NIKOLETA KOVAҪI: I DASHUR GRABITËS, TË LUTEM DORËZOHU!

Tiranë, 7. 7. 2016: I dashur grabitës, uroj të jesh mirë! Të jesh mirë, i qetë dhe i padëmtuar moralisht dhe fizikisht, se di zoti se ku e bën natën, pas gjithë atij misioni të frikshëm që more përsipër të kryeje. Dhe e kreve. E kreve me përpikmëri të çmendur. E kishe lidhur gjithçka me numrin 3! Më intrigove aq shumë sa kam nisur të hamendësoj mbi numrin 3. Kjo më ndodhi pasi kaluan tri ditë. Tani iu kam hyre llogarive; duket se gjithçka është njehsuar me treshin; që nga numri juaj, ti e ndihmësit e tu, nga metrat e përshkruara në pistë e jashtë piste, minutat e kryerjes së grabitjes, minutat e lajmërimit me vonesë të policisë dhe 3 minutëshit të vonesës së policisë për të ardhur deri te ju…
Por pavarësisht lëvizjes tënde mbi filozofi numrash, si mbi një trinitet të shenjtë, unë kam ditë që ta qaj hallin. Them: gjynah i shkreti, ku do shkojë tani, ku i ngrys ditët dhe netët?! Imagjino pak, i dashur grabitës, deri aty mendoj për ty sa them; do zoti e ka mundësi të ketë një televizor diku afër të shikojë se çfarë po bëhet në emër të tij. Shiko i dashur grabitës, se mos aty afër të gjendet edhe ndonjë kioskë gazetash e lexo, shiko, e dëgjo se çfarë thuhet për ty, veprën dhe kryeveprën tënde!
I dashur grabitës,
uroj me shpirt që ti të dish të lexosh. Mos u fyej, të lutem! Nuk paragjykoj, por dua që kjo letër të bie në duart e tua. Të lutem se, pavarësisht faktit se unë nuk njoh grabitës të mos dijë të paktën të lexojë, ku i dihet, mbase ti vjen nga kaska e hajdutëve. Ata të shkretët janë të pashkolluar. S`u ka mjaftuar puna të shkojnë në shkollë, as në fakultet, as në mastera e doktoratura. Ndërsa ti, besoj se i ke patur të gjitha mundësitë. Madje lehtësisht mund të ishe bërë një herë të vetme edhe deputet, ministër, kryeministër dhe, edhe ndonjë kandidat i mundshëm për President. Po i dashur grabitës, sepse ti mundesh, sepse gjithë sëra jote ka mundur, pse të mos mundesh edhe ti…?

Tani unë e di që ti je në rrezik! E bashkë me ty, në rrezik të madh është edhe krejt shteti ynë. Prej ditësh, që kur ti hyre si bos, duke prerë hekurat e portës së jashtme të aeroportit, në afërsi të një avioni e more lekët, shteti po zien, po çmendet, po tërbohet. Ke dëgjuar për shtet ti i dashur grabitës? Apo vetëm di t`i marrësh paratë me anë të një kallashnikovi e më pas zhdukesh? Unë e di se ti ke grabitur edhe lekët e para, edhe para të parave. Ma thotë shteti, se unë s`kam nga ta di; po ty ç`dreqin të duhen kaq shumë sa ke marrë? Më fal, në fakt, se tani të fyeva pa dashje; ke marrë euro, dollarë, paund, yen, e ku di unë se sa e lekë të jashtme futen te ne e dalin prapë jashtë! Herën e parë, atë të parën fare, thanë se more 1 milion e gjysmë euro. I more te “Stacioni i Trenit” dhe ike nga përtej lumit. Po atëherë thanë se kishte fushatë, e sërish ta qava hallin. Thashë; medet, ia kanë marrë të gjitha të shkretit! Herën e dytë, e ke parasysh ti, kur grabite në rrugën dytësore në Kashar, kur makinat e këtyre të sigurisë që transportojnë paratë ranë në pritën tënde. (Hahahaha, sa qesharake janë këto masat e sigurisë. Qesh me to edhe unë, imagjino se ç`mund të bësh ti. Besoj s`pushon së qeshuri deri në sipërmarrjen e radhës). Aty në fakt ngjave si kaçak po, kur të jetë puna për 3 milion euro, edhe unë do bëhesha. Atë ditë kur rrëmbeve këta milionat e eurove, që sërish do të shkonin për Austri, u qetësova për ty. Thashë, tani u bërë i pasur dhe s`do të kesh më nevojë për të na marrë më vlerën e përbashkët që kemi, ani pse na transportohet jashtë…
Por ti u ktheve prapë! Madje me një stil unik. Ti i zure mat të gjithë aty në Rinas, e menjëherë pas këtij mati, shteti po kacafytet me vete. I dashur grabitës, të lutem dorëzohu. Të lutem dorëzohu e na e thuaj të vërtetën, se jam e sigurt se ty s`të duhen aq pak para sa more kësaj here! Madje unë s`besoj se ti do të bëheshe as pis (ndyheshe) për aq para sa thotë shteti që ia ke marrë shtetit. Dorëzohu të tregosh se çfarë ndodhi, kë mashtrove, bleve, korruptove, besove dhe rehatove. I dashur grabitës, unë kam besim në ty, se ti do të ia dalësh sërish të jesh mbi palët. Dikur këtu u shpik një term; bipartizan! Ashtu je ti, unë e ndjej dhe e kuptoj, e madje edhe e besoj! Hë të keqen. Mos e lodh më shtetin tënd; policinë, prokurorinë, gjykatën, as ata që na blejnë sigurinë e na e shesin kur ta kenë qejfin. Në fakt, nuk e di a e more vesh, po nga aty dhe prej aty, kohëve të fundit paska hy e dal edhe C4, edhe thika dhe sende të tjera të rrezikshme.
I dashur grabitës,
ti s`je kriminel, as testues, as keqbërës, as ordiner. Ti e do ketë vend dhe këtë shtet ndaj duhet të dalësh në televizion e të ulësh gjakrat. Ashtu bëjnë edhe shokët e tu përditë. Unë kam besim në klasin tënd se ti madje do të jesh edhe një mashkull i pashëm, fotozhenik, gjithë stil, që të rrinë bukur “Armani” e “Dolce Kabana”, këmishat me porosi ekstra dhe syzet e markës unike. Unë e di se ti, ato rrobat që veshin punonjësit e Rinasit, e ndonjëherë uniformën e RENEA-s dhe të Ushtrisë, i vesh vetëm për të kryer punë dhe për të thënë se je edhe modest. E di, si ty shoh për ditë në televizor që dalin e flasin në emër të mirëqenies, rritjes ekonomike me një shifër e dy shifra, turizmit, programeve për të varfër e të pasur dhe për qershinë mbi tortë; reformën në drejtësi! Madje ti nuk vuan fare as të bëhesh i famshëm; mjafton një sinjal dhe kudo që të jesh të vijnë me dhjetëra kamera, madje duke u bërë copash për pak ekskluzivitet. Kështu ti siguron edhe reklamimin falas, pa patur nevojë të paguash asnjë qindarkë. Ti je paqësor, unë e ndjej! Mos ki frikë se arrestohesh. Fundja kush u mbajt në burg nga këta që grabitën kaq kohë në këtë vend. Ti s`je i pari as i fundit që grabit, por ti je unik në mënyrën se si grabit, ndaj duhet të dorëzohesh. Ti, ndryshe këtyre shokëve të tu të panumërt, që grabisin ditën për diell me firma, vula, tendera, me dyer të hapura thesaresh dhe që rrinë të veshur gjithë kohës me kostume e kravata, kanë vila, apartamente, makina luksoze, shërbëtorë dhe shërbëtore, ke profilin e heroit. Jam e sigurt, se akti yt i para ca ditëve në Rinas frymëzon edhe regjisorë të mëdhenj të botës së filmit. Besoj ke parë edhe ti, se si një grabitës bankash kthehet në fund në një personazh pozitiv sepse ai i ndante paratë e grabitura me të varfrit! Ndërsa asnjë nga këta lloji tjetër, këta më kostume e kravata nuk bëhen dot personazhe pozitive, se ata grabisin për vete dhe sojin e tyre.

I dashur grabitës, të lutem dorëzohu.

Të lutem dorëzohu vetëm të vërtetosh se ti s`je si këta që na grabisin prej një jete edhe frymën, por ti je një grabitës hero, që teston sigurinë e një vendi që rron rrejshëm prej më shumë se dy dekadash, që kudo dhe gjithkund mund të grabitesh e të vritesh e askush nuk mban përgjegjësi sepse asnjë nuk është grabitës hero.

Të lutem, i dashur grabitës, dorëzohu!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura