MYRVETE HOTI – KASUMI: ‘BESOJ SHUMË SE UKSHIN HOTI ËSHTË GJALLË’

Pashtriku.org, 16. 05. 2016: Beson shumë se ai është i gjallë. Thotë se këtë nuk e ka nga mërzia, por nga të gjitha zhvillimet për 17 vjet resht konsideron si ai ende jeton, po mbahet diku në burgjet e Serbisë. Myrvete Hoti-Kasumi për herë të fundit e pa të vëllanë në shkurt të vitit 1999, në ambientet e burgut ku mbi kokat e tyre qëndronin disa policë, duke ua pamundësuar kështu çdo komunikim që nuk është në gjuhën serbe.
Hoti-Kasumi thotë se për të vëllain e burgosur, ku më pastaj edhe është zhdukur thotë se ka bërë krejt çka ka mundur, duke iu drejtuar, përveç institucioneve vendore, edhe atyre ndërkombëtare dhe të Serbisë. E gjithë kjo përpjekje për 17 vjet, në kërkim të vëllait, i ka krijuar asaj një besim të fortë brenda vetes, i cili e bën që të presë ardhjen e tij, në çdo ditë që zbardhë.
Sot, që po bëhen 17 vjet nga dita kur veprimtari i çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hoti përfundoi ditët e vuajtjes së dënimit me burg, në Dubravë, vend ky prej të cilit thuhet se u lirua më 16 maj 1999, motra e tij, e cila ishte e autorizuar të merrej me të edhe gjatë qëndrimit në burg, tregon për përpjekjet që kanë bërë në mënyrë që të mësojnë për fatin e tij.

Ajo përpiqet të kujtojë ditën e fundit kur e ka takuar Ukshin Hotin në burg.
“Kontakti i fundit që e kam pas me Ukshinin ka qenë në vitin 1999, 12 shkurt. E kam parë, kam biseduar me të, e kam kuptuar situatën që shkonte e bëhej çdo herë më e rëndë. Mundohesha me çdo kusht të nxjerr nga ai se nga me shku, e çka të bëjë, që ta shpëtojë atë. Mirëpo vizitat me Ukshinin kanë qenë në gjuhën serbe, edhe pse ai nuk ka lejuar kurrë me neglizhua gjuhën e vet, shqipe, e me fol serbisht, mirë shkoja vetëm për pesë minuta vizitë. Vetëm: ‘si je, qysh je’. Katër policë ishin kur dilke ai me pas kontakte me mu, dy policë ishin në shikim tij, e dy ishin shikim timin. Përcjellshin çdo element, mos ne po merremi vesh me gjeste, dhe nuk na lejonin të flasim gjuhën shqipe”, rrëfen për KosovaPress Myrvete Hoti-Kasumi.
Asaj nuk i kishte shkuar mendja asnjëherë se kjo do të ishte hera e fundit që do ta takonte. Mendonte se më 17 maj, ashtu siç ishte paralajmëruar, qëndrimi i tij në burg të përfundonte.
Por, sipas dëshmitarëve Ukshin Hotin e kanë liruar një ditë më parë, më 16 maj, ditë e diel, e pazakontë për veprime të tilla.
Nga aty, sipas motrës së tij, Myrvete Hoti-Kasumi, u shoqërua nga dy persona për në drejtim të panjohur.
E deri në atë ditë, Myrvete Hoti thotë të ketë kontaktuar avokat të ndryshëm, në mënyrë që mundësohej lirimi dhe kthimi i tij pranë familjes.
Nga shumë të tillë sa ka kontaktuar, thotë të ketë marrë premtime se do të zgjidhet kjo çështje, por që të gjithë dështuan.
“Tha duhet të shkojë në Beograd të bisedoj, dhe kur kthehem ta jap përgjigjen. E sa për holla, tha varet prej ndërgjegjes suaj, ndërsa unë në të ardhmen dua të jem shok me Ukshin Hotin, kur ai të del nga burgu. Ka shku në Beograd ka pyet, ata përgjigjën ia kishin dhënë: ‘a je normal, çka po do ti, koka e Ukshin Hotit vlen sa gjysma e Jugosllavisë’”, tregon ajo përgjigjen që njëri nga avokatët të ketë marrë përgjigje.
Hoti-Kasumi thotë të ketë pasur biseda edhe me ndërkombëtarët. Tek të cilët ka mbajt shumë shpresa se do të bëjnë diçka për zbardhjen e fatit të vëllait.
“Kam pas kontakte me Parlamentin Evropian, përmes partisë së Arbën Xhaferit. Më kanë thënë ‘rri aty ku je, ngase prej një problemi na bëhen dy, ne e kemi një përgjegjësi të tillë’. …Ajo më ka thënë se unë jam në Beograd pikërisht për këtë punë. Andaj unë siç do kush, shpresoja, meqë për mua ata ishin emra të mëdhenj, se këtë punë e kanë përgjegjësi dhe do të ma shpëtojnë vëllain”, thotë ajo.
Motra e Ukshin Hotit tregon se u ka shkruar letër edhe serbëve, e që nuk ka lënë gur pa lëvizur vetëm të gjejë vëllain.
Por sot, 17 vjet pas, ndjehet në ankth, në mjerim, e edhe në pritje. Kjo pritje nuk e lëshon dot.
“Edhe sot besoj se Ukshin Hoti është i gjallë , në bazë të punës, e jo në bazë të ndjenjave të motrës për vëllain që nuk ia do vdekjen. Por edhe në bazë të punës që e kam bërë, bashkë me familjarët, kuptohet edhe me bashkëshortin, deri këtu në asnjë moment Ukshin Hoti nuk më ka dalë se është i vrarë. Në bazë të punës. Argument nuk kam pas, dhe lëvizjet që i kanë bërë pala serbe me mua, kam pas lidhje me një serbe e cila u deklarua si pjesë e shërbimit sekret ushtarak të Serbisë, ka pas kontakt me KFOR, UNMIK, Kryq të Kuq Ndërkombëtar, me të gjithë, para meje ka thënë se është gjallë, dhe se ajo e ka takuar dy herë në burg. Ka thënë se vajzën e ka pas në administratë, e dhëndrin ushtarak….Zyrtarisht nuk kam asgjë nga pala serbe, as që është i gjallë e as që është i vdekur, ka mbet pezull, mes të gjallëve dhe të vdekurve”, tregon Myrvete Hoti-Kasumi.
Asaj i është thënë se në ditën e 16 majit, para ndërtesës së burgut, Ukshin Hotin e ka pritur një veturë, e cila e ka dërguar në drejtim të panjohur. E për Myrvete Hotin, ai drejtim i panjohur, deri vonë, ka qenë Nishi. Mirëpo djegia e shtëpisë së bardhë atje, asaj ja zbehu shpresat.
Duke u munduar të rrëfejë gjithë çka ka ndodhur krejt këtë kohë, lidhur me fatin e Ukshin Hotit, ajo thotë se ka marrë edhe porosi nga persona të panjohur, të cilët përmes shqiptarëve i kanë dërguar fjalë: “Thuaj motrës së Ukshinit mos vrapo kot, ai është problem qeveritar, jo i yti”.
“Të jetosh me një ankth të tillë, me një mërzi të tillë, edhe kur ha bukë, edhe kur flej, kudo që jam nuk kam mundësi mos me përqendrua vëmendjen tek vëllai. Edhe me shpezë, shumë raste bisedoj, një sorrë e cila ka ardh shumë në oborrin tim, dhe ka kërkatë me zanin e saj të vrazhdë, ajo po më lë të kuptoj diçka, deri tash vazhdimisht ka kënduar. Dhe kur ka kënduar ajo në oborrin tim, nuk ka pas mundësi pa e pas ndonjë telefonatë, shkrim në gazetë, a ndonjë lëvizje për çështjen e Ukshinit. Andaj unë në bazë të gjithë punës që e kam bërë deri këtu, shpresoj ende që vëllai im jeton”, thotë e motra e Ukshinit.
Me gjithë dhimbjen që e shtrëngon në gjoks, e që i torturon kokën, nga rasti i Ukshin Hotit për të cilin nuk e di a është i gjallë a i vdekur, dhe nga humbja e vëllait tjetër, i vrarë nga forcat serbe, Myrvete Hoti mbështetet në bisedimet me Beogradin.
Por, nuk e fsheh shpresën që ka pasur se në agjendën e atyre bisedimeve prioritet do të jetë çështje e personave të zhdukur. Që sipas saj, nuk po mirret seriozisht nga institucionet e Kosovës.
Ajo kërkon sqarime për të gjithë personat e pagjetur, jo vetëm Ukshin Hotin, i njohur si veprimtar që punoi pareshtur për idealin kombëtar.
Sot 17 vjet, Kosova nuk di asgjë për fatin e intelektualit Ukshin Hoti.
Në pritje për ndonjë informacion për të është motra e tij, veçse për të, lajmi do të vijë se ai ende jeton diku.
Por, Myrvete Hoti-Kasumi llogarinë e fundit e kërkon nga Serbia. Nga ta, thotë se kërkon përgjigje sa çka kanë bërë me Ukshin Hotin që nga dita e 16 majit të vitit 1999.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura