SYLEJMAN KRASNIQI: ‘NJËQIND FLAMUJ PA NJË’!

Prishtinë, 10. 02. 2015 – (Me rastin e nismës së LDK-së për ndryshimin e flamurit të Kosovës) – Kur e pata lexuar skicën humoristike “Njëqind flamuj pa një” të Nonda Bulkës pata menduar se gjenerata e jonë, dhe ato që do të vijnë pas nesh, nuk do t´i kenë këto probleme. Isha në shkollën e mesme (diku nga gjysma e dhjetëvjetëshit të shtatë të shekullit të kaluar) dhe e tërë gjenerata e lexonim shumë letërsinë e Rilindjes por edhe atë të viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar. Një ndër shkrimtarët më të pëlqyer, nga ne, ishte edhe Nonda Bulka me skicat e tij satirike dhe thumbuese për problemet e kohës.
Veprat: “Maska të çjerra“, “Kur qanë dhe qesh bilbili” dhe “Thumba pa helm” i lexonim me një frymë dhe i shpëndanim mes shokëve. Ndoshta, sepse ato skica dhe skeqe përshtateshin shumë edhe me kohën në të cilën ne jetonim në Kosovën e okupuar. Ishte koha kur flamurin tonë kombëtar nuk guxonim ta përdornim lirshëm, por kurrë nuk e mendonim se do të mund që të na e detyroj dikush një flamur tjetër pos atij të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit. Titullin e këtij shkrimi e morra nga një tregim i Nonda Bulkës që për temë e ka lënjen pas dore të flamurit tonë në ato vitet e bujshme të Shqipërisë së kohës së luftës së dytë botërore.

Zhveshja nga identiteti kombëtar!!!

Në një qytet të Shqipërisë, në kohë luftimesh, një njeri hyn në një shtëpi për të gjetur strehim nga bombardimet. Në bodrumin e shtëpisë e gjenë kryefamiljarin e shtëpisë i cili ishte një “esnaf” se jo mahi. I panjohuri vështron rreth e rrotull bodrumit. E vëren në një qoshe fotografinë e Duçes dhe habitet. Shikon më tej disa flamuj. Ishin flamujtë e grekut, italianit, gjermanit, turkut dhe plot të tjerë. Në habinë e mysafirit përgjigjet i zoti i shtëpisë, si esnaf që ishte. I thotë të panjohrit se nuk i dihet, luftë është kjo. Edhe mund të kthehet greku, italiani, apo edhe gjermani e unë të jemë i përgatitur për secilin nga këto mundësi. Në një skaj tjetër të bodrumit, i panjohuri, e shikon edhe një flamur për të cilin nuk e din se i cilit shtet mund të jetë. Është i japanit i thotë mikëpritësi. Më kanë thënë disa shokë se japani me ushtri mund të vjen shpejt deri në këto anë. Prandaj, thash, mos të më gjejë në befasi, u sqarua esnafi. Po mirë shumë, ndërhynë i panjohuri, ti që je përgatitur kaq mirë për çdo të papritur, ku e ke flamurin shqiptar? Për këtë flamur kurrë nuk më ka shkuar ndërmend që do të na duhet ndonjëherë, përgjigjet me nxitim esnafi!!!
***
Kohët e fundit po flitet shumë për ndryshimin e flamurit dhe të himnit të Kosovës. Këto ide dolën në sipërfaqe pasi LDK-ja e morri udhëheqjen e qeverisë. Ka patur zëra edhe gjatë fushatës zgjedhore se nëse kjo parti do të fitonte shumicën e deputetëve në Kuvend do të fillonte procedurat për ndryshimin e simboleve të shtetit. Më shkoi mendja tek “mrekullitë” që po na i përgatisin këto partitë tona të djathta paqësore dhe paqëdashëse. Nuk më kishte rastisë të dëgjoja kurrë deri tani se flamuri duhet të ndryshohet në çdo legjislaturë. Kurrë nuk kam dëgjuar që gjatë historisë tonë, bile në gjashtë shekujt e fundit, të kishte kërkua dikush nga pushtetarët ndryshimin e flamurit tonë kombëtar. Por as armiqët tanë më të egër nuk kanë patur përpjekje për ndryshim të simbolit të kombit tonë. E kemi patur të ndaluar përdorimin e flamurit nga të gjithë pushtuesit, pa përjashtim, por përpjekje për ndryshim nuk ka patur gjatë historisë. Ka patur disa herë projekte dhe pëpjekje për çfarosjen dhe çrrënjosjen tonë si popull dhe si komb. Ka patur përpjekje nga të gjithë pushtuesit që të na asimilojnë, por të gjitha ato përpjekje, deri tani kanë dështuar.
Me sa më kujtohet mua, pas demonstratave të vitit 1981, ka patur përpjekje që të ndryshohet flamuri ynë nga kreu i ish-Jugosllavisë por edhe atëherë, në ato kushte të pakrahasueshme me të sotit, flamurin nuk lejuam që të ndryshohet. Kushtetuta u ndryshua nën shtypjen me tanke por flamuri nuk u ndryshua. Qëllimi ishte që flamuri i shqiptarëve të Kosovës të dallohej nga flamuri i shtetit Shqiptar. Dhe me këtë akt do të shënohej çarja e parë ndërshqiptare dhe pastaj të tjerat do të vinin me rradhë. Por ne kurrën e kurrës nuk kemi lënë vend për dyshim e as që kemi lënë gjurmë se do të heqim dorë nga të qenunit shqiptar.
Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë riokupimi. Forca e bënë të pamundurën. Por flamuri në asnjë rast nuk do të mund të ndryshohet nga asnjë shkelës. Sepse ate e kemi ruajt në zemrat tona edhe kur nuk kemi patur të drejt që t´a mbajmë hapur. Sepse, edhe deri tani, shumë herë na janë ndryshua pushtuesit por simbolin e kombit nuk kanë mundur të na e tjetërsojnë kurrë. E kemi flamurin nga më të bukurit dhe më të vjetrin në të gjithë botën.
E pse po duhet që t´a ndryshojmë tani?
Apo mos po mëshifet pas kësaj ndonjë dredhi tjetër e rradhës. Fajin nuk mund të ua lëmë faktorëve të jashtëm apo ndërkombëtarëve, siç jemi mësuar me këtë arsyetim nga politikanët tanë krejt të dëgjueshëm. Sikur na u detyrua apo më mirë me thënë e pranuam pa të keqen e askujt këtë flamurin e Ahtisarit për flamur të shtetit të Kosovës, i cili nuk na thotë asgjë shqip dhe nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët. Si po duket edhe aty paska qenë qëllimi. Që të mësohemi me simbole dhe flamuj të çfardoshëm.
Dëgjohen aty-këtu arsyetime se më i afërt me flamurin tonë është flamuri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse e paska edhe shqiponjën të theksuar në te. Ky mund të jetë, dhe është një mashtrim i rradhës nga përçarësit e kombit. Nuk njoh shtet që flamujt dhe simbolet t´i ndryshojë sa herë të ndërrohen qeveritë dhe partitë në pushtet. Nuk ka shtet ku për flamur shtetëror të vihet flamuri i partisë që i fiton zgjedhjet. Thuhet se ky është flamuri Dardan dhe Dardanët janë fis Ilir. Dhe Dardanët qenkan paraardhësit e shqiptarëve të Kosovës. E kush deri tani e ka mohuar këtë fakt. Por kjo nuk na jep të drejtën që artificialisht të ndahemi nga trungu shqiptar. Pastaj Ilirinë e kanë përbërë shumë fise. Disa prej atyre fiseve edhe janë zhdukur tanimë. Bota e qytetëruar na njeh si shqiptar me prejardhje ilire. Gjuhën e kemi shqipe dhe jo dardanishte apo “kosovarishte” si po e shpallin disa “intelektualë” e në mesin e tyre ka edhe akademik që e përkrahin këtë frymë përçarëse.
Dhe nuk është për t´u habitur sepse kjo nismë e mbrapsht e ka një burim…Këto erëra përçarëse po fryejnë që nga vitet e nëntëdhjeta. Si duket ne nuk e paskemi kuptuar mirë pluralizmin e as demokracinë. Demokraci dhe pluralizëm mendimesh dhe ideshë nuk do të thotë se si t´a shkatrrosh veten tënde më shpejt dhe më keq, por do të thotë që nga shumësia e mendimeve dhe ideve të zgjedhësh më të mirën dhe me shumicë votash të ecësh përpara krahas popujve të tjerë. Nuk kemi kohë ne tani të merremi me kultivimin e fiseve kur drejtimet e zhvillimeve shoqërore sot po shkojnë drejt fuqizimeve të kombeve dhe shteteve. Nuk fuqizohet kombi duke e ndarë në fise dhe klane por duke u bashkuar. Dikush nga ne, si duket, e ka harruar porosinë e fundit të Skëndrebeut me ato shtatë thuprat… Mendoj se nuk jemi tani në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe të Bushtëllive të Shkodrës që të veprojnë në vete dhe të mos bashkohen për t´u bërë ballë armiqëve që i kemi rreth e rrotull.

– Krenaria kombëtare –

Nuk kemi kohë e as energji të hargjojmë pas flamujve të fiseve dhe të klaneve ose të krijojmë fise dhe klane të tjera. Nëse jemi për ndryshime, dhe nëse e kemi me gjithë mend, atëherë të bëhemi bashkë dhe të vendosim në Kuvendin tonë për flamurin e “njëqindenjëtë” të Nonda Bulkës e t´a hudhim ate të Ahtisarit. Duhet që patjetër ta fuqizojmë (dhe zyrtarizojmë) veten tonë, dhe flamurin bashkë me ne, edhe në Kosovë dhe në viset tjera ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike. E ky fuqizim nuk bëhet me mahallizma e lokalizma, por vetëm të bashkuar rreth trungut tonë shumë të lashtë dhe të simboleve tona shumëshekullore.
Flamuri i kombit nuk është vetëm detyrim i ndonjerës prej partive politike por i të gjithë laramanisë politike të një populli. Flamuri është vendos njëherë dhe më nuk mund të luhet me te. Nuk mund që të ndryshohet sa herë që t´i teket dikujt. Për flamurin duhet të vendos vetëm referendumi gjithëpopullor në të gjithë hapsirën shqiptare. E nëse dikush nga ne e ka me hile, në këtë punë, dhe nëpërmjet të ndryshimit të flamurit dëshiron që të krijoi etnitet tjetër, i qoftë rruga e “mbarë”, por sigurisht që do të mbetet i vetmuar dhe i koritur njëkohësisht.
Nuk kemi ne, shqiptarët, as më të voglën nevojë që të eksperimentojmë me veten tonë sikurse maqedonasit dhe boshnjakët, por as si sërbët e malazezët, të kërkojmë identitetin tonë apo që t´a shtrembërojmë atë vetëm sa për të mbijetuar.Ne më së paku kemi nevojë që të falsifikojmë veten sikur këta që i përmenda më lartë.
Nëse edhe deri më tani, këto grupe njerëzish nuk e kanë sistemuar veten e tyre se, në cilin grup etnik bëjnë pjesë dhe nëse e mohojnë prejardhjen e prindërve të tyre (për të cilët jam i sigurt që problem të kësaj natyre prindërit e tyre nuk kanë patur kurrë), ata shumë shpejt do të dëshpërohen. Artificialiteti nuk qëndrohet në kohë të gjatë. Keni shembullin e maqedonasëve dhe të boshnjakëve. Do të vini edhe ju në pozitën e disa akademikëve boshnjakë të cilët dëshirojnë, dhe përpiqen, që t´i kthehen identitetit të tyre autokton apo do t´i lakmoni banorët e Rekës së Keqe në Maqedoni, të cilët me të madhe po i kthehet vetes së tyre.
Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë “delen që ndahet nga kopeja, e han ujku”. Kjo është fjali e vërtetuar shumë herë në historinë tonë të bujshme dhe plotë furtuna. Nëse kushdoqoftë vazhdon me ndarje dhe përçarje të këtij lloji, patjetër, do ta kenë mallkimin e nënës shqiptare. Por edhe më i rëndë do të jetë mallkimi i Nënës Shqipëri.

– Kontakti me autorin: Sylejman Krasniqi – mob: 044-169-049/ 049-169-049

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura