NJË RIZGJIM PËR HIMNIN E KONGRESIT KOMBËTAR TË LUSHJNJËS TË SHKRUAR NGA FERID VOSKOPOLA

Pashtriku.org, 09. 07. 2015 – Himni i Kongresit është një krijim i ndërtuar sipas traditës historike të kohës, ku për ngjarje të rëndësishme krijoheshin këngë apo himne, traditë kjo që shpjegohet mjaft mirë në artikujt studimorë apo kritikë të themeluesit të muzikologjise shqiptare, profesorit të folklorit Ramadan Sokoli e së fundmi nga prof.dr. Vasil Tole në studimet që ai ka bërë për lindjen e himneve në Europë e më gjerë dhe që e mbështet fuqishëm me botimin e librit të tij “Himni Kombëtar”, duke dhënë një argumentim shkencor e profesional mbi krijimin e himneve në tërësi dhe ndikimi i këtyre krijimeve në Shqipëri. Nuk është e qartë nëse himni i Kongresit ishte një krijim thjeshtë simbolik, apo kishte si qëllim të konsiderohej himn shtetëror i qeverisë së sapo dalë nga ky Kongres. Gjatë ditëve të zhvillimit të punimeve të Kongresit, sipas të dhënave gojore himni është kënduar nga të rinjtë e qytetit dhe nxënësit e shkollës.
Më vonë duke iu referuar librit të botuar nga autori Engjell Zerdelia në hapjen e punimeve të Kongresit Asimor të Lushnjes do ta shohim të kënduar Himnin e Kongresit nga nxënësit e shkollës plotore nën drejtimin e mësuesit Nikolla Progri, që kishte njohuri muzikore dhe që ishte njëkohësisht drejtor i shkollës. Dihet se Kongresi i Lushnjes me vendimet e rëndësishme që mori ndikoi fuqishëm në organizimin e formacioneve luftarake për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që do të konkretizohej me luftën heroike të 1920 në Vlorë dhe pikërisht në këtë kohë mbërrin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës banda muzikore e shoqërisë “Vatra” që më vonë do të aprovohet nga qeveria shqiptare e Sulejman Delvinës me emërtimin “Banda Kombëtare e Shtetit Shqiptar”. Në këtë periudhë nuk kemi të dhëna që himni i Kongresit të Lushnjes të ketë qenë pjesë e repertorit muzikor të këtij formacioni, po kështu nuk kemi të dhëna edhe për përfshirjen e saj në repertorin e formacioneve muzikore të Shkodrës, Korçës apo Elbasanit.

Ferid Voskopola (1887-1967)

Për një kohë të gjatë ky himn u harrua e vazhdoi të qëndrojë i tillë ndoshta edhe për shkak të mos botimit të saj si dhe të mosekzistencës së formacioneve muzikore në qytetin e Lushnjes, por çuditërisht kjo ndodhi edhe atëherë kur u formuan institucionet artistike ku askush nga hartuesit e teksteve shkollore apo kompozitorët tanë nuk e futi në fondin e literaturës muzikore të krijimeve të kengëve patriotike. Përveç këtij himni kemi edhe disa këngë popullore që i kushtohen këtij Kongresi, të cilat janë të botuara në vëllimet e epikës historike, por që ngelen të panjohura deri me sot dhe siç do të konstatojmë më pas edhe muzikologjia dhe historia e muzikës shqiptare nuk i ka trajtuar me seriozitet për vlerat modeste që ato mbartin. Mungesa e botimit të Himnit të Kongresit, por edhe të pak këngëve të sipërpërmendura bëhet fjalë për linjat melodike të tyre, ka bërë që këto këngë të mos gjejnë terren për t’u përfshirë në repertorin e këngëve të kënduara në trevat brenda e jashtë Shqipërisë. Autori i fjalëve të himnit deri në vitet 1940 gati për 30 vjet ka qenë aktiv në politike, deputet në disa legjislatura e për një periudhe deri edhe ministër i Bujqësisë në kabinetin qeveritar, po kështu shquhet si poet ku shkruan poezi dhe në gjini të tjera të krijimtarisë letrare, por për këtë periudhë edhe në ditët e sotme vazhdon të mos kemi analiza studimore nga kritika letrare.
Kjo figurë që cilësohet poliedrike, meriton një vemendje me të madhe nga studiuesit dhe historianët tanë duke u marrë posaçërisht me të dhe do të shohim që jemi shumë të vonuar në vleresimin real të tij. Pas vitit 1939 shkëputet nga jeta politike, merret me veprimtari fetare, krijon organizatën fetare “Drita Hyjnore” dhe njëkohesisht drejton revisten mujore “Njeriu”. Për këtë periudhë duhet theksuar se janë bërë përpjekje për të vlerësuar kontributin e rëndësishëm që ai ka dhënë në zhvillimin e kulturës shqiptare islame, por duhet të këtë me shume hulumtime për rolin e tij si aktivist në themelimin e Medresesë e në plotesimin e figurës madhore të tij në fushen e teologjise. Pas çlirimit të Shqipërisë dënohet me burgim nga sistemi komunist, periudhe kjo e censurimit dhe e mos marrjes në konsiderate të veprimtarisë së tij qoftë si politikan, por edhe në fushën e krijimtarise letrare e artistike. në vitet e fundit të jetes punoi si bashkëpunëtor i jashtem në Institutin e Historise si perkthyes në gjuhet orientale e në veçanti të dokumentave të osmanishtes. Shtëpia e Kongresit filloi zyrtarisht të funksiononte si muze në vitin 1960 e të organizoheshin veprimtari jubilare, e përsëri autori i fjalëve të himnit dhe kontributi tij mbetën në heshtje.
Në faksimilen që kemi në dispozicion në fund të tekstit të himnit kemi nënshkrimin e autorit Ferid Vokopola, një poezi kjo me karakter kombëtar ku në përbërjen e saj ka elemente të theksuar patriotike, por edhe përmbush konturet e një simboli shpirtëror të një Kongresi që pas shpalljes së Pavaresisë është më i rëndësishmi për vendimet që ai mori. Përmbajtja e tekstit, fjalët e saj, tingëllojnë si jehonë që vjen nga thellësia e trojeve mbarëkombetare e bën thirrje për rizgjimin e popullit shqiptar për t’u organizuar me shpejtësi e fuqishëm, për të rifituar shpresën e humbur të atdheut që rrezikohej të coptohej.
Himni fillon me vargjet:
Shpresa humbi, Atdheu ty po të therret
Të shpëtosh ti nga kjo natë
Beu i zoti në do që të rrosh në jetë
Armikut jepi datë
Shkrepi drita në Lushnje u ngrit një diell
Shqipëria lidhi besën
Dëgjoi bota dëshmuan yjet në qiell
Për ty o i larti Kongres.
Këto fjalë janë shkruar me një kaligrafi të shkëlqyer nga dora e autorit. Himni është i ndërtuar në pesë strofa, ku strofa e dytë shërben si refren dhe në gjithë shtrirjen e saj ndihmuar edhe nga një linjë melodioze e karakteristike për himnet arriti jo vetëm të transmetojë ndjenjen e revoltën e popullit, ndaj atyre që kërkonin të zhduknin trojet shqiptare, por njëkohësisht është edhe një thirrje himn i krijuar në kohën e momentin e duhur, që e bëri Lushnjen e popullin e saj të ndjehet krenar për kontributin që dhanë paraardhësit e tyre e që do të vazhdojnë ta këndojnë për jetë të jetëve. Në linjën melodike të cilën e gjejmë në shtëpine muze të Kongresit, [për të cilën nuk dyshoj që të këtë nderhyrje të mëvonshme] nuk figuron se kush e ka kompozuar atë, por në disa referate në mënyre të përgjithshme deklarohet se autori është Ferid Vokopola si dhe kemi një intervistë të një prej pjestarëve të trungut familjar të Vokopolëve në një dokumentar të transmetuar nga TV Planet në maj të 2012, ku thuhet se ai është autor i tekstit dhe ka kompozuar muzikën. Po çfarë dimë për një nga simbolet që i dedikohet kongresit që është himni i saj. Materiali muzikor na paraqitet në tonalitetin Do maxhor dhe nga pikpamja e ndertimit është e njejtë me himnet apo këngët patriotike të krijuara në fillimet e shekullit të XX e me të njëjtën logjike do të analizojmë këtë krijim për të merituar në vazhdim një vlerësim të karakterit profesional.
Në linjën melodike vëmë re se në hedhjen në partiturë, vendosja e çelsit të solit është në pozicion të gabuar, ka pasaktësi në vlerat e notave në disa masa muzikore dhe mungojnë shenjat e ngjyrimit e ato përsëritëse. Fakti që nuk e gjejmë të shkruajtur saktë në partiture , apo që në vitet e mëvonshme nuk kemi ndonjë këngë të kompozuar prej tij, lë vend për interpretim se ndoshta kemi të bëjmë me kopjim të ndonjë materiali muzikor të huazuar e në rast se do të rezultonte i tillë do të pranojmë se mund të këtë ndonjë gabim të vogël gjatë zhvillimit të linjës melodike, gjithesesi në ndërtimin e saj vëmë re se ekzistojnë elementë të ngjashëm në formë të influencuara nga krijimtaria muzikore e disa prej vendeve europiane, arsyetim ky që përkon me një argument në materialin studimor “Edhe një herë rreth himnit tonë kombëtar” të muzikologut Vasil Tole që citon profesor Ramadan Sokolin i cili thotë; Motivi i këtij himni e ka burimin te tradita muzikore gjermane…e më poshtë….. mjafton të krahasojmë fillimin e Himnit të Flamurit për të parë ngjashmërinë e madhe ose pothuajse njëjtësinë e disa masave…
Përsa i përket argumentit të mësipërm natyrisht që edhe himni i kongresit reflekton të njëjtin pozicion me krijimtaritë muzikore të kësaj periudhe, ndërkohë që nuk kemi të dhëna për një bashkëpunim poet – kompozitor apo që lënda muzikore të jetë prurë nga ndonjë individë apo shoqatë atdhetarësh, por dimë që kishin filluar të krijoheshin këngë patriotike nga muzikantë shqiptarë e të huaj. Nisur nga fakti që Ferid Vokopola ishte personalitet i diplomuar në jurisprudencën islame e që përmendet si shkencëtar, poet e politikan i shquar i kohës, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë në vitin1912, me një kontribut të jashtëzakonshëm për organizimin e Kongresit, por edhe si deputet që përfaqësonte zonën e Lushnjes, na jep të kuptojmë se ai kishte një formim të përgjithshëm intelektual e si shumë patriotë të kohës krahas këtij formimi ai sigurisht kishte marrë kulturë muzikore, por që në vitet e mëvonshme nuk rezulton të këtë kompozuar ndonjë këngë, pra nuk përjashtohet mundësia që t’ia këtë përshtatur fjalët e poezisë së tij një melodie që për të duhet të këtë qenë e njohur. Ka versione të pakonfirmuara që kompozitori mund të jetë me origjinë austriake pasi në këtë periudhe ishte ndjerë prania e tyre në Shqipëri, por që në vazhdim do të hulumtohet më shumë për të vërtetuar këtë fakt. Kemi një rast të tillë në qytetin e Elbasanit rreth viteve 1916-1917 ku sipas muzikologut Astrit Lopari bëhet fjalë për një muzikant austriak që ishte në përbërje të trupave austro-hungareze mjeshtri i orkestrës Anton Cimfl, i cili dirigjoi koncerte të bandës muzikore “Aferdita”, kompozoi marshin për Aqif Pashën dhe punoi orkestracione të marsheve e këngëve patriotike shqiptare.
Himni i Kongresit është i kompletuar e në harmoni të plotë të tekstit me linjën melodike, tingëllon mjaft bukur, krijon një ndjenjë të brendeshme emocionale e për këtë ndjesi shpirtërore që ai na afron do ta trajtojmë si të barabartë me të gjithë himnet e këngët patriotike të kohës të cilat u krijuan në një moment të rëndësishëm për fatet e popullit shqiptar. Në vitin 1975 kemi një ripunim të linjës melodike bazuar kjo në origjinalin e saj duke e plotësuar me të gjithë elementet e nevojshme që kërkonte ndërtimi i këtij materiali muzikor, që zuri vend menjëherë në repertorin e fanfares së qytetit e do të kendohej nga kori i shkollës “18 Tetori” Lushnje.
Më vonë shohim se në disa raste ky himn do të trajtohej si një këngë ritmike për fëmijë e kënduar në mënyrë amatoreske e me orkestracione të nivelit diletant, po kështu e gjejmë të kënduar si këngë revolte në filmin shqiptar “Koncert në vitin 36”, ku në disa sekuenca trajtohet me karakter grotesk në një situatë kohore që nuk ka të bëjë me realitetin për të cilin ai ishte krijuar dhe në vlerësimet e kritikës për këtë film nuk përmendet asnjëherë autori dhe më absurde përdoret si kundërvenie ndaj atyre që e krijuan këtë himn. Kohët fundit ky himn është orkestruar për korin e Teatrit të Operas e Baletit e shoqëruar nga orkestra sinfonike nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko, e cila është kënduar në Lushnje në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në këtë rast duke mos qenë e botuar, vazhdon e njëjta histori që lënda muzikore sipas maestros Zhani Ciko të merret përsëri nga faksimilja që ndodhet në muze e po të vazhdohet kështu himni mund të pësojë devijime të mëtejshme sipas shijeve të atij që e orkestron.
Himni i Kongresit është i kompletuar e në harmoni të plotë të tekstit me linjën melodike, tingëllon mjaft bukur, krijon një ndjenjë të brendeshme emocionale e për këtë ndjesi shpirtërore që ai na afron do ta trajtojmë si të barabartë me të gjithë himnet e këngët patriotike të kohës të cilat u krijuan në një moment të rëndësishëm për fatet e popullit shqiptar. Në vitin 1975 kemi një ripunim të linjës melodike bazuar kjo në origjinalin e saj duke e plotësuar me të gjithë elementet e nevojshme që kërkonte ndërtimi i këtij materiali muzikor, që zuri vend menjëherë në repertorin e fanfares së qytetit e do të kendohej nga kori i shkollës “18 Tetori” Lushnje.
Më vonë shohim se në disa raste ky himn do të trajtohej si një këngë ritmike për fëmijë e kënduar në mënyrë amatoreske e me orkestracione të nivelit diletant, po kështu e gjejmë të kënduar si këngë revolte në filmin shqiptar “Koncert në vitin 36”, ku në disa sekuenca trajtohet me karakter grotesk në një situatë kohore që nuk ka të bëjë me realitetin për të cilin ai ishte krijuar dhe në vlerësimet e kritikës për këtë film nuk përmendet asnjëherë autori dhe më absurde përdoret si kundërvenie ndaj atyre që e krijuan këtë himn. Kohët fundit ky himn është orkestruar për korin e Teatrit të Operas e Baletit e shoqëruar nga orkestra sinfonike nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko, e cila është kënduar në Lushnje në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në këtë rast duke mos qenë e botuar, vazhdon e njëjta histori që lënda muzikore sipas maestros Zhani Ciko të merret përsëri nga faksimilja që ndodhet në muze e po të vazhdohet kështu himni mund të pësojë devijime të mëtejshme sipas shijeve të atij që e orkestron.
Himni i Kongresit zyrtarizohet nga Këshilli Bashkiak i Lushnjes i cili me vendim nr.58 datë 25.07.2012 vendosi: “Të miratojë Këngën për Nder të Kongresit të Lushnjes si Himni i Qytetit të Lushnjes “ një vendim i drejtë që i ngre vlerat këtij himni dhe që është rast unikal në Shqipëri ku një qytet ka himnin e tij, por nuk do të lemë pa përmendur se relatuesit e këtij propozimi në formulimin e shkresës për marrjen e këtij vendimi, janë treguar të pakujdesshëm, pasi duhet të ishin shprehur saktësisht: “Himni i Kongresit” të jetë “Himni i Qytetit të Lushnjes” dhe gabimi tjetër është se nuk e kompleton himnin në tërësinë e tij, na jepet vetëm teksti ku përsëri nuk cilësohet emri i autorit Ferid Vokopola si dhe nuk kemi linjën muzikore të cilës duhet t’i referohemi për ta kënduar e për të shmangur abuzimet e bëra deri më sot. Nisur nga ky fakt lind nevoja e hartimit dhe miratimit të një projekti artistik për të realizuar mundësinë e interpretimit të ketij himni nga formacionet instrumentale sinfonike apo frymore si dhe nga grupet korale e më pas për ta regjistruar në studiot diskografike më të mira brenda ose jashtë vendit. Realizimi i këtij projekti do të mundësojë që ky himn pas gati një shekulli mosvlerësim të bëhet pjesë e botimeve muzikore duke bërë të mundur që jo vetëm të futet në tekstet shkollore, por të këndohet më gjerë në versionin origjinal të saj ose në versionin e pranueshëm të miratuar nga muzikologët tanë duke zënë vendin e munguar në repertorin e materialeve muzikore të kënduara në festat jubilare të mbarë kombit shqiptar. (Nga Maksim Kulla)

Në vijim dëgjoni:”Himni i Kongresit të Lushnjës”:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura