Një mundësi më shumë mbi rregullimin e ҫmimit të karburanteve nga qeveria

Një mundësi më shumë mbi rregullimin e ҫmimit të karburanteve nga qeveria

Nga Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog, Doktor i shkencave gjeologjike

Tiranë 28 mars 2022

Një shtet me këmbë në tokë dhe që punon për popullin, i ka të gjitha mundësitë për të vepruar me sukses mbi çmimet edhe në kushtet që krijon ekonomia tregut, për të zbutur sa më shumë pasojat e krizës energjitike mbi popullsinë. Çmimi i shitjes hidrokarbureve në tregun botëror varion në kufij të gjërë, bile luhatet mjaftë brenda ditës, dhe varet kryesisht nga faktorët objektiv që janë kërkesa dhe oferta në treg, por rol të veҫantë ka gjithashtu edhe faktori subjektiv, zhvillimi situatave gjeopolitike dhe prodhuesit kryesore të tyre, që mund të jenë kompanitë apo vetë shtetet, i shfrytëzojn mirë këto për të ritur fitimin. Ky variabilitet i ndryshimit të ҫmimit nuk varet shumë nga kosto e prodhimit, e cila nuk është e njëjtë për kompanitë e nxjerrjes, megjithatë, në periudhë krizash energjie, prodhuesit dhe shteti pa përjashtim nxjerrin fitime kolosale dhe janë pikërisht konsumatorët ata që paguajnë shtrenjtë.

Në këtë situatë të krizës energjitike që ka mbërthyer pothuajse gjithë botën, Senatori Demokrat Amerikan, Sheldon Whitehouse, me të drejtë ka propozuar një plan për të vendosur një taks mbi kompanitë e naftës në masën prej 50% të diferencës midis çmimit të një barreli naftë që tregëtohet sot në tregun botëror me mesataren e çmimit të një barreli naftë që është tregëtuar në periudhën 2015 – 2019 dhe kësaj duhet ti nënshtrohen prodhuesit dhe importuesit e naftës dhe jo të ndëshkohet konsumatori. Ai kërkon që kompanitë e naftës duhet të forcohen që të paguajnë këtë taks në qoftë se plani i tij do të bëhet ligj. Të ardhurat që do të grumbullohen nga kjo taks do ti shpërndahen familjeve me të ardhura të ulta dhe të mesme. Pagesat do të aplikohen për personat që kanë rroga deri në $75,000 ose me të ardhura për familje deri në $150,000. Sipas llogaritjeve, çdo person do të përfitoj $240/vit ose $360/vit për çdo familje.

Plani i tij ka gjetur mbështetje të gjërë edhe nga Senatorët Bernie Sanders, Elizabeth Warren, Michael Bennet and Bob Casey, pasi demokratët po kërkonin për një plan të politikës ekonomike, ndërkohë që ata kanë shumicën në dhomë dhe në senat.

Në qoftë se edhe qeveria shqiptare bashk me parlamentin hartojn dhe miratojn një ligj të tillë, do të ishte një variant i arsyeshëm dhe tepër i llogjikshëm për tu aplikuar sepse do të frenonte abuzuesit mbi rritjen e çmimit të shitjes naftës dhe karburanteve, ndërkohë të ardhurat që do të grumbulloheshin nga kjo taks, shteti do ti përdorte për të ndihmuar familjet e varfëra me të ardhura të pakëta.  

Kompanitë konçesionare të nxjerrjes naftës në shqipëri, veçanërisht në këtë periudhë krize, kanë të ardhura marramëndëse, sepse çmimi i eksportit të naftës bruto në tregun botëror është shumëfishuar në krahasim me atë në periudhën që ka propozuar Senatori Amerikan, 2015 – 2019, që Ai e ka konsideruar si çmim normal, dhe aq më tepër kur ato nuk paguajn asnjë taks dhe tatimin mbi fitimin shtetit, mbasi manipulojn me fatura fallco, raportojn se nuk kanë fitim dhe po punojnë me humbje.

Ky ligj është propozuar për tu aplikuar në SHBA, ku nafta është pasuri private, zbulohet dhe shfrytëzohet me parat e privatit që i paguajnë rregullisht taksat dhe tatimin mbi fitimin shtetit, ndërsa kompanitë konçesionare në shqipëri janë thjesht operatore në këto pasuri natyrore, prodhojnë naftën që është pasuri publike dhe për më tepër ato po shfrytëzojnë vendburimet ekzistuese që janë zbuluar dhe përgatitur nga naftëtarët dhe specialistët tanë duke shpenzuar parat e popullit.

Bile unë do ti sugjeroja qeverisë, që ky ligj ta zgjeronte sferën e veprimit tij, të aplikohet edhe për kompanitë konçesionare që shfrytëzojnë pasuritë natyrore minerare dhe ato të energjisë në vendin tonë, sepse çmimet e produkteve të tyre në tregun botëror janë rritur mjaft. Në këtë periudhë krize energjitike të gjithë kanë nevojë për ndihmë dhe dorën e shtetit. Prandaj shteti të mos justifikohet gjoja me ekonominë e tregut dhe luftën, për t’ju shmangur përgjegjësisë dhe korrupsionit, por të ndërhyjë menjëher që këto kompani të detyrohen me ligj të paguajn këtë taks në mënyrë që të normalizohet situata dhe shteti të bëjë transparencë para popullit sepse ai i ka dhënë votën.

Shkaktarët kryesor të krizës ekonomike 30 vjeçare në shqipëri dhe agravimit kaq shumë të situatës energjitike tani, janë pikërisht abuzimet që kompanitë konçesionare bëjnë me pasuritë tona natyrore, ku vjedhin gjithëçka bashk me qeveritarët dhe politikanët në vendburimet ekzistuese dhe nuk paguajn asgjë në shtet, bile një ligj i tillë për ato duhet të ketë efekt paraveprues.

Ky ligj godet në themel ligjin e pashkruar që operon në tregun e lirë ku çmimi vendoset mbi bazën e parimit kërkesë-ofertë dhe prevalon mbi atë, sepse detyron me forcë, me ligj, kompanitë që merren me eksportet dhe importet e naftës, mineraleve dhe të energjisë elektrike që të përgjysmojn efektet e krizës duke i ndar fitimet e tyre me bazë abuzive me shtresat e varfëra të popullsisë. Propozimet e k/ministrit me beniaminet dhe beniaminët e tij për zgjidhjen e krizës energjitike dhe krijimi i bordeve apo komiteteve s’janë gjë tjetër vetëm se veprime burokratike të një qeverie të pa-aftë, pa ide, pa vizion, që kërkon të mashtroj popullin dhe të mbroj me kokëfortësi konçesionarët dhe oligarkët e saj që të mos i ulen fitimet sepse bashk vjedhin.

A mund ta bëjë qeveria Rama këtë, që të nxjerr ligjin dhe të forcoj kompanitë e naftës të paguajnë këtë taks dhe me transparencë të plotë të shpërndaj këto të ardhura për shtresat e varfëra të popullsisë apo do i ndajnë midis tyre, dhe popullit mund ti japin ndonjë trast oriz siç i dhanë gjatë Pandemisë? Jamë i bindur që kjo qeveri nuk e bënë, sepse të gjitha kompanitë në shqipëri që merren me naftën, minierat, karburantet, elektrikun, etj., janë oligarkë të saj dhe opozitës dhe pas tyre fshihen dhe janë bashkpronar kokat e politikës dhe qeverisë, që vjedhin bashkërisht pasuritë publike dhe xhepat e popullit, këta janë peshqit e mëdhenj që citonte shpesh ish-ambasadori amerikan z. Donald Lu.  

Qeveria dhe k/ministri, çdo ditë, kanë ndërmarrë një fushatë të egër mashtruese dhe me plotë justifikime kundër popullit të varfër që po demostron hapur për fukarallëkun e tij, që ja kanë krijuar politikanët dhe “qeveritë demokratike” grabitëqare në këto 3 dekada, në mënyrë që të mos preken të ardhurat e kompanive oligarkike dhe politikanëve që fshihen pas tyre. Opozita gjithëashtu nuk e ngre zërin fare, lidhur me pasojat që po lë kjo krizë në shtresat e varfëra të popullsisë, sepse bashk vjedhin dhe oligarkët dhe konçesionarët e qeverisë janë edhe të tyre.

Artikullin e plotë në orgjinal, mbi këtë plan të Senatorit Amerikan, Sheldon Whitehouse, mund ta lexoni në linkun:

https://www.rigzone.com/news/wire/senator_pitches_stiff_new_oil_company_tax-13-mar-2022-168234-article/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura