NUREDIN SADIK LUSHAJ: ATDHETARI E LUFTËTARI I NJOHUR E TRIM, XHEMË PJETRUSH GECAJ

Tiranë, 19. 03. 2016: Unë, si studiues i thjeshtë i traditave më të mira në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ruaj kujtime të paharruara nga veteranët e LANÇl, si: Malë Sadiku, Selim Zenuni, Sadik Selmani, Malë Halili, Adem Alia e të tjerë, që kam pasur nderin dhe fatin t’i njoh nga afër e të bisedoj me ta, personalisht.
Në këtë shkrim, me pak radhë, dëshiroj të flas për një trim dhe luftëtar të paepur për lirinë e Atdheut, me origjinë nga fshati Curraj i Epërm. Pikërisht atje ishte djepi i eposit të kreshnikëve, bazë e sigurtë e strehimit të Trimit të Vegjëlisë, Bacë Bajram Currit dhe e trimave të LANÇl. Ky burrë quhej Xhemë Pjetrush Gecaj, i lindur në fshatin Markaj, më 17 janar 1917. Që në fëmini, ai u mbrujt në familjen e tij me traditat dhe idealet e shenjta atdhetare, u frymëzua nga heroizmi shekullor i brezave të zonës së Nikaj-Mërturit dhe tërë Malësisë së Gjakovës e mbarë Kombit tonë.
Ky djalosh arsimdashës e mbaroi shkollën fillore 5-klasëshe në fshatin Bujan dhe më pas u mor pak kohë me bujqësi e blegtori. E thirrën ushtar, por pas 6 muajsh e liruan dhe shkoi pranë familjes. Megjithatë,përsëri e mobilizuan ushtar dhe e dërguan në frontin e luftës italo-greke. Atje u njoh edhe me djem nga krahina tjera të Shqipërisë, ndër të cilët ishte Beqir Ballkuku, me të cilën mbajti lidhje të mira edhe pas çlirimit të Atdheut e u pikëllua pa masë nga pushkatimi i tij. Mirëpo, së bashku me disa djem nga Malësia, Xhema nuk dëshironte të merrte pjesë në atë luftë të padrejtë të fashizmit italian. Prandaj u arratis dhe menjëherë shkoi në vendlindje. Por fashistët e kërkonin dhe e gjurmonin këmba-këmbës, prandaj ai vepronte në fshehtësi kundër tyre. Në fillim të vitit 1942, Xhema shkoi në qytetin e Prizrenit, ku ra në kontakt me partizanë të çetës “Emin Duraku” dhe u njoh nga afër me Xheladin Hanën e Veli Niman Doçin. Ky i fundit e nxori nga burgu i Gjakovës, pasi atë e arrestuan italianët.

– Xhemë Pjetrush Gecaj –

Në vazhdimësi, me krijimin e çetës partizane të Gashit, që ishte e para në rrethin e Tropojës dhe ndër të parat në tërë Shqipërinë, u rreshtua aty partizan. Komandant ishte Ramë Muja dhe komisar Beqir Ndou, ky i dërguar nga PKSH për gjallërimin e lëvizjes antifashiste, në ato anë e më gjerë. Në atë kohë dhe më vonë, Xhemë Gecaj bashkëpunoi me bashkëkrahinasit: Veli Niman Doçin, Idriz Mulosmanin, Rexhep Valbonën, Mujë Sokolin, Jahë S.Manin, Mehmet Bajramin e dhjetëra malësorë trima, që u ngritën me armë në dorë dhe me vendosmëri kundër pushtimit fashist.të vendit tonë.
Trimi Xhemë Gecaj, i cili mbante pseudonimin “Shkumbini”, u dallua për guxim e trimëri të rrallë në shumë luftime dhe aksione të rëndësishme të luftës për çlirim, si në Qafë-Prushi, Bica e Domjan, në aksionin e rrugës Kukës-Prizren, në Luftën e Reçit etj. Ai besonte në ato ideale dhe krijimin e nje Shqipërie demokratike, të lirë e të pavarur. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në Besëlidhjen e Malësisë së Gjakovës (Tropojë), te Ura e Kolgecajt, më 28 gusht 1943. Duke sjellë postën dhe aparatet radio-ndërlidhëse, ky malësor i guximshëm e rrezikoi disa herë jetën e tij. Ato ai i merrte në Gjakovë dhe i dërgonte në fshatin Gri, te shtëpia e Malë Sadik Malajt dhe në vende të tjera, ku qëndronte shtapi i forcave partizane. Kështu veproi pa u lodhur e me guxim të pashoq, qyshë nga nëntori 1943 dhe deri më 13 shkurt 1944. Gjatë Operacionit të Dimërit vuajti shumë për strehimin e bazës materiale të Shtabit partizan të Kosovës, ku Xhema ishte korrier dhe bënin pjesë Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Bije Vokshi etj.
Me krijimin e Brigadës së 25-të Sulmuese të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në vjeshtën e vitit 1944, Xhemë Gecaj u caktua intendent i batalionit të parë, me komandant Idriz Rexhep Mulosmanin. Në prill 1945, kaloi po me këtë detyrë në Brigadën e 6-të Sulmuese, formacion me luftëtarë të Shqiprisë së Jugut.
Gjatë luftimeve çlirimtare, në Kosovë dhe në tokat e Serbisë, në Judovnik, Sanxhak e Priepolje etj., Xhemë Gecaj u sëmur rëndë nga tifoja, sëmundje që u përhap në atë kohë. Gjithashtu, iu ngrinë në të dyja këmbët, nga bora, ngricat e të ftohtit, pasoja që do t’i lenin gjurmë tërë jetën. Atje u mjekua në spitalin e Ivanovës dhe në pranverën e vitit 1945, pra kur Shqipëria ishte e çliruar, atë e sollën në spitalin e Korçës. Aty e gjeti ish-shoku i tij në frontin italo-grek dhe atëherë me detyrë të lartë në Ushtrinë tonë, Beqir Balluku. Meqenëse Xhema ishte shkëputur disa kohë nga shokët e luftës në formacionet partizane, të tjerët nuk ia dinin mirë meritat e shumta, para dhe në periudhën e LANÇL. Prandaj dhe, me organizimin e Ushtrisë Popullore, nuk iu dha grada oficer. Por shoku i tij B.Balluku, tashmë oficer madhor, e dërgoi në kursin e kualifikimit, të Shollës së Bashkuar të Oficerëve, në Tiranë.
Pas gradimit oficer, Xhemë Gecaj shërbeu me nder e devotshmëri në disa rrethe të vendit, si: Tiranë, Korçë, Vlorë, Mat etj, me detyra të ndryshme, deri shef organizimi regjimenti. Mori pjesë me armë në dorë në provokacoionet e gushtit 1949, në kufirin shqiptaro-grek dhe përsëri u dallua për trimëri e guxim të rrallë. Prandaj, më pas, i dhanë “Urdhërin e Trimërisë”, krahas atij që kishte marrë nga lufta partizane. Në ato vite ishte pjesëmarres dhe në aksionin për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin e Matit.
Në vitin 1955, për llogari të pakësimit të Forcave të Armatosura, e liruan nga ushtria me gradën toger dhe Xhema u vendos familjarisht në sektorin Xhafzotaj, të ish-Ndërmarrjes Bujësore të Sukthit. Për të përballuar problemet jetësore, kreu një kurs për infermier veterinar. Më pas u ndesh me mjaft vështirësi të njohura të kohës, të cilat i kaloi me ndershmëri e guxim.
Mbasi mbushi moshën e caktuar, doli në pension, në fillimin e vitit 1972. Por edhe më tej ai nuk qëndroi i mënjanuar nga problemet e jetës, por u dallua si veprimtar shoqëror, në drejtimin e organizatave të masave të asaj kohe, në aksionet e ndryshme etj.
Xhemë Gecaj, me bashkëshorte Farijen, nga familja e njohur gjirokastrite Ganaj, lindën, rritën dhe edukuan gjashtë djem e një vajzë. Këta kanë qenë kurdoherë shembullorë, në shkollë e punë, vetë e me familjet që krijuan, duke ruajtur e trashëguar cilësitë më të mira të paraardhësve dhe të prindërve të tyre. Këtë udhë e vazdojnë tani edhe nipat e mbesat e tyre, kudo që ndodhen, brenda ose jashtë Atdheut.
Xhema la kudo gjurmët e një njeriu të mirë, të thjeshtë e dashamirës. Po përmendi këtu, për shembull, se kujtohet për mirë edhe gjesti i tij, në vitet e luftës partizane, kur i shpëtoi jetën një djali nga fshati Gri, për nderin që ky i kishte bërë më parë.

Partizanë të Batalionit Bajram Curri, Bicaj-gusht 1944 – Xhemë Gecaj – i pari lart djathtas -, Zogë Dega, Malush Stavileci (me mitraloz)….

Për trimërinë e treguar gjatë luftës partizane, Xhemë Gecaj është nderuar me disa medalje e urdhëra të ndryshëm, si: “Medalja e Çlirimit”, “Medalja e Kujtimit”, Urdhëri “Ylli i Kuq”, dy “Medalje Trimërie” etj.
Zemra e tij pushoi së rrahuri, pas një jete të vështirë, por të nderuar nga shoqëria dhe gjithë ata që e njohën, më 4 qershor 1990. Në përcjelljen për në banesën e fundit, përveç banorëve të sektorit Xhafzotaj e NB Sukth, atje shkuan familjarë, bashkëluftëtarë, miq e dashamirë nga Durrësi e Tirana, nga Lezha e Shkodra. Por ishin të pranishëm dhe bashkëluftëtarë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Pas fjalimeve të rastit, mbi varrin e tij u vendosën shumë kurora me lule, se ato Xhemë Gecaj i meritonte për jetën e tij të përkushtuar ndaj popullit e Atdheut.
Për jetën e thjeshtë të këtij lufttari trim dhe veterani të paharruar, kanë shkruar në shtyp i ndjeri Idriz Shehi, ish-kryetar i Komitetit të Veteranëve të Tiranës dhe veterani e shkrimtari Resul Bedo. Kur Xhema u nda përgjithnjë nga jeta, u botua një homazh në gazetën “Shkëlzeni” të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Por dhe vetë ai botoi e la në dorëshkrim kujtime për aksione të ndryshme, gjatë luftës partizane, si për atë të zhvilluar në rrugën Kukës-Prizren (te “Veteranët tregojnë”) etj.
Me këtë rast, kur po na jepet mundësia për të publikuar këto pak radhë për trimin luftëtar e të paepur për lirinë e Atdheut dhe njeriun e mirë, Xhemë Pjetrush Gecaj, shprehim mirënjohjen tonë për luftën e sakrificat e bëra nga ai dhe përulemi me nderim e respekt para kujtimit të tij.

Nuredin Sadik Lushaj, arsimtar veteran dhe studiues – Tiranë, mars 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura