Delemont (Zvicër) 16. 10. 2014: (Vlerësime mbi filmin dokumentar “Mësuesja e dy ishujve, Vera Shkurti”) – E nisa qetësisht, pastaj me tepër vëmendje kam parë dokumentarin,“Mësuesja e dy ishujve Vera” të publicistit Abdurahim Ashiku (skenari) realizuar me mjeshtëri nga regjisori Arjan Melonashi. Në llojin e vet, filmi dokumentar hyn në krijimet që janë sa thesar kulture për njeriun- mësues dhe mjekim për shumë plagë kombëtare.
Në ndërtimin e tij jepet një panoramë e mërgatës së re shqiptare e ngritur në skajet më të largëta të Greqisë, në ishujt Tinos dhe Siros lidhur me detin Egje. Ndërkaq mësova se jetën e bashkatdhetarëve tanë në Greqi para se gjithash e karakterizojnë përpjekjet për të ruajtur identitetin dhe integritetin e vet kombëtar, kulturor dhe shpirtëror krahas integrimit në shoqërinë pritës. Dhe, në disa qytete mërgimtarët shqiptarë kanë hapur shkolla, në të cilat mësuesit vullnetarë, pa rroga, ua mësojnë fëmijëve shkrim – leximin në gjuhën shqipe.
Për fatin e shqiptarëve në mërgim sikur edhe më përpara askush nuk interesohet, sidomos për të organizuar bashkëpunimin arsimor, mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve! Shqiptarët në mërgim me doemos duhet ta ruajnë identitetin shqiptar, kulturën dhe gjuhën e vet! Kjo nuk është një reklamë “patriotike”e vjetruar, por për të ndërtuar identitetin dy kulturor e dy gjuhësor në të cilin edhe elementet e kulturës amtare shqipe edhe ato të vendit të ri kanë rëndësinë e duhur. Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë mjerisht, nuk ka arrit të hap edhe të vetmen një shkollë shqipe të mësimit plotësues, diku në Evropë, kështu duke e lejuar shprishjen e kombit shqiptar. Çka do të thotë kjo padrejtësi? Cili popull tjetër evropian ka sot kësi fati?
– Mësuesja e dy ishujve, Vera Shkurti –
Duke parë e përcjell filmin “Mësuesja e dy ishujve Vera” ndjen se ecën dhe nëpër kohën e romantizmit të kaluar i motrave të ndritshme Qirjazi që bënë aq shumë për shkollat e para të shqipes dikur. Me sa duket, shqiptarëve u duhet herë pas herë të përsërisin diçka nga e kaluara e tyre, pikërisht atë pjesë që të huajt apo rrethanat e krijuara prej tyre nuk e kanë lënë kurrë të piqet e plotë.
Kur them kështu mendoj sidomos te gjuha dhe shkolla shqipe të cilën fëmijët shqiptarë edhe pse larg atdheut nuk duhet ta harrojnë!
Pedagogia dhe patriotja Vera Shkurti, mësuesja vullnetare fenomenit të pikëlluar të asimilimit i thotë “JO”, qoftë dhe duke përballuar në mundin e djersën saj e të familjes halle të vazhdueshme. Në mërgim vështirësitë janë të kuptueshme, ajo flet qetë si me zë rilindësish: “Kjo duhet bërë, e dikush duhet ta bëjë”! Sikur në epokën e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare! Të kujton thënien e bukur të një dijetari vetëflijues për kombin e vet: “Po s’u dogja unë, po s’u dogje ti, kush do bëjë dritë”?!
Më shumë se “Vera….. ”, s’do të fliste asnjë titull për një dokumentar që sjell rrugëtimin e saj atdhetare dhe arsimor. “Mërgimtarët këtu punojnë të mbajnë familjen, d.m.th. kanë ikur nga halli e ndodhen në hall. Megjithatë mendjen nuk e ndajnë nga vendlindja, që ta ndihmojnë sa mundin atë”. Ajo gjykon se shërbimi më i mirë për ta është që t’u mëson gjuhën amtare fëmijëve të tyre për të ruajtur e përcjellë shqipen në breza. Në traditën shqiptare mësuesit i kanë prirë lëvizjes kombëtare e jo rastësisht ata janë martirë ndër të parët. Emrat dihen nga historia.
Vetë emërtimi “Mësuesja e dy ishujve, Vera” është një zë me shqetësime, për gjuhën tonë dhe kulturën shqiptare, për edukatën familjare, për lidhjen e saj me trashëgimin e të parëve, hap një etapë të re në fushën e arsimit dhe të kulturës shqiptare.
Mësuesja Vera e fillon punën me të njohurit me prindërit, t’i bind se gjuha amtare është e rëndësishme për fëmijët edhe në kushte larg atdheut. Në anën tjetër merr nismën për t’i parashtruar organeve arsimore greke kërkesën për mbajtjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollën greke. Për fat të mirë autoritetet greke kanë gatishmëri për mbështetje të gjuhës amtare të nxënëseve, u lejon falas klasën. Në ketë rast, ajo “luan” rolin e ambasadorit. Shteti amë, ka dhe s’ka ambasadë shqiptare në Greqi.
Kjo gjë ndihet më afër kur Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe e organizmave të tjerë ndërkombëtar, të ushtron marrëveshjen e bashkëpunimit për mes dy shteteve. Në bazë të misionit që ka, të përpiqet për integrimin e kulturës gjuhësore të nxënësve shqiptar në kulturën shumë kulturore evropiane. Kjo natyrisht edhe një realizim i të drejtave dhe zbatim i detyrave të përcaktuara në ligjet ndërkombëtare e të drejtave të fëmijës nënshkruese e secilës është edhe Republika e Shqipërisë.
Është e domosdoshme që në kuadër të Ambasadës shqiptare të caktohet një person që do të merrej me koordinimin e shkollave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Mësuesit të verifikohen dhe t’u lëshohen vendimet dhe të u rregullohet marrëdhënia e tyre e punës. Kështu duke njohur vetveten do të na njohin dhe të tjerët.
Natyrisht që vlera e filmit do t’i shtohej sikur të përmendeshin edhe emrat e mësueseve tjera që punojnë me përkushtim në Greqi. Do donim t’i shihnim këtu të gjithë: Valbona Hystina, Dashamirë Zaçe, Iris Hajdinaj mësues në Selanik, Flutra Tafilaku, Artemis dhe Marinela Duri, Alma Hani, Almira Gjini në Athinë e shumë të tjera.
Sipas mendimit tim filmi duhet të paraqitet në festivalin e përvitshëm DokuFest, dhe të gjendet mundësia që të përkthehet në anglisht.
– Autorja ëshët mësuese në Zvicër.