MURI I BERLINIT DHE PRESIDENTI KENEDY

Pashtriku, 30 mars 2021: Historia e Administratës Kennedy dhe e marrëveshjeve të saj në Luftën e Ftohtë është e paplotë pa një mirëkuptim të plotë të marrëveshjeve President – Kryeministër të arritura në Washington dhe në Moskë. Një tjetër preokupim i Departamentit të Shtetit ishte fakti se, vëllezërit Kennedy nuk dinin aq shumë sa mendonin rreth komunizmit dhe punëve të jashtme
Henry A. Kissinger qëndroi në Cambridge më 20 janar 1961, kur McGeorge Bundy dhe kolegë të tjerë të tij të Fakultetit në “Harvard University” shkuan nëpër punëra të rëndësishme në Administratën Kennedy. Kissinger, një pedagog Shkencash Politike me origjinë gjermane, ishte emëruar këshilltar për Çështjet Europiane në National Security Council dhe në fillim të verës të vitit 1961 ishte ftuar në një mbledhje në Cabinet Room lidhur me krizën e Berlinit. Ai qe rasti i parë i tij për një shikim në Administratën Kennedy dhe ekipi drejtues, përfshi Robert Kennedy, ndodhej aty, i ulur rreth një tavoline konferencash. Njerëzit e Presidentit u ngritën në këmbë, siç është zakoni, kur ai hyri për të hapur mbledhjen. Brenda pak çastesh, një kamerier i Shtëpisë së Bardhë hyri në dhomë me një pjatancë me supe midhjesh. Ai i shërbeu supën dhe copëra buke të kripura Presidentit dhe më pas u rrotullua në dhomë drejt Bobby Kennedy, i cili gjithashtu mori një pjatë supë. Askujt tjetër nuk ju shërbye.
Kur u kthye në Harvard, Kissinger ia përshkroi skenën Morton Halperin, një prej kolegëve të tij. Duke folur, kujton Halperin në një intervistë për këtë libër, për Mbretin, dukën e tij dhe “ndjenjën e privilegjit” të tyre. Në fakt, pas Gjirit të Derrave, Robert Kennedy u bë jo dukë, por Kryeministri i vëllait, njeriu i dytë më i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara. Nëpërmjet një oficeri sovjetik inteligjence në Washington dhe me miratimin e Presidentit, Prokurori i Përgjithshëm filloi komunikime nëpërmjet kanalit të fshehtë me Nikita Hrushovin, Kryeministrin sovjetik. Të dy vëllezërit Kennedy i kaluan 18 muajt e ardhshëm, duke negociiuar politikë të jashtme me Hrushovin me anën e një ndërmjetësi të fshehtë. Vepruan kështu, pavarësisht kundërshtimit nga ana e ekspertëve sovjetikë të tyre, të cilët qenë në dijeni të kanalit të fshehtë, por rallë mësuan se çfarë po diskutohej apo bihej dakord. Funksioni i Bobby Kennedy nga mesi i vitit 1961 ishte i mahnitshëm: ai ishte këshilltari ligjor i të vëllait, këshilltari politik i tij, mbrojtësi i tij, shoku më i mirë i tij dhe këshilltari për punët e jashtme më me influencë i tij.
Historia e Administratës Kennedy dhe e marrëveshjeve të saj në Luftën e Ftohtë është e paplotë pa një mirëkuptim të plotë të marrëveshjeve President – Kryeministër të arritura në Washington dhe në Moskë. Sërish, asnjë dokument zyrtar që të ketë të bëjë me marrëdhënien Kennedy – Hrushov nëpërmjet kanalit të fshehtë nuk është bërë publik nga John F. Kennedy Library; informacioni më i detajuar ka ardhur nga arkivat sovjetike të hapura pas rënies së komunizmit. Në një intervistë të vitit 1964 me Kennedy Library, të botuar pjesërisht nga biografi dhe historiani i familjes Arthur Schlesinger Jr. në vitin 1978, Robert Kennedy zbuloi se sovjetiku me të cilin takohej në Washington ishte Georgi N. Bolshakov, një oficer inteligjence i paraqitur si gazetar. Pothuajse rastësisht, Kennedy shton: “Shumica e çështjeve të mëdha që kishin të bënin me Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara u diskutuan dhe sistemimet u bënë midis Georgi Bolshakov dhe meje…. Ne takoheshim ndoshta një herë çdo dy javë”.
Georgi Bolshakov ishte një agjent profesionist, kurrikulumi i të cilit i datonte shërbimit në Luftën e Dytë Botërore me GRU-në, krahun e inteligjencës të ushtrisë sovjetike. Zotërimi i përkryer i anglishtes e bënë atë që të emërohej në Washington në vitin 1951, në dukje duke shërbyer si kryeredaktor për agjencinë TASS. Në vitin 1955, ai u transferua në stafin e Gjeneralit Georgi Zhukov, heroit të luftës që ishte ministër i Mbrojtjes. Në vitin 1959, ai u dërgua sërish në Washington, ku vendosi një marrëdhënie jetëgjatë sovjetike me Frank Holeman, një reporter për New York Daily News, i cili një prej gazetarëve të pakët që nuk kish frikë të hante dreka të rastësishme me diplomatët sovjetikë. Holeman ishte mik me Edwein O. Guthman, një ish-gazetar që kishte qenë zëdhënës shtypi i Bobby Kennedy në Departamentin e Drejtësisë. Ishte me rekomandimin e Holeman, që Kennedy dhe në dukje i moderuari dhe mirëkuptuesi Bolshakov u takuan për herë të parë 3 javë pas Gjirit të Derrave.
Gjatë 18 muajve të ardhshëm, Bolshakov u bë një figurë qendrore për Presidentin dhe vëllain e tij, si ndërmjetësi në konfrontimet më intensive të Administratës Kennedy: samitin e Vjenës, krizën e Berlinit dhe krizën e raketave të Kubës. Historia e plotë e kontakteve të Georgi Bolshakov me Bobby Kennedy gjatë atyre ditëve vendimtare ndoshta mund të mos mësohet kurrë. “Unë nuk e di se pse (sovjetikët) donin të procedonin në këtë mënyrë”, tha Kennedy, “dhe jo të vepronin nëpërmjet ambasadorit të tyre” në Washington. Mikhail Menshikov, ambasadori sovjetik, “menaxhonte çështjet rutinë dhe ai – Bolshakov – menaxhonte gjërat e tjera…. Jam takuar me të rreth këtyre gjërave”.
Burokracia amerikane gjithashtu u nxorr jashtë loje, pranon Kennedy, dhe dinte pak për atë po i thuhej lidershipit sovjetik nga Presidenti dhe vëllai i tij. “Fatkeqësisht, në mënyrë idioteske”, thotë në intervistë Robert Kennedy, “unë nuk i shkruajta shumë prej këtyre gjërave. Vetëm ia përcillja verbalisht mesazhet vëllait tim dhe ai vepronte lidhur me to. Nganjëherë mendoj se ia thoshte Departamentit të Shtetit dhe nganjëherë jo”. Edhe njëherë akoma, Kennedy po tregohej më pak se i ndershëm rreth një çështjeje jetike: në fakt, ai i dokumentoi disa prej takimeve me Bolshakov, por ato dokumenta, nëqoftëse ekzistojnë akoma, qëndrojnë të kyçura në dosjet e tij personale në Kennedy Library.
Bolshakov ishte i mirënjohur në shtypin e Washingtonit në fillimet e viteve Gjashtëdhjetë dhe i njohur se ishte në marrëdhënie miqësore me vëllezërit Kennedy, por asnjë nuk e kuptonte rëndësinë e tij.
Schlesinger ju dha akses i paprecedent në historinë orale të Bobby Kennedy dhe në pak prej shënimeve personale të tij, teksa po bënte kërkimin për biografinë e autorizuar Robert Kennedy and His Times, të botuar në vitin 1978. Por ai qe i paaftë që të përballej në mënyrë substanciale me mundësinë që Jack dhe Robert Kennedy, dy njerëz që ai i adhuronte shumë, të kishin qenë duke folur me Kremlinin prapa shpinës të gjithë atyre që shërbenin në qeveri. Ai e minimizoi Bolshakov se, ishte “plot me barcaleta e shaka” dhe tha se një prej ndihmësave të Bobby Kennedy, i cili nuk mund ta ketë ditur rolin e fshehtë të tij, e paraqiti si plot me “gjestikulacione, buzëqeshje dhe anglishte cirku shfajësuese” dhe se përfitonte nga “prirja e Bobby për bufonë të padëmshëm”.
Nevoja për fshehtësi ishte e madhe, pasi rreziqet e kanalit të fshehtë Kennedy – Hrushov qenë shumë të larta. Presidenti po merrte vendime strategjike pa këshillën e informuar të burrave dhe grave në Departamentin e Shtetit, në atë të Mbrojtjes dhe në CIA që kishin shërbyer në Bashkimin Sovjetik dhe njihnin gjuhën, njerëzit dhe historinë e tij. “Jack ishte Sekretari i Shtetit i vetes”, thotë po në të njëjtën intervistë Bobby Kennedy. Jack dhe Bobby Kennedy i shpërfillën ekspertët dhe ata që shprehnin kundër në qeverinë e tyre – disa prej të njëjtëve ekspertë, kish filluar të besonte Presidenti, e kishin siguruar se pushtimi në Gjirin e Derrave do të funksiononte. Me guximin e tyre, vëllezërit Kennedy vunë nën kontroll politikën e Luftës së Ftohtë të Amerikës. Ajo qe një kohë dehëse për të dy vëllezërit, të cilët qenë të papërvojë në funksionimin e establishmentit të politikës së jashtme.
Kanali i fshehtë dhe ngjitja e Bobby Kennedy i patën fillimet e tyre në pranverën katastrofike të 1961. Më 9 maj, sipas dokumentave sovjetike të përmbledhura tek libri “One Hell of a Gamble” nga historianët Aleksandër Fursenko dhe Timothy Naftali, Bobby Kennedy dhe Bolshakov, patën takimin e tyre eksplorues në Washington: problemi ishte samiti i afërm në Vjenë, lidhur me të cilit Jack Kennedy në mënyrë të justifikueshme ishte shumë nervoz. Kennedy dhe Bolshakov u takuan dhe i telefonuan njëri-tjetrit të paktën 6 herë përpara samitit në fillimet e qershorit, por dështuan që të zgjidhnin ndonjë prej çështjeve të rëndësishme. Megjithatë, sipas Fursenko dhe Naftali, u vendos një precedent dhe u komunikua një mesazh i rëndësishëm: Robert Kennedy u tha sovjetikëve se, gjuha e ashpër që vëllai i tij po përdorte në publik nuk tregonte “ndonjë dobësim të angazhimit për një takim konstruktiv me Hrushovin”. Sovjetikëve po iu thuhej që të shikonin atë çfarë Kennedy bënte dhe jo ta dëgjonin se çfarë thoshte.
Samiti qe brutal. Hrushovi e frikësoi dhe e kërcënoi Kennedyn e papërgatitur rreth çështjes së lejimit akses të vazhdueshëm aleatëve perëndimorë në Berlinin Perëndimor. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte ndarë në zona pushtimi dhe Berlini, thellë në brendësi të zonës sovjetike, ishte dhe ai i ndarë. Mijëra gjermanolindorë, përfshi shumë intelektualë dhe shkencëtarë po largoheshin nga komunizmi, duke kaluar nëpërmjet postblloqeve midis Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor; largimi trurit ishte poshtëruese për qeverinë gjermanolindore dhe shkatërrimtare për mirëqenien ekonomike afatgjatë të shtetit. Hrushovi i dha Kennedy një ultimatum: Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, në konsultim me Bashkimin Sovjetik, kishin 6 muaj kohë për të negociuar një traktat paqeje paslufte, që do të zgjidhte statusin e Gjermanisë dhe do të konfirmonte kontrollin gjermanolindor mbi trafikun për në Berlinin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara qenë ngurruese të pranonin, përderisa kjo do të çonte në njohjen de facto të ndarjes së vendit. Nëqoftëse aleatët nuk binin dakord, kërcënoi Hrushovi, sovjetikët do të vazhdonin të vetëm dhe do të nënshkruanin një traktat të veçantë me Gjermaninë Lindore. Pa një sistemim, tha Hrushovi, mund të kishte luftë bërthamore. Keqaz i goditur, Kennedy i tha mikut të tij të vjetër LeMoyne Billings se, “kurrë nuk ishte ballë për ballë me një të keqe të tillë”. Ai i tha ndihmësit të tij, Kenny O’Donnell se, Hrushovi ishte një “bastard” dhe një “bir kurve”.
Kennedy e lidhi përplasjen me dështimin në Kubë. “Rusët menduan se mund ta luanin me Presidentin”, shpjegoi Robert Kennedy në intervistat e tij për Kennedy Library. “Hrushovi krijoi idenë… se po përballej me një figurë të dobët për shkak se JFK nuk po bënte atë çka Hrushovi do të kish bërë në Kubë, në mos shkuarjen dhe marrjen e Kubës… se ai po përballej me një figurë të re, që ndoshta nuk kish kurrfarë besimi. Kjo qe një goditje për [Jack] që dikush do të ishte aq i ashpër dhe aq i vendosur kështu”.
Fakti se kur dhe si Georgi Bolshakov e Robert Kennedy u lidhën sërish pas samitit nuk dihet. Asnjë dokument sovjetik që ka të bëjë me periudhën nuk është bërë publik dhe Kennedy nuk e thotë në intervistat e tij. Vëllezërit Kennedy u dhanë zyrtarëve të tjerë të qeverisë vetëm një grimcë të “allishverishit” të kanalit të fshehtë Bolshakov; në mënyrë jo të habitshme, zyrtarët e paktë që dinin për të mendonin se ishte, siç tha njëri prej tyre, një “lojë e rrezikshme”. Një rrisk i natyrshëm qe mospërputhja e madhe në status midis Kennedy dhe Bolshakov. Robert Kennedy ishte i domosdoshëm për punën e qeverisë së tij, kur Bolshakov nuk ishte. Çdo dizinformacion i përcjellë nga Kennedy, menjëherë do ta prekte Presidentin, kurse Bolshakov, nëqoftëse kapej duke gënjyer, mund të akuzohej se e kish kuptuar keq muhabetin dhe të thirrej në Moskë, nëqoftëse do të ishte e nevojshme, ose të rimeërohej. Kritiku më i madh i kanalit Bolshakov qe Llewellyn E. Thompson, Jr., ambasadori amerikan në Bashkimin Sovjetik, i cili pas kthimit të tij nga Moska në mesin e vitit 1962 u emërua Asistent Special për Çështjet Sovjetike i Kennedy. “Ky qe një gabim i madh”, tha Thompson, i cili ndërroi jetë në vitin 1972, për Kennedy Library në një dëshmi të tij. Vëllezërit Kennedy, tha ai, “u përpoqën që të shisnin idenë: “Departamenti i Shtetit është aq me paragjykime kundrejt nesh sa që nuk mund të shkojmë asgjëkundi. Nëqoftëse ne mund të vihemi në kontakt të drejtpërdrejtë, pse ne mund ta bëjmë”. Në këtë mënyrë ata shpresonin që të shmangnin çdo njeri dhe të shmangnin bërjen të njohur të të gjitha fakteve”.
Thompson kishte frikë se, Jack ose Bobby Kennedy nuk do të ishin të saktë në bisedat me Bolshakov, të cilat do t’i përcilleshin Hrushovit, dhe sovjetikët “mund t’u japin rëndësi të madhe komenteve të pakujdesshme”. Intervista e Thompson u realizua pas vrasjes së Jack Kennedy; nuk është e njohur se çfarë i kish thënë më përpara, nëqoftëse po, Presidentit apo vëllait të tij, por ka pak arsye për të besuar që ndonjë ankesë do të ishte dëgjuar. Bobby Kennedy e bëri të qartë në intervistat për Kennedy Library se, kujdesej pak për opinionet apo ekspertizën e ambasadorit amerikan në Moskë. I pyetur në mënyrë specifike, nëse ambasadori ishte anashkaluar nga kanali i fshehtë Bolshakov, Kennedy u përgjigj shkurt: “Kam përshtypjen se po”. Një tjetër preokupim i Departamentit të Shtetit ishte fakti se, vëllezërit Kennedy nuk dinin aq shumë sa mendonin rreth komunizmit dhe punëve të jashtme. Në fillim të vitit 1962, David Herbert Donald, një historian i Harvard gjerësisht i respektuar për kërkimet dhe shkrimet e tij studimore lidhur me presidencën Lincoln, u ftua që të mbajë një “leksion” informal në një mbledhje në dhomat private të Shtëpisë së Bardhë me Presidentin, Zonjën e Parë dhe një grup të vogël miqsh dhe zyrtarësh të Administratës. Donald foli për Rindërtimin për 40 minuta dhe pastaj ju përgjigj pyetjeve. Më pas, Donald pati një takim privat me Kennedy dhe, siç i shkroi një shoku disa javë më pas, doli prej tij me rezerva të mëdha. Letra e tij, e vënë në dispozicion për këtë libër, ishte e hidhur: “Unë nuk mendoj dijen e tij për historinë amerikane veçanërisht mbresëlënëse. Jo për t’u habitur, ajo pasqyronte një lloj dije tekstesh shkollore të përgjithshme të rreth 25 viteve më parë dhe jo shumë familjaritet me literaturën apo gjetjet e kohëve të fundit. Pikëpamja e tij për historinë është shumë e gjerë në terma personale – njerëz të mëdhenj dhe influenca e tyre. Ky është një njeri”, shkruante Donald, “i vendosur për të hyrë në librat tona të historisë si një President i madh dhe dëshiron që të mësojë sekretin”.
Në një intervistë të vitit 1996 për këtë libër, Donald kujton shqetësimin e tij pas takimit. Presidenti ishte i magjepsur me Lincoln dhe Franklin Delano Roosevelt, për shkak se mendonte se, “për të qenë president i madh ai mendonte se duhej të ishite president lufte. Kjo qe e frikshme për mua”, shprehet Donald. “U largova me ndjesinë se ky është një i ri që nuk e kupton historinë”.
Por Presidenti i ri në moshë, edhe në raste të qeta – si ai me Profesorin Donald – tregohej i kujdesshëm që ta maskonte strategjinë e vërtetë të tij. Kennedy e kuptoi se, Berlini nuk ishte vendi që të ngrihej kundër Hrushovit. Presidenti dhe vëllai i tij zhvilluan një tipar gjatë krizës atje në mesin e vitit 1961, që do të ishte thelbësor për negociatat midis superfuqive gjatë 18 muajve të ardhshme – fjalë të ashpra në publik dhe kompromis në privat për të penguar hyrjen në luftë.
Një difekt në qëndrimin e Kennedy qe se, njerëzit adhurues që i shërbenin JFK-së si këshilltarë të Sigurimit Kombëtar panë vetëm fortësinë dhe këmbënguljen për të mos u nënshtruar. Të qenit i fortë në krizë sa ishte Presidenti u bë pika e fortë në Administratë. Zyrtarë të lartë që mbështesnin kompromisin dhe paqtimin – të tillë si Adlai Stevenson, Amabasadori në Kombet e Bashkuara, dhe Chester Bowles, Nënsekretari liberal i Shtetit – shpejt e gjetën veten të izoluar, këshillën e tyre të shpërfillur. Në verën dhe vjeshtën e 1961, këshilltarët e Presidentit i dhanë këtij një listë opsionesh për të zgjidhur çështjet e politikës së jashtme në Gjermani, Kubë dhe Vietnamin e Jugut. Opsionet qenë të gjithë të fortë.
Kennedy i gatshëm për luftë dukej se ishte heroik dhe i panënshtrueshëm në publik në javët pas samitit të Vjenës, teksa luftonte që të rifitonte imazhin e tij dhe teksa Administrata e tij përpiqej për të gjetur reagimin e duhur ndaj asaj që shikohet si sfida e Hrushovit për statusin e pasluftës të Berlinit. Hrushovi e rinovoi kërcënimin e tij për të kufizuar lëvizjen e trupave amerikane, por dhe nga Berlini Perëndimor. Ekzistonte një atmosferë krize. Më 25 korrik 1961, në një fjalim televiziv për kombin që u bënte jehonë temave të fjalimit të tij inaugurues, Kennedy i bëri kombit një thirrje nën armë në mbrojtje të Berlinit Perëndimor, të cilin e paraqiti si “vendim të madh testues të kurajos dhe të vullnetit perëndimor… Ne jemi të qartë për atë çka duhet bërë dhe kemi ndërmend që ta bëjmë”.
Amerika, tha Presidenti i ri, duhet të “ketë një zgjedhje më të gjerë se poshtërimi apo aksioni i plotë bërthamor”. Ai shpalli një seri dramatike intensifikimesh ushtarake. Ai trefishoi rekrutimet, duke shtuar më shumë se 200 000 personel për ushtrinë, marinën e forcën ajrore dhe i dha Pentagonit autorizim të ri për të thirrur rezervistë dhe shtuar kohën e shërbimit. Nëqoftëse më shumë fuqi njerëzore ushtarake dhe taksa më të larta janë të nevojshme, tha ai, “unë nuk do të hezitoj që të kërkoj për to”. Gjithashtu, ai shpalli një rritje prej 3.25 miliard dollarësh në shpenzimet e mbrojtjes dhe këshilli amerikan që të përgatiteshin për më të keqen me ndërtimin e strehimeve antiatomike nëpër bodrume dhe kopshte shtëpish. Më shumë se 200 milion ju shtuan buxhetit të mbrojtjes për mbrojtje civile, duke shkaktuar atë çka do të bëhej një debat kombëtar i hidhur rreth moralitetit të gërmimit të një strehimi më pas të armatimit të anëtarëve të familjes kundër atyre fqinjve më pak të matur, që në momentet e rrezikut bërthamor e gjenin veten pa strehimet e tyre.
Kërcënimet iminente sovjetike ndaj lirisë dhe paqes u pasqyruan në fjalimin e Presidentit se nuk ishin vetëm në Berlin, por, duke i bërë jehonë pikëpamjes pas Gjirit të Derrave të Walt Rostow – edhe në Vietnamin e Jugut. “Ekziston gjithashtu një sfidë në Azinë Juglindore”, tha Presidenti, “ku kufijtë janë më pak të ruajtur, armiku më i vështirë për t’u gjetur dhe rreziqet e komunizmit më pak të dukshme ndaj atyre që kanë aq pak…. Ne do të jemi në çdo kohë të gatshëm për të biseduar, nëqoftëse bisedimi do të ndihmojë. Por, duhet të jemi gjithashtu të gatshëm për të rezistuar me forcë, nëqoftëse forca përdoret ndaj nesh”.
Lëvizje të tjera, jo të bëra publike, qenë konceptuar për të sinjalizuar seriozitetin amerikan komandës së lartë sovjetike. Në intervistën e tij me Kennedy Library, Robert Kennedy zbuloi se, flota e nëndetëseve amerikane ishte ridislokuar në Atlantikun Verior atë gusht dhe elementë të Strategie Air Command e vendosën në nivelin më të lartë të alarmit. Lejet ushtarake u anulluan dhe furnizimet drejt Europës të armatimeve dhe municioneve ushtarake u rritën.
Fjalimi i Kennedy qe një sukses spektakolar marrëdhëniesh publike. Një shumicë dërrmuese amerikanësh u grumbulluan rreth Presidentit të ri të pashëm të tyre, siç kishin bërë pas “Gjirit të Derrave”. Posta e Shtëpisë së Bardhë shkonte më shumë se 100 me 1 në mbështetje të qëndrimit të vendosur të Presidentit në kërcënimin e krizës. Gjithashtu, pati një reagim të shpejtë nga ana e Kongresit, i cili votoi me shumicë dërrmuese për të autorizuar shpenzimet mbrojtëse në rritje. Një sondazh i Gallup nxorri se, më shumë se 85 përqind e atyre të pyeturve shprehnin gatishmërinë për t’i mbajtur trupat amerikane në Berlinin Perëndimor; 67 përqind favorizonin dërgimin e trupave për të luftuar në qytet nëqoftëse sovjetikët guxonin t’i bllokonin hyrjen. Në një editorial New York Times e përshkroi Kennedy si “njëherazi solemn, i vendosur dhe paqtues”. Presidenti, shtonte editoriali, “mbrëmë i risiguroi lidershipi amerikan të botës së lirë… Kemi besim se populli amerikan dhe njerëzit e lirë kudo që ndodhen do ta mbështesin atë”.
Zgjidhja e Hrushovit ishte që ta izolonte në mënyrë permanente Berlinin Lindor nga ai Perëndimor. Herët në mëngjesin e 13 gushtit, policia shtetërore gjermanolindore filloi që të shtronte një tel me gjemba përgjatë kufirit 27 prej miljesh tokësore që ndante Gjermaninë Lindore nga ajo Perëndimore, hapi i parë në ngritjen e gjësë, që më pas do të bëhej Muri i Berlinit. Administrata Kennedy nuk bëri asgjë për ta ndaluar ngritjen e murit, duke provokuar ankth të madh dhe shumë ndjenjë antiamerikane midis berlinezëve perëndimorë. Kennedy e riafirmoi angazhimin amerikan brenda ditësh me dërgimin e grupit luftarak prej 1500 amerikanësh në Berlinin Perëndimor nëpërmjet korridoreve gjermanolindore. Me 30 gusht ai shpalli emërimin e Gjeneralit Lucius Clay, heroin e luftës të bllokadës së Berlinit 1948 në lirim, si të Dërguarin Special të tij. Clay ishte një antikomunist i linjës së ashpër, i cili ishte haptazi skeptik për vendimin e Kennedy për ta pranuar murin, por ky i fundit qëndroi.
Sot, historianët kanë siguruar akses ndaj dokumentave në Washington dhe Moskë që tregojnë atë që nuk dihej për më shumë se dy dekada: Shtëpia e Bardhë Kennedy kish konkluduar shumë kohë përpara gushtit 1961 se, Shtetet e Bashkuara nuk mund dhe nuk duhet të bënin asgjë për të parandaluar ngritjen e një barriere fizike. Presidenti me të drejtë, siç e ka treguar historia, kuptoi se Nikita Hrushovi dhe kolegët e tij kishin nevojë për një mënyrë paqësore që të parandalonin hemoragjinë e trurit të Gjermanisë Lindore drejt Gjermanisë Perëndimore. Muri, i shpifur sa mund të ishte për amerikanët, veçanërisht ata që ju përgjigjën retorikës së Presidentit, mund ta shkrehte krizën e Berlinit. Disa në Administratën e tij e shikonin murin si një provokim dhe fillimin e asaj që mund të ishte një shtytje e përgjithshme sovjetike në Berlinin Perëndimor, por jo Presidenti. “Pse do ta ngrinte Hrushovi një mur nëqoftëse realisht synon që ta kapë Berlinin Perëndimor?”. Kennedy ju përgjigj në mënyrë retorike Kenny O’Donnell, sipas kujtimeve të këtij të fundit. “Kjo është rrugëdalja e predikimit të tij. Nuk është një gjë shumë e bukur, por një mur është kushedi sesa më mirë se një luftë”. Kishte një marrëveshje familjare lidhur me maturinë e Presidentit. Joseph Kennedy i tha shkrimtarit William Manchester, që në atë periudhë po bënte një lidhur me Shtëpinë e Bardhë Kennedy, se orvatja për ta mbajtur Berlinin do të ishte “një gabim i pafalshëm”.
A e përdori John Kennedy kanalin e fshehtë për t’i bërë me dije Hrushovit se, Shtetet e Bashkuara nuk do të bënin asgjë lidhur me murin? Në intervistën e tij me Kennedy Library, Robert Kennedy thotë se, ai e kish paralajmëruar Bolshakov në mënyrë të përsëritur përpara se të ngrihej muri se, Shtetet e Bashkuara “do të shkon në luftë për Berlinin” dhe përmend se, Bolshakov i është përgjigjur se “po e përcillte në qendër këtë mesazh”. Kennedy shton se i ndërpreu marrëdhëniet me Bolshakov “për njëfarë kohe”, pasi sovjetikët e ndërtuan murin, “sepse më përzihej stomaku për faktin që ata kishin vepruar kështu”. Por çarja, nëqoftëse ka pasur një të tillë, qe e shkurtër. Kanali i fshehtë luajti një rol kyç dy muaj më pas në zgjidhjen e një përplasjeje midis tankeve sovjetike dhe amerikane në Checkpoint Charlie të Berlinit.
Rrëfimi i Robert Kennedy për “përzierjen e stomakut” lidhur me murin mund të ketë qenë fabrikim apo ekzagjerim për të fshehur ujditë sekrete të Shtëpisë së Bardhë me Hrushovin. Aktualisht, nuk njihet se çfarë i komunikoi Hrushovi, Kennedy përpara se muri të ngrihej. Një ekspert i Berlinit, David E. Murphy, i cili ishte i ngarkuar me operacionet e fshehta të CIA-s në Berlin në vitin 1961, beson se nuk kishte aspak nevojë për Kennedy dhe Hrushovin që ta diskutonin murin në mënyrë specifike në shkëmbimet e kanalit të fshehtë të tyre. Kennedy “po i dërgonte mesazh pas mesazhi” në publik dhe privatisht Hrushovit në verën e vitit”, tha Murphy, në një intervistë të vitit 1997 për këtë libër. “Askush nuk e përdorte termin mur. Ajo çka Kennedy bëri të qartë ishte se ata [sovjetikët] kishin të drejtën e kontrollit të lëvizjeve nëpër sektorin e tyre”. Murphy ishte caktuar zyrtarisht në gusht të 1961 si shef i bazës operacionale të Berlinit, pikës qendrore të përpjekjeve të inteligjencës dhe të spiunazhit të CIA-s në Berlinin Lindor dhe në Gjermaninë Lindore. Sipas mendimit të tij, Administrata Kennedy e transportoi gjithë atë çka kish nevojë të transportonte më 30 korrik të 1961, kur Senatori J. William Fulbright i Arkansas, President i Senatit Foreign Relations Committee, deklaroi publikisht në një intervistë televizive: “Nuk e kuptoj se pse gjermanolindorët nuk e mbyllin kufirin e tyre, pasi e kanë të drejtën për ta bërë një gjë të tillë”. Ky deklarim i tillë, thotë Murphy, nuk mund të ishte bërë pa miratimin paraprak të Presidentit. U kuptua brenda stacionit të CIA-s, shton ai, se Kennedy “kurrë nuk kish ndonjë synim për ta sfiduar murin. Çdo njeri e dinte një gjë të tillë”.
Si oficer i lartë inteligjence, Murphy ishte i vetëdijshëm se, opsionet e Kennedy në Berlin qenë jashtëzakonisht të kufizuara. Në mars të 1961, Henry Kissinger, si konsulent i National Security Council për Gjermaninë, i kërkoi CIA-s që të shqyrtonte aksione të mundshme klandestine që “mund të ndërmerreshin në mbështetje të pozicionit amerikan në Berlinit”. Përgjigja, e raportuar nga Murphy në librin e tij Battleground Berlin e vitit 1997, e shkruar në bashkëpunim me Sergei A. Kondrashev, homologu i tij i KGB-së, qe zhgënjyese. Disa aktivitete propagandistike ndoshta do të ishin të dobishme, përgjigjej CIA, por kryengritja e hapur kundër qeverisë, siç po mëshohej për Kubën, “nuk ishte një aksion klandestin i zbatueshëm” në Berlinin Lindor. Tri muaj më vonë, shkruan Murphy, William Harvey i CIA-s, i cili kish drejtuar operacione klandestinë në Berlin për 7 vjet në vitet Pesëdhjetë, tha në një mbledhje në selinë e CIA-s në Washington se do të ishte “jorealiste” për vendimmarrësit politikë të Amerikës, që të konkludonin se agjencia mund të ishte efektive në organizimin e grupeve të rezistencës brenda Gjermanisë Lindore. Murphy, i cili botoi shumë pak rreth punës së tij të inteligjencës përpara Battleground Berlin, raporti gjithashtu se Administrata Kennedy e informoi ambasadën amerikane në Bon me një telegram në fund të korrikut se, “nuk ka shumë që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara” nëqoftëse qeveria gjermanolindore e shtrëngon kontrollin në Berlin.
Teknika e Presidentit në përplasjet midis superfuqive do të shënohej nga kriza e raketave të Kubës në fundin e vitit 1962. Presidenti do t’u fliste me vendosmëri ndihmësve të tij dhe në publik, por privatisht do të bënte gjithçka – duke përdorur Georgi Bolshakov nëqoftëse ishte i gati – për ta zgjidhur problemin. Ai e përdori këtë teknikë në fund të tetorit 1961, kur tanket sovjetike dhe amerikane u vendosën përballë njëri-tjetrit në Checkpoint Charlie, një postbllok tejet i publicizuar në Murin e Berlinit, formalisht i njohur si kryqëzimi Friedrichstrasse. Tanket ishin të armatosur dhe kishin autoritet të hapnin zjarr.
Konflikti filloi kur rojet kufitare të kufirit gjermanolindor ndaluan makinën e Allan Lightner, diplomatit të lartë amerikan në Berlin, i cili sëbashku me bashkëshorten ishin nisur për të parë një opera. Rojet kërkuan që të shikonin pashaportën e Lightner. Ai refuzoi, përderisa tregimi i saj do të kish nënkuptuar njohjen amerikane të autoritetit të Gjermanisë Lindore dhe jo të Bashkimit Sovjetik në Berlinin Lindor, një lëshim që Shtetet e Bashkuara nuk do të donin ta bënin. Lightner ju refuzua aksesi në Lindje dhe ai u kthye me një skuadër ushtarësh amerikanë, të mbështetur nga katër tanke. Rojet kufitare u zmbrapsën dhe Lightner me bashkëshorten u lejuan të kalonin. Gjenerali Clay i telefonoi Presidentit dhe siguroi miratimin për ta rënduar çështjen. Civilë amerikanë, duke i injoruar rojet kufitare, filluan kështu të shkojnë në Berlinin Lindor, të shoqëruar nga trupa amerikane që rriteshin vazhdimisht në numër. Më 26 tetor, një batalion prej 33 tankesh sovjetike hyri në Berlinin Lindor, duke e barazuar saktësisht numrin e tankeve amerikane në rezervë nga ana tjetër. Impasi formal filloi një ditë më pas, kur 10 tanke sovjetike u drejtuan për në anën gjermanolindore të postbllokut, duke qëndrar përballë 10 tankesh amerikane, të cilët gjithashtu lëvizën përpara.
Publikisht, siç i tha Clay biografit të tij Jean Edward Smith, Kennedy e mbështeti atë gjatë gjithë kohës. Presidenti i telefonoi gjatë krizës dhe e nxiti që të mos e “humbiste toruan”. Clay ju përgjigj, thotë vetë ai, “Zoti President, ne nuk jemi të frikësuar se mos e humbasim toruan këtu. Jemi të frikësuar, nëse njerëzit tuaj në Washington po humbasin të tyrin”. Kennedy i tha: ”Unë kam shumë njerëz këtu që e kanë humbur, por unë jo”. Privatisht, Kennedy sigurisht që ishte shqetësuar nga konflikti, duke i thënë një ndihmësi: “Nuk e dërguam atë (Allan Lightner) atje që të shkonte në opera në Berlinin Lindor”. Presidenti dhe vëllai i tij ju drejtuan sërish Georgi Bolshakov. Në intervistën e tij me Kennedy Library, Robert Kennedy u shpreh: “Unë hyra në kontakt me Bolshakov dhe i thashë se, Presidenti do të pëlqente që ata t’i largonin tanket e tyre brenda 24 orësh. Ai tha se do të fliste me Hrushovin dhe i larguan tanket brenda 24 orësh. Ai i përcillte gjërat me efikasitet kur ishte një çështje kaq e rëndësishme”.
Në një analizë pak të njohur të botuar 30 vjet më pas tek revista Foreign Policy, Raymond L. Garthoff, një ish-zyrtar i CIA-s dhe i Departamentit të Shtetit që ka shkruar gjerësisht lidhur me çështjet amerikano – sovjetike, shkruan rreth incidentit të Checkpoint Charlie nga këndvështrimi sovjetik. Në arkivat sovjetike dhe nëpërmjet intervistave në Moskë, Garthoff zbuloi se, dukshëm pa dijeninë e vëllezërve Kennedy, Gjenerali Clay kishte replikuar fshehurazi atë vjeshtë një seksion të murit në një zonë të thellë të Berlinit Perëndimor dhe, me inxhinierët ushtarakë po praktikonte mënyra efektive për ta shembur atë. Komanda e lartë sovjetike mësoi për aktivitetet e Clay, për të cilin mendoi se ishte miratuar nga Shtëpia e Bardhë, Kennedy dhe konkludoi se një pushtim ushtarak amerikan i Berlinit Lindor po merrej në konsideratë. Garthoff intervistoi një ofiqar të vjetër të Partisë Komuniste, të quajtur Valentin Falin, në atë kohë pjesë e rrethit të ngushtë të Hrushovit, i cili i tha atij se, agjentë të inteligjencës sovjetike i kishin dokumentuar aktivitete trajnuese të Clay me fotografi dhe ua kishin paraqitur provat e tyre lidershipit sovjetik më 21 tetor.
Po atë Rosëell Gilpatric, Nënsekretari i Mbrojtjes, mbajti një fjalim, personalisht të kqyrur nga Presidenti, në të cilin zbulonte më shumë sesa ishte thënë ndonjëherë publikisht më parë rreth superioritetit bërthamor amerikan ndaj Bashkimit Sovjetik. Duke përmendur shifra specifike dhe duke ju referuar drejtpërsëdrejti Berlinit, Gilpatric deklaroi se, Amerika “ka një forcë reaguese bërthamore me fuqi të tillë sa që një lëvizje e armikut që do ta vinte në funksionim do të ishte një akt vetëshkatërrimi nga ana e tij…. Kështu që ne kemi besim se, sovjetikët nuk do ta provokojnë një konflikt të madh bërthamor…. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të munden”. Fjalimi superpatriotik i Gilpatric, i cili i dha fund çdo preokupimi rreth një “hendeku raketor” amerikan, kishte qenë i planifikuar shumë kohë përpara, por Moska nuk e dinte këtë. Kongresi i 22-të i Partisë në atë kohë ishte në zhvillim dhe liderët e partisë po luftonin rreth kundërshtimit në Shqipëri dhe Kinë. Ata kishin frikë, ju tha vite më vonë Garthoff në Moskë, se mos Shtetet e Bashkuara kërkonin të hapnin një “front të dytë” në Europë, në një kohë që lidershipi sovjetik ishte i shpërqendruar. Kishte dhe një arsye shtesë për preokupim: katër ditë më parë, në fjalën hapëse në Kongres, Hrushovi e kish tërhequr publikisht ultimatumin e tij që, Amerika të negociionte një traktat paqeje paslufte me Gjermaninë nga fundi i vitit 1961, ultimatumi që i kish shkaktuar aq shumë andralla Kennedy në Vjenë. Fjalimi i Gilpatric dukej se ishte përgjigja e Kennedy ndaj kërcënimit sovjetik.
Këta faktorë e çuan Hrushovin dhe këshilltarët e tij, Valentin Palin i thotë Garthoff, që të konkludojnë se vendimi i Clay i pak ditëve më parë për të filluar lëvizjen e tankeve amerikane “dukej i qëllimshëm dhe djallëzor”. Mos vallë amerikanët po ecnin drejt shembjes së murit dhe futjes së trupave dhe tankeve në Berlinin Lindor? Qe në këtë pikë, thotë Palin, që u bë aktiv kanali i fshehtë Kennedy – Bolshakov. Shkëmbimi që shumë më kompleks dhe shumë i rëndësishëm se ai i përshkruar nga Robert Kennedy.
“Presidenti Kennedy”, raporton Garthoff tek Foreign Policy, “i kërkoi Hrushovit që t’i largonte tanket sovjetike, por vetëm që vepronte kështu i pari në kontekstin e një tërheqjeje reciproke. Kennedy premtonte se, nëqoftëse Hrushovi vepronte kështu, edhe tanket amerikane do të largoheshin”.
Mesazhi i kanalit të fshehtë, larg nga kërkimi i një tërheqje unilaterale sovjetike, siç u përshkrua nga Robert Kennedy, “qe një peticion nga Presidenti për përmbajtje dhe kufizim, duke i kërkuar Hrushovit që të bënte hapin e parë”. Në kujtimet e tij, Hrushovi nuk e përmend kanalin e fshehtë të tij me Kennedy, por shkruan se i udhëzoi komandantët e tij në Berlin që t’i tërhiqnin të parët tanket. Ai e përmend veten të ketë thënë, lidhur me amerikanët, se “ata po kërkojnë një rrugëdalje, jam i sigurtë, kështu që le t’ua japim një të tillë. Ne do t’i lëvizim tanket tona dhe ata do të ndjekin shembullin tonë”. Pretendimi i botuar i Hrushovit, shton Garthoff, se i tërhoqi tanket plot besim për një reagim reciprok amerikan “ka qenë konsideruar deri më tani një sajim i vonshëm apo një gabim fatlum. Tani është e qartë se, Hrushovi kishte premtimin e mëparshëm të Kennedy”. Gjithashtu qe e qartë, shkruan Garthoff, “se pse sovjetikët, përfshi Falin, e konsideruan këtë si ndoshta konfrontimin më të rrezikshëm të Luftës së Ftohtë. Pretendime të tilla tani kanë kuptim – një shkelje amerikane e Murit të Berlinit do të kishte shkelur një interes jetik sovjetik”.
Shkëndijat në Checkpoint Charlie, konkludon Garthoff, qenë “sfida e fundit serioze e krizës së Berlinit”. Qyteti qendroi i ndarë për tri dekadat e ardhshme.
Në mënyrë të fshehtë, John Kennedy kish treguar vetëpërmbajtje për të parandaluar konfrontimet potencialisht shkatërrimtare rreth Berlinit me Bashkimin Sovjetik. Njerëzit që merreshin me Kremlinin e kuptuan maturinë instiktive të Kennedy, por ata rreth Presidentit, të cilët dinin pak ose aspak për kanalin e fshehtë, e shikuan “tërheqjen” e Hrushovit në Berlin si verifikim të forcës së Presidentit.

(Artikulli është nxjerrë nga kapitulli i 13-të i librit të gazetarit të njohur investigativ Seymour Hersh, “The Dark Side of the Camelot”)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura