NGA MËRGIMI NË LUFTË PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS  

NGA MËRGIMI NË LUFTË PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS  

Nga Metush Zenuni, Pashtriku 05. 06. 2022

Në mars 1998 në Kosovë filloi lufta e armatosur në mes të popullit të Kosovës nën emblemën e UÇK-së dhe pushtetit terrorist Serb. Unë isha anëtar i organizatës revolucionare Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila kishte punuar shumë në themelimin e kësaj ushtrie çlirimtare dhe në financimin e saj, sidomos në zvicër dhe gjermani. Fillimi i marsit të vitit 1998, Kosovën e gjeti në gjendje shtetërrethimi dhe të një terrori të jashtëzakonshëm. Në fshatrat e Drenicës kishin filluar luftime sporadike. LPK, duke e parë se gjendja po acarohej çdo ditë e më shumë, lëshoi disa Komunikata, u mbajtën shumë mbledhje të Kryesisë dhe të KP të LPK-së, si dhe u lëshuan materiale për diskutim në të gjitha Këshillat e Rretheve në Kosovë dhe në Degën Jashtë Vendit (D.J.V), ku urdhëroheshin të gjithë anëtarët e LPK-UÇK-së, që të rrisin aktivitetin propagandistik dhe të dalin në teren për të kërkuar nga bashkatdhetarët mjete financiare të cilat tani ishin shumë të nevojshme për luftëtarët, ndërsa nga qytetarët brenda Kosovës, LPK kërkonte që të mbështesin me të gjitha mjetet luftëtarët e UÇK-së, t‘i strehojnë ata dhe tu ndihmojnë me ushqime, veshëmbathje dhe strehim, tani që lufta ishte në prag.

Pas luftës, qëndresës dhe rënies heroike të Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe 54 anëtarëve të familjes Jashari, Kosova u trondit edhe një herë. Strukturat pacifiste të LDK-së në Kosovë dhe jashtë vendit, mundoheshin të mbulonin qëndresën dhe luftën e Jasharajve, sepse pranimi i saj do të thoshte luftë për Kosovën, ndërsa pranimi i luftës në Kosovë, për LDK-në do të thoshte dështim i vijës pacifiste të tyre dhe pranim i opcionit të LPK-së, e cila me kohë kishte paralajmëruar se pa luftë nuk ka çlirim të Kosovës.

Gjenevë, mars 1998: demonstratë e mërgimtarëve tanë pas Epopesë së Prekazit (më 5 – 7 mars 1998)

Në anën tjetër ne që ishim në LPK dhe në shërbim të UÇK-së, me gjithë dhimbjen për rënien e Komandantit dhe të familjes së tij, nuk u stepëm, e as nuk u frikuam, por morëm masa të shpejta, organizuam demonstrata në Gjenevë, Bern dhe në Zurich, për t‘i njfotuar mërgimtarët dhe opinionin botërorë se në Kosovë kishte filluar lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ishte e çuditshme sjellja e misionarëve të LDK-së të cilët mundoheshin të na pengonin në çdo hap. Propagandonin nëpër mërgimtarë, por edhe tek familjarët tek të cilët për arsye financiare kishin shumë ndikim, që të mos përkrahet lufta duke premtuar se pas vrasjes së Adem Jasharit nuk do të ketë kush të bëjë rezistencë dhe luftë në Kosovë. Ata ende mundoheshin të përçonin dhe impononin politikën e tyre paqësore e qyqare të nënshtrimit, të clilën e udhëhiqte lideri i tyre mjeran në barrakën e Prishtinës, Ibrahim Rugova.

Me 07 mars 1998, pas përfundimit të demonstratës në Zurich, bashkë me gruan dhe fëmijët shkuam te dhëndrri im Agim Bajrami për të biseduar për hapat e mëtejmë pas situatës së krijuar, sepse ne kishim biseduar edhe më herët se do të nisemi bashkë për Kosovë në rastin e parë që do të paraqiten shkëndijat për fillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit serb. Agimi më njoftoi se sot Kryesia e LPK-së ka marrë vendim për dërgimin e disa veprimtarëve më të përgatitur për luftë që t‘i dërgojë në KOSOVË, në mesin e të cilëve ishte edhe ai.

Unë si në shaka, por edhe i shqetësuar i thash Agimit që fjalët kanë qenë që të kthehemi bashkë dhe duhet që edhe unë të shkoj patjetër me ta, por meqë ishim në strukturë të LPK – UÇK-së, vendimet nuk mund t‘i merrnim krye në vete pa lejen dhe vendimin e Kryesisë së LPK-së. Megjithate Agimi më premtoi se do të flas me shokët e LPK-UÇK-së dhe se së shpejti do të jesh edhe ti në Kosovë bashkë me ne në radhët e UÇK-së. Atë natë fjeta te Agimi në Zürich dhe herët në mëngjes u përshëndetëm me fjalët ,,së shpejti do të shihemi në Kosovë në radhët e UÇK-së“. Të them të drejtën isha krenar me Agimin dhe vendimin e tij për të shkuar në Kosovë, por u mërzita shumë, sepse kishim afër 10 vite që punonim bashkë, kishim kaluar nëpër shumë sprova dhe meqë ishte luftë nuk i dihej. Gjatë muajve, mars – prill 1998, u largova edhe nga puna, sepse më duhej tani më shumë kohë për të vazhduar aktivitetin në kuadër të LPK-UÇK-së, të Fondit të luftës,,Vendlindja Thërret,, në demonstrata në Zürich, Bern dhe Genevë dhe në propagandimin e luftës gjithkund në Zvicër, shpi më shpi me mërgimtar, në klube e sheshe, në tubime, gjithkund ku kishte shqiptarë, derisa të më vinte edhe mua urdhëri nga LPK-UÇK që të nisem për luftë.   

Edhe pse isha në marrëdhënie të punës, nga data 8 mars 1998 kam hyrë në pushim mjekësor dhe nuk kam punuar asnjë ditë, sepse isha i angazhuar çdo ditë deri në orët e vona të mbrëmjes në takime me bashkëatdhetarë, në biseda në shtëpitë e tyre që i vizitoja çdo kund ku kishte shqiptarë në ato anë. Meqë ishte terreni i madh dhe isha i vetëm veprimtar i LPK-UÇK-së në rajonin e Sense Bezirkut, më duhej të dalë herët në mëngjes dhe kthehesha pas orës 24.00, e nganjëherë nuk kthehesha me ditë të tëra në shtëpi. Shpesh isha i lodhur dhe i dërmuar nga takimet, nga debatet, kundërshtimet, fyerjet dhe pengesat që na i bënin në çdo hap pesimistët, spiujt, defetistët, injorantët, frikacakët, por edhe veprimtarë dhe përkrahës të LDK-së, me të cilët në raport me aktivistët ishim një me njëqind, por edhe mërgimtarë që nuk ishin të gatshëm as të jepnin asnjë cent për luftën në Kosovë, e lëre më të shkojnë për të luftuar, në Kosovën që ishte edhe atdheu i tyre, aty ku kishin lindur edhe ata, aty ku kishin familjet, prindërit, të afërmit, tokën e varret stërgjyshore.

Ky disponim dhe kjo urrejtje aq e madhe kundër UÇK-së dhe luftës çlirimtare, shpeh më zhgënjente pa masë, deri në depresion, sepse hetohej një kryeneqësi, dashakeqje dhe mosmirënjohje për gjakun që derdhej rrëke në vijat e frontit në Kosovë. Mërgimtarët shpeshëherë deklaroheshin kundër luftës dhe arsyetoheshin se janë me Rugovën dhe sipas tyre kur të jep kushtrimin Ibrahim Rugova ata do të shkonin në luftë, por në fakt këtë e kishin vetëm mbulesë për arsyetim, sepse e vërteta e tyre ishte frika dhe mungesa totale e dashurisë për atdheun e robëruar, mungesës dhe gatishmërisë për sakrificë qoftë edhe vetëm financiare. Arsyeja pse e thonin këtë, forma se si e thonin me përbuzje kundër luftëtarëve në vija fronti, shihej qartë se ata e dinin shumë mirë që po të mbetej që Rugova t‘i thërret për luftë do të shkojnë edhe qindra vjet, apo siç thotë populli verri do të bëjë dardha, prandaj ndiheshin më komod duke u rreshtuar në krah të LDK-së, por në fakt as me LDK-në nuk ishin.

Një pjesë e madhe e tyre nuk ishin me askend, ata ishin gjak i prishur i kombit shqiptar që për të shpëtuar kokën e tyre, apo për të kursyer paratë ishin në gjendje të mohonin kombin dhe gjakun e tyre. Megjithate, edhe pse shumë të paktë në numër, kishte edhe nga ata që e përkrahnin UÇK-në dhe jepnin mjete financiare tinëzisht, sepse ende nuk e kishin fituar bindjen se LPK-UÇK di të organizojë dhe të fitojë luftën çlirimtare, prandaj kishin frikë se po që se humbet lufta me Serbinë, ose nuk do të guxonin të kthehen fare në Kosovë, ose do të malltretoheshin nga policët serb. Pas luftës, duke e parë reagimin e tyre të turpshëm, kam bindjen se po ta dinin këta të mjerë se Kosova do të çlirohej, sëpaku nuk do të deklaroheshin hapur armiqësisht kundër LPK-UÇK-së dhe ndoshta sa për të zënë dora, edhe do të jepnin ndonjë qindarkë. Edhe pse isha ditë e natë në aktivitet politik dhe financiarë në shërbim të UÇK-së dhe në shërbim të luftës për liri, nuk isha fare i kënaqur dhe nuk e ndieja veten rehat me qëndrimin tim në Zvicër, por kam pritur çdo ditë të më vijë urdhëri nga shokët e LPK-së për të shkuar në luftë në Kosovë.

Prill – Maj 1998, përgatitja për luftë

Dhe dita erdhi. Pas qëndresës dhe rënies heroike të Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, gjithë bota mbarë e mori vesh se populli shqiptar  ka vendosur të luftojë për lirinë e tij, ndërsa pas luftës dhe qëndresës heroike të Haradinajve në Gllogjan, në Krye me Komandantin Ramush Haradinaj, lufta çlirimtare në Kosovë filloi të bëhet një realitet të cilës duhej dhënë krah e zjarr, për të shporrur armikun nga trojet tona.

Agim Bajrami dhe shumë shokë tjerë, të cilëve defetistët, frikacakët e spiujt e LDK-së u thonin spiuj të Ambasadës së Jugosllavisë, në mars-prill 1998, lanë gjithçka kishin në Zvicër dhe iu bashkuan UÇK-së, ndërsa dhjetra e qindra shokë tjerë përgatiteshin për të ikur sa më shpejtë. Më 15 prill 1998, më ka thirrur në telefon Emrush Xhemajli nga Kosova dhe më ka porositur që të takohem me Ali Ahmetin për të bërë përgatitjet për tu nisur për Kosovë. Arsyeja ishte se unë nuk kisha të rregulluar lejeqëndrimin në Zvicër dhe nuk kisha pasaportë të Jugosllavisë, prandaj edhe duhej bërë përgatitje për dokumente dhe udhëtim. Më 05 maj 1998, në Luzern jam takuar me Ali Ahmetin dhe jemi marrë vesh që pas rregullimit të dokumenteve të nisem për Kosovë.

Pas këtij takimi me shokun Ali Ahmeti, i cili ishte përgjegjës i sektorit të veçantë në LPK, kam filluar bisedat dhe kontaktet me mërgimtarë të cilët më herët ishin deklaruar se janë të gatshëm të nisen për në luftë. Në takime me ta i kam njoftuar se udhëtimi do të bëhet në fund të muajit maj i organizaur nga LPK-ja dhe se në Tiranë na pret Azem Syla – Daja, i cili ishte edhe Komandant i Shtabit te Përgjithshëm të UÇK-së. Përveç veprimtarëve të LPK-së, kam biseduar edhe me disa të rinjë e të afërt që të nisemi bashkë për Kosovë, sepse kishte kërkesa të shumta, por ishte vështirë të bije në lidhje me njerëz adekuat. Jam takuar disa herë me Ali Ahmetin dhe kemi vendosur që nisja e grupit të bëhet me 1 qershor 1998.

Sion, 1 qershor 1998: disa orë para nisjes për luftë nga Zvicra në Kosovë. Foto me familjen time, të kusheririt Reshat Salihaj dhe shokut Ukë Shala, nga Klina, i cili tashmë ishte në radhët e UÇK-së në Kosovë.

 Kthimi në Kosovë pas afër 7 vitesh, qershor 1998

Pas disa ditë përgatitje për të shkuar në Kosovë, më 1 qershorë 1998, jemi nisur nga Zvicra për në Kosovë, unë Metush Zenuni – Friburg dhe Sadik Halitjaha e Reshat Salihaj – Sion – Zvicër, që të tre veprimtarë të LPK-së. Nga Sioni kemi ardhur në Friburg ku jam përshëndetur me familjen time dhe në mbrëmje pasi kemi ngrënë darkë te vëllau Abdullah Zenuni, me veturë të kusheririt Ramiz Zenuni, kemi shkuar te banesa e Ali Ahmetit në Luzern, e ku i pranishëm ishte edhe Fazli Veliu. Pasi kemi ngrënë darkë, jemi nisur për kufirin Zvicër – Itali, ku rrugës duhej ta mirrnim me vete edhe Azem Bajramin, vëllaun e Komandantit Agim Bajrami, i cili poashtu dëshironte të vinte me ne në luftë. Për çudi dhe fatin e keq të Azemit, vetëm pasi kaluam pak kilometra, neve na ndaloi policia Zvicerane dhe meqë Azemi nuk kishte asnjë dokument me vete, policia e arrestoi dhe e mori me vete. Meqë nuk kishim asnjë mundësi për t’i ndihmuar, ne tjerët vazhduam rrugën dhe shkuam te banesa e shokut Islam Vishi, veprimtar i organizuar në LPK-UÇK, ku kemi bujtur një natë. Prej aty, nesër në mëngjes Ramizi është kthyer për Friburg, ndërsa ne u nisëm për Itali. Mua nuk më kishin rregulluar dokumentet siç u morëm vesh dhe kam kaluar kufirin Zvicër – Itali ilegalisht me ndihmën e Islam Vishit dhe gruas së tij.

Me këtë rast më duhet të potencojë se kontributi i familjes Vishi, e cila për shkak se banonte mu në kufi mes Italisë dhe Zvicrës, gjatë luftës kanë pasur një barrë të rëndë duke u bërë urë kaluese e luftëtarëve që shkonin e vinin nga lufta, e logjistikës dhe armatimit, por edhe e lidhjeve të tjera në shërbim të luftës. Në banesën e tyre nuk kalonte natë as ditë e të mos vinte ndonjë luftëtarë apo veprimtarë i LPK- UÇK-së dhe ata kujdeseshin për ushqimin e tyre, pastrimin, veshëmbathjen e mbi të gjitha, për kalimin ilegal në dy anët e kufirit. Abazi më tha se në ANCONË, në Itali janë shokët që ju presin dhe atje të pajisin me pasaportë. Më 2 qershor 1998, nga Como Ciaso, morëm trenin që çonte në Milano e prej andej dikund në ora 10.00 të mëngjesit u nisëm për Anconë.

Sapo shkuam në Anconë, dolëm në qytet dhe u futëm në disa restaurante aty afër portit duke shpresuar se do të takojmë ndonjë shok të organizuar edhe pse asnjë emër nuk na e kishin dhënë as Abazi e as Islam Vishi, vetëm se na kishin thënë që në port ju presin shokët.  Të kota ishin përpjekjet tona për të parë dikend nga LPK-ja dhe kjo pa përgjegjësi organizative më dëshproi shumë. Sadiku e Reshati i nxorën biletat për Durrës, ndërsa mua që nuk kisha pasaportë nuk më dhanë biletë. Nuk kisha zgjidhje tjetër pos të kthehem prapë në Zvicër, bile edhe të kthehesha ishte e vështirë, sepse edhe hyrja në Zvicër tani ishte problem. Megjithate inati dhe dëshira për të shkuar në luftë nuk më lanë të kthehem prapa. Shkuam prapë në një kafe aty afër dhe po e bisedojmë hallin tim. Ndërkohë për fatin tim, Sadik Halitjaha tha se në pasaportë e kishte vajzën e tij dhe po e provojmë të nxjerrim një biletë në emër të saj e ndoshta na lëshojnë. Shkuam te sporteli dhe e kam nxjerrë biletën në emër të vajzës së Sadik Halitjahës. Pasi e nxorëm biletën edhe pse me shumë peripeci arrita të futem në anije dhe jemi nisur po atë natë për Shqipëri. Në portin e Durrësit mbërritëm të nesërmen në ora 10.00. Edhe aty pata vështirësi, por meqë u thash se po shkoj për luftë më lëshuan. Në port na ka pritur eprori ushtarak i Shqipërisë me prejardhje nga Kosova Gjeneral Remzi Demaj, të cilin e njihte Sadiku. Atë natë kemi fjetur tek ai në Tiranë. Të nesërmen jemi takuar me Azem Sylën, me Bardhyl Mahmutin, me Shaip Mujën, me Shefit Xhaferin dhe me shumë shokë të LPK-së.

Në takimin e rastësishëm me Bardhyl Mahmutin, ai kërkoi nga unë dhe Reshati që të mos shkojmë në Kosovë, sepse atje ka aq shumë të interesuar për luftë, saqë nuk po jemi në gjendje tu japim armë, ndërsa punën tuaj në LPK, në Fondin ,,Vendlindja Thërret,, dhe në propagandimin e vijës politike e ushtarake të UÇK-së, nuk mund ta bëjë gjithkush. Megjithë këtë propozim dashamirës të Bardhylit, ne kishim ndarë mendjen që të shkojmë në Kosovë dhe nuk kishte njeri që do të mund të na ndalte. Pas futjes në Kosovë e në veçanti pas kthimit përsëri në Zvicër në shtator, u binda se sugjerimi i Bardhylit kishte qenë i drejtë. Poashtu atë ditë pasidte rastësisht jemi takuar në qytet me tre bashkëvendas nga Kaçaniku, Bajram Selmanin, Naser Kukën dhe Eset Malsiun. Nuk i kisha parë shumë vite dhe u gëzova shumë, e njëkohësisht mendova se edhe këta janë duke shkuar në Kosovë dhe ishte një mundësi e mirë që grupi ynë të bëhej më i fuqishëm. Eseti na njoftoi se ka qenë disa ditë në Kosovë, por meqë nuk ka pasur njohuri dhe lidhje me UÇK-në, edhe pse ishte takuar me Berat Luzhën, nuk ka mundur të marrë kontakt me Agimin dhe me njerëz të UÇK-së në Kaçanik.

Në mbrëmje vonë jemi takuar edhe një herë me Azem Sylën – Dajën, dhe jemi marrë vesh që të nisemi të nesërmen bashkë për Vlahnë në kufi me Kosovën. Pasi Daja – Azem Syla kishte pasur shumë ngarkesa është bërë një gabim siç ishim marrë vesh dhe nga Rësheni ne jemi kthyer përsëri në Tiranë. Në mbremje jemi takuar përsëri me Azem Sylën dhe jemi marrë vesh që të nesërmen të nisemi për Vlahnë. Bashkë me Azem Sylën, Milaim Zekën, Fahredin Gashin dhe Raif Gashin kemi shkuar deri në Vlahnë (ekziston edhe inqizimi me video, i cili është te emisioni i Milaim Zekës për Adem Jasharin). Atë natë nga Vlahna hynin në Kosovë një grup prej 60 ushtarësh dhe pasi jemi përshëndetur edhe me Dajën – Azem Syla dhe Raif Gashin, ne ju kemi bashkangjitur atij grupi. Natën mes datave 07 dhe 08 qershor 1998 ne jemi futur në Kosovë. Pasi kemi kaluar kufirin udhëheqësit që e dinin terrenin mirë, Haxhi Hoti – Lleshi, tani dëshmorë dhe Qenë Qenaj, poashtu tani deshmorë, na thanë se mund të ulemi të pushojmë pak, sepse kemi kaluar rrezikun nga forcat ushtarake serbe. Ishim të lodhur shumë dhe kishim shumë nevojë për një pushim të shkurtër.

Gjatë rrugëtimit shumica e ushtarëve që vinin nga Kosova ishin të pa pajisur me mjete përcjellëse dhe unë që kisha një matare me ujë për rrugë, duke shpresuar se do të gjejmë dikund ndonjë burim uji, ia dhashë shokëve që kishin etje derisa e hargjova dhe vetë mbeta pa asnjë pikë ujë në malet e Hasit të thatë. Sapo u ulëm për të pushuar, i them Sadik Halitjahës që të më japë pakëz ujë, sepse më janë tharë buzët nga udhëtimi dhe se uji im është hargjuar. Ai ma zgjati mataren me ujë, në të cilën kam pirë vetëm pak, sepse duhej ruajtur për udhëtimin në vazhdim. Pak më anash nesh ishte i ulur Haxhi Hoti, që atëherë nuk e njihja me emër, por e dija që është njëri nga udhëheqësit tanë dhe se e njihte mirë terenin e Hasit, pasi ishte nga ajo anë. Dikush iu afrua afër dhe i tha se kali që e kishim të ngarkuar me një top të kalibrit të vogël, është lodhur dhe nuk po e kalon rrugën. Haxhiu menjëherë brofi nga vendi dhe u nis në drejtim të kalit.

Nuk kanë shkuar as 5 minuta dhe është ndier një rafall automatiku, pastaj disa të shtëna në të dyja anët, pastaj disa raketa ndriquese e bënë natën ditë dhe filloi një luftë e tmerrshme. Ne ishim të gjithë të ulur duke pushuar, të lodhur dhe shumica nuk e njihnim terrenin. Në ato kushte ishte e pamundur të krijojë vija frontale të luftës, por edhe të gjuaje kot, nuk shihej asgjë dhe lehtë kemi mundur të vrisnim njëri-tjetrin. U krijua një pështjellim i madh, secili mundohej të mbrohej në formën e vetë, ndërsa gryka e gulinovit të tankut serb që na kishte hypur përmbi villte zjarr, degët e lisave të prerë nga plumbat dhe predhat serbe na binin mbi kokë, plumbat vinin nga të gjitha anët dhe as nuk i shihnim. Në atë gjendje e dij se për një çast deri sa po tërhiqeshim, kam mbetur i vetëm në malet e Pashtrikut, në malet e Hasit të thatë, ku kishte shumë gurë dhe bjeshkë të rrëpita. Ashtu i humbur në pyll, i vetëm dhe pa ditur se ka të shkojë, u nisa teposhtë bjeshkës ku nuk shihej asgjë, ndërsa larg, shiheshin dritat e rrafshit të Kosovës, si shenjë metaforike se ndonëse rruga e lirisë mund të jetë e largët, megjithate dritat që shiheshin në horizont, ishin shenjë se tani po i afroheshim fundit të tunelit të errët që simbolizonte robërinë dhe e nesërmja do të na gjente në mëngjesin e freskët të lirisë së kësaj pjese të Shqipërisë së robëruar nga sllavët.

Foto të marra nga inçizimi i Milaim Zekës, në dokumentarin e shfaqur në Rtk për Adem Jasharin dhe famijen e tij.
Në Pashtrik, në vijën kufitare Shqipëri – Kosovë, aty ku filloi marshimi ynë, në mbrëmjen e datës 07 qershor 1998.
Malet e Pashtrikut mbi fshatin Demjan të Gjakovës, vendi ku u zhvilluan luftimet mes UÇK-së dhe forcave serbe, në natën e datës 07/08 qershor 1998. Në luftime ra heroikisht, Komandanti Haxhi Hoti – Lleshi. (Foto Ramadan Hoti)

Pas pak ndëgjova një shushurimë dhe për nje çast ndala edhe frymëmarrjen për të nuhatur më mirë nëse ka njerëz aty afër. Ishte shumë e lehtë që në këtë situatë të shkojë drejtë e në gojë të armikut, prandaj mbaja kallashnikovin në gjendje gatishmërie për të gjuajtur nëse ndeshem me armikun, ndërsa një plumb e kisha futur në xhep të jelekut që nëse më hargjohen plumbat, plumbin e fundit ta ruaj për të vrarë veten, por jo kurrë për të rënë i gjallë në dorë të armikut. Pasi bëra disa metra vrap, duke shikuar me kujdes në të gjitha anët, pashë se para meje janë katër ushtar të UÇK-së, por nuk e dija se cilët janë. Më shumë isha i shqetësuar për kusheririn Reshatin dhe shokun Sadik Halitjaha me të cilët kishim ardhur nga Zvicra. Iu afrova këtij grupi afër dhe duke pëshpëritur e pyeta cili je, kur për çudi njeriu që e kisha për ballë më tha, jam Reshati dhe se bashkë me te është edhe njëri nga udhëheqësit e grupit Qenë Qenaj të cilët e dinin rrugën mirë. Ushtarë tjerë nuk shihja askund, sepse gjatë luftimeve, secili ishte shpërndarë në drejtime të ndryshme, në terrin e llahtarshëm të natës së Kosovës. Kjo pritë dhe ky luftim i pabesishëm kundër armikut në kufi, sikur na shkundi nga bota Europiane që e kishim jetuar me dekada, dhe ishte paralajmërim se nga sot e tutje, jetë dhe luftë, ishin një, sikur na tregonin se nga sot, jeta dhe vdekja ishin afër njëra tjetrës, por njëkohësisht nderi dhe krenaria se po luftonim për lirinë e atdheut, na bënte më të fortë dhe na e humbte frikën.

Isha i lodhur, ngase kishim ngarkesë të madhe në shpinë, i etur për ujë, por edhe i shqetësuar për atë që ndodhi. Udhëheqësit kishin vetëm nga një skorpion dhe ata pasi e dinin terrenin ishin më të përgatitur. Unë i lusja që të pushojmë pak, por ata thonin gjithnjë se jemi shumë afër cakut dhe atje do të pushojmë. Kështu bëmë disa orë rrugë derisa arritëm mbi fshatin Demjan.

Nga kodrat ndëgjohej një gurgullimë uji e një burimi që ishte afër. Duke vrapuar kemi shkuar të gjithë tek burimi dhe meqë ishim të etur për ujë, futëm kokën si në filmat me kauboj dhe pimë ujë më shumë se lejohej pa e menduar se pirja e tepërt e ujit në raste të tilla është e rrezikshme. Nga uji i tepërt fillova të humb forcën dhe nuk mundja të eci më tutje. Për fat shtëpia ku do të shkonim nuk ishte larg dhe me shumë mund arritëm deri te dyert e një shtëpie të rrethuar me mure të larta, që më vonë mora vesh se ishte shtëpia e Ibrahim Qarrit nga fshati Demjan i Gjakovës. Sapo hapëm dyert e oborrit u shtrimë me të shpejtë në oborr për të pushuar, sepse ishim shumë të lodhur. Pas pak doli Ibrahimi dhe na futi në shtëpinë e tij ku jetonte me familjen. Aty pushuam deri në mëngjes dhe afër ferkut të mëngjesit Ibrahimi na shtroi mëngjes për gjithë ushtarët dhe sadopak e morëm veten nga lodhja dhe beteja. Herë pas here vinin grupe shokësh siç kishin mundur të takoheshin në mal dhe çdo ardhje na gëzonte se edhe një shok çenka gjallë. I fundit atë ditë erdhi Faruk (Fahredin) Gashi nga Shtimja (i njohur pas luftës në rastin Bllaca dhe Syla), i cili kishte ardhur me ne nga Tirana me porosi të Azem Sylës, duke e prezentuar si shok i yni shumë i rëndësishëm(!). Faruki te shtëpia e Ibrahim Qarrit erdhi dikund dy tri orë me vonesë. Kjo na bëri përshtypje të gjithëve dhe kur e pyetëm se pse ishte vonuar aq shumë, ai tha “kur ka krisë lufta, unë kam dashur të fshihem pas një guri, dhe i kam mshu gurit me krye dhe më ka rënë të fikët (nuk kishe asnjë plagë)!

Pasi ka zbardhur dita vazhdoi Faruki, jam zgjuar nga kllapa dhe e kam parë se jamë vetëm. U zgjova ngadalë nga dhimbja dhe u nisa teposhtë malit pa e ditur se ku më çon rruga, meqë nuk e njihja terrenin. Pasi eca pak metra, si në mjegull më vinte një njeri me uniformë dhe unë mendoja se është ndonjë shok i yni, por kur u afruam afër dhe unë e pyeta ku janë shokët, ai ma ktheu në serbisht «ne znam nishta» dhe iku përpjetë malit, e unë ika teposhtë pa i thënë asnjë fjalë (çudi!).

Kur jemi nisur nga Vlahna, Faruku me vete e kishte një armë SCORPION, që mund t’i shërbente sëpaku për vetëmbrojtje, ndërsa ,,ushtari serb“ sado që mund të ketë qenë i hutuar nga lufta, ai sëpaku do ta këtë pasur një revole me vete! Ky arsyetim i Fahredinit dukej i dyshimtë, por meqë nga Tirana na e kishte dhënë Komandanti Azem Syla, nuk më lejonte të futem në dyshime më të thella, por as nuk më lente të qetë si rast i çuditshëm! Këtë dilemë e kam shoshitur nëpër kokë që nga qershori 1998 e deri në vitin 2010, kur filloi rasti Bllaca, Syla e bashkë me te ishte edhe Faruk (Fahredin) Gashi, dhe kjo më riktheu në qershor 1998, te ky rast i Faruk Fahredin Gashit të Shtimes.

Meqë ishim nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe nuk e njihnim njëri – tjetrin, u morëm vesh të shikojmë se sa ushtarë mungojnë. Nga shokët e Hasit morëm vesh se në luftime është vrarë njëri nga udhëheqësit, Haxhi Hoti – Komandant LLESHI, nga Rugova e Hasit të Gjakovës, dhe se kufoma e tij nuk ka mundur të tërhiqet. Dhimbja për te ishte e madhe, por ishim në kohë lufte dhe këto gjëra dihej se mund të ndodhnin. Lajmin për rënien në pritë e kishte kumtuar tek shokët e LPK-së në Tiranë dhe në Zvicër, Azem Syla, i cili e kishte ditur mirë që në atë grup ishim edhe tre veprimtar të LPK-së, Sadik Halitjaha, Reshat Salihaj dhe Metush Zenuni. Gojë më gojë, lajmi kishte shkuar edhe tek shokët e Këshillit të Rrethit të LPK-së në Friburg, por familja ime nuk dinte asgjë dhe nuk kisha mundësi të flisja në telefon me ta. Të nesërmen në banesën time në Friburg, kishin shkuar shokët e LPK-së Tafil Morina dhe Zekrija Rama me gratë e tyre, për të parë nëse gruaja ime di diçka për fatin tim. Ajo u kishte thënë atyre se dje kam folur me te në telefon dhe se më ka thënë se po nisem drejt kufirit, ndërsa sot nuk kam asnjë informatë për te. Ishte përhapur lajmi në Zvicër se unë dhe Reshati ishim vrarë gjatë luftimeve në kufi. Në mëngjesin e 08 qershorit pasi kemi arritur në Demjan afër Gjakovës dhe jemi vendosur në shtëpinë e Ibrahim Qarrit erdhën njësiti nga Rahoveci dhe me kamion kemi udhëtuar nga Demjani, nëpër magjistralen Gjakovë – Prizren, nëpër Xërxë dhe kemi shkuar deri në fshatin Krushë e Madhe, në shtëpinë e Ukë Gashit, kemi pushuar afër një orë, kemi pi të gjithë nga një gotë dhalltë (ajrani thuhet dikund), dhe prapë kemi marrë rrugë e kemi arritur në fshatin Drenovc të Zatriqit, në shtëpinë e Avdi Gashit ku ishte shtabi i UÇK-së për rajonin e Rahovecit. Me të hyrë në Drenovc, ne dy anët e hyrjes së fshatit shiheshin ushtarë të rinj, me uniformë dhe emblema të UÇK-së.

Takimi i parë me ushtarë të armatosur e me uniformë të UÇK-së brenda Kosovës, përmua ishte tejet emocionues dhe krenare njëkohësisht. Sa e sa herë e kisha ëndërruar një pamje të tillë kur isha në Zvicër, sa e sa herë e kisha ëndërruar momentin kur edhe unë do të bashkohesha me ta dhe bashkë do të luftonim për liri, ndërsa tani unë isha aty, dhe realiteti më zhveshte plotësisht atë që kisha ëndërruar. Folëm me ta dhe u përqafuam vllazërisht, thuaja se ishim rritur bashkë, ndërsa gëzimi nuk shkruhej dot, në fletoren time që ishte dëmtuar nga rruga e gjatë dhe e mundimshme. Aty, në odën tradicionale të bacës Avdi Gashit, një burrë i hajthëm e shumë atdhetarë, na ka pritur Mensur Zymberi, Komandant 500-shi, por të pranishëm ishin edhe shokët tanë të LPK-UÇK-së: Kadri Veseli – LULI, Halil Çadraku – Fatosi dhe Selim Gashi me të cilët njiheshim mirë, nga aktiviteti në LPK – UÇK në Zvicër.

Një pjesë të armatimit na e kanë ndalur aty, ndërsa ne meqë ishim të lodhur dhe të lënduar rëndë nga luftimet në kufi, kemi qëndruar në këtë fshat nga data 08 – 15 qershor 1998, në shtëpinë e Avdi Gashit. Pas një jave, pasi e morëm veten mirë dhe i shëruam plagët, jemi nisur me përcjellje, unë Metush Zenuni, Sadik Halitjaha, Reshat Salihaj dhe Faruk Gashi për Kleçkë. Në shtëpinë e Hafir Shalës ku ishte selia e SH.P të UÇK-së në Kleçkë, kemi takuar shokët e veprimtarisë në LPK, Fatmir Limajn, Ismet Jasharin, Haxhi Shalën, Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Lahi Brahimajn dhe Shukri Bujën, të cilët tani kishin marrë mbi supet e tyre përgjegjësi të mëdha për udhëheqjen dhe organizimin e luftës në Llapushë, Pashtrik dhe Zonën e Neredimës. Aty kemi qëndruar poashtu një javë, nga data 15 – 22 qershor 1998. Gjatë qëndrimit në Kleçkë në familjen e Hafir Shalës ku ishte selia e asaj që atëherë njihej si selia e SHP të UÇK-së kemi takuar shumë figura të rëndësishme të luftës, një pjesë bashkëveprimtarë të LPK-së, pastaj ekipin e TVSH-së, Nuhi Bytyqin dhe Abaz Zeka. Poashtu në këtë kohë në Kleçkë ishin edhe shumë diplomat dhe përfaqësues të zyrave ndërkombëtare në Prishtinë, si Kristofell Hill, gazetarë të mediave botërore që vinin për të kontaktuar Jakup Krasniqin.

Kleçka, vendi ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së

Gjatë kohës sa kemi qëndruar këtu kemi bërë roje para selisë së Shtabit të Përgjithshëm, por edhe kemi marrë pjesë në luftime frontale në Lluzhnicë, ku është plagosur një ushtar i UÇK-së, Mufail quhej, por mbiemri nuk më kujtohet. Në Kleçkë kemi arritur ta përjetojmë frymën e luftës dhe organizimin e mirëfilltë të UÇK-së, institucionet e saja, pastaj delegacionet e ndryshme etj. Në atë kohë, qershor 1998, Kleçka ishte bërë Kryeqyteti i Kosovës, ngase krismët e armëve të ushtarëve të UÇK-së, e kishin mundur zhurmën e konfenecave të shtypit, që mbante çdo të premte, i dehuri i Prishtinës Ibrahim Rugova. Në Kleçkë vinin çdo ditë gazetarë vendorë e të huaj, vinin diplomat e agjent nga të gjitha shtetet, por vinin edhe shumë të rinjë e të reja, të cilët ishin lodhur nga politika e durimit dhe mosbërjes të njeriut me shall në barakaland. Aq i madh ishte interesimi për kyçje në UÇK, saqë ne nuk kishim as armatim e as vend për t’i strehuar ata. Të shumtë ishin studentë e studente nga Universiteti i Prishtinës, nxënës nga Prizreni, Suhareka, Shtimja e Malisheva, por kishte edhe shumë të rinjë e të reja nga Kumanova e Ismet Jasharit dhe nga trojet tona në Maqedoni.

Pas disa ditësh të qëndrimit në Shtabin e Kleçkës, bashkë me Fatmir Limajn kemi vizituar bazat e UÇK-së në Llapushnik, pastaj kemi shkuar në Negrovc, te shtëpia e Jakup Krasniqit, ku kemi qëndruar tri ditë aty. Pas tri ditesh jemi nisur për Malishevë, e cila në këtë kohë ishte qytet i çliruar nga UÇK-ja. Gjatë rrugës, te vendi ku ndahet rruga e Pejës dhe shkon për Malishevë, jemi takuar me Abedin Rexhën Sandokanin dhe Bedri Shalën dhe shumë luftëtarë tjerë, me të cilët kemi biseduar për situatën e krijuar në ato ditë të luftimeve thuaja të njëpasnjëshme. Nga aty kemi shkuar te spitali dhe burgu ushtarak në Llapushnik në shtëpinë e Bajram Gashit, ish-polic i Kosovës. Aty kemi takuar shumë ushtarë, njëri nga ata, që më bëri shumë përshtypje ishte Ymer Alushani, i cili e kishte pseudonimin Vogëlushi, tani dëshmorë i kombit. Atij i kishin ngjitur nofkën vogëlush, por kur doli nga vetura e tij Opel Omega e gjelbërt, u ndeshëm me një burrë me një fizik të jashtëzakonshëm dhe ky kontrast mes pseudonimit dhe fizikut real, nxiti të qeshura dhe një debat që kurrë nuk e harroj. Pasi pimë nga një kafe ne u nisëm me xhipin e Fatmirit për në Pagarushë e dolëm në fshatin Dobërdolan të Suharekës, aty ku udha jonë me bashkëudhëtarin nga Zvicra Sadik Halitjahën ndahej, për të vazhduar pastaj ai aktivitetin ushtarak e luftarak në shtabin e UÇK-së në Dobërdolan të Suharekës, ku na kanë pritur Hysen Gega dhe Ilaz Kadolli me njësitin e tyre. Sadiku u ndalë aty, ndërsa unë Metush Zenuni, Reshat Salihaj, Fatmir Limaj, dhe shoferi i tij Nexhi (Nexhmi Krasniqi, tani komandant i policisë në rajonin e Prizrenit) jemi kthyer për Bajë, e nga aty kemi shkuar vonë në mbrëmje në Kleçkë.

Pas një javë qëndrimi në Kleçkë, Llapushnik e Lluzhnicë, duke përjetuar Malishevën e lirë, ku në ditë tregu shihje popullin duke blerë e shitur, shihje pleq e të rinjë në korzo të qytetit të Llapushës, e bashkë me ta si një kolorit i bukur e plotë krenari, shihje kudo ushtarë lirie me uniformë të UÇK-së, pas një jave luftime ku për herë të parë shihje dy taborre kundërshtarësh në vija fronti dhe era e barotit që vinte bashkë me gjelbërimin e pranverës dhe gjakut të derdhur për liri, ne duhej të vazhdonim misionin tonë drejt pjesëve të okupuara, aty ku nuk kishte territore të çliruara, aty ku jeta me vdekjen takoheshin çdo çast e çdo kund. Ne që nga nisja prej Zvicre, meqë ishim nga Kaçaniku, kishim marrë letër me shkrim nga Ali Ahmeti, që e porosiste Komandantin Azem Syla që unë dhe Reshati duhet të shkojmë atje për ti ndihmuar Komandantit Agim Bajramit – ZEFI, i cili kishte afër tre muaj që po vepronte në formimin e njësiteve të UÇK-së në Kaçanik. Megjithate shokët tanë të veprimtarisë dhe luftës, Fatmir Limaj – Komandant Çeliku, Ismet Jashari – Kumanova, Haxhi Shala – Topi, Jakup Krasniqi e Sami Lushtaku kërkonin nga ne që të mos udhëtojmë për Kaçanik, por të rrijmë në Zonën e Drenicës, megjithate pavarësisht dëshirës, urdhërat ishin urdhëra dhe ne duhej t‘i zbatonim ato. Të nesërmen në orët e pasditës të datës 23 qershor 1998, me shoferin Naser Shala – Lluci, jemi nisur me veturë nga Kleçka, kemi zbritur rrugës thikë teposhtë nëpër një grykë dhe kemi mbërritur në shtabin lokat të UÇK-së, në shtëpinë e Ahmet Qeriqit në fshatin Krojmir. Aty në një odë burrash të fshatit jemi takuar me vëllezërit Ramë dhe Shukri Buja.

Me Shukriun kishim vepruar disa vite bashkë në organizimin e LPK-UÇK-së në Zvicër, ndërsa Ramën edhe pse e kisha njohur në bazë të shkrimeve dhe të tregimeve nga shokët ishte hera e parë që po e takoja edhe fizikisht, i habitur sepse ai ende ishte në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, parti kjo e cila ishte kundër luftës clirimtare dhe kundër UÇK-së. Sapo u ulëm, biseda vazhdoi menjëherë me Ramën dhe rrëfimet e tij për gjendjen në Prishtinë, sepse siç tha ia, po atë ditë sapo kishte lënë Prishtinën, kishte lënë jetën e politikës paqësore të LDK-së dhe kishte ardhur në mal për të luftuar me armë në dorë kundër pushtuesit serb. Kuptohet ne si veprimtarë të LPK-UÇK-së, nuk e lam edhe pa e ngacmuar për qëndrimin e tij të deri sotshëm në LDK, e njëkohësisht duke i shprehur mirëseardhje në botën e malit dhe të luftës për liri.

Kjo gjendje nuk ka zgjatur shumë, ndoshta jo më shumë se dhjetë minuta, dhe sapo kemi pirë kafe, një lajmëtar hyri në derë dhe i emocionuar njoftoi se forcat serbe po futen në Caralevë në drejtim të Preteshticës dhe menjeherë  duhet të dalim në front. Të gjithë aty sa ishim, menjëherë i ngjeshëm armët dhe nën komandën e Shukri Bujës, kush me furgon e kush me veturë, u nisëm furishëm drejtë Grykës së Caralevës, aty ku thuhej se forcat serbe po vinin në drejtim të Drenicës. Deri sa po shkonim drejt frontit, një ndjenjë e çuditshme gëzimi e krenarie më rrëmbente gjithë trupin tim, ndjenjë kjo, e cila nuk shkruhet e as nuk thuhet me gojë, ajo vetëm përjetohet me afshin e atdhedashurisë, krenarisë dhe guximit, por edhe me një dozë frike të çuditshme kur e mendon se jeta dhe vdekja luftonin ballë për ballë.

Edhe sot nuk më kujtohen të gjithë ushtarët e lirisë që dolëm atë ditë në front, por me sa më kujtohet atë ditë ishin në front këta luftëtarë: Shukri Buja -Komandant, Ramë Buja, Jetë Hasani – tani dëshmor, Luan Qeriqi, Milaim Beha – tani dëshmor, Metush Zenuni, Reshat Salihaj, Ramadan Behluli, Jeton Fazliu, Elmi Korpuzi, Lenini, Flokshi, Mullingjia, Kushtrimi I, baci Metë, Isak Musliu – Çerçizi, Naim Ismajli, e shumë ushtarë tjerë që tani nuk më kujtohen emrat e tyre dhe u kërkoj falje. Aty te vendi ku tash është një pompë e benzinës, Komandanti Shukri Buja i ndau në treshe ushtarët dhe secilin grup e urdhëroi të marrë një pozitë të caktuar me mundësi të kontaktit me grupin tjetër.

Të gjithë ishim afër 20 ushtarë të armatosur dobët, ndërsa në anën tjetër ishin siç e mësuam më vonë qindra ushtarë serb me tanke, autoblinda e mjete më të sofistikuara të armatimit. Ne ishim të pozicionuar në kodrën në anën e djathë, serbët ishin në mes në kolonë në magjistralen nga Shtimja deri në Caralevë, ndërsa në anën e majtë në pjesën e Graiqevcit, Llanishtit e Petrovës, ishte njësiti i Komandant Gurit, i vogël në njerëz, por i armatosur mirë me pushkë snajperike. Shukri Buja na mori mua dhe Reshatin dhe bashkë u afruam mjaft afër rrugës magjistrale, duke qenë të mbrojtur nga disa shtëpi të braktisura. Aty filloi lufta e rreptë mes nesh, dhe edhe pse ishim qindra herë më pak se ata, pas disa orë luftimesh, ne arritëm t‘i zbrapsim ata, madje pa pasur asnjë të vrarë e të plagosur, e në anën serbe me dhjetra të vrarë e të plagosur, me shumë mjete motorike të dëmtuara nga granatat e Jetë Hasanit e Milaim Behës dhe ushtarëve tjerë. Duke rënë terri i mbrëmjes në atë ditë të bukur qershori që u mbulua me tymin e pushkëve të lirisë, forcat armike ikën të tmerruar nga fusha e luftës, duke lënë gjurmë gjaku sllav në tokën tonë arbërore. Atë natë të mbuluar me flladin verorë, jemi kthyer triumfues arave të Zborcit e Pretershitcës duke takuar shumë fshatarë që po vinin nga arat e nga punët e bujqësisë, të cilët na përqafonin plot dashuri, sepse tek ne ata shihnin shpresën dhe krenarinë, duke thënë se edhe ne u bëmë me ushtri dhe nuk ka forcë që na ndanë në rrugën drejt çlirimit të atdheut. Sapo kaluam shkollën dhe u nisëm grykës së fshatit Preteshticë, një djal i ri na doli në rrugë dhe na luti që të gjithë ushtarët të shkonim për darkë në shtëpinë e tyre.

Ashtu siç ishim të lodhur, të uritur e me erë pluhuri dhe baroti, asnjëri nuk e kundërshtoi ftesën dhe u nisëm pas tij drejt dhomës së ditës ku disa sofra me shumë ushqime po na prisnin të shtruara, me gra e vajza që na respektonin si heronjë të ditës. Sapo hëngrëm darkë, Lajmet e televizioneve shqiptare por dhe CNN e EURO NEWS, jepnin pamje nga luftimet tona që i kishim bërë gjatë ditës me forcat serbe, duke vënë në pah qëndresën e UÇK-së dhe humbjet e mëdha që kishin pasur forcat armike serbe.

Të nesërmen Komandanti Shukri Buja më ka caktuar Komandant të Skuadrës në pikën e vrojtimit në anën e majtë të rrugës në Caralevë. Nën komandë i kisha ushtarët: Reshat Salihajn, Jeton Fazliun, Elmi Korpuzin që i thonim Japani, një tjetër Kinezi, një që kishte pseudonimin LENINI dhe disa tjerë që emrat tanimë nuk më kujtohen. Edhe aty kemi qëndruar afër një javë dhe bashkë me Gjonin, Hysni Guta dhe Haxhiun, Qamil Xhemajli, me një traktor të kaltërt RAKOVICA, kaluam magjistralen e GRYKËS SË CARALEVËS, u ngjitëm kodrës përpjetë, dolëm në Petrovë, dhe vonë në mbrëmje arritëm në Mollopolc, e cila ishte tani përgjegjësi e Zonës Operative të Nerodimës.  Në Mollopolc jatak i luftëtarëve të Lirisë i zonës së Nerodimes ishte plaku trim e atdhetar Ahmet Mujota dhe shoqja e tij e jetës, Fahrije Buja e familjes atdhetar Buja të Lipjanit. Ai na priti me bujarinë e një malësori atdhetar, i regjur me dallgët e jetës dhe të luftës për liri. Gjatë gjithë natës bëmë shumë muhabet për ngjarjet në Shtime dhe luftën çlirimtare. Pos çiftit Ahmet e Fahrije Mujota të cilët kujdeseshin për ne si për fëmijët e tyre, përshtypje të madhe më bënin djemt e tyre Reshati dhe Nexhati, të moshës 14-15 vjeçare, të cilët si të rinjë tregonin për jetën e tyre rinore në kushte të luftës, për ngacmimet e të rinjëve serb dhe dëshirën e tyre të madhe për të mësuar gjithçka për UÇK-në, pjesë e të cilës ishin bërë edhe ata, veçanërisht pas ardhjes së Shukri Bujës dhe Agim Bajramit.

Pas një nate me pak gjumë, për shkak se tani ishim në zonë të pa sigurt, edhe dita e nesërme kaloi duke biseduar për fushën, për mërgimin dhe për luftën. Bacës Ahmet i kishte bërë përshtypje të madhe Agimi dhe fliste për te me një respekt e krenari të jashtëzakonshme. Ai tregonte natën me borë e acar të 24 marsit 1998, kur me traktor e kishte dërguar Agimin deri në fshatin Duraj në konakun e AVDYL DURËS, dhe dhimbjen që kishte pasur pas ndarjes me te.

© Pashtriku.org, qershor 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura