DONIKA GËRVALLA: UNË NUK KAM ASNJË DYSHIM QË UDB-ja E POROSITI DHE ORGANIZOI VRASJEN(I)

 (Pashtriku.org, 10. 07. 2012) – Nuk ka asnjë dyshim se urdhrin për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, në janar të vitit 1982, e ka dhënë sigurimi shtetëror jugosllav, por vrasja ka mbetur pa u sqaruar ende plotësisht, ndërsa pretendimet e fundit për autorët e vrasjes së trefishtë shihen me dyshime të mëdha nga familjarët e Jusuf Gërvallës. E bija e tij, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga njëri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi, i cili përmes librit të tij “Atentatet” dhe disa intervistave ka ngritur gishtin e akuzës për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës drejt një tjetër aktivisti të asaj kohe në diasporë, Riza Salihut. Në një intervistë me kryeredaktorin e Kohës Ditore, Agron Bajramin, për emisionin “Press-ing”, që u transmetua më 18 maj 2011, prej orës 20:00, në KTV, Donika Gërvalla ka rrëfyer për ato që i di dhe ato që nuk i di në lidhje me vrasjen e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, ndërsa ka dhënë edhe vlerësimin e saj për emrat që përmenden, përfshirë Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun. Për Ibrahim Kelmendin thotë se ka një talent të aftë që të vërtetat e vogla t’i ndërlidhë me gënjeshtra të mëdha, ndërsa Riza Salihun e quan dinak dhe tinëzar dhe vjedhës të postës së babait të saj. Donika Gërvalla rrëfeu edhe për jetën e familjes së saj pas vrasjes së babait, shkuarjen në Shqipëri, takimet me Nexhmije Hoxhen dhe Enver Hoxhën, dhe zhgënjimin me shtetin shqiptar, për punën e saj si zëdhënëse e LDK-ës në Gjermani, për punën gjatë viteve ’90-të në diasporë, konfliktet që ekzistonin mes LDK-së me Ibrahim Rugovën në krye dhe Qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit, ndërsa një vlerësim të veçantë ka dhënë edhe për Kosovën, ashtu si e sheh ajo sot.

Donika Gërvalla përballë Agron Bajramit në Press’ing.

____________________________

Në vijim portali pashtriku.org, boton këtë intervistë të daktilografuar nga videofilmi në YouTube.

*   *   *

A.BAJRAMI: Shikues të nderuar mirë mbrëma, jeni me emisionin press-ing dhe sonte do të flasim për një histori të gjatë e cila për shumicën e publikut nisi diku më 17 janar 1982 në Gjermani. Një vrasje, një atentat i cili dërmoi shqiptarët në diasporë por edhe ata këtu në Kosovë dhe i cili deri më sot e kësaj dite mbetet deri në një masë enigmë dhe për këtë çështje dhe për shumë çështje tjera të ndërlidhura do të flasim sonte me mysafiren time të nderuar. Kjo është e bija e Jusuf Gërvallës, zonja Donika Gërvalla-Schwarz. Mirë se vini në press-ing.
D.GËRVALLA: Falemnderit për ftesën tuaj.
A.BAJRAMI: E nisa emisionin me ngjarjen tragjike, me ngjarjen e cila tmerroi shqiptarët, me vrasjen e Jusuf Gërvallës, babait tuaj dhe Bardhoshit, vëllaut të Jusufit, axhës suaj dhe Kadri Zekës. Në një shkrim para disa muajsh në përvjetorin e tridhjetë të vrasjes, në Koha Ditore, ju thatë se Duhet thyer heshtja. Me çka e thyen heshtjen dhe cila është ajo heshtje që duhet thyer. Na tregoni pak.
D.GËRVALLA:
Heshtja për të cilën kam folur ndoshta nuk ka të bëjë direkt me rrethanat e vrasjes por ka të bëjë me një temë më të gjërë e që lidhet drejtpërdrejt me Jusuf Gërvallën, me babain tim. Mirëpo për sa i përket atentatit të vitit 1982 siç e thatë kanë kaluar tridhjetë vjet prej asaj kohe. Në Gjermani deri vonë nuk ka pasur përparime në çështje të hetimeve, ka pak më shumë se një vit që rrjedha e hetimeve ka ndryshuar. Tash kujdeset për hetimet prokuroria federative e cila ka të tjera instrumente, dhe të tjera mundësi dhe të tjera njohuri rreth agjenturave të huaja dhe UDB-së në Gjermani, prandaj unë asnjëherë më tepër se sot nuk kam besuar që shumë afër jemi zbulimit të autorëve të vrasjes, por në radhë të parë të zbulimit të atyre që e porositën këtë vrasje dhe e vendosën nëpër zyrat dhe nëpër mbledhjet e tyre.
A.BAJRAMI: Që prej ditës së parë, madje edhe vet Jusufi është raportuar ta ketë thënë se vrasjen e kanë kryer Shërbimi i Sigurimit të Jugosllavisë së asaj kohe dhe se ndoshta nuk është me rëndësi autori i caktuar që e ngrehi këmbëzën mirëpo tashmë e dimë se UDB-ja ishte ajo e vrau Jusufin dhe shokët.
D.GËRVALLA
: Megjithatë përgjegjësia gjithnjë është personale dhe jo aq kolektive. Unë si vajzë e tij jam shumë e interesuar të di se cilët persona u ulën në Beograd, në cilën zyrë dhe në cilën tavolinë dhe si e vendosën, kë porositën që ta kryejnë këtë atentat. Është e rëndësishme që kapitujt të përmbyllen. Unë nuk kam asnjë dyshim që sigurimi i atëhershëm jugosllav UDB-ja e porositi dhe e organizoi këtë vrasje. Megjithatë drejtësia duhet ta thotë përgjigjen e vet. Drejtësia gjermane duhet të kërkoj përgjegjësi nga pasardhësi i shtetit jugosllav, nga Serbia për këtë vrasje, dhe të dënohen personat të cilët e kanë urdhëruar.
A.BAJRAMI: Kohët e fundit, madje edhe këtu në Prishtinë u rikthye debati për vrasjen e 17 janarit në Gjermani. Dhe ka madje edhe persona që shkruan edhe libra me të cilët pretendojnë se e dinë se kush i vrau dhe akuzuan njerëz me emra. Riza Salihu u akuzua nga Ibrahim Kelmendi se është vrasësi apo pjesëmarrësi në atentatin ndaj babait tuaj, Bardhoshit dhe Kadriut.
D.GËRVALLA
: Unë nuk kam shpjegim pse Ibrahim Kelmendi bën biseda të tilla në televizion dhe shkruan libra të tillë. Ka shumë pak gjëra që unë mund t’ia tregoj që ai nuk i dinë. Gjëja që ai e dinë mjaft mirë është se një pjesë e madhe e asaj që ai shkruan në libra e tij nuk është aspak e vërtet. Shikoni, familja jonë vjen nga Dukagjini
A.BAJRAMI: Flisni vetëm për atentatin apo më gjërë për të gjitha proceset që ndodhën para dhe pas vrasjes së Jusufit?
D.GËRVALLA:
Jo, flas në radhë të parë për librin që ka botuar dhe për intervistat që janë dhënë kohët e fundit. Unë vij nga zona e Dukagjinit dhe tek ne vlen mikëpritja shumë. Babai ka qenë shumë i interesuar që të bashkoj të gjitha rrymat shqiptare që ekzistonin në atë kohë në emigracion. Një prej këtyre rrymave përfaqësohej edhe nga Ibrahim Kelmendi në atë kohë. Mirëpo Ibrahim Kelmendi është i vetmi person që unë kam përjetuar të jetës sime dhjetëvjeçare me babain tim si i vetmi person që ai e ka përzën nga shtëpia. I ka thënë dil nga shtëpia dhe të të mos shoh më. Nuk ka qenë me siguri akt i lehtë për babain tim, do t’i ketë pas arsyet e tij dhe prezantimi i tij në libra si personi i cili Jusuf Gërvallën i cili si gazetar dhe intelektual erdhi mjaft naiv në Gjermani dhe pati nevojë Ibrahim Kelmendi t’i tregoj se si funksionon emigracioni ajo mua nuk më bindë.
Kelmendi ka një talent të madh që të vërtetat e vogla t’i ndërlidh me gënjeshtra të mëdha. Ai ka shumë kohë që mua përpiqet të më kontaktoj, më dërgon letra herë mbas here, por unë nuk kam asnjë lloj interesi të bisedoj me te krejt pavarësisht nga roli i tij apo nga asnjë lloj roli që mund të ketë pasur në organizimin e kësaj vrasjeje. Qëndrimi im ndaj tij është tërësisht i pavarur nga kjo. Ibrahim Kelmendi nuk e di unë pse tregon përralla të tilla në media dhe në libra. Herëdo kurdo drejtësia do ta thotë fjalën e saj e do të dimë edhe rolin e tij e të tjerëve.

Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla me bashkëshortet e tyre.

_____________________________

A.BAJRAMI: Thuani se edhe pretendimi i tij për Riza Salihun se ishte pjesëmarrës në atentat, është i pavërtetë!?
D.GËRVALLA:
Unë nuk e di a është i vërtetë apo është i pavërtetë por unë që e njoh të gjithë përmbajtjen e dosjes hetimore se ka shumë vite që merrem me çdo detaj, nëse unë nuk e di se ka qenë Riza Salihu atëherë nuk mund ta di as Ibrahim Kelmendi se ka qenë Riza Salihu dhe mua më duket paturpësi shumë e madhe që t’i vësh gishtin një personi tjetër për çfarëdo lloj motivesh qofshin ato dhe thua se ky ka qenë. Me këtë unë nuk dua të arsyetoj Riza Salihun sepse Riza Salihu është një burr i keq, Riza Salihu është një burr dinak dhe tinëzar. Riza Salihu është personi i cili ka qenë i dënuar nga organet gjermane për shkak se postën personale të babait tim e ka vjedhur, dmth duke shkelur ligjin. Mirëpo nuk duhen përzier gjërat njëra me tjetrën. Ajo nuk është një çështje që mund ta bisedojmë ne të dy tani apo Baton Haxhiu dhe Ibrahim Kelmendi në një emision televiziv. Ai është një proces i gjatë i cili zgjidhet nga organet gjyqësore. Dhe aty nuk ka asnjë gjë jashtë këtij kuadri e cila mund t’i shërbej.
A.BAJRAMI: Flasim për njerëz të cilët në atë kohë kanë bashkëvepruar apo kanë vepruar me të njejtin qëllim, supozojmë me organizata të ndryshme edhe me babain tuaj. Duket si një, një skenë shumë e rëndë politike brenda lëvizjes ilegale shqiptare në diasporë në ato vite para vrasjes së babait tuaj. Duke marrë parasysh si i cilësoni këta njerëz si ka qenë e mundur të punojnë bashkë ata atëherë?
D.GËRVALLA:
Babai ka ardhur në Gjermani pasi u detyrua të lëshonte Kosovën, pasi u detyrua t’i ikte burgimit. Ka ardhë në Gjermani me një qëllim, që gjithë organizimin shqiptar për Kosovën ta ngrej në një nivel tjetër. Ai kishte potencialin, si intelektual ashtu edhe njerëzor që t’i bashkonte njerëzit. Dhe natyrisht që fillimet në raste të tilla nuk janë edhe aq të lehta. Aty kishte mjaft rryma të ndryshme. Kishte Organizatën Marksiste-leniniste të Kosovës, kishte Frontin e Kuq Popullor që e përfaqësonte Kelmendi, kishte organizata të shqiptarëve të emigruar nga Shqipëria. Do të thotë se nuk ka qenë i lehtë ai pozicion dhe babai kishte bindjen që nëse arrin me gjithë mendimet e kundërta që kanë t’i ulësh në një tavolinë dhe të gjithë bashkë me ndihmën e shkrimeve të babit të ngrihet niveli i këtij organizimi dhe të mos mbeten disa fletushka që kur i lexon sot, të vjen zor se kanë ekzistu në atë kohë, atëherë ky do të ishte shërbim për Kosovën, ishte shërbim në radhë të parë për vetëdijësimin e shqiptarëve që jetonin në Gjermani dhe që punonin gjithë ditën e jetonin nëpër baraka në kushte jashtëzakonisht të tmerrshme. Babi nuk ka shkruar vetëm në Gjermani dhe nuk ka biseduar vetëm me udhëheqësit e organizatave të tjera, por ai në radhë të parë është përkujdesur që të afroj sa më shumë qytetar të thjeshtë të Kosovës të cilët jetonin vërtet në rrethana jashtëzakonisht të vështira. Dhe babi ka pas një aftësi dhe atë e kam përjetuar shpesh si fëmijë. Me gjithkend bisedonte nga pozita e të barabartit me të barabartin. Asnjë njeri që ka biseduar me të nuk ka pasur përshtypjen që ky si shkrimtar, si këngëtar, si intelektual që vjen nga Kosova, mua si punëtor të thjeshtë po më trajton dmth nga pozita e më të zgjuarit. Gjithmonë ka gjetur rrugën të bisedoj me ta dhe të merret vesh me ta.
A.BAJRAMI: Në njëfarë mënyre të çuditshme ndoshta edhe atentati i kontribuoi qëllimit që e patë Jusufi, sepse më duket se Lëvizja deri në një masë u unifikua pas vrasjes në Untergruppenbach.
D.GËRVALLA:
Ashtu është. Gjatë kohës që, para atentatit pati përpjekje për bashkimin e mekanizmave të ndryshëm. Ato nuk patën sukses gjatë kohës sa jetoi babi. Natyrisht që një vrasje e tillë e trefisht, emigracionin shqiptar e tronditi jashtë mase. Unë nuk i di, unë në atë kohë nuk kam jetuar në Kosovë dhe nuk i di pasoja këtu, por emigracioni u trondit jashtëzakonisht shumë. Dhe kjo çoi në një mobilizim të gjithëve, në një frymë që të lëmë inatet njëri me tjetrin dhe të bëjmë të paktën një përparim në këtë drejtim. Megjithatë ajo nuk zgjati shumë. Diaspora shqiptare gjatë viteve 80-të, mbas atentatit ishte mjaft e bashkuar por s’kaluan dy tre vjet dhe prapë se prapë kur takoheshin njëri me tjetrin, udhëheqësit e këtyre krahëve, nuk flisnin njëri me tjetrin.

A.BAJRAMI: Organizatat që ekzistonin në atë kohë, shumica prej tyre, mos të them të gjitha, identifikoheshin me një ideologji e cila bazën e kishte në Tiranë. Shumica prej tyre madje edhe në emrin e organizatës përmbanin fjalët “marksiste-leniniste”, dhe dikush quhej Fronti i Kuq, dikush ndryshe, mirëpo të gjitha ishin në një vijë ideologjike do të thoja, apo së paku ashtu dukej. Kishte dallime apo nuk kishte dallime ideologjike në mes këtyre njerëzve që vepronin atje, duke përfshi edhe edhe babain tuaj?
D.GËRVALLA:
E para kishte dallime ideologjike shumë të forta, siç e the shumë prej tyre kishin në emrërtim, marksizëm-leninizmin, por unë mendoj se çështja e Shqipërisë është pak, është shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar. Shqiptarët në Kosovë nuk kishin një shtet i cili përkujdesej për ta. Jugosllavia nuk ishte shteti i cili ju ofronte prosperitet. Shqiptarët nuk e kishin udhëheqës Titon i cili do t’u ofronte fëmijëve të tyre një jetë më të mirë dhe automatikisht që kërkonin, çka është më e naturshme se sa shtetin në të cilin flitet e njejta gjuhë, egziston e njejta kulturë dhe njerëz me të cilët mund të merresh vesh.
Natyrisht shqiptarët në Kosovë nuk e kanë njohur realitetin shqiptar. Ne kemi shkuar në 1982-shin pas atentatit dhe unë kam jetuar në një diktaturë jashtëzakonisht të egër. Por që shqiptarët, duke përfshirë babain tim dhe shumë të tjerë nuk kanë qenë enverista tregon shumë qartë fakti se kur u hap kufiri me Shqipërinë, kur u shemb diktatura, dhe pati mundësi, u hapën rrugët, të gjithë shqiptarët u tmerruan nga realiteti që ekzistonte në Shqipëri. Po të kishte qenë ideologjia komuniste ajo që shqiptarët në Kosovë i bënte ta adhuronin Shqipërinë, atëherë ata do t’i kishin mbetë besnik sepse do t’i kishin parë rezultatet e kësaj ideologjie komuniste.
A.BAJRAMI: Po megjithatë, jo të gjithë mund të kualifikohen si demokratë, do të thotë jo të gjithë kishin ide, mund të flasim për shumicën e popullatës që sigurisht nuk ka pasur njohuri dhe informata se në çfarë realiteti jeton dhe ekziston Shqipëria në kohën e Enver Hoxhës. Mirëpo njerëzit që kanë udhëhequr organizma ilegalë dhe që kanë bashkëpunuar me pjesëtar të shërbimit shqiptar do të duhej ta dinin se çfarë lloj sistemi është duke ekzistuar në Shqipëri, nuk mund të mëshefet ajo.
D.GËRVALLA:
Prandaj dhe po them se ka pasur shumë prej tyre, të cilët ideologjikisht kanë qenë vërtetë marksist-leninistë dhe enveristë, por pjesa më e madhe shqiptarëve që angazhoheshin për Kosovën duke përfshirë edhe babain tim nuk e bënin për kult të një personi apo të një ideologjie por sepse kur e ke Shqipërinë në krah dhe e ke një synim, një vizion, se kjo është rruga ku unë dua të shkoj është shumë më e lehtë ta përballosh realitetin që ke në vendlindjen tënde.
A.BAJRAMI: Thatë më herët se keni parë dosjen apo të gjithë dokumentacionin që është mbledhur gjatë gjithë këtyre viteve të hetimeve që kanë bërë autoritetet gjermane në lidhje me vrasjen e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut. Si është e mundur që një shtet i tillë me një aparaturë të tillë efikase të them ashtu policore dhe me një sistem demokratik që nuk lejon të ndodhin vrasje të tilla pa u hetuar deri në fund dhe pa u ndëshkuar, si është e mundur që kaq vite dhe nuk mund të vimë deri te pika ku mund të themi se u mbyll rasti, e zbuluam vrasësin e zbuluam porositësin, tani shkojmë në gjyq.
D.GËRVALLA:
Nganjëherë gjërat janë shumë më banale se sa imagjinohet. Në Gjermani kompetencat ligjore janë të ndara. Prokuroritë lokale të qyteteve ku ndodhë krimi janë përgjegjëse për hetimet. Në këtë rast prokuroria lokale e qytetit të Heilbronnit që ka qenë qyteti më i afërt i atij fshatit të vogël ku kemi banuar ne, dmth. ka bërë një lëshim, nuk ia ka përcjellë me kohë lëndën prokurorisë federative e cila merret me vrasje të tilla, do të thotë merret me terrorizëm, dmth heton të gjitha aktet më të rënda që kërcënojnë sigurinë e shtetit. Unë mendoj që në atë kohë, në vitin 1982, dhe unë e kam parë dosjen, nuk kanë munguar hetimet, hetimet i kanë shtrirë sa secila fjalë që ju ka arritur, qoftë me letër qoftë me telefon janë përpjekur ta sqarojnë dhe ta zgjidhin, por nuk i kanë pasur mundësitë, nuk i kanë pasur thjeshtë mekanizmat në dorë. Unë kam lexuar deklaratat e miqve të babait tim, të shqiptarëve tjerë që babai nuk i ka njohur. Në atë kohë ekzistonte një përshtypje sikur po të flasim ne me policinë gjermane, gjithçka që ne themi këtu këta do t’ia përcjellin UDB-së jugosllave dhe atëherë neve ose dikujt tjetër mund do t’i dali probleme në vendlindje.
A.BAJRAMI: Mungesa e bashkëpunimit nga vetë shqiptarët, disa prej tyre natyrisht që kanë pasur një mundësi të kenë informata. Ka penguar apo nuk i ka lejuar hetimet të shkojnë më përpara?
D.GËRVALLA
: Unë mendoj që shqiptarët mund të kishin luajtur një rol më aktiv në atë kohë, në zbulimin e ngjarjes, por unë nuk jam e sigurtë se a do të kishte çuar kjo deri në zgjidhje, për shkak se vrasjet e agjenturave janë nganjëherë mjaftë të komplikuara.
A.BAJRAMI: Nuk e besoni një verzion që thotë se ndoshta vetë shteti gjerman për shkak të situatës gjeopolitike të asaj kohe, apo për shkak të raporteve të mundshme që ka pasë me Jugosllavinë nuk u ka dhënë ashtu të them, zjarr hetimeve sa duhet për të nxjerr! 
D.GËRVALLA:
Jo nuk e besoj, nuk e besoj, sepse e njoh mjaft mirë organizimin e shtetit gjerman. Unë kam studjuar drejtësinë në Gjermani, unë e njoh ndarjen e pushtetit politik, e sigurimit të shtetit dhe të sistemit ligjor. Një qeveritar ose një punonjës i sigurimit BND që i drejtohet një prokurori lokal dhe i thotë të lutem heshtni hetimet, të jeni të sigurt që mbas dy muajsh e gjen veten në gazetë, sepse nuk e lejon një gjë të tillë opinioni.

______________________________________

A.BAJRAMI: Thatë më herët se hetimet kanë qenë të udhëhequra nga prokuroria lokale e Heilbronit, por tani ku janë?
D.GËRVALLA:
Tani janë te prokuroria Federative Gjermane. Në tetor 2010 është dënuar për herë të parë në Gjermani një kroat për vrasje të urdhëruar nga UDB-ja ndaj një kroati tjetër. Në kuadër të këtyre hetimeve që ka zhvilluar prokuroria Federative Gjermane është kërkuar që një nga këshilltarët e ish-presidentit Mesiq të sillet në Gjermani sepse ka qenë në kuadër të UDB-së pjesëmarrës në këtë vrasje. Tani në kuadër të këtyre hetimeve është zbërthyer struktura e UDB-së, cilët kanë qenë krahët që janë marrë me emigracionin kroat, cilët kanë qenë krahët që janë marrë me emigracionin shqiptar etj., etj. Për herë të parë është hedhur në letër pasqyra si ka funksionuar UDB-ja. Dhe unë mendoj që në kuadër të kësaj, prokuroria federative dhe natyrisht rrethanat e ndryshuara, sot mund të shkosh në Slloveni dhe të shohësh gjithë dokumentacionin e UDB-së, nuk është ndonjë vështirësi e madhe, nuk ke nevojë të lusësh presidentin serb Tadiq, që të ketë mirësinë të të lejoj. Kështuqë mundësitë janë të tjera, rrethanat janë të tjera. Qeveria Gjermane sot ka interes ndoshta edhe më të fuqishëm për shkak të situatës së tanishme në Kosovë, që një vrasje të tillë të kryer në territorin e saj thjeshtë më në fund t’i vërë kapakun. Të paktën ky është argumenti im kur kërkoj ndihmë prej tyre.
A.BAJRAMI: Besoni se kjo do të ndodhë, do t’i vihet kapaku?
D.GËRVALLA:
Unë jam shumë e sigurt. Asnjëherë nuk kam pasur atë ndjenjën që po i afrohemi fundit. Tani kam ndjenjën që nuk do të kalon gjatë dhe ne do ta dimë si ka rrjedhur.
A.BAJRAMI: Mendoni se do t’i vihet kapaku dhe nëse i vihet kapaku do të dalë edhe dikush prej i shqiptarëve i përfshirë, ashtu si përflitet e si dëgjojmë akuzat të ndërsjellta?
D.GËRVALLA:
Atë unë as pak nuk e di. Një gjë dihet, shumë e sigurt që ne serb, kroat dhe slloven në shtëpinë tonë nuk kemi pasur. Babi nuk ka pasë kontakt me ta. Ata nuk kanë pasur mundësinë as të dinë si jetojmë ne, as të dinë si është e organizuar jeta brenda familjes, kur kush del nga shtpia, kur kthehet etj. etj. Këto detaje ata nuk kanë mundur t’i dinë dhe ne dimë na ato që kemi lexuar, si ju ashtu edhe unë që UDB-ja në këtë formë ka vepruar: gjithmonë ka pasur një person afër tyre i cili e ka kryer këtë funksion. Unë sot nuk jam në gjendje të ju them se cili ka qenë ai person. Edhe po ta dija, për hir të hetimeve unë nuk do ta rrezikoja, por mendoj se duhet të pajtohemi me faktin që organet ligjore gjermane janë përgjegjëse, është përgjegjësi e shtetit gjerman, që t’i jep fund kësaj procedure dhe ajo duhet dhënë tani gaz me ndihmën e të gjithë atyre që kanë ndonjë informatë ose ndonjë gjë që mund t’i shërbej hetimeve dhe ta përfundojnë këtë çështje pas 30 vjetëve.
A.BAJRAMI: Keni njohuri, po flas gjithmonë duke marrë parasysh se keni parë dosjen. Keni njohuri nëse prokuroria gjermane apo hetuesit e tyre kanë pasur kontakt apo kanë kërkuar informacion prej Beogradit në lidhje me këtë çështje? Supozohet që…!
D.GËRVALLA:
Nuk kanë kërkuar informacion prej Beogradit gjatë viteve të fundit asnjëherë. Do të thotë Prokuroria lokale nuk ka kërkuar asnjëherë informacione nga Beogradi. Prokuroria lokale është përpjekur të intervistoj dy ose tre persona që kanë pasur kontakt me babin që ndodheshin në burgjet jugosllave në atë kohë këtu në Kosovë dhe në Serbi, por qeveria e atëhershme jugosllave nuk e ka lejuar një intervistim të tillë dhe kaq kanë qenë kontaktet.
A.BAJRAMI: Ndoshta Prokuroria Federale do ta bëjë këtë, meqenëse supozojmë se informatat do të duhej të ishin në Beograd.
D.GËRVALLA:
Ata besoj se do ta bëjnë dhe ata i kanë mundësitë që ta bëjnë sepse ata janë të varur drejtpërdrejtë nga ministria gjermane e drejtësisë dhe natyrisht kanë kompetencat me të cilat kanë mundësi edhe në Beograd edhe në vendet të tjera të kontaktojnë direkt dhe të kërkojnë informacione.
A.BAJRAMI: Jusuf Gërvalla u largua nga Kosova në vitin 1979, në fund të vitit. Ju me gjithë familjen e juaj, me nënën dhe dy vëllezërit shkuat menjëherë me te apo si ndodhi kjo?
D.GËRVALLA:
Ne kemi qëndruar edhe afërsisht një muaj në Prishtinë. Babi është larguar fillimisht për në Slloveni dhe pastaj përmes një tuneli hekurudhor ka kaluar kufirin këmbë kufirin në mes Sllovenisë dhe Austrisë ku e ka pritur i vëllai Bardhoshi. Ne kemi qëndruar edhe afërsisht një muaj në Prishtinë në një kohë shumë të tmerrshme për ne si fëmijë, sepse në tre të mëngjesit vinte policia, hapte banesën. Ata e dinin mjaft mirë se posht rrinim.
A.BAJRAMI: Cila ishte arsye e atij momenti vendimtar, që vendosi të thotë, po shkoj se nuk mund të rri këtu? Se ai punonte në Rilindje, ishte i përfshirë në aktivitete artistike, kulturore. Na kujtohet se këndonte dhe shkruante dhe kështu.
D.GËRVALLA:
Unë më 14 dhjetor (1979) kthehem nga shkolla dhe ma hap derën mami dhe shoh që ka njerëz të huaj në shtëpi. Aty kishin ardhur polic civil, mes tyre edhe një shqiptar. Edhe bastisnin shtëpin. Në atë moment ishte mjaft e qartë sepse mami e dinte për dallim nga ne se babi ishte pjesë e një organizate e cila përpiqej të vetëdijsonte shqiptarët në Kosovë që liria duket pak më ndryshe, nuk është kjo liri e cënuar të cilën na e ofron Beogradi dhe mbas atij momenti mami ka shkuar në Rilindje menjëherë sa ka dalë policia, e ka njoftuar. Ndërkohë edhe policia kishte arritur në Rilindje. Kërkonin një makinë shkrimi me të cilën ishin shpërndarë disa dokumente nëpër Prishtinë. Fakt është që babi në atë moment konsultohet dhe me disa nga shokët e tij dhe vendos që: nuk dua të qëndroj këtu dhe të burgosem. Babi e ka pasur, gjithmonë na tregonte dhe fëmijë kur kemi qenë se burgjet jugosllave ishin të tmerrshme dhe njeriu nuk e di se për çfarë mund të detyrohesh në burgje të tilla dhe atë situatë nuk donte ta përjetonte.
A.BAJRAMI: Dhe ju shkuat një muaj pas, do të thotë në fillim të vitit 1980. Po vrasja kur ndodhi shumë shpejt kaluat në Shqipëri.
D.GËRVALLA:
Në mars të vitit 1982 nëna me ne tre fëmijët jemi nisur për në Shqipëri. Unë kam jetuar deri në vitin 1992, ndërsa nëna deri më 1997.
A.BAJRAMI: Cila është arsya për kalim nga Gjermania, një shtet demokratik perëndimor ku besojmë se një siguri do të ofrohej nga vetë shteti për raste të tilla të kalohet në një shtet të izoluar të asaj kohe në Shqipëri, nën Enver Hoxhën.
D.GËRVALLA:
Ju duhet të kini parasysh – Gjermania, babait tim nuk i ofroi sigurinë që i nevoitej edhe pse kishte njoftime nga enti federativ i kriminalistikës Bundeskriminal amt se është person i rrezikuar dhe që duhet mbrojtur. Edhe këto fakte janë pjesë e dosjes natyrisht. Atij nuk iu ofrua siguria edhe pse Bardhoshi, mixha, ka njoftuar policinë që ne kemi nevojë për ndihmë. Por si duket burokracia, askush nuk e ka marrë askush seriozisht kanë thënë këta shqiptarët në mes veti kështu e ashtu, kushedi se çka bëjnë.
A.BAJRAMI: Do të thotë kanë pas paralajmërime për rrezik…
D.GËRVALLA:
Nga organe gjermane vetë. Enti federativ për çështje të kriminalistikës njofton policinë lokale që ky person ka nevojë të mbrohet. Dhe nuk ka asnjë reagim.
A.BAJRAMI: Policia lokale nuk ka ofruar mbrojtje?!
D.GËRVALLA:
Nuk ka ofruar mbrojtje.
A.BAJRAMI: Mendoni se kjo ka ndodhë vetëm për shkak të burokracisë?
D.GËRVALLA:
Unë mendoj se ndodhë për shkak të burokracisë sepse ndërkoh i njoh mekanizmat atje. Ja një paralele t’ua them: Rugova kur ishte në vitin 1999 që e tërhoqi Italia nga Kosova, erdhi në Gjermani dhe policia gjermane mbas dhjetë ditësh që u përkujdesën për të dhe ai erdhi me ftesë të kancelarit, i thanë: Okej, këtu qëndrimi juaj tani në hotel përfundon. Nëse keni nevojë për diçka merrni në telefon në numrin 110. Dhe ajo është policia normale që e merr çdo qytetar për gjithçka. Do të thotë gjermanët për ndryshim nga francezët apo anglezët nuk a kanë atë kulturë të mbrojtjes së disidentëve që vijnë në shtetin e tyre. Fakt është që në këto rrethana nëna ime nuk ishte e gatshme të jetonte në Gjermani.
A.BAJRAMI: Do të thotë për arsyen e thjeshtë se edhe vetë Jusufi kishte bërë paralajmërimin se mund të ndodhë diçka?
D.GËRVALLA:
Po. Babi e kishte shumë të qartë se në cilën pozitë ndodhet. Ai madje edhe me ne fëmijët ka biseduar pak kohë para vrasjes për të na qartësuar që cila mund të jetë e ardhmja. Kemi pasur shumë paralajmërime, të vogla ose të mëdha, shumë akte të cilat të kanë lënë të kuptosh që situata nuk është e volitshme.
A.BAJRAMI:…të vendoseni prej Gjermanisë para se të ndodhte ky atentat? A është menduar për këtë?
D.GËRVALLA:
Jo nuk është menduar. Është menduar në fillim nga babi kur ka ardhur në Gjermani që të shkoj të vendoset në Shqipëri, por kjo u refuzua nga regjimi i atëherëshëm shqiptar.
A.BAJRAMI: E kërkoi këtë?
D.GËRVALLA
: E kërkoi, i dërgoi letër direkt Enver Hoxhës që t’i lejoj të vendoset në Shqipëri dhe prej atje të ketë mundësi të punoj për Kosovën dhe ata i thanë që jo, dmth e refuzuan kërkesën më pas i kërkoi meqenëse mua nuk më pranonin, duhej të jem aktiv dhe jo të rri në Shqipëri, të paktën m’i siguroni fëmijët meqë unë mendoj se unë dhe familja ime jemi në rrezik. Edhe atëherë erdhi refuzim nga qeveria shqiptare.
A.BAJRAMI: Dy letra i ka dërguar në adresën e Enver Hoxhës dhe është refuzuar kërkesa!
D.GËRVALLA:
Në të dyja i është refuzuar kjo kërkesë.
A.BAJRAMI: Si ndodhi pastaj e shkuat në Shqipëri?
D.GËRVALLA:
Edhe mami kur kërkoi të shkonte në Shqipëri përmes ambasadës së Vjenës e refuzuan dy herë kërkesën. Është në Turqi – ka qenë një ish-ambasador apo këshilltar i ambasadës, nuk e di saktësisht pozicionin e tij, Bujar Hoxha quhej ai. Kishte prejardhje nga Kosova, ai ndërhyri në Tiranë që thanë: okej le të vij familja Gërvalla, dhe nëna ime nuk e dinte aspak se çfarë realiteti e priste në Shqipëri. Atë realitet as që mund ta imagjinonte dikush. Natyrisht që nëna ime e dinte që ne do të jetojmë në mënyrë shumë më modeste, materialisht do të jemi mjaft të kufizuar, por ajo mendonte fëmijët e Jusufit të rriten në një ambient ku flitet shqip, të shkollohen në shqip. Sido që të jetë mos ta humbasin nga sytë vendin e tyre.
A.BAJRAMI: Dhe, na e shpjegoni pak cila ishte ajo Shqipëri? Çka patë atje në ato vitet që i kaluat prej 1982-1992?
D.GËRVALLA:
Oh!
A.BAJRAMI: Keni qenë në fund të them ashtu në kohën e fundit të ekzistimit të sistemit të Enver Hoxhës. Si dukej?
D.GËRVALLA:
Unë faktikisht jam larguar dy vjet pas rrëzimit të sistemit. Unë e kam përjetuar Shqipërinë në kohën e një diktature jashtëzakonisht të egër, të një diktature e cila për një fjalë goje duhej të llogarisje që bashkë me familjen, farefisin, kushdo që të ishte, për një fjalë banale, si p.sh. një kojshi i yni kishin një fëmi të vogël, një bebe në familje dhe s’kishin tamël. Pret në radhë ai, prej 3 të mëngjesit. I vjen radha në 7 dhe zemërohet e thotë: Çfarë shteti është ky, kam katër orë që pres, gjithë natën, një litër tamël mos me ma siguru. 8 vjetë burg është dënuar personi në fjalë. Dmth me këtë dua të them se liria e mendimit jo vetëm që nuk ekzistonte, por kaq kishte hyrë sistemi brenda familjeve dhe brenda personave vet sa në shkollë tek ne lavdërohej fëmija i cili kishte spiunuar të atin, lavdërohej në televizion bashkëshortja e cila e kishte çuar në burg të shoqin etj. etj. Do të thotë jo vetëm ideologjikisht një diktaturë e tmerrshme por jashtëzakonisht çnjerëzore, të prishë bërthamën, atë bërthamën më të ngushtë familjare. Ku nuk ndërhynte regjimi atje dhe për ne ishte çudi, se ne nuk ishim rritur në atë formë.
A.BAJRAMI: Si mendoni se do ta kishte përjetuar Jusuf Gërvalla atë Shqipëri po ta kishte parë, sepse ai nuk ishte kurrë atje.
D.GËRVALLA:
Nganjëherë më vjen keq se ai ka pasur shumë dëshirë të shkoj një herë vetë në Shqipëri. Por në anën tjetër meqenëse ai e ka pasur jetën aq të shkurtër, më mirë që nuk ka pasur rast të shkoj, sepse unë besoj që për babin do të kishte qenë një, ndoshta mund t’i kishte hequr edhe një pjesë të energjisë që kishte ai për t’u përpjekur për Kosovën dhe për ta pa sido që të jetë një rrugë, dmth një pikësynim: okej me ata do të mund të merremi vesh në fund. Unë e di që babi nuk ka pasur iluzione, sepse njeriu sido që të jetë, nga shkrimet, nga bisedat me njerëz me shokët e tij të ngusht unë e di që ai nuk ka pasur iluzione që Shqipëria në kushtet e atëhershme do të ishte e aftë që t’i ndihmonte Kosovës por vetë fakti që ekzistonte Shqipëria në afërsi, ishte e mjaftueshme që njerëzit të mobilizohen që të bëjnë diçka për lirinë e Kosovës.
VIJON…

……………………………………
Shikoni këtë pjesë të intervistës në YouTube:


……………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura