NJȄ STUDIM I RRALLȄ FRANCEZ PȄR SHTYPIN SHQIPTAR TȄ VITEVE 1848 – 1939

Pashtriku.org, 23. 02. 2017: Shkrimi në vijim është botuar në revistën e Universitetit të Shkencave të Shtypit të Parisit. Në numrin e tretë të saj (korrik – shtator 1939), francezi, André Ravry, përmes një analizë të hollësishme, na sjell detaje të shumta për shtypin shqiptar asokohe, brenda dhe jashtë atdheut.
Periudha e studiuar fillon me lëvizjen për pavarësi të Rilindasve shqiptarë dhe mbaron me pushtimin fashist të Shqipërisë. Ndër elementë të shumtë, teksti na mundëson, për shembull, të dimë se :
• cili ishte nismëtari i parë i shtypit të shkruar posaçërisht për Shqipërinë ;
• kur dhe ku u botua gazeta e parë në gjuhën shqipe, dhe nga kush ;
• kush ishte revista e parë shkencore ;
• cila ishte revista e parë e botuar në shqip dhe në Shqipëri ;
• në cilat shtete botoheshin gazetat shqiptare dhe cilat ishin emrat e tyre ;
• cila ishte ajo gazetë shqiptare e publikuar në Amerikën e Jugut dhe në cilin shtet botohej ;
• cilat ishin gazetat krahinore ;
• cilat gazeta ekzistojnë ende edhe sot ;
• cila gazetë u bë përditshme në Amerikën e Veriut ;
• kush ishte gazeta e parë shqiptare e përditshme ;
• cila ishte zonja e vetme që drejtoi një gazetë ;
• cila ishte gazeta e parë satirike, etj.
Në vazhdim shkrimi i plotë :
« Nuk ka shtetësi shqiptare » ka thënë dikur Bismarku. Kancelari i Hekurt është gabuar krejtësisht, sepse në qoftë se ne supozojmë se elementët e një kombësie janë gjuha e përbashkët, vetëdija e solidaritetit historik, kujtimi i vuajtjeve dhe lavdive të përbashkëta, përputhshmëria e interesave, komuniteti i civilizimit, atëherë duhet të pranojmë se asnjë nga këto elementë nuk u kanë munguar kurrë shqiptarëve.
Në fakt, Shqipëria, brenda kufijve të saj politikë, të vendosur në mënyrë arbitrare, përfaqëson një njësi gjeografike, etnike dhe gjuhësore më të madhe se sa disa vende të tjera, dhe shqiptarët, që nga kohët e lashta, nuk kanë reshtur kurrë së luftuari kundra pushtuesve të huaj (Gotët, Avarët, Bullgarët, Gepidët, Sllavët, Turqit), për të ruajtur bashkimin, gjuhën dhe zakonet e tyre.
Historia e këtij vendi të vogël (sipërfaqja e të cilit është gati e barabartë me atë të Belgjikës) është në të vërtetë një vazhdim i gjatë përpjekjesh për pavarësi politike ; por kjo do të arrihet në shekullin e njëzetë, ku më në fund Shqipëria do të jetë e lirë nga zgjedha e huaj.
Për sa i përket shtypit të shkruar, shqiptarët që jetonin jashtë vendit, vetëm nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, filluan ta përdorin atë, një lloj – siç ka ndodhur me shumë popuj të tjerë të shtypur – për të mbajtur gjallë tek atdhetarët e tyre ndjenjën kombëtare, por gjithashtu – dhe mbi të gjitha – për të tërhequr vëmendjen e kombeve të tjera dhe për të shpallur të drejtën e tyre për të jetuar si shtet i lirë dhe i pavarur.
Vijon nga kjo se shumë botime periodike, shqiptare nga fryma dhe prirjet e tyre, shqiptare gjithashtu prej redaktorëve të tyre, janë shkruar në gjuhë të huaj : italisht, frëngjisht, greqisht, anglisht, etj.
Përpjekja e parë nis në 1848. Më 23 shkurt të atij viti u shfaq në Napoli « e shtypur në letër me cilësi të dobët dhe me karaktere të vjetra », numri i parë i « Albanese d’Italia », publikuar, në italisht, nga patrioti dhe redaktori shqiptar, Jeronim de Rada, i cili fillimisht realizonte gjithçka vetë, por më pas u ndihmua edhe nga studenti prej Abruzzi, Nicola Castagna.
De Rada besonte se Italia do të ishte e gatëshme për të mbështetur kauzën e tij dhe, menjëherë, ai shkruajti për pavarësinë e Shqipërisë; por ngjarjet nuk vonuan t’i tregonin atij se ishte ende heret, duke parë gjendjen në të cilën ndodhej Evropa, për të tjatuar një problem të tillë. Si arsye, pas disa numrave të botuar, ai u tërhoq në vendlindje për të pritur ditë më të mira.
Vitet kalonin. Pas traktave të Shën Stefanit dhe Berlinit, dhe copëtimit të tokave shqiptare, u formua një lidhje për mbojtjen kombëtare e mbështetur masivisht nga kolonitë shqiptare në Rumani, Itali, Egjipt dhe në SH.B.A. Shqiptarët u grupuan. Veprat e shtypura lulëzuan gjithandej. Bibla u përkthye në shqip dhe gazetat u botuan kudo.
Gazeta e parë në gjuhën shqipe (plus versionit greqisht) u botua në 1882 në Athinë dhe titullohej : « Phônê tês Albanias – Zëri i Shqipërisë ». Themeluesi, Anastasio (Anastas) I. Kullurioti, i përndjekur nga qeveria greke për shkak të kësaj propagande shqiptare që ai bënte në Athinë, e transferoi gazetën e tij në Bukuresht, pastaj, meqë vazhdonte të përndiqej, u strehua në Gjirokastër, por aty, autoritetet turke, me urdhër të konsullit grek, e ndaluan dhe e dërguan në burg në Korfuz. Pasi u lirua, u ritkhye në Athinë, dhe, për disa kohë, botoi sërish gazetën e tij ; i arrestuar për herë të dytë, përfundimisht vdiq në burg, me shumë gjasa i helmuar.
Në 1883, « një komitet fisnikësh shqiptarë » filloi të botojë në Corigliano Calabro (Itali) një revistë mujore në italisht dhe shqip : « Flamuri i Arbërit », numri i parë i të cilit u shfaq në 20 korrik. Në të vërtetë, kjo revistë u bë e mundur falë sakrificave personale të Jeronim De Radës, i cili ishte në të njëjtën kohë drejtor, redaktor dhe administor i saj. Austria, Turqia dhe Greqia, të cilat, për arsye të ndryshme, ishin të interesuara për izolimin e Shqipërisë, si rrjedhim ndaluan qarkullimin e saj ; E privuar nga shumica e abonentëve (blerësve potencialë) të saj, gazeta e De Radës u përbuz nga shqiptarët e Italisë, të cilëve u dukej e mërzitshme. Numri i fundit i njohur është i datës 15 Nëntor 1887, botuar në Kozencë (Cosenza).
Në vitin 1884 u botua në Konstandinopojë revista e parë shqiptare shkencore: « Drita », e botuar nga shoqëria letrare me të njëjtin emër. Drejtuesi i saj ishte Pietro Poga, i cili bashkëpunonte me Naim Frashërin dhe J. Vreton.
Më 31 mars 1887, u krijua në Palermo « Arbri i Ri », revistë mujore e drejtuar nga Franc Stassi Petta dhe Giuseppe Schiro, e botuar në shqip dhe italisht. Dy drejtorët e rinj, pavarësisht besimit e guximit të tyre, nuk arritën të vazhdonin përtej numrit të tretë.
Ne thamë se « Flamuri i Arbërit » i De Radës pushoi botimin në fund të 1887. Një vit më pas, patrioti Nicola Naço, « i cili simbolizonte reagimin e Shqipërisë kundër dominimit të pafytyrë të grekëve”, themeloi në Bukuresht, për të vazhduar, gazetën « Shqiptari », e shkruar në shqip dhe rumanisht. Në vitin 1895, një botim i veçantë u botua në rumanisht nën titullin « Albanesul » ; Edicioni shqiptar duket se ka zgjatur deri në vitin 1903.
Duke ndjekur kronologjinë, arrijmë në periodikun e parë të publikuar në tokën shqiptare, revistën fetare mujore « Elçija i Zêmers Jesu Krishtit », themeluar nga jezuitët e Shkodrës në mars të 1891. Publikimi i këtij periodiku në territorin shqiptar, në një kohë kur, me urdhër të Sulltan Abdul Hamidit, u ndaluan të gjitha veprat në gjuhën shqipe, shpjegohet me faktin se Shkodra, ishte një qendër e madhe e kulturës së përgjithshme, kundër të cilës autoritetet turke nuk kishin guxuar ta godisnin.
Në vitin 1895 u zhvillua në Corigliano Calabro, nën presidencën e Jeronim De Radës, kongresi i parë i gjuhës shqipe ; u vendos aty krijimi i një periodiku, dhe një vit më pas, u botua « Ylli i arbëreshve », ku redaktimi iu besua Kryepriftit Antonio Argondizza. Në 1897, kjo gazetë u zëvendësua nga « Nazione albanese », revistë dymujore në italisht që ekzistoi deri sa vdiq (22 mars 1924) redaktori i saj, Anselme Lorecchio.
Më 25 mars 1897 në Bruksel u botua, në shqip dhe frëngjisht, nga Faik Konica, numri i parë i revistës së madhe « Albania », një prej revistave më të rëndësishme që ka ekzistuar ndonjëherë, kushtuar çështjes shqiptare. Nga 1899 dhe për rreth tre vjet, Konica krijoi një shtesë politike me titull « Albania e Vogël ». Në vitin 1902, ai e zhvendosi gazetën e tij në Londër, ku dhe vazhdoi të dalë deri në 1909.
Në vitet që pasuan, periodike të tjera shqiptare u krijuan kudo – por gjithmonë jashtë atdheut – dhe disa prej tyre patën një rëndësi të vërtetë. Mes 1897 dhe 1908, ne do të përmendim :
• Në Itali, « L’Albania letteraria » – (1897), gazetë dymujore e redaktuar nga një grup të rinjsh italo-shqiptarësh të Corigliano Calabro-s ; « La Nouva Albania » – (1898 – 1904), organ dyjavor i komitetit politik shqiptar të Napolit ; « Flamuri i Shqipërîs », revistë mujore italo-shqiptare e themeluar më 1 janar 1904 në Napoli nga Profesor Giuseppe Schiro, « Gazzetta Albanese » (1904); « Laimtari i Shqypenies », që u botua në Romë (1905) në italisht dhe shqip ; « Shpnesa e Shqypeniis », publikimi i të cilës filloi më 10 shtator 1905 në Raguza dhe zgjati dy vjet. Ajo u botua në gjuhën shqipe, italiane dhe kroate.
• Në Rumani : « Shqipëria », e botuar çdo dy javë nga 1897 deri në 1899 në shqip, greqisht dhe rumanisht nën kujdesin e grupit shqiptar të Bukureshtit me moton : « Shqipëria e shqiptarëve »; « L’indépendance albanaise », e themeluar në Bukuresht në 1898 nga Dervish Hima dhe transferuar pas një viti në Romë me emrin « Zani i Shqipënisë » ; « Yll’i i Shqipërisë », organ i patriotëve shqiptarë të Bukureshtit (1898 – 1900), pavarësisht se ishte në shqip, publikonte edhe shkrime në gjuhën frënge dhe greke ; « Përlindia Shqipëtare », gazetë dyjavore e shkruar tërësisht në gjuhën shqipe, përveç artikullit kryesor që ishte në frëngjisht në numrin e saj të botuar në Bukuresht më 15 Maj 1903.
• Në Egjipt : « Bashkimi i Shqipëtarevet », dyjavore e shkruar në gjuhën shqipe dhe frënge (Kajro, shtator 1900) ; « Besa – Besën », themeluar në Kajro në tetor të 1900 ; « Besa », revistë mujore botuar në Kajro nga 1904 deri në 1915.
• Në Bullgari : « Drita », e botuar në Sofje dy herë në muaj nga 1901 deri në 1908.
• Në Serbi : « Albanija » – 1905, gazetë tre-mujore botuar në Beograd në shqip dhe serbisht.
• Në Trieste (atëherë e Austro-Hungarisë) : « Dashamiri », revista dy mujore themeluar me 14 nëntor 1907 dhe e shkruar në dialektin geg.
• Në Zvicër : « Albania », revistë e botuar në shqip dhe frëngjisht (1905).
• Në Turqi mundi të publikohej vetëm një periodik, « Shqyptari », që i përkiste shoqërisë « Bashkimi » të Shkodrës, themeluar në 1904, i cili mundësoi për disa vite, përmbledhjen e ngjarjeve që kishin ndodhur një vit më parë.
Shqiptarët e Amerikës, nga ana e tyre, krijuan, gjatë kësaj periudhe, dy gazeta, njërën në Amerikën e Jugut, « La Questione albanese », numri i të cilës u botua për herë të parë me 1 shkurt 1905 në Buenes Ajres ; tjetra në Amerikën e Veriut : « Kombi », dymujore, themeluar në Boston me 9 qershor 1906 dhe që u zëvendësua me 1 janar 1909 nga « Dielli ».
Lëvizja xhonturke e vitit 1908 dukej, në fillim, sikur po premtonte ditë më të mira për të patriotët shqiptarë, të cilët ishin të shtypur ashpër deri më tani. Menjëherë pas miratimit të Kushtetutës, u shfaqën, në kufijtë e Perandorisë Osmane, gazetat shqiptare.
Këto ishin në :
• Korçë : « Korça », 15 dhjetor 1908 ;
• Selanik : « Lirija », në 1908 ; « Diturija » dhe « Lidhja orthodhokse » në 1909 ;
• Manastir : « Bashkimi i Kombit », e krijuar nga fundi i vitit 1909 falë shoqërisë « Shoqërî Botonjëse Literare » dhe e botuar në shqip dhe turqisht ; « Drita », e themeluar në 1909 ; « Kombi », e themeluar në 1911 ;
• Elbasan : « Tomorri », organ i Normales së qytetit, themeluar me 25 mars 1910 dhe botuar në Manastir nëpërmjet shoqërisë « Bashkimi i Kombit »;
• Janinë : « Zgjimi i Shqipërisë », organ dyjavor i shoqërisë « Bashkimi », krijuar më 1909 ;
• Shkodër : « Koha », në 1910, e cila në numrin e dytë të saj u emërua « Bashkimi ».
Brenda Konstandinopojës, u publikuan në 1909 « Shqipetari », ndërsa në 1911 « E Vërteta ».
Jashtë Turqisë, u krijua gjatë vitit 1909 në Sofje « Shqypeja e Shqypënis », ndërsa në Kajro « Rrufega » dhe « Shkopi ».
Por shumë shpejt situata do të përkeqësohej ; lëvizja e sapolindur u shtyp, pjesa më e madhe e gazetave shqiptare u pezulluan dhe shumë nga redaktorët e tyre u burgosën. Gazeta të tjera u hapën jashtë vendit si për shembull « Liri e Shqipërisë » në Sofje ; « Trumbeta e Krujës » në Santa – Luis (SH.B.A) ; « Zëri i Popullit » në New York ; « Atdheu » në Rumani ; « Fiala e t’in’zoti » në Piana dei Greci (Itali) ; « La Rivista dei Balcani » po ashtu në Itali mes viteve 1911 – 1912. Në të njëjtën kohë, « Dielli » në New York, u bë gazetë e përditshme.
Tentativat e xhonturqëve për të asimiluar shqiptarët në osmanë i nxituan gjërat. Një kryengritje e përgjithshme u organizua, dhe, në 1912, Shqiptarët morën Shkupin dhe kërcënuan për të marrë edhe Manastirin. Për të ndaluar këtë lëvizje, e cila ishte duke u bërë serioze, dhe për të kufizuar dëmet, qeveria turke premtoi të njohë autonominë shqiptare me disa kushte të caktuara. Shpresa të mëdha lindën edhe një herë, por Lufta Ballkanike vuri gjithçka në pikëpyetje.
Pas disfatës së turqve, Shqipëria ishte e pushtuar pothuajse tërësisht nga malazezët, serbët dhe grekët. Në kulmin e pushtimit, më 28 nëntor 1912, një grup i vogël patriotësh shqiptarë, arritën në Vlorë me një anije austriake, ngritën flamurin e vjetër të Skënderbeut dhe shpallën pavarësinë e vendit ; një burrë shteti, i moshuar, Ismail Qemal bej Vlora, mori drejtimin e qeverisë së përkohshme.
Ishte momenti i duhur, sepse zgjerimi i vendeve ballkanike përdrejt Adriatikut shqëtësonte në të njëjtën kohë si Italinë ashtu edhe Austrinë dhe shpallën « Shqipëria e shqiptarëve ».
Konferenca diplomatike e mbajtur në Londër pranoi, me 20 dhjetor 1912, krijimin e një Shqipërie të pavarur nën mbikqyrjen e një princi evropian të zgjedhur nga populli. Bëhet fjalë për princ Vidin, i cili u zgjodh mbret me 3 dhjetor 1913 dhe zbarkoj në portin e Durrësit me 7 mars 1914.
Gjatë këtyre dy viteve, çfarë ndodhi me shtypin shqiptar ? Të gjitha gazetat e vjetra – me përjashtim të disave të publikuara jashtë – ishin zhdukur, por, nga mesi i 1913, të tjera u shfaqën për t’i zëvendësuar kësaj here brenda tokës shqiptare, më në fund e lirë. Këto ishin :
• « Konkordia », gazetë politike javore e Gjirokastrës ;
• « Ushtimi i Krujës », e publikuar në Durrës ;
• « Besa Shqyptare », e rilindur, me 18 maj 1913, me një emër të ri, « Bashkimi » i Shkodrës, ku dhe disa numra botimi mbajtën edhe emrin « Zàn i Shkodres »;
• « Përlindja Shqipëtare », gazetë politike dyjavore e Vlorës, e themeluar nga D. Berati me 6 gusht 1913, por që u mbyll që me 14 mars 1914 ;
• « Xgjimi », revistë mujore korçare, që filloi me 1 tetor 1913 dhe u ndal në mars të 1914. Deri në numrin e tretë ; ajo u shtyp në Bukuresht, në pritje të largimit të grekëve nga Korça.
Duhen shtuar edhe :
• « Taraboshi », gazeta e parë e përditshme shqiptare, e themeluar në Shkodër me 26 shtator 1913 nga T. Tocci, dhe që vazhdoi deri në fund të nëntori 1914, dhe pas një periudhe të gjatë ndërprerje, u rikthye në vitin 1921 ;
• « Hylli i Dritës », revistë mujore e madhe, e themeluar me dëshirën e Superiorit françeskan të Shkodrës në tetor 1913.
Gjatë mbretërimit të Princ Vidit, vetëm dy gazeta u botuan në Shqipëri :
• « Populli », që u shfaq në Vlorë nga 4 prilli deri në 19 gusht 1914 dhe pastaj u transferua në Shkodër, kur Vlora ra në duart e kryengritësve ;
• « Zana », revistë letrare dyjavore dhe e ilustruar, e drejtuar nga Zonja Lulo Malësori, e botuar në Bari (Itali) dhe e publikuar nga qershori deri në gusht të 1914 në Durrës.
Pastaj erdhi Lufta e Madhe, me largimin e mbretit Vid dhe pushtimin e Shqipërisë nga ana e trupave armike. Çështja shqiptare u gjend përsëri para botës dhe gazeta të tjera shqiptare u shfaqën jashtë kufijve të shtetit të vogël. Në Amerikë, pati një lëvizje të madhe, ku u krijuan gazeta si « The Albania » (në fillim në Denver, më pas në Chicago, 1915), « Illyria » (Boston, 1916), « Perparimi » (Watertown, Mass, dhe më pas në New York, 1916), « Yll’ i Mëngjezit » (Boston, 1917), « Shqiperia » (New York, 1918), The Adriatic Review (Boston, 1918).
Në Lozanë (Zvicër) u themelua në vitin 1915 « L’Albanie », « organ dyjavor mbrojtës i interesave shqiptare », dhe në Romë, në korrik të vitit 1918 « Kuvendi », javore politike italo-shqiptare.
Në Shqipëri, pavarësisht vështirësive të panumërta, patriotët trima arritën të krijojnë disa revista të reja :
• « Posta e Shoqnies », javore politike e publikuar gjatë disa muajve në Shkodër që nga 5 dhjetori 1916 ;
• « Gazeta e Korces », si fillim e përditshme dhe më pas tri-javore, e krijuar në Korçë me 12 tetor 1916 ;
• « Zoja Shkoders Drita Shqypnis », periodik katolik i publikuar në Shkodër nga prilli i 1917 deri në korrik të 1919 ;
• « Kopështi Letrar », revistë që u shfaq në Elbasan në gusht të 1918 deri në korrik të 1919.
Kur morën fund luftimet, gazeta të tjera u publikuan, për tu kujtuar kombeve që negocionin kushtet e paqes dhe ribënin hartat e Evropës, se Shqipëria nuk duhej harruar : « Agimi », « Koha e Re » dhe « Populli », të publikuara në Shkodër në fillim të 1919 ; « Opinga » dhe « Xgjimi i Shqipërisë », revista të themeluara në Paris po gjatë atij viti ; « Shqiperia e Re », në Bukuresht ; « La Rassegna italoalbanese » në Palermo, etj.
Paqja u arrit më në fund. Me 9 nëntor 1921, Konferenca e ambasadorëve konfirmoi përfundimisht kufijtë e Shqipërisë dhe, me 21 janar 1925, u shpall republikë.
Tashmë, gazetat do të zhvilloheshin normalisht, megjithëse pa pritur këtë moment, fleta të reja kanë mbirë, si kërpudhët pas shiut : mund të llogarisim më shumë se gjashtëdhjetë, të shfaqura mes 1920 dhe 1925, por zakonisht shuhen në lulen e jetës. Ne do të përmendim ndër më të rëndësishmet, si për shembull :
• « Demokratia », javore e madhe e Gjirokastrës (1925) ;
• « Ushtimi i Vlorës » ;
• « Zekthi », gazeta e parë satirike shqiptare (Korçë, 1922) ;
• « Fletorja Zyrtare », e themeluar në Tiranë në 1922 me titullin inicial « Dit e Re ».
Me 1 shtator 1928 u rivendos monarkia dhe presidenti në detyrë, Ahmet bej Zogu, u ngjit në fron nën emri Zog I-rë. Sovrani i ri, që kishte jetuar për një kohë të gjatë në Konstandinopojë dhe në Vjenë, e njihte rëndësinë e shtypit dhe e favorizoi me aq sa mundi zhvillimin e saj. Gazeta kishin një mision për të përmbushur në mbretërinë e re : imponimin e autoritetit të qeverisë qendrore në fiset që jetonin në malësi për të cilët hakmarrja (kanuni) nuk i përkiste ende të kaluarës. Influenca e gazetave duhet të ishte akoma dhe më e madhe tek ata, sepse ishte i vetmi ushqim intelektual për popullsinë e shkolluar. Pikërisht për shkak të këtyre kushteve të veçanta, qeveria shqiptare mendonte se ishte më mirë që të ketë pak gazeta, por të mira, se sa shumë dhe mediokre ; ligji i 24 janarit 1931 vendosi që çdo editor (botues) duhet të ishte 25 vjeç e sipër dhe të kishte një dëftesë (diplomë) gjimnazi ; nevojitej gjithashtu një depozitë prej 5000 frangash ari. Dispozitat e këtij ligji, me më shumë se 60 artikuj, cënuan të drejtën e lirisë të shtypit dhe gjendja u rëndua më shumë prej dy dekreteve të 1 shkurtit 1937, sepse u eliminua një numër i rëndësishëm gazetash. Mbetën vetëm gazeta e « mëdhaja » por me baza të qëndrueshme : në prag të pushtimit të Shqipërisë nga italianët, kryeqendra e çdo krahine kishte gazetën e saj, shpesh të përditshme.
Revistat, po ashtu, ishin të shumta, le të përmendim më të lexuarat :
• revistën letrare « Minerva »;
• revistën pedagogjike « Normalisti » të Elbasanit ;
• revistën shkollore « Vatra e Rinis »;
• revistën fetare të myslimanëve « Zani i Nalte », etj.
Në një vend me 1.2 milionë banorë, gazetat periodike nuk mund të pretendojnë të shiten në masë, sepse ky vend ka ruajtur disa tipare orientale, ku gazetat e botuara kanë përballë tyre një konkurent të fortë, « shtypin e folur », i cili praktikohet në kafene dhe pazare. Gjithsesi, mund të konstatojmë se gazetat arrijnë shpejt deri në fshatrat më të izoluar dhe shohim shpesh, këto kohët e fundit, fshatarë të rinj, të cilët kishin sjellur prodhimet e tyre në treg, dhe të marrin gjatë rrugës së kthimit për në malet e tyre gazetat e gjithë javës.
Pushtimi i Shqipërisë nga italianët ka shkaktuar zhdukjen e të gjitha gazetave të pavarura, duke përfshirë edhe « Dritën », gazetën e përditshme të Tiranës, e cila është zëvendësuar nga « Fashizmi », « organ i partisë fashiste shqiptare », numri i parë i botuar i përket datës 25 maj 1939. Faqja e gjashtë e kësaj gazete është në italisht, të tjerat në shqip. Është e vetmja gazetë që ekziston akoma në Shqipëri.
Katër gazeta të tjera që botohen një apo dy herë në javë janë « Littorio Coritca », « 7 Prilli » (data e pushtimit), « Gazeta e këmishave të zeza » (Vlorë) dhe « Rinia Fashiste » (Shkodër). Janë të gjitha organ i partisë fashiste dhe botohen në italisht e shqip.
(Shkruar nga Aurenc Bebja, Francë dhe burimin e informacionit (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania),

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GJUHA JONË

GJUHA JONË Nga Ndriçim Kulla, Tiranë 26 shtator 2021 “Historia që ka një farë rëndësie në jetën e…