OLSJAN TOPALLI: PROBLEMET E EMIGRANTËVE SHQIPTARË NË GREQI DHE TIRANA ZYRTARE!

Elbasan, 08. 02. 2016: Problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk kanë të mbaruar. Dikur pajisja me letra të rregullta, toponimet, shkollat shqipe,përçarja e tyre si pasojë e politikave të ndryshme nga pala shqiptare dhe ajo më e rëndësishmja pensionet që siç duket nuk do marin zgjidhje kurrë, ose më saktë qeveria shqiptare gjithmonë e ka lënë në harresë këtë çështje konkrete.
Për këta emigrantë nuk flet askush, nuk do tja dijë njeri se ku jetojnë e me çfarë meren.
Ata janë pjesa më e diskriminuar e shoqërisë sonë, edhe pse më kontribuesja në krijimin e vlerave materiale shpirtërore të kësaj shoqërie, në zgrip të ekzistencës, në një kohë traumash dhe krizash kolektive, që po përjetojmë tash njëzet vjet tranzicioni pa limit. Që kur thyen muret e ambasadave dhe deri më sot kur bota moderne theu shengenin e trishtë europian, këta emigrantë kanë dhënë gjithçka për vendin e tyre, djersën, mundin, gjakun, pasionin dhe ëndrrën që vendi i tyre të ishte një vend i denjë në familjen e madhe europiane.
Por, sikur të mjaftonte vetëm kjo, krahas kësaj atyre u duhet të mbajnë mbi supe edhe damkën e paragjykim që i ndjek kudo pas si një mallkim. Mallkim në vendin nga ikën për një jetë më të mirë, mallkim në vendet pritëse.

Kjo është drama më e madhe që përballen familjet shqiptare që prej më tepër se 20 vitesh. U nda për së gjalli shqiptari me shqiptarin, por tashmë më keq se kurrë, pasi veç lirisë, që u kthye në një gjerdan shtrëngues në fyt, u ndanë edhe nga mirëqenia e të ardhurat, dhe s’ka më keq se ndarja pasurore.
UDHËTIMI
Nisja jonë drejt shtetit Helen bëhet nga qyteti i Elbasanit në orët e para të mëngjesit. Tashmë ska më harmoni midis të rinj e të rejash, ato s’ ndjehen gjëkundi, thua se u janë thyer shpresat fare,e jetojnë pas perdes së zezë të emigracionit. Edhe ato pak të rinj e të reja energjik gjenden sot “rrugëve” të kurbetit mes rrëpatjeve të shumta që janë ulur këmbëkryq në shtëpizat e heshtura të tyre. Në autobuz pjesa dërrrmuese janë të moshuar që me ato ato pak të ardhura që sigurojnë nga pensionet e tyre, kanë marë iniciativën ashtu mundueshëm drej shtetit grek për të takuar bijt e bijat e tyre që luftojnë për egzistencë në shtetin fqinj. Rruga e ngushtë mbushur plot vuajtje gjarpëron trishtueshëm midis Librazhdit, Përrenjasit, Pogradecit, Korçës dhe së fundmi qyteti i fundit para pikës kufitare Bilishti. Mbas pak orëve udhëtimi, gjendemi në Kapshticë e cila është dhe pika kufitare me Greqinë.
Dielli i ka shtrirë plotësisht rrezet e tij e herë-herë bëhet edhe i bezdishëm në sytë tanë edhe pse stina e Dimrit në këto anë është më e ashpër dhe më e ftohtë ndonëse dëbora ka shtirë mantelin e saj ditë më parë.
Tek-tuk ndihen zëra të lodhur, të rraskapitur, zëra mbushur me trishtim teksa bisedojnë me njëri-tjetrin, por edhe ato nuk zgjasin shumë pasi mosha bën të veten dhe udha e gjatë u ka shtuar lodhjen…
Pas disa minutash pritje që nga larg dallohet polici doganor shqiptar, i cili vjen të mbledhë pashaportat. Krahas pashaportave polici shqiptar na kërkon ne bashkombasve të tij edhe garancinë se ku do shkojmë.
“Më duket e çutishme që kërkojnë diçka të tillë, ndonëse këtë kërkesë apo rregull se lexojmë të shkruar asgjëkundi në asnjë nga rregullat e BE-së”, por besoj që drejtuesit tanë duhet ta dinë me patjetër se çfarë ndodh me doganjerët tonë, e siç thonë edhe udhëtarët “ e bëjnë për lekë”. Duket absurde kur e mendon se në ç’nivele ka arritur korrupsioni.
Ja ku gjendemi përballë doganierit grek, nbdryshe nga ai i yni, ky i kërkon një për një para tij udhëtarët që ti shohë. Ashtu me një vështrim të ftohtë dhe me kokën ulur doganieri grek vulos pashaportën dhe me një fjalë që belbëzon nga goja e tij thotë : (Διακοπές επουλωθεί-Diakopés epoulotheí-Pushime të mbara). Pas kontrollit të bagazheve, autobuzi ynë nis të çajë udhën përpara drejt shtetit Helen me ëndrra thyer…
Me t’u futur në palën greke, çdo gjë ndryshon, rruga më e mirë, më e shtruar dhe pa gropa, që në Shqipëri i gjejmë masivisht.
Paralelisht me ne shtrihen kodrinat e ulëta e të zhveshura të cilat do të na ndjekin deri në Selanikun e largët…
Mes atyre kodrinave në mendje më vijnë shqiptarët e shumtë të atyre viteve që për një jetë më të mirë morën rrugët e greqisë dhe ashtu mes vujtesh e vështirësive të mëdha nëpër male arritën në destinacionet e tyre. Por, ka dhe histori të trishta që ushtarët grekë kanë vrarë edhe shumë shqiptarë nëpër male, e duke i lënë ashtu në mëshirë të fatit që ti hanin kafshët e egra. Sa dimra acar e sa vujtje mbajnë mbi supe këta njerëz të palodhur e punëtorë, që në vogëli braktisën familjet e tyre për një jetë më të mirë sepse shqipëria nuk u’a ofroi diçka të tillë, e që sot enden si të huaj mes të huajve. Pa shtëpi… Pa prona… Pa të ardhme…
Janë pikërisht ato të cilët dikur sillnin shumë harmoni në familjet shqiptare kur vinin gjatë sezoneve veroreve apo dhe gjatë pushimeve të fundvitit. Por duhet thënë se ka disa kohë që emigrantët nuk janë më shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë dhe kjo nuk ka ndodhur as në pushimet verore, dhe as në festat e fundvitit, kur ata vërshojnë zakonisht për të takuar të afërmit e tyre dhe për t’u çmallur me vendlindjen. Tronditja botërore e ekonomisë, ka pështjelluar një krizë të re edhe në komunitetin e tyre. Për pasojë, ndihma ekonomike për familjet në Shqipëri, është po kaq e pamundur, sa edhe i hidhur është ky realitet për ata.

Pas disa orëve udhëtim, dhe pasim lamë pas tunelet e Verias, gjendemi në fushën e madhe të Selanikut shume vjeçar. Tashmë mbrëmja ka rënë mbi qytet, e qyteti vezullon nga dritat e shumta, a thua që këtu nuk mbaron gjallëria njerëzore. Ashtu mes gjallërisë dhe orëve të mbrëmjes akomodohemi edhe ne ‘zemër’ të Selanikut, për tu shplodhur edhe për ti lënë kohë ditës që do na pasojë.
NË SELANIK
Mëngjesi vjen shpejt, thuajse nuk u ndje fare. Pas kafesë së mëngjesit i lejmë vend një xhiroje në qytet, e me shpresën për të takuar edhe shqiptarë të tjerë, të cilët ndyshe nga të tjerët që shijojnë bregdetin ato kanë dalë ku e ku të kapin ndonjë punë, e të fitojnë sadopak, ndonëse edhe grekët nuk paguajnë më si dikur- na bën me dije Bashkimi, emigrant në Greqi që prej 20 vitesh, të cilin e takuam te sheshi ku shumë emigrantë dalin edhe takohen.
I revoltuar dhe plot urrejtje na thotë: “Politika e lodhur e Tiranës zyrtare na bëri si dy Koretë, si nata me ditën, njëra Kore – shqiptarët brenda kufijve shtetërorë të imponuar dhe Koreja tjetër -jashtë kufijve, në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Zvicër, SHBA, Australi etj, kudo ku punojnë e rropaten emigrantët tanë, emigrantët e tokës krenare të shqipeve që vetëm emri na ka ngelur”.
Politika nuk ka se çfarë të thotë më, boll ka gënjyer dhe shqiptarët kanë bërë sikur kanë besuar: emigrantët tanë janë të keqpërdorurit e saj të mëdhenj, një keqpërdorim i vrazhdë, brutal, pa limit. Ata janë trajtuar si njerëz pa atdhe, të huaj në vendet ku punojnë e jetojnë për një copë bukë, por akoma më të huaj në vendin e tyre, ku vijon të ngjitet në podiumet politike mashtrimi i radhës dhe projeksioni politik ndaj tyre është në kuotat më të larta të këtij supermashtrimi…
Ku është Edi Rama sot dhe qeveria e tij?! Që para pak vitesh na premtuan që do hapnin shkollat shqipe këtu. Premtoi që do zgjidhte problemin e pensioneve, dhe ska zgjidhur gjë. Për atë pension po punojmë jo se kërkojmë ndonjë gjë të madhe. Por siç duket dhe atë sdo e përfitojmë fare. Mirë këto, por nxjerrin problem me toponimet, probleme me pashaportat 10 vjeçare për fëmijët. Ne çfarë faji kemi që ti vuajmë këto ?- shprehet i irrituar dhe pa shpresë Bashkimi.
Xhevahiri një tjetër emigrant në greqi që prej 23 vjetësh me familjen na thotë: “ Këtu përfundoi çdo gjë. Ia dilet mbanë pa punë, më thoni ? Ku të shkojmë?
Ja erdhëm në shqipëri ku të shkojmë ? Apo të hapim sytë nga qielli..
Ne e dimë, ashtu siç e dinë të gjithë, se dërrasat janë zbërthyer dhe Shqipëria nuk mund të përballojë papunësi të re dhe të papunë të rinj, në mes të rrënimit”.
Të gjendur mes dy të këqijave emigrantët tanë sot janë personazhe të një drame të re.
Nëse vështrimet do të bien mbi ta, drama përsëri do të vazhdojë, sepse kjo do të ndodhë vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht, dhe vetëm djallëzisht në fushata elektorale.
Historitë e tyre përsëritin njëra-tjetrën ashtu rëndomtë, trishtueshëm e plot dhimbje. Është vërtet e dhimbshme se si për këta emigrantë nuk do ti’a dijë askush. Pak gjëra thuhen e shkruhen për to, kurse shteti, ashtu si edhe për shqiptarët brenda vendit, edhe në ditë të mira, edhe në krizë, realisht nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë për ata. Nuk është bërë asgjë asnjëherë për të përmirësuar imazhin e njeriut shqiptar nëpër botë, nuk po bëhet dhe mbase nuk do të bëhet kurrë.
Është e pamundur për tu larguar nga këto emgrantë mbushur plot dhimbje, vujtje e halle të mëdha që mbajnë mbi shpinë e ngulitur thellë shpirtërisht, por duhet ta bëjmë për tu kthyer përsëri këtu me shpresën se një ditë këta njerëz të palodhur do gjejnë paqen shpirtërore. Edhe pse ata ndihen kaq indiferentë dhe mosbesues ndaj politikës në Shqipëri. Sepse e tillë ka qenë politika, mospërfillëse ndaj tyre për kaq vite me rradhë.

Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti është fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së dhuruari dashuri për vendin e tyre, jo vetëm sepse kjo dashuri nuk ju është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do mund të sjellë shpresën e ndryshimit në të. E thënë më thjeshtë, zhgënjimi vazhdon, bile tashmë me një ritëm të çmendur, gati të sëmurë, e sindromik!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura