HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (2)

PARATHËNIE

Në qershorin e ’99-s, Serbia, në saje të ndërhyrjes së NATO-s, e ngriti flamurin e bardhë. Edhe “nëna” e saj heshti, meqë ende s’e kishte marrë veten nga “tërmeti”, që e përjetoi në fillim të dekadës. Por, sikundër dihet, gjatë atyre 78 ditëve, sa zgjatën bombardimet e Aleancës Veri-Atlantike, Serbia, si gjithmonë barbare, masakroi pleq, gra e fëmijë, dogji katunde e qytete anë e kënd Kosovës, duke e dëbuar gati krejt popullsinë nga trojet e veta stërgjyshore. Pra, krimet e saj ishin të përmasave të një gjenocidi. E Shqipëria, me gjithë baticat e zbaticat e turpshme, që i përjetoi gjatë rrugës nëpër urën e tranzicionit e që mezi i shpëtoi rrënimit, e mbështeti luftën e Kosovës dhe i strehoi vëllezër e motra të dëbuar nga trojet e veta, ndërsa atdhetarët largpamës, që e përjetonin tragjedinë e gjysmës së kombit, i dhanë përgjigjen e duhur: shumë bija dhe bij, edhe vullnetarisht iu bashkuan UÇK-së. Nuk e thashë kot, atdhetarë, dhe qysh e dimë nga historia, të tillë nuk kanë munguar asnjëherë në këto troje, por shteti shqiptar?! Ashtu siç ne e dimë, ndoshta është e mjaftueshme, por shpresoj se do të dalin edhe fakte të tjera, se ai, pra shteti shqiptar ishte përgatitur që kur të vijë koha e momenti t’i përgjigjej flakë për flakë situatës dhe t’u dalë në krah vëllezërve kosovarë, siç i pat quajtur dikur Enver Hoxha. Dekada e fundit e shekullit të kaluar do të mbetet si një nga njollat e pashlyeshme të historisë. Në emër të tranzicionit u sulmua shteti deri në bërthamën e tij. Një nga shtresat më kryesore, ishte rinia, e cila iu la fatit të anarkisë dhe të degjenerimit; të gjitha degët e ekonomisë u shkatërruan në emër të antidiktaturës. Natyrisht, këtu nuk kishin dorë vetëm shqiptarët e paditur e torollakë, që erdhën në krye të shtetit, por mendoj se rol të veçantë luanin agjenturat e huaja, të cilat kishin qëllimin e shkatërrimit të këtij shteti; për këtë ditë ato kishin punuar një gjysmë shekulli. Ata, më në fund, luanin edhe me armën “përçaj e sundo”. Madje duke e sulmuar edhe gjuhën letrare, një nga të arriturat më të mëdha për të bashkuar kombin, kontribut i më shumë se një shekulli i atdhetarëve më të devotshëm të këtij populli. Ne njohim kontributin e shtetit shqiptar dhe i jemi mirënjohës për atë çka ka bërë, duke filluar nga përgatitja e kuadrove luftëtarë, ku nga aty dolën komandantë si Adem Jashari e Zahir Pajaziti e deri të futja në front, në mënyrë vullnetare apo të organizuar si Tahir Sinani  me shokë, por edhe përkrahja e jashtëzakonshme e gjeneral Kudusi Lames  në Kukës e gjithandej vijës kufitare, deri, më në fund, siç e thamë edhe më sipër, pritjes së të dëbuarve nga dhuna e gjenocidi serb, me një bujari të jashtëzakonshme. Por, a ishte kjo e mjaftueshme? Jo! Edhe në planin e diplomacisë e edhe në fushën e betejës, Shqipëria do të duhej të bënte më shumë, sepse ishte e përgatitur dhe dihej mirëfilli se do të vijë kjo ditë… Prandaj, historia do t’i ndëshkojë ata që kontribuuan për dobësimin e shtetit, edhe pse shteti në atë moment ishte anemik dhe s’mund t’i përgjigjej situatës për të cilën fliste dikur njëshi i Shqipërisë. Këtu, mendoj, përveç ndonjë të mete tjetër të faktorit kosovar, e kanë burimin një sërë çështjesh të pazgjidhura akoma midis shqiptarëve dhe serbëve.

Me Begzat Gashin, një nga organizatorët e demonstratës së studentëve më 25 mars të vitit 1981 në Prizren, në fund të qershorit të vitit 1999 shkuam në Kosovë për të marrë pjesë (në cilësi delegatësh) në Mbledhjen e Përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila, brenda vendit, për shkak të rrethanave që dihen, nuk ishte mbajtur vite me radhë. Me Begzadin isha njohur në korrikun e vitit 1994 në Gjermani. Korriku i këtij viti ishte muaji, që do t’u printe viteve, por edhe vazhdimësisë së veprimtarisë sime në rrethana të reja, të cilën veprimtari e patëm filluar me Ismail Haradinajn në Kosovë, në pranverën e vitit 1980. Gjatë asaj vere, në banesën e Begzadit e njoha Fehmi Lladrovcin e për të dytën herë e takova në shtëpinë e mërgimtarit atdhetar Sadik Zeneli, në qytetin e Helbronit. E di se nuk është modeste, por nuk mund të mos e them se ai atdhedashës më ndoqi deri në ditët e fundit të jetës së tij. Po shtoj këtu që në shtëpinë e tij kishte sjellë veprimtarë për të më takuar, të njohur e të panjohur, ndër të cilët po veçoj Ibrahim Kelmendin, nxënësin tim të dikurshëm, Salih Çekajn, pastaj edhe Xhavit Hoxhën e Jashar Salihun…

Nga e majta: Xhavit Hoxha, Hasan Ukëhaxhaj, Ramiz Kukleci dhe Jashar Salihu (1998)

Pas punës së përbashkët katërvjeçare me Fehmi Lladrovcin, pa e ditur se nuk do të shihemi më, në shkurtin e vitit 1998 u ndamë në Bruksel, pas përfundimit të Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së – Dega Jashtë Vendit… Po atë vit, në muajin shtator, djali i vëllait tim, Isufi, më lajmëroi se në ç’ditë do të arrinte në Tiranë… Përveç të tjerëve, takuam edhe Ali Ahmetin me Ramiz Lladrovcin. Në Kosovë zhvilloheshin beteja të njëpasnjëshme, prandaj ditën kur kthehesha për në Gjermani, Ramizi më tha se nuk po mund të komunikoj me askënd në Kosovë. Në Gjermani, lajmin e hidhur ma dha djali im, Shkëlzeni, të cilit, ia kishte përcjellë njëri nga anëtarët e Kryesisë së LPK-së. Dhembja ishte shumë e madhe, krenaria gjithashtu. Mbledhja komemorative: salla nga më të mëdhatë në Munih, megjithatë, nuk i zuri të gjithë. Nga të pranishmit ishte edhe Ramadan Shala, të cilin e njoha nga afër kur shkuam për ngushëllime në Sallagrazhdë, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Fadil Vata. Kundërshtimi im, i mbështetur në disa arsye, që të mos flas në mbledhjen komemorative, nuk “piu ujë” në Kryesinë e LPK-së.  Qeshë i detyruar ta shkruaj dhe ta lexoj fjalën për heroin Fehmi Lladrovci. Më duhet të them se atë e rezymova, sepse veprimtaria e tij patriotike nuk mund të pasqyrohej në përmasat e saj me disa rreshta.

Fjalën time e fillova me këto radhë:

“I dashuri dhe i paharrueshmi Fehmi Lladrovci! U frymëzove nga mësuesi yt hero Fazli Grejçevci; mbase u betove në vetvete se do ta vazhdosh rrugën e tij. E kapërceve mësuesin dhe kjo është krejtësisht e kuptueshme. Çdo mësues atdhetar krenohet me nxënësit që e tejkalojnë… Fehmi, ti u linde e u rrite në Kosovë e ti e dhe jetën heroikisht për lirinë e saj. Ajo do t’i thyej prangat e pushtuesit e ti e të tjerët, të cilët prehen e do të prehen në gjirin e saj, do t’i nderojë përgjithmonë. Lamtumirë! Lamtumirë hero!”

As që e merrja me mend se nuk do të shkojë gjatë e do të më duhej t’i shkruaj të tjerat për bashkëveprimtarët…

I

Pas kësaj paranteze, më duhet të theksoj se në një ditë shtatori të vitit ’99 – Xhavit Hoxha më njoftoi përmes telefonit se Jashar Salihu është kthyer nga Kosova dhe është shtrirë në spital. Lajm tronditës për mua…! Sipas mjekëve, më tha se përballet me një sëmundje të rëndë. Befasia e shqetësimi u bënë bashkë. E para me tronditi, sepse me të e kalova javën e fundit të qershorit në Prishtinë. E pata lënë shëndosh e mirë…

Pas pak ditësh, me Sadik Zenelin e vizituam në spital, në Arau të Zvicrës, e kur e dërguan në Paris, me ndërmjetësimin e veprimtarit Bardhyl Mahmuti, edhe atje e vizituam. Më njoftuan se pas disa ditësh Jasharin e kthyen sërish në Zvicër… Xhavit Hoxha sërish më merr në telefon:  “Hasan, Jashari na ka lënë“ Lajmi nuk ishte krejtësisht i papritur, sepse u njoftuam se edhe mjekët ishin dorëzuar. Prandaj, i shkëmbyem ngushëllimet, por zëri na tradhtonte.

Jashar Salihun e nderuam me adetet e vjetra e të reja: Ia mbajtëm të pamen në Zvicër, në të cilën erdhi edhe Ismail Haradinaj nga Suedia. Ndërkaq, ceremoninë e mbyllëm me mbledhjen komemorative, të cilën e udhëhiqte Ibish Neziri. Ndërkaq, siç e thashë edhe më lart, me këmbënguljen e shokëve qeshë i detyruar ta përgatis fjalën, që e kërkonte rasti, edhe për Jasharin, në të cilën, duke e përfunduar pata thënë: “…Jashar Salihu i ra kryq e tërthor Evropës për t’u siguruar pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bukë e fishekë…

Tash, dua ta evokoj një kujtim: në fund të qershorit të ’99-s me Jasharin dhe disa shokë të tjerë i vizituam varrezat e dëshmorëve në Prekaz, pra varrezat e Jasharëve legjendarë dhe kullat e tyre – ato katakombe të lirisë…

… dhe pas 17 muajve dua ta përfundoj këtë me refren: Jashar Salihu shkoi të prehet mes atyre që u përpoq t’u siguronte bukë e fishekë; shkoi të prehet mes atyre që, duke rënë në fushën e nderit, fituan pavdekësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Lavdi dëshmorëve të rënë!

Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!”

Njëri që nuk mungonte dhe s’kishte si të mungonte, gjatë atyre ditëve në të pame ishte edhe Kadri Rexha – shok e bashkëveprimtar i Jusuf Gërvallës… U ulëm në një tavolinë, tema ishte e gatshme, por rasti, për të cilin ishim aty, ndoshta, e nxiti që t’i qasej një tjetre: – “Kur do t’i kthehesh Komitetit të Deçanit”, më pyeti Kadriu dhe vazhdoi me vlerësimet, të cilat po i kapërcej në këtë libër. Ndoshta, për të më shkëputur ndonjë premtim vazhdoi: – “Njërin s’e keni më, të nesërmes nuk i dihet”. Përmes heshtjes, më dha të kuptoj se e kisha radhën. – Meqë çizmen e pushtuesit barbar e hoqëm qafe, me gjithë punët që na presin, i thashë se do të përpiqem që të kursej kohë edhe për propozimin që po ma bëni. Bisedën na ndërpreu një grup veprimtarësh, që erdhën për ngushëllime…

II

Xhavit Hoxhën e mora në telefon për të ditur se a kishte ndonjë përmirësim, meqë kishte kaluar më tepër se një muaj që përballej me armikun e njëjtë që u përball edhe Jashari, që, më në fund, ia mori jetën. Për të më bindur se kishte njëfarë përmirësimi, më tregoi se kur do të nisej për në Kosovë. Edhe unë i thashë se do të pres atje… Tezakët e tij, Beqë dhe Agim Hadërgjonaj, më treguan se kishte arritur. Ata e kuptuan se tashmë isha nisur për ta vizituar. Kur mbarova me kafe e duhan në shtëpinë e tyre, më thanë se po nisemi për Junik. U gëzova kur e pashë, sepse e prisja më keq se e gjeta. Më tha se nuk kishte dhimbje të mëdha. E, për të më bindur shtronte çështje të ndryshme për të biseduar. Njëra nga ato ishte dëshira e tij për ta parë në qendër të Junikut shtatoren e të vëllait, Edmondit, njërit ndër ushtarët e parë të UÇK-së, i rënë në pritë bashkë me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun, më 31 janar të vitit 1997, në Pestovë të Vushtrrisë. Kohën sa ishte e arsyeshme e shpenzova, prandaj u ngrita për t’u përshëndetur, por kot, nuk arrita ta ndali deri të dyert e oborrit. I urova shërim sa më të shpejtë, por doli e kundërta. Sot, jam i lumtur që Xhaviti kishte arritur që njërën nga dëshirat e tij ta përjetojë, shtatoren e vëllait hero. Se ishte kthyer në Zvicër isha njoftuar. Edhe Dinë Ahmeti më njoftonte shpesh për gjendjen shëndetësore të Xhavitit, prandaj atij i kishte rënë hise për të më përcjellë kumtin. Pas pak, edhe tezaku i tij, Kushtrim Hadergjonaj, i cili edhe për Edmondin ma pat përcjellë lajmin e hidhur. Me Shkëlzenin, në Zvicër arritëm vonë. Pranë familjes e gjetëm edhe Xhevat Hasanin, njërin nga shokët që Xhaviti e kishte njohur në mërgim… Në qendër të Junikut, e pranë shtatores së të vëllait hero, në emër të atyre që kishin ardhur për ta nderuar e sidomos në emër të bashkëveprimtarëve, pos të tjerave, thashë: “Xhavit Hoxha, ato që dua t’i them për ty, këtu para këtij auditori të nderuar, s’i them dot, ato fjalë e rreshta që ti i meriton nuk përmbyllen as me kopertinat e një libri. Ti ishe më i gjerë, aq i gjerë ishe ti sa i ka rrënjët liria e Kosovës. Ti na lë për të shkuar e për ta shoqëruar në përjetësi shokun e bashkëveprimtarin tonë, Jasharin, për t’u çmallur me Ismailin, shkove te Edmondi për t’i dhënë sihariqin se Kosova nuk rënkon më nën kthetrat e pushtuesit serb…

 Lamtumirë i paharrueshmi Xhavit Hoxha!”

Në të pame erdhën nga të gjitha viset shqiptare, të njohur e të panjohur. Erdhi edhe gjenerali Kudusi Lama, bashkë me Nasim Haradinajn, i cili i tha të gjitha ato që i meritonte Xhavit Hoxha. Pas një kohe, prej tij kërkuam, siç është zakoni në Dukagjin, që të na thotë diçka më shumë. Nuk kundërshtoi, por përfundimit të fjalës së dytë ia bashkëngjiti kërkesën që unë t’i shoqëroja për një kohë të shkurtër… U ulëm në lokalin që vendasit e quajnë “Oda e Junikut”. Gjenerali iu rikthye veprimtarisë së Komitetit të Deçanit, duke theksuar se ajo veprimtari e meriton që të qitet në letër dhe vazhdoi: “Ato që i di nuk janë pak, por, në krahasim me ato që nuk i di, janë shumë pak”. Pasi e falënderova, i thashë gjeneralit se nëse arrij bashkë me shokët, se dy na shkuan, nuk të ndërrojmë me askënd; madje do të krenoheshim me emrin tënd në ballë të librit… U ktheva në të pame. Këtu më duhet të theksoj se para Kadri Rexhës e Kudusi Lames edhe Xhavit Hoxha ma përmendte, në atë stilin që e karakterizonte atë. Si shokë që ishim, i përgjigjesha shkurt: Xhavit, i vjen koha edhe asaj pune.

III

Sërish Dina u paraqit nëpërmjet telefonit: “Hasan, ngushëllime, se edhe Ismail Haradinaj na la!” Nuk ishte e pritur, përkundër ankesave që i kishte. Megjithatë, dhembja ishte e madhe. Asaj nuk iu dorëzuam, sepse, përveçse për veprimtarinë që e la pas vetes, e ndjenim një tis kënaqësie se edhe ai e përjetoi sendërtimin e idealit – çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, për të cilin nuk kurseu asgjë… Me Dinë Ahmetin u takuam në Gllogjan, për të mos e lodhur lexuesin, po e kapërcej. Në mbrëmje u ktheva në Carrabreg. Pas një ore cingëroi telefoni i djalit të vëllait tim, Isufit. Kur e përfundoi bisedën, më tha se duhet të shkosh prapë në Gllogjan… Nasimi ishte kthyer prej Prishtinës. Përveç të tjerave, me njoftoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta organizojë mbledhjen komemorative, e cila do të mbahet pasnesër në Prishtinë. Pas kryeministrit Thaçi, fjalën e ke ti, besoj se kjo kohë ty të mjafton për ta përgatitur, më tha Nasimi. I radhitëm segmentet e ceremonisë së varrimit. U vendos që, së pari, arkivoli me trupin e Ismailit të pushojë për pak çaste në katin e sipërm të shtëpisë së tij, ku më 28 qershor të vitit 1980, siç do të shihet në kapitullin përkatës të librit, e patëm formuar Komitetin e Vendit – strukturë e organizatës ilegale LNÇKVSHJ, e pastaj aty ku pjesëmarrësit i bënin nderime. Duhet theksuar se në mesin e tyre, përveç të burgosurve politikë, në ceremoninë e varrimit mori pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia. Në fjalën time, përveç të tjerash, për Ismailin i thashë edhe këto: “Jemi bashkuar sot në këtë sallë për t’i shprehur nderimet tona njërit prej veprimtarëve më të shquar të Lëvizjes Ilegale në Kosovë, Ismail Haradinajt, i cili u nda nga jeta para pak ditësh dhe shkoi në përjetësi.

… Ai ishte dhe mbeti një nga idealistët më të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, një nga emblemat e saj më të veçanta.

… Ismail Haradinaj e priti dhe e përjetoi çlirimin dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në themelin e së cilës është edhe vepra e tij.”

E përcollëm me këngën “ Thërret Prizreni mori Shkodër” – Këtë ia kishte lënë amanet familjes kurdo që do të vdiste. Nasimi na propozoi mua e Dinës që t’i hidhnim nga një grusht dhe…! Spektri ceremonial përfundoi në mbrëmje: Ismaili prehet pranë dëshmorëve në varrezat  në vendlindje.  Të pamen tradicionale po e kapërcej.

4. Me Dinë Ahmetin bisedonim shpesh edhe përmes telefonit për çështjet nga më të ndryshmet, sepse ai nuk ishte ndër ata që me të marrë diplomën, fillojnë t’i bien kavallit. Prandaj, shpesh e rrokullisnim mendimin për të kaluarën se ata që nuk mësojnë prej saj u përsëritet, e këtë e konsideronim të pakontestueshëm. U silleshim shpesh kthesave historike: çdo të ndodhte me shqiptarët sikur të mos e formonin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit? Çdo të ndodhte sikur të mos e shpallnin Pavarësinë e Atdheut më 1912? Çdo të ndodhte sikur të mos luftonin kundër nazifashizmit, respektivisht sikur të mos rreshtoheshin në anën e duhur të historisë? E çdo të ndodhte më në fund, sikur të mos formohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës? Se çka do të ndodhte, sikur pararendësja e sapocekures të mos e fitonte luftën duke u ngritur si zogu përrallor FENIKSI nga hiri i vet?

Pra, Lëvizja ilegale nuk u gjunjëzua një gjysmë shekulli, ndonëse veprimtarët përballeshin vazhdimisht me pranga e pas tyre edhe të tjerët… E, siç dihet, përveçse me pranga edhe me plumba. Nuk i harronim as huqet e përmasave kombëtare, as padrejtësitë që na u bënë në Kongresin e Berlinit, në Londër, Jaltë, Paris e besa edhe në Rambuje…

Me Dinën bisedonim edhe për letërsinë.  Më shpesh për tonën e pak më rrallë për letërsinë evropiane, në cilësinë e lexuesve, po edhe të interpretuesve para gjimnazistëve. Për të parën më dëgjonte e për të dytën dihet, e dëgjoja. Të dy rolet shkriheshin në kuadër të bashkëbisedimit. Binim në dakord se edhe letërsia shqipe ka vlera të përmasave botërore, natyrisht,vëllimi kuptohet, për arsye nga më të ndryshmet. I referoheshim si shembull vlerësimit të poetit francez Alphonse de Lamartini për De Raden dhe jo vetëm ai. E dinim të dhënën tjetër se një studiues i huaj e quajti Fishtën Homeri shqiptar.

Sikur ta ndiente se nuk do të shkojë gjatë e do t’iu bashkohej Jasharit, Xhavitit e Ismailit, edhe Dinë Ahmeti më propozoi që veprimtarinë e Komitetit të Deçanit t’ia bëjmë të njohur opinionit, përmes një punimi që përkon me zhanrin e veprave të tilla. Dinë Ahmeti e “mbushi kupën”: I premtova. Pas pak ditësh, mora lajmin e hidhur… nga të katër lajmet e hidhura që më ra t’i përjetoj: lajmi për Dinën ishte më i paprituri… Në orën 22 të asaj dite arrita në Carrabreg… Pas ngushëllimeve, Nasimi më tha që ta përgatisja fjalën për mbledhjen komemorative… Të nesërmen pasdite, Dinë Ahmeti iu bashkua Ismailit në varrezat e vendlindjes së tij!

“Lajmi për vdekjen tënde ishte më i paprituri dhe si i tillë ishte më i veçantë dhe më i papranueshëm. Megjithatë, u përpoqa ta përballoj si për të tre pararendësit – u mësova me kumte të tilla të padëshirueshme. Më ngacmoje shpesh kur bisedonim se kur po ia fillojmë për ta qitur në letër atë punë tonën. Të premtova në pranverën, që për ty mbeti e fundit. Premtimin do ta mbaj. Dinë, shkove papritmas, por për mua dhe për shumë shokë të tjerë mbetesh i paharrueshëm, se jetën e mbylle me nder”, i thashë në mbledhjen komemorative.

Në kapitujt e këtij libri bashkëveprimtarët do t’i kthej në jetë.  

(VIJON)

© Pashtriku.org 

____________

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (3) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura