PROF.XHELAL ZEJNELI: LUFTA E 2001’shit DHE USHTRIA ҪLIRIMTARE KOMBËTARE TANIMË KANË ZËNË VEND NË HISTORINË E POPULLIT SHQIPTAR

Shkup, 20. 05. 2014 – Në facebook’un tim, lidhur me luftën e 2001’shit, ishin parashtruar pyetje të caktuara. Do të përgjigjem parimisht, si më poshtë:
1. Me luftën e 2001-shit, do të merren historianët dhe institucionet shkencore kompetente të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke përfshirë edhe studiuesit shqiptarë në Maqedoni;
2. Historia e botës është histori e luftërave që shpërthejnë për arsye nga më të ndryshmet. Askush në këtë rruzull nuk e dëshiron luftën, por ajo, në çaste dhe rrethana të caktuara i imponohet një populli;
3. Historia do të shënojë se lufta e 2001-shit ishte luftë e brendshme;
4. Lufta shpërtheu si pasojë e pakënaqësive të thella të shqiptarëve në Maqedoni;
5. Lufta shpërtheu për ta zgjidhur statusin politik dhe juridik të shqiptarëve;

6. Luftën e 2001-shit e mbështetën pothuajse të gjithë shqiptarët në Maqedoni si dhe i tërë kombi shqiptar në gadishull, duke përfshirë edhe diasporën shqiptare në Europë dhe në SHBA;

7. Populli shqiptar në Maqedoni, luftën e 2001-shit e mbështeti moralisht, shpirtërisht dhe materialisht;
8. Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e mbështetën pothuajse të gjithë shqiptarët në Maqedoni, dhe i tërë kombi shqiptar në Ballkan, duke përfshirë edhe diasporën shqiptare në Europë dhe në SHBA;
9. Lufta e 2001-shit dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare janë pjesë tejet e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe e kombit shqiptar në rajon;
10. Lufta e 2001-shit dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare tanimë kanë zënë vend në historinë e popullit shqiptar në Ballkan.
11. Me detajet e luftës së 2001-shit dhe të UÇK-së mund të merren kryesisht aktorët, përkatësisht pjesëmarrësit e luftës, si dhe studiuesit e saj, d.m.th. historianët.
12. Shqiptarët, luftën e 2001-shit dhe UÇK-në, në asnjë mënyrë nuk mund ta lënë jashtë historisë, për arsye se një hap i tillë do të ishte absurd, johistorik, antikombëtar dhe do t’i zhvishte shqiptarët nga një pjesë e rëndësishme e historisë së tyre;
13. Disa popuj të rajonit, si për shembull serbët, grekët dhe sllavo-maqedonasit, thurin histori edhe për çastet historike në të cilat, ose nuk kanë marrë pjesë, ose kanë qenë pjesëmarrës të parëndësishëm;
14. Marrëveshja e Ohrit, si dokument me vlerë ndërkombëtare, dhe i afirmuar në përmasa globale, është pjesë e historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe e kombit shqiptar në gadishull;
15. Marrëveshja e Ohrit në asnjë mënyrë nuk paraqet pengesë që shqiptarët në Maqedoni, në një çast tjetër historik ta ripërkufizojnë kauzën e vet kombëtare dhe të dalin me kërkesa politike të reja;
16. Dështimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si pjesëmarrës në qeverinë e VMRO-së, në periudhën e viteve 2006-2014, në asnjë mënyrë nuk mund ta diskreditojë, as ta komprometojë luftën e 2001-shit dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare;
17. As edhe pyetja: e arriti apo jo lufta e 2001-shit qëllimin e luftës, në asnjë mënyrë nuk mund ta diskreditojë apo ta komprometojë atë dhe UÇK-në;
18. Shumë luftëra në histori nuk e kanë arritur qëllimin. Tibetanët në Kinë luftojnë me dekada; kundër pushtuesve rusë luftuan edhe çeçenët, por nuk ia dolën. Mirëpo, kur një ditë çeçenët do ta shkruajnë historinë e vet, lufta çlirimtare e tyre do të jetë pjesë e pandarë e saj. Shembuj si të tibetanëve, të çeçenëve, të ujgurëve, të kurdëve ka me qindra në këtë rruzull.
19. Me luftën e 2001-shit, shqiptarët arritën ta ulin në tryezën e bisedimeve palën sllavo-maqedonase, madje në prani të faktorit ndërkombëtar;
20. Pjesë e lavdishme e historisë së kombit shqiptar është edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila bashkë me SHBA-në (NATO-n) e çliroi Kosovën nga pushtuesit serbë;
21. Pjesë e lavdishme e historisë së kombit shqiptar është edhe lufta e UÇPMB-së në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë);
22. Është detyrë e klasës politike shqiptare dhe e inteligjencies shqiptare, që të jenë në krye të detyrës, në mënyrë që shqiptarët në Maqedoni ta fitojnë statusin e popullit shtetformues;
Këtë do ta shkruaj historia e kombit shqiptar. Çdo gjë jashtë kësaj është johistorike.
Shqiptarët kanë një prejardhje – ilire, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura