Nga Rexhep Kasumaj – Berlin, korrik 2023
Një pyetje e vështirë
(Mbi fundin që zgjedhim..?)
1.
“Si doni të vdisnit”, pyeste, m’një anketë, Marcel Proust miqtë e vet letrarë.
Dukej pak zbavitëse për kotni kohe të lirë, kur paqja merr n’dorëzim flamujt e betejave…
Por, sërish, ishte e vështirë.
2.
Shumë vite që këtej, mbahej një procesion varrimi në Dukagjin. Ishin motet e errta të Millosheviqit. Kulmi i orgjisë së tij të përgjakur. I pyetur për zinë e djaloshit të vrarë shqiptar, një pjesëmarrës në kësollin e madh, do thoshte me të folmen lokale: jo, jo. Kështu jo. Âsht e rândë. Unë e mendoj dekën ndryshe. Me rend e me lule..!
Edhepse ndokush do të deshte një vdekje epike për të hyrë në këngë, ai ishte përgjigjur anonimisht, pa e njohur, në pyetjen e frëngut nguctar.
3.
Ndërkaq, tashmë në ambient e milje tjetër, do farkohej e jetonte një legjendë lavdie. Hero i saj ishte strategu i famshëm, gjenerali i Rajhut gjerman Erwin Rommel.
Ishte pjesëmarrës i dy luftërave botërore. Pa arritur të gjej veten, pas të parës, në Republikën e Weimarit, përfundoi në ushtarë karrriere. Dhe, si shumë të tjerë nga brezi i sedërfyerjes e deshpërimit, përmalloheshin e prisnin revanshin e një lufte të dytë.
Besohej deri vonë se kishte rënë burrërisht në Paris nga goditje predhash të aleatëve që, tashmë, kishin zbarkuar në Normandi. Ato binin, ndërkojë që ky i shikonte sfidueshëm e qetësisht. Domethënë si ushtarak, e pra një shpërfillës arrogant i vdekjes.
Porse, në fakt (si shkruan Jan Demas “60 minuta histori gjermane”), ai do të vdiste krejt i çheroizuar.
4.
Führeri e naltvlerësonte. Kje besnik e i përkushtuar i ariozofisë. Pikërisht kjo afri do bëhej shkaku që xhelozia të krimbëronte gjthandej. Rivalët prisnin orën e tyre. Dhe ajo, me gjasë, kishte behur. I pëshpëritën Hitlerit se ky qenkësh mbështetës i fshehtë i “grupit Rommel”
(njëjtësi rastësore emri) që pati kurajon t’i dilte kundër Führerit të shéjtnuar.
Ndaj dhe Prijësi i ariozofisë që akoma sundonte Europën, çoi dorë prej tij dhe e la të vdiste ultë e i poshtëruar. Njëj dite të bukur vjeshtore, tetor 1944, në portën e tij në Heidenheim, u dëgjua trokitja fatale. I thanë se kërkohej me shërbim. Por, pas disa orësh, do shuhej pa gojë nga një helm që i dhanë në veturën e braktisur, diku në periferinë e humbur.
5.
Pyetjen e Proustit, në heshtje e me psherëtimë, ndoshta e bëjnë të gjithë: njerëz të mirë e njerëz të këqij. Të vegjël, si kësolltari shqiptar apo, njëkohësisht, të mëdhenj si gjenerali adolfjan.
Veçse, aq më thellë e vetishëm, e bëjnë oligarkë rrethesh të epërme politikë kur kohët e turbullta dhe sistemet e brishta vijnë bashkë me korbat e alternohen stuhishëm.
Natyrisht, frikshëm e njëj vështrimi të ndërdyshur në horizontin që errësohet, këtë pyetje të vështirë e shtrojnë, sidomos, ata që i trëmben, si mortit, statusit të lirë qytetar. Ditës jetëprerëse kur parzmoret e pushtetit të pafré s’do t’a mbrojnë më…E, ai vetë, ka aq shumë faje që janë zbërthyer në vuajtje kronike popullore!
6.
Autori i pambërritshëm i “Princit”, Niccolò, këshillonte sundtarët t’i bëjnë të mirat ngadalë – që të kujtohen gjatë, kurse të ligat menjëherë – që të harrohen shpejt. Por kur të mirat janë pak, tepër pak dhe të këqijat mbipeshojnë, aherë kjo vuajtje shndërron fajin e tyre në akuzë.
Rrëfimi vetëshplarës, edhe i vonë, mbase pranohet nga Hyji. Nuk e di. Fundja kështu thotë njeriu i perëndisë. Shpresa e tij që, e shpërdoruar, shpjen aq shpesh në keqkuptim…
Mirëpo këtej poshtë, ligjet e kësojetshme duken pak më ndryshe. Përveç reflektim të dlirë, e keqja, pasoja e saj, kërkon dhe një shpagim që do të prehte: ndërgjegjen e trazuar, shpirtërat e lënduar dhe interesat e shkallmuar…
Sepse, thjeshtë, rrallëkush nga tiranët, ka ikur andej pa gjyqin, juridik a moral, të epokës..!