SHERADIN BERISHA: KONTRIBUTI I KRYEMINISTRIT AKTUAL ISA MUSTAFA – NË JETËSIMIN E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE PËR “SERBINE UNIKE” TË SLLOBODAN MILLOSHEVIQIT – NË VITIN 1989!!! (DËSHMI ARKIVORE)

Pashtriku.org, 13. 09. 2015 – Gjatë viteve 1986 – 1988 kur Isa Mustafa ushtronte mandatin e dytë si kryetar i Këshillit Ekzekutiv (KE) të Komunës së Prishtinës, njëkohësisht mbante edhe një post tjetër shumë të rëndësishëm dhe delikat, ishte drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror. Gjatë kësaj periudhe, kur Sllobodan Millosheviqi erdhi në pushtet (në pozitën e Kryetarit të KQ të LK të Serbisë) Kosova përballej me shumë sfida dhe njëra nga sfidat më të rënda ishte padyshim: procesi i ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë dhe atë të Kosovës, e cila (më 23 mars 1989) rezultoj me heqjen Autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974. Në këto zhvillime dramatike për popullin shqiptar, kontribut të veçantë ka dhënë edhe kryeministri aktual i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në cilësinë e “ekspertit” si “drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror”.
“Me amandamentin 33, përkatësisht me pikën 12, me nënpikat 1 dhe 2, përcaktohet procedura e përgatitjes së miratimit dhe e përmbajtjes se planit shoqëror, e cila përfshin edhe politikën ekonomike dhe zhvillimore me interes të përbashkët për tërë Republikën (e Serbisë) dhe po ashtu rregullohet edhe procedura e miratimit përmbajtja e planit hapësinor, i cili përmban organizimin, rregullimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e hapësirës me interes të përbashkët për Republikën (e Serbisë) si tërësi…”- kështu në mes tjerash ka thënë “eksperti” mr.ISA MUSTAFA, në kuadër të një debati kushtetues rreth propozimit të amandamenteve në Kushtetutën e RS të Serbisë, të cilin e ka transmetuar TVP, ndërsa i gjithë diskutimi është botuar edhe në gazetën “Rilindja” (e mërkurë), datë 22 Mars 1989, faqe 4., me titull: “NGA TRYEZA E DISKUTIMEVE KUSHTETUESE TË TV PRISHTINËS: ÇËSHTJET E HARMONIZIMIT NUK CENOJNË AUTONOMINË”/.
Lexoni një pjesë të diskutimit të Isa Mustafës nga faksimili i “Rilindjes”, datë 22 mars 1989, faqe 4:

***
Për rolin e Isa Mustafës në këtë drejtim ju sjellë disa fakte arkivore në vazhdim!
KONTRIBUTI I “EKSPERTIT” ISA MUSTAFA GJATË DEBATEVE PUBLIKE NË PROCESIN E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE PËR “SERBINË UNIKE” TË SLLOBODAN MILLOSHEVIQIT (1988-1989)!

Dihet mirëfilli se Serbia, përmes ndyrshimit të Kushtetutës synonte krijimin e “Serbisë Unike”, dhe ky proces u intensifikua me ngritjen e Sllobodan Millosheviçit, nga pozita e kryetarit të Komitetit të LK’së për Beogradin në postin e kryetarit të KQ të LK të Serbisë, në maj të vitit 1986, pikërisht atëkohë kur Isa Mustafës iu besua mandati i dytë, si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinë! Gjatë vitit 1987 Kuvendi i Serbisë formalisht ia dërgoi Kryesisë së KK të Kosovës propozimin për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, ndërsa në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 6 nëntor 1987 dhe 2 shkurt 1988 u miratua njëzërit ky propozim. Gjatë verës së vitit 1988, (pikërisht në kohën kur Sllobodan Millosheviqi intensifikoi veprimet antishqiptare përmes protestave e metingjeve, të organizuar nga lëvizja nacionaliste serbe me seli në Fushë Kosovë), dhe kur në Kosovë ishin rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme – krahas Komisionit Kushtetues të Kosovës u “zgjodhën” edhe këshillat koordinues në organet e Lidhjes Socialiste të Kosovës (LSPP’së), dhe në strukturat tjera të pushtetit, që do të merrnin pjesë në Diskutimet publike për ndryshimet substanciale në Kushtetutën e Kosovës.
Në këtë fushatë intensive u përzgjodhën edhe figurat më të besueshme politike të regjimit që do t’i bënin jehonë në mënyrë afirmative këtij procesi, me qëllim që t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve se me këto ndryshime nuk do të cënohet aspak Autonomia e Kosovës! Dhe në mesin e shumë komunistëve padyshim ishte edhe Isa Mustafa.

“Eksperti” Isa Mustafa, në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës!

Isa Mustafa në këtë proces të diskutimeve publike ishte pjesë e Komisionit kushtetues të Kosovës në cilësinë e “ekspertit” si “drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror”. Isa së bashku me Syrja Popovcin, Hazër Susurin, Vesel Latifin, Habib Hashanin, Halit Muharremin, Qemal Sahtaçiun, Pjetër Kolën, Shefqet Mustafën, Nik Lumezin etj., ka marrë pjesë aktive në shumë debate publike në Kosovë. Për më tepër “eksperti” Isa Mustafa në cilësinë e anëtarit të Komisionit Kushtetues të Kosovës ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisionit për çështje Kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Serbisë, që janë mbajtur në Beograd!
Sa për ilustrim lexoni shkrimin e gazetarëve: Fahri Musliu dhe Alida Berisha me kryetitull: “Komisioni për çështje kushtetuese i Kuvendit të RS të Serbisë parapërcaktoi propozimin e amandamenteve në kushtetutën republikane”, botuar në gazetën “Rilindja”, ditë e shtunë – datë 7 janar 1989, faqe 5, ku Isa Mustafa në cilësinë e “ekspertit” si “drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror”, në përbërjen e Komisionit Kushtetues të Kosovës – së bashku me Syrja Popovcin, Qemal Sashatçiun dhe Halil Muharremin, merrë pjesë në Mbledhjen e Komisionit Kushtetues të Republikës së Serbisë!
Faksimili i Rilindjes:

“EKSPERTI” ISA MUSTAFA – PRO AMANDAMENTIT 33, PIKA 12 (ME NËNPIKAT 1 DHE 2) PËR MBROJTJEN E HAPËSIRËS ME INTERES TË PËRBASHKËT PËR REPUBLIKËN E SERBISË SI TËRËSI!!!
Po të lexosh shtypin e kohës: Rilindjen, Jedinstvon, Borbën, Politikën etj., dhe po të hulumtosh në arkivat e RTP’së do të zbardhet gjithanshëm kontributi i “ekspertit” Isa Mustafës me shokë, në procesin e ndryshimeve kushtetuese në favor të Serbisë Unike!
Në këtë kontekt në vijim sjell një dokument tjetër të arkivuar në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP), i cili zbardhet në gazetën “Rilindja”.
Në gjysmën e parë të marsit 1989 në kuadër të përfundimit të debatit kushtetues, Radio Televizioni i Prishtinës – RTP, në mbeshtetje të ndryshimeve kushtetuese, ka organizuar një debat publik, në të cilin ka marrë pjesë edhe “eksperti” gjegjësisht “drejtori i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror” Isa Mustafa. Këtë debatë e ka pasqyruar gazetari Zenun Ҫelaj, në gazetën “Rilindja”, të ditës së mërkurë – datë 22 mars 1989, me titull: “Çështjet e harmonizuara nuk cenojnë autonominë”!
Sa për ilustrim shkëpusim pjesë të diskutimit të “ekspertit” Isa Mustafa:
NGA TRYEZA E DISKUTIMEVE KUSHTETUESE TË TV PRISHTINËS: ÇËSHTJET E HARMONIZIMIT NUK CENOJNË AUTONOMINË

TV i Prishtinës net më parë në kuadër të përfundimit të debatit kushtetues rreth propozimit të amandamenteve në Kushtetutën e RS të Serbisë, organizoi një tryezë, në të cilën merrnin pjesë Shefqet Mustafa, anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës dhe anëtar i Komisionit Kushtetues të Krahinës; prof.dr.Vesel Latifi, serkretar Krahinor i Judikaturës; Pjetër Kola, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, pastaj Rade Zvicer, kryetar i Komisionit Legjislativ Juridik të Kuvendit të KSA të Kosovës dhe anëtar i Komisionit Kushtetues të Krahinës, prof.dr.Habib Hashani, anëtar i Komisionit Kushtetues të Krahinës; Ahmet Omeragiq, zëvendës i sekretarit Krahinor të Mbrojtjes Popullore dhe mr.Isa Mustafa, drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror.
Përgjegjësi e përbashkët për planifikim e zhvillim
Me amandamentin 33, përkatësisht me pikën 12, me nënpikat 1 dhe 2, përcaktohet procedura e përgatitjes së miratimit dhe e përmbajtjes se planit shoqëror, e cila përfshin edhe politikën ekonomike dhe zhvillimore me interes të përbashkët për tërë Republikën (e Serbisë) dhe po ashtu rregullohet edhe procedura e miratimit përmbajtja e planit hapësinor, i cili përmban organizimin, rregullimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e hapësirës me interes të përbashkët për Republikën (e Serbisë) si tërësi – tha mr.ISA MUSTAFA. KSA e Kosovës pavarësisht e miraton planin shoqëror, si atë afatmesëm ashtu edhe planin afatgjatë, mirëpo në harmoni me politikën zhvillimore, e cila realizohet me interes të përbashkët. Rregullimi unik i planifikimit shoqëror në Republikë, duke përfshirë edhe politikën zhvillimore në interes të përbashkët, si dhe prurja e planit shoqëror në nivel të Krahinës, siguron realizimin e parimit kushtetues ose sipas të cilit republika ka përgjegjësi për zhvillimin vetjak dhe për zhvillimin e bashkësisë shoqërore në tërësi, e po ashtu edhe KSA e Kosovës ka përgjegjësinë e vet për zhvillimin vetjak dhe për zhvillimin e bashkësisë në tërësi.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si bëhet harmonizimi i politikës zhvillimore dhe ekonomike, ai (Isa Mustafa-sh.b) shtoi se në amandamentin në Kushtetutën e RS të Serbisë kryesisht rregullohen drejtimet themelore të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik në interes të përbashkët, pastaj nxitja e zhvillimit përmes bashkimit të mjeteve dhe të punës, mbrojtja dhe përparimi i ambientit të njeriut dhe çështjet e tjera, të cilat do të rregullohen në bazë të marrëveshjes në nivel të Republikës. Me këtë amandament përcaktimi i politikës zhvillimore dhe ekonomike bëhet me marrëveshje, që do të thotë se bëhet harmonizimi i interesave të përbashkëta të të gjithë subjekteve në Republikë. Me të nuk krijohet kurrfarë hapësire për rishpërndarjen regjionale të të ardhurave prandaj nuk mund të flitet për kurrfarë humbjeje të autonomisë së të ardhurave, përkatësisht autonomisë ekonomike. Me këtë amandament poashtu është përcaktuar obligimi që në kuadër të Bankës Popullore të Serbisë dhe bankave popullore të KSA-ve të harmonizohet propozimi i politikës kreditore, e cila është e lidhur me realizimin e politikës me interes të përbashkët në kuadër të Republikës së Serbisë. Ekonomia e tregut siç dihet, është e orientuar nga sigurimi i kushteve për lëvizjen e lirë të kapitalit, të mallit, të fuqisë punëtore, përkatësisht për realizimin e konceptit të tregut integral, andaj të gjitha ndryshimet të cilat janë propozuar në këtë lëmë sigurojnë parakushtin sistemor për realizimin e këtij koncepti të zhvillimit ekonomik. Këto çështje do të rregullohen më saktësisht me Ligjin Republikan dhe me Ligjin Krahinor për sistemin e planifikimit shoqëror, i cili tani do t’i jepet Kuve
ndit të Republikës së Serbisë, përkatësisht Kuvendit të Krahinës për shqyrtim dhe aprovim.” (…) / Citat nga Gazeta Rilindja, e mërkurë, datë 22 Mars 1989, faqe 4./
Lexoni faksimilin e plotë të gazetës “Rilindja”:

KUVENDI I KOSOVËS DHA PËLQIMIN PËR NDRYSHIMET NË KUSHTETUTËN E SERBISË!
Në saje të kontributit të Komisionit Kushtetues të Kosovës, (anëtar i së cilës ishte edhe “eksperti – i planifikimit shoqëror…” Isa Mustafa,) më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës (ajo e Komitetit Krahinor dhe e Kryesisë së Kosovës) përmes një kumtese të përbashkët, theksojnë, se: “përkrahin plotësisht amandamentet për Kushtetutën e RS të Serbisë, me të cilat mundësohet që RS e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë teritorin e Republikës…” dhe se me “këto ndërrime nuk ndryshohen parimet themlore të Kushtetutës së RSFJ’së të vitit 1974 dhe pikënisje është realizimi konsekuent i barazisë së plotë kombëtare të të gjitha kombeve e kombësive në RS të serbisë dhe në KSA të Kosovës”. (Burimi: Rilindja, 15 mars 1989)
Edhe Kryesia e Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste, më 16 mars 1989 u dha përkrahje të plotë amandamenteve të Kushtetutës së Serbisë dhe insistonte që Kuvendi i Kosovës të përkrahte këto amandamente! Më 17 mars u mblodhën delegatët e Këshillit të Dhomës Shoqërore – Politike të Kuvendit të Kosovës, ku përkrahën njëzëri amandamentet e Kushtetutës së Serbisë.” (Burimi: Rilindja 18 mars 1989)
Më 21 mars, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës i propozoi Kuvendit të Kosovës që në Mbledhjen e caktuar për datën 23 mars të jepte pëlqimin për amandamentet në Kushtetutën e Serbisë. Më 23 mars 1989 (ditë e enjte) në Prishtinë në orën 10 paradite u mblodhën delegatët e të tri dhomave të Kuvendit të Kosovës:
1. Dhoma e Punës së Bashkuar me kryetar Raif Vërbnica;
2. Dhoma e komunave me kryetar Radoica Zhizhiq dhe
3. Dhoma Shoqërore – Politike me kryetar Shefqet Mustafa.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës kishte mbi 500 njerëz, funksionar, punëtorë të sigurimit, mysafirë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga Serbia, ndërsa ishin 190 delegatë të zgjedhur, qysh në nëntor të vitit 1988 nga komisionet kandiduese të të gjitha organizatave shoqërore – politike. Në këtë mbledhje të përgatitur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Vukashin Jokanoviq, diskutuan 27 delegatë, 20 shqiptarë dhe 7 serbë, dhe në fund u aprovuan me aklamacion (ngritje të dorës) amandamentet e Kushtetutës së Serbisë. Ishin 11 vota kundër dhe dy abstenime, por nuk dihej numri i votave “për” sepse nuk u numruan nga kryetari i Kuvendit. Nga pamjet në ekranin e RTP dhe fotografitë që u publikuan në shtypin e përditshëm, duket qartazi, se pjesa dërmuese e atyre që kishin ngritur dorën nuk ishin delegatë!
Këtë ngjarje antikombëtare e ka pasqyruar gjerësisht gazeta “Rilindja”, e premte, datë 24 mars 1989, me titullin:
“U DHA PËLQIMI PËR NDRYSHIMET NË KUSHTETUTËN E SERBISË”!
Lexoni faksimilin e një Rilindjes, datë 24 mars 1989, faqe 1:

Pasditen e 23 marsit, (pasi u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Serbisë nga Kuvendi i Kosovës) shpërthyen protesta të fuqishme e të pandalshme në gjithë Kosovën, deri më 28 mars 1989 kur në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë. Ndërsa në Beograd festohej dhe ngriheshin dollitë për “Serbia unike” dhe “Ditën e ribashkimit” të saj (për të cilat kontribut të veçantë dha edhe “eksperti” Isa Mustafa), rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga armata dhe njësitë speciale të Serbisë. Vetëm gjatë një jave, (nga 23 – 28 mars 1989) në disa qytete e fshatra të Kosovës u vranë 22 shqiptarë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë!!!

( . . . )
 ______________
Shkrimet tjera:
SHERADIN BERISHA: KRYEMINISTRI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA – ISH’PIONIER I DEVOTSHËM GJATË REGJIMIT KOMUNIST TË JUGOSLLAVISË SË TITOS!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4382
***
SHERADIN BERISHA: KRYEMINISTRI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA – ISH’ANËTAR I ORGANIT TË DHUNSHËM (DHE DIFERENCUES I STUDENTËVE) NË QENDRËN E STUDENTËVE TË UP’së – MAJ 1981! /DËSHMIA/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4401
***
SHERADIN BERISHA: PËRKUSHTIMI I KRYEMINISTRIT AKTUAL, ISA MUSTAFA – NË ZBATIMIN E VENDIMEVE POLITIKE TË BEOGRADIT PËR KTHIMIN E SERBO – MALAZEZËVE NË KOSOVË – NË VITIN 1986! (DËSHMIA)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4415

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura