OLSJAN TOPALLI: POGRADECI MË UROI MIRËSEARDHJEN…

Elbasan, 26. 11. 2015: Ditë pushimi dhe mendja më shkoi befas për një vizitë në Pogradecin magjik, dhe pa humbur shumë kohë nisemi… Sapo ngjitëm Qafë-Thanën, nga optika jonë e lirë arrijmë të shikojmë mjergullën e bardhë e cila me qetësinë e saj duket sikur ka përpirë një qytet të tërë. Po zbresim kthesat që të shpien për në qytetin mbreslënës të Lazgushit e Kutelit, siç është Pogradeci. Tashmë, ndihemi pak më të relaksuar, pasi që nga larg ndihet freskia e gjolit. ” Tërë atë rrugë që bëmë nga Elbasani, por ia vlenka” – tha njëri nga tanët që gati po e zinte gjumi nga udha. Me të mbaruar kthesat i afrohemi fshatit Lin.
Gadishulli i Linit është i pari që të shfaqet me bukuritë e tij sapo nis dhe zbret Qafën e Thanës, e cila ndan fushëgropën e Prrenjasit me fushëgropën e Pogradecit. Nga lart, Lini, duket si një shputë dore që futet në liqen. Siç pohojnë edhe arkeologët, Lini ka një popullsi të hershme, që daton që në periudhën e hekurit…
Makina çan udhën përpara me shpejtësi duke iu afruar edhe më shumë Pogradecit. Rruga tashmë e asfaltuar që prej fushatës zgjedhore, u jep mundësi shoferëve që ta përshkojnë më shpejt aksin Lin-Pogradec, kur dikur mbretërohej nga gropat e shumta, të cilat e kthenin udhëtimin në makth.
Klima ka ndryshuar, është më e ftohtë. Duket që Dimri po lajmëron që është prapa dere… Tek-tuk rrugës nuk na shpëton edhe ndonjë shitës ambulant që në duar mban trofetë e nxjerrë nga gjoli, i cili varkën e tij të lodhur e ka ankoruar në breg bashkë me ato pak peshq që i ka zënë rrjeta, ku janë i vetmi burim ekonomik që ushqen familjen.

Tashmë jemi futur në zemër të qytetit ku takimin e parë e kemi me shkrimtarin e madh Lazgush Poradeci, ku edhe vështrimin nuk e heq asnjëherë nga liqeni..Futemi tek një kafene tipike Pogradecare, me pamje nga liqeni… Kamarieri na mer porosinë… ” Po më duket vetja në Stamboll me këtë pamje dehëse të liqenit ” – janë fjalët e mikut tim Migenit që thith fort cigaren që mban në duar. Pa humbur shumë kohë konsumojmë çka kemi porositur. Tashmë ia lejmë vendin një xhiroje buzë gjolit, këtij vendi kaq frymëzues e shplodhës.
Qyteti
Me një sipërfaqe prej 13 km 2 dhe një popullsi prej 40 000 banorësh, Pogradeci është një qytet që mund të vizitohet vetëm duke e shëtitur në këmbë. I vendosur përgjatë kodrave në formën e një teatri, shkallaret e të cilit zbresin drejt liqenit ai dallohet për sipërfaqet e mëdha të gjelbëruara.
Pogradeci ka shëtitore të gjera, në të cilat mund të gjesh akoma xhiron tradicionale të qyteteve shqiptare. Të tilla janë shëtitoret Lasgush Poradeci, Fan Noli apo sheshi Reshit Çollaku, ku ndodhen institucionet kryesore. Po ashtu një tjetër sektor i rëndësishëm për këtë qytet është edhe turizmi, ku vijnë shumë turistë të huaj e vendas, ku ndër to ishte dhe Enver Hoxha. Ky qytet të jep mundësinë të bësh turizëm në të katër stinët e vitit, ku mbart një larmishmëri ngjyrash egzotike. Nuk mund të lejmë pa përmendur këtu Tushemishtin e teta Ollgës(zonja nga qyteti) dhe Drilonin piktoresk, vendin që të bën të dashurohesh me shikim të parë me natyrën, me mjelmat dhe me çdo gjë tjetër poradecare.
Pogradeci njihet dhe si qyteti i luleve, për shumëllojshmërine e tyre dhe ngjyrat tepër të ndezuara. Qyteti i njerëzve të thjeshtë e punëtore të cilët metë zbardhur dita vrapojnë të punojnë ku të munden, ndonëse tani kohët e fundit e kanë ndjerë shumë papunësinë…

Pak histori
Pogradeci ka një histori të lashtë dhe dokumenta të shumta kulturore, gjeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desarët dhe mbase Enkelejve. Gjatë shekujve në vazhdim njerëzit e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit. Zbulimet arkeologjike, që konfirmojnë popullimin në këtë rajon, datojnë nga Periudha Neolitike (6000 vjet para Krishtit), me popullsi dhe ndërtime në rritje gjatë periudhave të Bakrit, Broncit dhe Hekurit. Enkelejtë, siç njihehishin ndryshe vite më parë, kanë qenë fis që kanë jetuar brenda mureve të kalasë së ndërtuar në majë të kodrës pranë qytetit, në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Dikur qyteti kishte dimensionet e kalasë, ku momentalisht gjenden vetëm rrënojat. Me rritjen e popullsisë dhe mbarimit të luftërave lindi nevoja e zgjerimit. Fillimisht rrëzë kodrës e më vonë deri në atë skaj saqë kalaja e vjetër nuk përbënte më qendrën e qytetit. Në vitin 1967 nga arkeologët do të zbulohej Bazilika e Linit, e cila është një faltore paleokristiane e ndërtuar diku në shekullin e VI-të. Nga arkitektura ajo është trikonkëshe dhe përbëhet nga naosi, baptisteri, atrium, dhe tre kapela të vogla, të cilat ndodhen në anët veriore, verilindore dhe jugore të naosit.
Panorama qytetit
Duke ecur në shëtitore, njihemi me Xha Llazin, një burrë rreth të 60-tave i cili jeton vetem me të shoqen, pasi fëmijët i ka në kurbet. “Kurbeti na ndau përsëgjalli bre djalkë, spo shohim gëzim në shtëpi “- thotë xha Llazi i dëshpëruar. Duke ecur ca me të nuk nguron të na ftojë në shtëpi për ta pirë nga një gotë verë, të bërë me mjeshtëri nga duart e arta tij, ku ndër të tjera na thotë që Pogradeci dhe çdo familje Pogradecare e ka të trashëguar brez pas brezi bërjen e verës. ” Çdo vit më datë 12 dhe 13 Dhjetor qyteti i Pogradecit nën përkujdesjen e Bashkisë organizon festën e verës, ku Pogradecaret nxjerrin nga bujtinat e tyre verën me të mirë që kanë dhe ua servirin të ftuarve, ku më pas në fund marin edhe çmim për verën më të mirë që del fituese.”- na informon Maria, e shoqja e xha Llazit e cila është nga qyteti i Korçës. Në bisedë e sipër nuk mund të rrinim kurrsesi pa mësuar edhe për gatimet tradicionale Pogradecare, ku Maria plot dëshirë na thotë: Prodhimet e tokës dhe të liqenit e bëjnë Pogradecin një vend të spikatur për nga kuzhina tradicionale dhe ajo e kultivuar. Mund të përmendim lakrorin me dy petë të pjekur në saç, qullnikun, byrekët, kuleçët, pastërmanë, tavat e perimeve me oriz, tavat e peshkut apo të mishit të pjekura në furrë, etj. Vetëm korani, peshku i famshëm i liqenit ka dhjetë receta gatimi, të cilat dinë ti gatuajnë vetëm mjeshtrit vendas. Ndërsa nga ëmbëlsirat e traditës më e preferuar mbetet bakllavaja.
Në restorantet dhe hotelet e shumta mund të shijoni kuzhinën e liqenit me gatime të skarës apo në tavë. Një specialitet më vete janë edhe gatimet e shpendëve në saç, apo kuzhina e gjahut, ku nuk mungojnë rosat, shapkat apo lepujt e egër. Edhe kuzhina e huaj është interesante me varietet e saj të shumta. Të gjitha këto prodhime mund të shijohen me raki rrrushi, mani, kumbulle dhe verën e famshme të Pogradecit që ruhet në bute prej druri.
Dalim nga shtëpia e ngrohtë e xha Llazit dhe endemi nëpër rrugicat e qytetit të ngadaltë që drejtohet nga gratë. “Neve jemi pushteti i vërtetë i këtij qyteti. Pa ne, s’ka Pogradec, s’ka jetë. Gratë, nënat, motrat, vajzat e vendit…ato janë Pogradeci”- thotë dhe Afroviti Gusho një letrare e njohur e këtij qyteti, dhe dikur drejtuese e shoqates “Unë, Gruaja”. Kjo shoqatë është hapur ndër të parat në Shqipëri dhe ka si funksion të luftojë dhunën kundrejt grave.
Para nesh shtrihet liqeni i Ohrit me një pamje magjike e rrëzë tij Mali i Thatë që më ngjason si një plak me mjekrën e tij të bardhë nga vitet e moshës. Dhe po të kthehemi prapa në kohë është ky liqen që fle sot para nesh, ku Lazgush Poradeci i dedikoi një jetë të tërë nga krijimtaria e tij si shkrimtar.
Pa e ndjerë kuptojmë se jemi dashuruar me këtë qytet, saqë e kemi të pamundur të largohemi prej tij. Këmbët s’na ndalojnë së ecuri e na shpien të ngjitim tatëpjetën për nga kalaja, nga e cila ka marë dhe emrin qyteti.
Kalaja ndodhet në lindje të qytetit në një kodër që lartësohet 205 m mbi Pogradec. Ajo i ka dhënë edhe emrin qytetit, diku gjatë pushtimit bullgar në shekujt IX-XI-të. Fjala Pogradec vjen nga sllavishtja, ‘’Nën Kështjellë’’, që ka kuptimin qyteti nën kështjellë. Kalaja ka patur si funksion kryesor kontrollin e gjithë rajonit përreth, duke funksionuar që nga shekulli i V pk deri diku në shekullin e XI-të. Sot prej saj ruhen një pjesë e vogël e mureve rethuese dhe të apasionuarit pas fotografisë artistike mund të bëjnë aty foto të mbrekullueshme të panoramës përreth duke përfshirë qytetin apo liqenin.
Tashmë nata dalë-ngadalë nata po hedh mantelin e saj të zi. Ne largohemi duke lënë pas Pogradecin, qytetin e Lazgushit e Kutelit. Qytetin e atyre njerëzve të dashur, punëtore, mikpritës e bujarë. Largohemi duke lënë pas liqenin të flejë në shtratin e tij të gjerë… Largohemi, që një ditë të vijmë përsëri dhe të pimë një gotë verë me xha Llazin, apo dhe çdo Pogradecar tjetër që na urdhëron mire se ardhjen.
*) Në ndërtimin e këtij reportazhi, u konsultuan shkrime të Ilirjan Gjikës dhe Ben Andonit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura