NJË KUJTIM PËR IKONËN E RADIOS DHE TELEVIZIONIT SHQIPTAR KIÇO FOTIADHI (1940 – 17 SHTATOR 2014)

NJË KUJTIM PËR IKONËN E RADIOS DHE TELEVIZIONIT SHQIPTAR KIÇO FOTIADHI (1940 – 17 SHTATOR 2014)

“Medalje e artë për ikonën e radios dhe të televizionit Kiço Fotiadhi”

Nga Kleo Lati

Dhërmiu, ky vend i mrekullueshëm, i mahnitshëm, perlë e bukurisë natyrore shqiptare, por edhe perlë e historisë dhe e kulturës së saj. Një fshat me përmasat e një qyteti. Vendosur në këmbët e Akrokeraunëve, mbi supet e kodrave, të cilat diku bien butë dhe diku bien si thikë mbi valët e bekuara të Jonit shkëlqimtar. Vendosur aty si prej dorës së vetë Zotit, apo të fatit, (Dhërmiu është me fat që Zoti e vendosi aty, apo vetë Zoti është fatlum që nga qielli lart në Akrokeraune, vështron tej e tej Dhërmiun mahnitës?), në një shtrirje të gjerë, sa edhe syri nuk e rrok njëherësh të gjithin, deri ku tokat e tij “puthen” me brigjet e mahnitshme detare, që bartin me vete histori, mite, legjenda, nga ato më të pabesueshmet, por edhe njerëz dhe histori reale që duket sikur janë vazhdim i miteve.

Në këtë vend të bekuar lindi Kiço Fotiadhi. Njeriu që identifikohet menjëherë prej dy gjërave: zërit dhe fytyrës.

Një zë i rrallë, që fillimisht ka buçitur përmes valëve të Radio Tiranës përpara më shumë se gjysmë shekulli, por edhe një fytyrë e dashur e ekranit të televizionit. Zëri dhe fytyra e tij janë pjesë e vyer e suksesit dhe e krenarisë së Radios dhe Televizionit Shqiptar. Lidhja mes tyre dhe Kico Fotiadhit është e pandarë, ashtu si jetët e dy njerëzve që nuk mund ta kuptojnë lumturinë e vet pa njëri-tjetrin.

Këtë e ndien edhe kur bisedon me Kiço Fotiadhin. Sa herë ndodh që ulem dhe bisedoj me të, më mrekullon fakti që edhe kur ai tregon për gjëra personale nga jeta e vet, i lidh ato pashmangshmërisht me radion dhe televizionin, ashtu sikurse kur bie fjala për radion dhe televizionin, në rrëfimet e tij të ndjera dhe pasionante hyjnë natyrshëm edhe fragmente nga jeta e tij.

Një lidhje e bukur, e çmuar, që nuk është ndërprerë as sot, kur zëri i Fotiadhit nuk dëgjohet më në radio dhe fytyra e tij nuk shfaqet më në ekran. Por kjo, në fakt, nuk ndryshon asgjë.

Kiço Fotiadhi është aty, në historinë e radios dhe të televizionit. Si një pikë referimi. Si një përvojë e vyer dhe si një shkollë. Të krijosh një përvojë në përmasat e një shkolle është diçka unikale. Po të bisedosh me specialistë të radios dhe të televizionit sot, ata të thonë se folësi i talentuar Kiço Fotiadhi e ka krijuar një shkollë të tillë. Nuk është pak një vlerësim i tillë. Është, madje, shumë. Flet për atë kontribut dhe përvojë të vyer që ky njeri i ka dhënë radios dhe televizionit për më shumë se dyzet vjet.

Në jetë njeriu nuk nderohet për atë që ka marrë. Gjithnjë nderimi është për atë që ai ka dhënë. Pikërisht për këtë kontribut të madh, sot vjen edhe nderimi që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bën Kiço Fotiadhit, me dhënien e medaljes “Naim Frashëri i Artë”. Një vlerësim i lartë, që shpreh mirënjohjen për atë që ky njeri i ka dhënë shoqërisë. Vlera e një shoqërie matet, veç të tjerash, edhe nga kujdesi dhe vëmendja që ajo tregon ndaj individit.

Qysh në adoleshencë, tek dëgjoja zërin buçitës dhe të ëmbël të Kiço Fotiadhit në radio apo në televizor, nuk e di pse në përfytyrimin tim bëheshin një buçitja e dallgëve të Jonit tek rrihnin shkëmbinjtë e brigjeve dhërmiase, erërat me piskamë që duket se zbrisnin prej Akrokerauneve dhe në vrapin e tyre teposhtë Dhërmiut merrnin fuqinë e perëndive dhe lëshonin kumte të çuditshme. Dhe ajo që më magjepste akoma më shumë, sa herë dëgjoja zërin e këtij spikeri të rrallë, ishte se, njëherësh, më dukej se tek ai zë “ngjisheshin” edhe ëmbëlsia dhe shushurima përkëdhelëse e valëve lozonjare të Jonit, edhe puhiza dhe freskia përtëritëse e ajrit të mbushur me jod deti.

Erërat, që në Dhërmi ngjajnë me muzikë të çuditshme, duket sikur zbresin nga qielli dhe rendin tutje, përzihen me detin dhe pastaj deti i kthen sërish këto zhurma melodish, përmes zhaurimës dhe buçitjes së dallgëve që përplasen në breg, duke bërë që jehona e tyre të ngjitet sipër, të përshkojë grykat dhe shpatet e fshatit, të hyjë në çdo oborr shtëpie dhe pastaj të ngjitet akoma më lart, drejt malit, drejt qiellit, andej edhe nga ka zbritur.

Bisedoj me Kiço Fotiadhin për jetën e tij, dhe biseda për Dhërmiun vjen aq natyrshëm. Ai flet me një emocion djaloshar për figurat e shquara të këtij fshati, të cilin e quan “kryeqyteti i fshatrave të Shqipërisë”, me një adhurim për pleqtë e dikurshëm, të arsimuar dhe me kulturë jete të fituar nga emigrimet në Francë, Itali, Greqi, Amerikë. Tregon se “në kujtesën time, edhe pse isha fëmijë i vogël, janë të fiksuara përjetësisht të gjalla pamjet e atyre pleqve të urtë dhe të mençur, tek mblidheshin çdo mbrëmje te Potami, shumica e tyre të veshur me kapele republike, me papijon, ata mbanin bastunë me koka banozi dhe tespihe të fildishta. Të dëgjoje ata tek bisedonin me njëri-tjetrin, të dukej vetja sikur ishe në një teatër. Flisnin bukur dhe me fjalë të mençura. Qetësia dhe urtia e tyre më kanë mahnitur jo vetëm atëherë kur isha fëmijë, por edhe tani. Ata pleq rrezatonin kulturë në gjithçka”.

Biseda vjen natyrshëm edhe te një emër i shquar me rrënjë në Dhërmi, Petro Marko. Ky njeri i madh, kolos i letërsisë shqipe, për mua shkrimtar i përmasave europiane, (preferoj ta quaj edhe “Hemingueji shqiptar”) e lartëson akoma më shumë emrin e Dhërmiut, ashtu sikurse edhe Dhërmiu ia lartëson emrin atij. Fotiadhi flet me admirim për shkrimtarin e shquar, të cilin e ka njohur shumë mirë nga afër. “Ai ishte jo vetëm një talent i madh, por edhe një burrë i bukur. Të imponohej me fuqinë e talentit, por edhe me bukurinë e shtatit”.

Kiço Fotiadhi tregon se “me krijimtarinë letrare të Petro Markos jam njohur qëkur isha fëmijë. Në shtëpinë tonë kishte shumë libra dhe revista të kohës. Ne, fëmijëve të tij, babai na la trashëgim më shumë libra sesa rrënjë ullinjsh dhe portokajsh. Te disa revista letrare të viteve ‘30-të, unë kam lexuar për herë të parë krijime letrare të Petro Markos, Nonda Bulkës, Aleks Cacit…”.

Ky rrëfim i Kiço Fotiadhit më mrekullon, ashtu sikurse edhe më drithëron. Më mrekullon për dashurinë për dijen dhe kulturën që babai i tij, mësuesi i talentuar dhe shumë i respektuar jo vetëm në jug, por edhe në veri të vendit, u transmetonte fëmijëve të vet. Më drithëron ngaqë unë e njoh faktin e dhimbshëm të jetës së Kiços, i cili mbeti jetim kur ende nuk kishte mbushur 9 vjeç. Babai i tij, mësuesi i talentuar, Piro Fotiadhi, një metodist i shkëlqyer, siç kam dëgjuar të flitet për të nga ata që e kanë njohur, u nda përgjithmonë nga kjo jetë kur ishte vetëm dyzetë vjeç. Nxënës i njeriut të ditur dhe patriotit të shquar, Jani Minga, mësues i qindra e mijëra fëmijëve që më pas do bëheshin njerëz të shquar të fushave të ndryshme, si mësues, ekonomistë, mjekë, diplomatë (njëri prej tyre edhe ministër i Jashtëm i vendit, Reis Malile), që kujtohet me respekt jo vetëm në Vlorë dhe në Dhërmi, ku lindi, por edhe në Lezhë ku vdiq. Mbylli sytë kur punonte me aq pasion si drejtor i shkollës “Hydajet Lezha” në qytetin me emër në historinë e kombit tonë, në Lezhë. Dhërmiasi Piro Fotiadhi u mësonte me një pasion të veçantë fëmijëve lezhjanë gjuhën e bukur shqipe dhe u përcillte atyre dije dhe kulturë. Vinte nga një fshat jo vetëm i shquar për nga bukuritë natyrore, por, midis të tjerash, edhe për faktin se në Dhërmi shkolla shqipe është hapur qysh në vitet 1600, pra përpara rreth 400 vitesh.

Ata që e kanë njohur Piro Fotiadhin thonë se fliste një shqipe të shkëlqyer. Unë e besoj, pasi kur dëgjoj të birin e tij, personazhin e këtij shkrimi, Kiço Fotiadhin, tek flet aq bukur dhe rrjedhshëm gjuhën shqipe, bindem akoma më shumë në përcjelljen që bëhet nga njëri brez në tjetrin dija, dituria, gjuha.

“Ne, fëmijëve të tij, babai na la trashëgim më shumë libra sesa rrënjë ullinjsh dhe portokajsh”. Pos sot, lexohet më shumë apo më pak? Ka mendime të ndryshme për këtë, por unë bëj pjesë ndër ata njerëz që e hyjnizoj librin, i falem atij si një perëndie të gjithëpushtetshme. Sepse, siç thotë i madhi i letrave, Gabriel Garcia Markezi, fundi i botës do të vijë kur njerëzit të udhëtojnë në vagonët e klasit të parë dhe librat në vagonin e mallrave…

“Mirëmbrëma! Po japim lajmet!”. Një përshëndetje e njohur, si një ngjatjetim i ngrohtë, si një trokitje, si një sinjal, si një hapje dritareje për të ndjerë brenda teje më shumë dritë, më shumë ajër. Këtë përshëndetje të ngrohtë të fillimit të emisionit të lajmeve në televizionin shqiptar për herë të parë në historinë e tyre e ka dhënë Kiço Fotiadhi. Përpara thuajse një gjysmë shekulli. Më saktësisht më 13 mars të vitit të largët 1963, kur studentit 23-vjeçar në shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” iu ngarkua detyra e vështirë, por shumë e bukur dhe fisnike, për të dhënë emisionin e parë të lajmeve në historinë e saponisur të Televizionit Shqiptar. Por atë ditë të largët të një gjysmë shekulli më parë, Kiçoja e kujton me një emocion dhe qartësi të tillë, a thua se sapo ka dalë nga studioja e lajmeve, në të cilën ai dha lajme për dyzetë vite me radhë. “Gjithçka e kam të gdhendur në mendje, në shpirt, në trup – tregon ai – Më thirri drejtori i atëhershëm i televizionit, Petro Kita, dhe më tha se kishin vendosur që unë të jepja emisionin e parë të lajmeve në televizion. Është pak të thuash që ndjeva befasi, kënaqësi, emocion. Janë një univers ndjesish që të përfshijnë në çaste të tilla, sa edhe vetë fjalët duken të pafuqishme për të shprehur gjithë këtë univers. Sepse nuk bëhej fjalë thjesht për një emision lajmesh. Bëhej fjalë për çeljen e një historie të re zhvillimi të televizionit eksperimental shqiptar. Fati më kishte përzgjedhur mua. Unë u isha dhe u jam mirënjohës të gjithëve: atyre që më vlerësuan dhe më zgjodhën për të qenë ikona e parë e emisionit të lajmeve, prindërve që më sollën në jetë me këtë zë dhe me këtë pamje, fatit që në atë rast më buzëqeshi…”.

Zëri i Kiço Fotiadhit dridhet pak, sytë e tij lagen, vështrimi i tij duket se endet nëpër kohë, si për të “mbledhur” edhe detajet më të imta të asaj kohe dhe të atyre skenave që për të do të mbeten të pashlyeshme gjatë gjithë jetës. Si të mos emocionohet kur kujton se për herë të parë do dilte në ekranin e televizorit, por që në atë kohë nuk kishte parë ende me sytë e tij një aparat televizori, nuk kishte idenë se si një njeri, që qëndron i mbyllur në një studio të thjeshtë, mund të shfaqet brenda një ekrani të vogël në të njëjtën kohë nëpër shtëpitë e atyre që kishin aparate televizori? “Në atë kohë në gjithë Tiranën nuk kishte më shumë se 20-30 familje që kishin televizorë, shumicën e tyre i kishin kush kishte studiuar jashtë shtetit”.

– Si shkoi emisioni i parë i lajmeve? – e pyes Kiçon.

– Isha si një zog i trembur. Kisha dhënë më të mirën time, por kisha frikë dhe ankth të thellë se si do të pritesha, si do gjykohesha, si do vazhdohej më tej…

Nuk është e nevojshme ta pyesim se si shkoi më tej. E dimë shumë mirë të gjithë rrugëtimin e tij mbushur me sukses dhe admirim të veçantë për zërin e rrallë dhe ikonën e radios dhe të Televizionit Shqiptar. Për atë zë të veçantë, kumbonjës, të qartë, depërtonjës, e kishin ftuar të fliste nëpër studiot e Radio Tiranës qysh kur ishte vetëm 19 vjeç, nxënës i liceut artistik “Jordan Misja”.

Në rrugëtimin e tij të jetës e ka ndjekur herë fati i mirë, herë fati i keq. Për herë të parë mbeti jetim kur ishte 9 vjeç, kur fati i keq i rrëmbeu babanë nga kjo jetë. Por ai mbeti “jetim” edhe më 1 korrik 1974, kur në kohën që ishte duke shijuar famën dhe suksesin si folës i shkëlqyer, befas e përjashtojnë nga puna. Arsyeja? Disa “kleçka” të vogla në biografi, të cilat nuk jepnin “garancitë politike” që ai të punonte në një institucion kaq të rëndësishëm, siç ishte televizioni. Përfundimi: punëtor në fermën “Gjergj Dimitrov”. Punëtor krahu për plot shtatë vjet me radhë.

Dhe erdhi viti 1981. Fati, që e kishte braktisur, duket se kishte vendosur të luante edhe një herë me të. Por, mrekullisht, kësaj here për mirë. Duke njohur vlerat e zërit tij të artë, e ngarkojnë me detyrën e transmetimit të artikujve të gazetave dhe materialeve të tjera shumë të rëndësishme që botoheshin në atë kohë për Kosovën. Artikujt e gazetave të asaj kohe, të “veshura” me ngjyrat e zërit të rrallë të Kiço Fotiadhit, por edhe me hovet e shpirtit të tij atdhetar, patën një jehonë të jashtëzakonshme këtej dhe matanë kufirit. Lexime me nivel të lartë artistik, me një ligjërim gjuhe që i mahniste dhe i emociononte si rrallëkush ata që e dëgjonin. Madje për atë në atë kohë u bënë dhe vlerësime të tilla, si “spikeri i Kosovës”, “shpresa dhe simboli i lirisë së kosovarëve”. E ç’duhet thënë më tepër se kaq për të kuptuar përmasat e një folësi të talentuar? Zëri i tij i mrekullueshëm “dilte” nga një studio e vogël këtu në qendër të Tiranës dhe me shpejtësi “shkonte” gjithandej, hynte pa trokitur brenda nëpër vatra shtëpish, por gjithmonë i mirëpritur, “kalonte” nëpër zyra, fabrika, nëpër sheshe ku njerëzit grumbulloheshin dhe dëgjonin zërin e tij përmes altoparlantëve. Shkonte kudo ku teknologjia e mundësonte. Duke u shndërruar në një ikonë të radios dhe të televizionit.

Më duket e pabesueshme, edhe pse këtë e dëgjoj nga vetë Kiço Fotiadhi, se hera e fundit që ai ka dalë në ekranin magjik të televizionit ka qenë në vitin 1992, pra plot njëzetë vite më parë. Me siguri kjo gjë lidhet me atë ndjesi që të le një ikonë, e cila nuk cenohet aspak nga koha që kalon dhe të duket se është gjithnjë e pranishme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura