NEZIR PROKSHI: REFLEKSIONE FILOZOFIKE ME MESAZHE E SIMBOLIKË ETNI – ATDHE

Drena, 07. 11. 2015: Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit “ Ligjërime e përimtime”, botuar nga SHB “MESHARI” – (Bedri Tahiri:“ Ligjërime e përimtime – Kumtesa e recensione), Prishtinë, 2015) – Duke lexuar për së dyti librin “Ligjërime e përimtime” (Kumtesa e recensione) të prof. Bedri Tahirit më erdhi ndërmend fjala e urtë e latinëve të lashtë “Kur armët janë shëshit, muzeumet heshtin”, por kur lufta mbaron e fitores i vihet kurorë, ndodh krejt e kundërta, armët heshtin dhe muzetë kanë nevojë për ciceronë.
Shkrimtari e publicisti, autori i shumë librave e monografive më vlerë historiko-letrare, prof. Bedri Tahiri është një prej krijuesve të veçantë që edhe me ligjërime e përimtime dritëson e zbardhë qëndresën e popullit shqiptar nëpër shekuj e dekada.
Pas librave e studimeve monografike:“Azem Bejtë Galica”(1995),”Përmendorja që mungon”(1997), “Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare” (1998),“Adem Jashari- legjendë e legjendave” (1999), “Përjetësia” (2000), “Agu i lirisë” (2001),“Drenica- një shekull trimërie”(2002), “Hasan Prishtina-Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”(2008), “Abdyl Krasniqi- Frymëzues brezash” (2009), “Vesel Galica- atdhetar dhe mentar i shquar”(2010),“Në Grykë të Valbonës” (2011), “Atdhetarizmi jeton në përjetësi” (2013), “Ramadan Bajraktari…”(2012),“Jashar Jashari- Komandant DURAKU” (2015) etj., pastaj serisë e veprave kushtuar ekskluzivisht dëshmorëve të UÇK-së me titullin “Flakadanët e lirisë 1-4”, si dhe disa vepra me tregime, recensione, studime, reportazhe e udhëpërshkrime, autori i palodhshëm, Bedri Tahiri, së fundi lexuesve të tij të shumtë po ua dhuron edhe librin e tridhjetë e tretë “Ligjërime e përimtime”, i cili së shpejti do të pasohet edhe nga tre- katër libra të gatshëm për botim.

Prej vitesh e dekadash, lufta çlirimtare në Kosovë, por edhe më gjerë në gjeografinë shqiptare, është bërë një shqetësim parësor krijues i këtij shkrimtari të vyeshëm, por edhe studiuesi të zellshëm njëkohësisht. Autor i disa monografive e librave me personalitete të veçantë, me ngjarje e figura të luftëtarëve të lirisë, të rilindësve e diplomatëve, mbledhës e koleksionues i dëshmive të epopeve të UÇK-së, por edhe të periudhave të tjera të historisë sonë kombëtare, me zell, me pasion e me përgjegjësi ai po arrin të shpërfaqë me argumente përkushtuese epopetë që u zhvilluan në vendin e tij, por edhe më gjerë.
Ç’është karekteristikë tjetër në veprimtarinë shkrimore të prof. Bedri Tahirit?
Çdo brez që vjen në vallen e krijimtarisë historiko- letrare sjell ndjeshmërinë e vet, vetëdijen dhe psikologjinë botëkuptimore në raport me bashkëkohësit, me historinë dhe me traditën. Këto të gjitha mishërohen natyrshëm e bindshëm tek gjuha e pastër e shtjellimit dhe energjia e shkrimtarit, e ritmit që krijon specifikën e konstruktit origjinal të këtij shkrimtari. Bedri Tahiri është një vrojtues, një vizionar e një kronist i përpiktë, që ngjason me një shëmbëlltyrë estetiko- letrare, mbase edhe poetike, e etnisë shqiptare, ndërtuar mbi “Hartën e saj historike”, jo vetëm për të pohuar të vërtetën, por edhe për të kundërshtuar hartën politike të copëtimit të saj në bashkëkohësi.
Se treti mund të themi së libri “Ligjërime e përimtime” (Kumtesa e recensione) i autorit Bedri Tahiri është një ndërlidhje tematike e ngjarjeve, duke filluar me tema të shumta që tërheqin në vete një kombinim shumë të suksesshëm të disa zhanreve publicistike, letrare e eseistike, që bashkërisht japin një tablo të shkëlqyer të një historie shumë të përfolur, shumë të trajtuar, të situatave dhe ndryshimeve të proceseve politike dhe shoqërore, të periudhave të ndryshme në historinë tonë kombëtare, por edhe të periudhës së pas luftës në Kosovë. Do veçuar me këtë rast shkrimin “Shkëmbi i lirisë” (Kumtesë e lexuar në Akademinë kushtuar dëshmorëve të rënë në Betejën e Majdanit, mbajtur në Vushtrri, më 27 prill 2004), pastaj për Historinin që vetë u bë histori, për amanetin e brezave, fjalë rasti e fjalë përshëndetëse e përkujtimore. Nuk duhet lënë pa përmendur përshkrimet faktografike të krenarisë sonë kombëtare për Hasan Prishtinën, për Azem e Shotë Galicën, për Tahir Mehën, për Parinë e Drenicës, të pushkatuar në Vushtrri më 1912, për Arbërinë e Vogël, për Brigadën heroike te Shaban Polluzhës, për trungun familjar të Tahir Shaban Tahirit si dhe për veprimtarinë e disa poetëve dhe krijuesve tanë anekënd trojeve shqiptare.
Kritika historiografike, mbështetja dokumentare, publicistika shkencore, intervistat, njohja dhe prekja e ngjarjeve me njerëz të kohës dhe së fundi edhe vetë ngjyrimet letrare, janë format e shprehjes, nëpërmjet të së cilave autori Bedri Tahiri shpalos dhe pasqyron suksesshëm historinë e rezistencës luftarake e paqësore, historinë e shpërnguljeve, gjenocidit, vrasjeve dhe përndjekjeve serbe ndaj shqiptarëve që filluan shumë më herët së në gjysmën e dytë të shekullin nëntëmbëdhjetë. Kombinimi i këtyre elementeve shprehëse e bën këtë publikim të veçantë, duke ia imponuar lexuesit si vath në vesh kujtesën historike. Stili i përdorur në interpretimin e kumtesave, recensioneve, analizave, fjalëve përshëndetëse etj., në publikim dhe mbështetje dokumentare, e bëjnë të afërt dhe të besueshëm për lexuesin materialin e mbarështuar në këtë vepër.
Duke mos hyrë në një analizë më të thellë, lirisht mund të themi se libri ka edhe karakter edukativ, njohës e informativ: afirmimin dokumentar të këtyre ngjarjeve që janë shqyrtuar, dedikuar një rrethi të gjerë lexuesish që dëshirojnë të mësojnë për ngjarje e periudha të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Libri, madje mund të shërbej si pikënisje edhe për studime të tjera, të thella dhe të detajuara shkencore, për të gjithë ata që do të hulumtojnë dhe të shkruajnë për këto tema të veçanta historike kombëtare.
Si do që të jetë, libri ”Ligjërime e përimtime” mbetet një dëshmi e fortë se, një nder armët më të forta të autorit, padyshim është shprehja e drejtpërdrejtë, e hapur, intonacioni konkret e me një prirje aforistike, me frymë të qartë atdhetare, që vjen prej një natyre të ngjeshur e një përvoje të madhe në shkrimtarinë artistike. Edhe pse “uni” i këtyre shkrimeve shpreh identitetin e atdhedashurisë dhe një historiografi të pasur e të dokumentuar, në fakt, shkrimtaria e këtij krijuesi është edhe një “uni” lirik, në shumë vepra, si me rastin kur konstaton data e fakte për qenien tonë etnike kombëtare, ashtu edhe kur dekonstrukton kategorinë paksa të hipermitizuar Atdheut apo Historisë, që shndërrohet pashmangshëm në histori kolektive.
Për fund do shtuar edhe këtë së shkrimi publicistiko- fejtonistik e letrar i Bedri Tahirit është një shkrim me plot ritëm, i shëndetshëm, i parënduar me teprime figuracionesh e çaste banale dhe kanë komoditetin e ligjërimit spontan, të çastit dhe intim.

Drenas, më 14 tetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura