend?! Ti, në qofsh trim, tregoje dikund tjetër trimërinë! Tregoje ndaj vetes, sepse trim është ai që di ta bëjë zap vetëveten! Bëhu i mençur dhe mos e ço veten deri te ngatërresat banale, të cilat ju marrin më qafë, edhe ty, edhe atë mendjendryshkurin tjetër, që s’di të dalë nga qerthulli i ngatërresavet!
Ka, pra, edhe këtu baltë mentalitetesh me tepricë. Media nuk po arrin t’i pastrojë të tilla baltëra. As shkolla. As organet e qeverisë: policia, gjykata. Duhet një INSTITUCION përtej qeverivet, përtej shkollavet dhe përtej, madje, edhe mediavet, sado që mediat, kur duan, kur nuk janë të ndryshkura e të ndotura, mund të japin ndihmë shumë të madhe.
Shumë nga njerëzit tanë, të cilëvet u duket se kanë arritur të bëhen diçka, kanë aq shumë llum në vetëvete, sa, njeriu ynë i sotëm trishtohet, kur i del ndonjë punë, psh, me administratën. Po shkoj në zyrë, por, a mbaroj punë?! As mos të shkojë ndërmend se mund ta mbarosh një punë me rrugë normale!
Të bie halli për të shkuar në gjyq. Balta e korrupsionit është deri në fyt! Thua: Më mirë ta hajë dreqi këtë punë, se sa të trullosem, të plakem dhe të sëmurem gjyqevet!
Punën e një fature që është shkruar gabim, s’e rregullon dot pa të ardhur shpirti në majë të hundës. Punën e një pensioni, për ta kaluar në xhirollogarinë e bankës, s’e rregullon dot. Një tatim s’e paguan dot. Një kolaudim s’e kryen dot. Le pastaj një tender, ku, para se t’i hysh asaj pune, duhet të llogaritësh: A je dinak? A je “i shkathtë” në kuptimin e intrigantit? A e luan dot ryshfetin? Përndryshe, mos hyj në tender!
– A ka logjikë normale njerëzore, që ta kuptojë se si njeriu shkon për të larë detyrimet që ka ndaj shtetit dhe nuk i lan dot detyrimet?!
– A ka logjikë normale njerëzore, që ta kuptojë se si njeriu shkon për të kërkuar drejtësi dhe gjen atje padrejtësi revoltuese, një sistem padrejtësie?!
– A ka logjikë normale njerëzore, që ta kuptojë se si njeriu ka frikë jo prej sëmundjes, por prej hallit se do t’i mbetet familja pa bukë, për shkak se duhet të paguajë qimet e kokës për një ndërhyrje fare të zakonshme?!
Këto janë baltëra, për pastrimin e të cilavet, ne shqiptarët duhet me doemos të krijojmë një INSTITUCION, për të pastruar MORALIN e shqiptarit.
Administratat tona janë aq të zhytura në këtë baltë, sa është e pashpresë të presim që ato ta pastrojnë vetëveten. Duhet një tjetër mekanizëm. As partitë nuk na e pastrojnë dot baltën e mentalitetevet, sepse vetë themelet e ekzistencës së tyre janë punë interesash më të ulët se sa interesi madhor i Kombit. As shoqatat s’e bëjnë dot këtë lloj pastrami radikal, aq sa mund ta pastrojë bregdetin një aksion vullnetarësh, sado qëllimmirë dhe mirëfilli patriotike të jetë puna e tyre.
***
Unë, ka vite që e kam publikuar një ide timen, mbi mënyrën se si do të mund të shpëtonte Kombi ynë nga një e këtillë sëmundje, kaq e vështirë për t’u shëruar. Kam botuar një libër me titull “Strategjia e shqiptarëvet”, por atë s’e kanë lexuar ata që duhej ta lexonin. Ideja themelore e atij libri është që, shqiptarët, nëse duan të dalin nga gjendja ku e kanë lënë veten brez pas brezi (Lexoni poezitë e Zenel Bastarit!), jo “do të ishte mirë”, por janë TË DETYRUAR ta krijojnë INSTITUCIONIN që e përmenda këtu më se njëherë. E kam emërtuar atë INSTITUCION me një emër që nuk besoj të mos i pëlqejë cilitdo shqiptar, pa marrë parasysh është apo s’është i përbaltur: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE.
Kam publikuar edhe platforma më të përmbledhura, në mënyrë që njerëzit të nxiten për të medituar në lidhje me këtë çështje. Ka njerëz që janë pajtuar me idenë time, por ata janë të pakët, qoftë edhe për arsyen se pakkush i lexon sot shkrimet që synojnë të zgjidhin probleme madhorë. Është pjesë e po këtij mentaliteti, që, ai tjetri, o do ta ketë TË VETËN idenë madhore, o nuk pranon të shkojë pas dikujt tjetër. I thua, atij (apo asaj): Hajt t’i shtrojmë në media këto punë, por ai (ose ajo) të refuzon, me mirësjellje apo me heshtje, gjithsesi me cinizëm, ndërsa ti, i indinjuar, thua me vete: Ky (apo kjo) ka shpenzuar, more, orë të tëra bisedash me gjithfarë homoseksualësh. Unë nuk kam tema të tilla, “kryesore” për njerëzimin dhe “tërheqëse” (doemos miratuese) për opinionin, prandaj dhe, idetë e mia, nuk mund të arrijnë, nuk kanë shans të çohen deri te veshi i opinionit.
Më në fund, s’mbetet tjetër, veçse të shpresojmë: Ndoshta shqiptarët, megjithkëtë, do të arrijnë ta kuptojnë një ditë “recetën” që u është ofruar. Në mos, keqardhja vërtet mbetet te shkruesi i “recetës”, por tragjedia, gjithsesi, i ndodh MOSPRANUESIT të “recetës”.

*    *    *

GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE (PLATFORMË)
https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=1276

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura