OSMAN OSMANI: ORGANIZATA PËR REPUBLIKË SHQIPTARE NË ISH’RSFJ

Zvicër, 14. 03. 2014 – PROGRAMI I ORGANIZATËS PKMLSHJ, i aprovuar me rastin e konsolidimit në verë të vitit 1978 në mbledhjen solemne në Prishtinë, rruga Gjergj Fishta… (shih Kallëzimin penal nr. 1323 e datës 11 maj 1982, Aktvendimi Hep. nr. 91/82 dhe Aktgjykimin P-K.nr. 167/82, kundër pjesëtarëve të Organizatës PKMLSHJ në shkurt të vitin 1983)
ÇKA E RËNDON POPULLIN SHQIPTAR NË RSFJ

Historia e hidhur po e përcjell edhe në ditët e sotme popullin shqiptar i cili në as një moment nuk u gjunjëzua, por përkundrazi forcat progresive shqiptare organizuan luftë të pa ndërprerë për unitetin ekonomik, kombëtarë, territorial. Organizimi i parë fillon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, periudhë kjo, në të cilën shënohen faqe të ndritura në historinë e popullit tonë. Viti 1912 shënon shpalljen e pavarësisë dhe shpalljen e shtetit kombëtarë shqiptar. Ky është akt me rëndësi të madhe për popullin shqiptar. Për arritjen e kësaj fitoreje kontribuon edhe pjesët tjera shqiptare që mbetën jashtë këtij shteti shqiptar. Shtetet fqinje me ndihmën e fuqive të mëdha botërore i ja arritën qëllimit që gjysmën e Shqipërisë etnike ta copëtojnë dhe ta okupojnë. Përkundër ushtrimit të terrorit në këto krahina nga ana e sundueseve të rinj, populli shqiptar kurrë nuk hoqi dorë nga rezistenca, prandaj këta (pushtues) në të dy luftërat botërore angazhojnë forca të mëdha për ti mbajtur nën sundimin e vet. Në popullin shqiptar u ushtruan metoda të ndryshme të asimilimit, të gjenocidit e të kolonizimit nga pushtuesit e sunduesve të rijnë. Këta faktorë e detyruan një pjesë të madhe të popullit të shpërngulet nga vatrat e veta në botën mbarë. Lufta e dytë botërore, përkundër gjakderdhjes së madhe, për popullin shqiptar sillte një fat më të bardhë në krahasim me jetën e deriatëhershme që e kaloi nën sundimin e borgjezisë shoviniste jugosllave. Se e ardhmja është e ndritur e shtonte fakti se luftën po e udhëhiqte PKSH, e cila luftonte për çlirim klasor dhe unitet kombëtar, unitet territorial, ekonomik e politik shqiptar.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Shkurt 1983: Rexhep Maqedonci

– gjatë gjykimit të pjestarëve të PKMLSHJ’së

Mirëpo me përfundimin e kësaj lufte nuk morri fund gjithçka ashtu siç u besua, ngase një pjesë e mirë e popullit shqiptar dhe e tokave shqiptare prapë mbetën jashtë kufijve kombëtar dhe brenda kufijve jugosllavë, sikur kishin qenë edhe më parë, edhe pse në fillim të revolucionit ishin marrëveshje në mes të PKSH dhe PKJ që të lejohet bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, respektivisht kjo të mundësohet përmes vetëvendosjes. Në popullin shqiptar që mbet nën Jugosllavinë “socialiste” u ushtrua një dhunë e terror nga ana e borgjezisë së re jugosllave për njëzet vite me radhë, e cila udhëhiqej nga klika e serbomëdhenjve në krye me zëvendëskryetarin e Aleksandër Rankoviqin. Pas vitit 1966 filluan forma të reja të një eksploatimi dhe diskriminimi të egër klasor me metoda të reja të diskriminimit e të degjenerimit kombëtar. Përkundër politikës së këtillë anti shqiptare dhe anti marksiste të kurdisur mirë, forcat shqiptare nuk hoqën as nuk heqin dorë nga lufta për pavarësi klasore e nacionale. Si rezultat të kësaj lufte kemi krijimin e Partisë Komuniste Marksiste – Leniniste Shqiptare në RSFJ e lindur nga gjiri i popullit, për të udhëhequr klasën punëtore dhe popullin shqiptar në luftën e mëtejshme për individualitet dhe pavarësi kombëtare, si dhe për udhëheqjen e revolucionit dhe aprovimin e marrëdhënieve socialiste në shoqërinë shqiptare në Jugosllavi.
Kushtet ekzistuese mundësojnë që kjo luftë të kryhet me sukses dhe të realizohen aspiratat e theksuara. Forcat progresive shqiptare duhet të angazhohen për sendërtimin e politikës së proklamuar nga PKMLSHJ për çlirim nga eksploatimi serbomadh, malazezomadh, maqeonomadh dhe unitarizmit shtetmadh jugosllav dhe për individualitet pavarësi dhe barazi nacionale dhe klasore brenda RSFJ, gjegjësisht për mundësimin e krijimit të RSSH në RSFJ. Kjo RSSH do të lindte pas bashkimit të viseve shqiptare në një tërësi territoriale, pas pavarësisë nga kolonizatorët maqedono-malazezo- serbomedhenj dhe pas pavarësisë ekonomike e politike të popullit shqiptar në RSFJ. Është pra e nevojshme të bëhet mobilizimi i tërësishëm i forcave progresive në një vijë të këtillë politike për arritjen e kësaj fitoreje të pa evitueshme.
Pikërisht kjo është detyrë e partisë: që ti zgjojë e ti bashkojë këto forca progresive, të cilat gjer më tani kanë bredhë në kërkimin e metodave të llojllojshme pa ndonjë program të caktuar, të përbashkët, e që gjithsesi ka paraqitur një gjendje konfuze e cila kuptohet nuk ka arrit ndonjë sukses të madh. Marrëdhëniet e tanishme shoqërore të krijuara sidomos në dekadën e fundit janë të lënduara me dukuritë mikroborgjeze, të cilat u infiltruan tek ne me ndihmën e reaksionit hegjemonist, burokratik e karrierist dhe kështu krijuan klasën sunduese në Jugosllavi. PKMLSHJ me përkrahjen e plotë të klasës punëtore dhe popullit shqiptarë morri iniciativën që të udhëheq më tutje revolucionin socialist dhe i përcaktoi vetes këto tri fronte kryesore të veprimtarisë:
– Për formimin e RSSH në RSFJ, me të cilën populli shqiptar do të fitojë pavarësi dhe barazi nacionale, do ti ndërtojë marrëdhëniet socialiste, etj.
– Në planin federativ të jep kontributin e vetë për eliminimin e marrëdhënieve borgjeze të kalbura, të cilat po bëhen marrëdhënie dominuese në rregullimin e raporteve shqiptaro jugosllave; të ndihmojnë zhvillimin e mëtutjeshme të socializmit të vërtetë në RSFJ e të pengojnë rrezikimin e sovranitetit e të integritetit dhe të unitetit të saj.
Në planin ndërkombëtar PKMLSHJ dëshiron ti kontribuoj luftës së klasës punëtore dhe proletariatit botëror për çlirim nga eksploatimi. Posaçërisht në shënjestër duhet të vihen aparatet burokratike të vendeve të ashtuquajtura socialiste, të cilat po si në vendet kapitaliste, eksploatojnë dhe keqtrajtojnë klasën punëtore dhe popujt e botës. Duhet të jemi të vetëdijshëm se para nesh janë shtruar detyra aq sa të rëndësishme aq edhe të rënda. Është krijuar një situatë krize e përgjithshme ekonomike për popullin shqiptar (në RSFJ), atë jugosllav si dhe atë botërorë, prandaj është momenti i fundit që forcat progresive të mobilizohen dhe të nisen në një luftë të re progresive.
P R O G R A M I I P K M L SH J
Programi i PKMLSHJ (Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në RSFJ) është bazë teorike e aktivitetit dhe luftës sonë të mëtutjeshme, i cili nxirret nga programi i lëvizjes botërore dhe është pjesë përbërëse e tij.
PKMLSHJ me këtë program del në ballë të masave progresive shqiptare në Jugosllavi që në esencë është udhërrëfyes për realizimin e kërkesave të klasës punëtore dhe popullit shqiptarë për çlirim nga prangat e eksploatimit të djersës dhe pasurisë dhe për çlirim nga diskriminimi kombëtar që po ushtrohet ndaj tij nga forcat reaksionare, hegjemoniste kolonialiste në bashkëpunim me unitarizmin shtetmadh jugosllav.
Lëvizja punëtore së bashku me rininë shkollore e studentore është forcë themelore nxitëse e progresit shoqërore në tërësi dhe popullit shqiptar në veçanti, kurse PKMLSH në Jugosllavi është organizatore dhe prijëse ideore e saj.
Populli shqiptar në RSFJ, klasa punëtore dhe PKMLSHJ janë unike në luftën për realizimin e aspiratave; pavarësisë dhe barazisë, respektivisht për realizimin e socializmit në vendin tonë.
PKMLSHJ synon që me ndihmën e teorisë dhe praktikës së marksizëm-leninizmit të trasoj rrugën e zhvillimit të revolucionit ndërtimor të socializmit dhe fitimin e pavarësisë, barazisë dhe formimin e RSSH në kundër të RSFJ.

– Faqja e parë e Programit të ‘PKMLSHJ’së –

E VËRTETA MBI BARAZIN NACIONALE DHE MARDHËNJET KLASORE
Sistemi shoqërorë kapitalistë në formën e ti klasike i takon së kaluarës, por ajo e kaluar i ka lënë për trashëgim Jugosllavisë “Socialiste” edhe disa marrëdhënie shoqërore ndër-klasore e ndërnacionale të cilat edhe sot pas katër deceniesh socializmi bëhen pengesa serioze në zhvillimin normal të marrëdhënieve shoqërore e politike. Kjo nuk do të paraqiste ndonjë problem, sikur këto marrëdhënie të ishin çështje private apo të përkohshme, por nëse hyn në analizimin detal të të gjitha marrëdhënieve shoqërore, atëherë do të vërejmë se në RSFJ do të hasim në disa dukuri feudale madje edhe më të hershme – aso që i hasim në komunitetin primitiv. Jugosllavja paraqet në të vërtetë një muze të të gjitha rregullimeve shoqërore që i njeh historia e njerëzimit, por marrëdhëniet kapitaliste e akoma nuk po e humbin shkëlqyesin e posaçërisht te marrëdhëniet ndërnacionale ku duket një konzervatizëm i dukshme, e aq më keq kur marrëdhëniet e tilla janë të legjitimuara me kushtetutë në Jugosllavinë e re “socialiste” vetëqeverisëse. Fjala është për marrëdhëniet hegjemoniste e aspiratat deri diku të realizuara territoriale ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi.
Kur flasim për popull, së pari nisemi nga aspekti klasor, sepse një populli të kolonizuar, të cilit i mohohet njohja si popull, i mohohet njohja kombëtare e territoriale – është i copëtuar si popull e i mohuar, kurrë nuk mund të jetë i barabartë me ata të cilët e nënshtrojnë, prandaj edhe në aspektin klasor është i eksploatuar dhe i diskriminuar. Edhe pse gëzon njëfarë barazie në kulturë, e konsiderojmë se nëse kjo është farë barazie atëherë edhe pushtuesit austro-hungarez gjatë luftës së parë botërore, si dhe okupatorët nazifashist gjatë luftës së dytë botërore, paskan ndjekur politik të drejtë ndaj popullit shqiptar, sepse edhe ata patën hapur shkolla në gjuhën shqipe dhe patën vënë administratën dygjuhësore. Jo kështu nuk ndahet barazia! Po qe se dikush mendon se kështu ndahet barazia, siç ka ndodhur me ndarjen e saj nga të gjithë ata që e pushtuan vendin tonë, atëherë ta dinë se ajo është politik demagogjike!
Kjo politik demagogjike për ndjekjen e formave ekstreme, është e njohur sidomos në periudhë njëzet vjeçare të Jugosllavisë “socialiste vetëqeverisëse”, në kohën siç është e njohur si koha e para plenumit të 4 të KQ të PKJ. Por fatkeqësisht pas një intervali kur filloi të zgjidhjet kjo çështje në mënyrë të drejtë; forcat reaksionare përsëri arritën që ta ndërprenë zhvillimin e saj dhe ta vazhdojnë politikën e vjetër dhe të errët demagogjike në forma të reja. Jugosllavët ndërtuan një godinë të lartë kartuçi dhe në të katër anët e saj vuan nga një laro që fillojnë të lehurat sipas dirigjimit të “arkitektit”. Fatmirësisht ajo nuk u shit si pallat, se kanë kaluar ato koha kur popullit shqiptar ka mundur dikush ti hedhë hi syve qoftë edhe përmes 3 individëve që rastësisht në librin e të lindurve janë të regjistruar si “shqiptar”. Pra përkundër një kampanje propagandistike se gjoja është arritur barazia e plotë, faktet flasin krejt ndryshe sepse barazia në mes të popujve mund të arrihet nëse ata qëndrojnë në raport të pavarur dhe të barabartë në aspektin ekonomik, territorial dhe politik. Çdo model tjetër është demagogji dhe improvizim në shërbim të hegjemonizmit kolonialist dhe unitarizmit shtetomadh.
Populli shqiptarë edhe pse i prapambetur ekonomikisht (gjë për të cilën janë fajtor marrëdhëniet hegjemoniste e kolonialiste, që në këtë popull ushtruan një eksploatim të pa shembull), di ta kuptojë pozitën e vetë përkundër orvatjeve të disa “shqiptarëve” që ta bindin për tu pajtuar me fatin. Është e çuditshme si ata dhe padronët e tyre ndjekin një politikë të mjerueshme, të zbehtë dhe primitive që shpesh i ngjanë një tragjedi-komedie të mbretërive në shkatërrim.
LUFTA PËR BARAZI NË KUSHTET E SOTME
Për kundër egërsimit të imperializmit dhe forcimit të tij; lufta anti kolonialiste dita më ditë po zgjerohet dhe po shkon drejt ngadhënjimit. Në kolonit klasike zhvillohet luftë klasike, andaj edhe kushtet janë të ndara qartë në shtypës dhe të shtypur.
Kushtet e luftës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, ndryshon rrënjësisht nga ato të popujve në kolonit klasike, sepse edhe pozita e popullit shqiptar dhe marrëdhëniet kolonialiste ndaj tij ndryshojnë shumë nga ato në kolonit klasike. Diferenca kryesore përbëhet prej dy elementeve: se populli shqiptar është koloni e copëtuar brenda tri republikave jugosllave – pra elementi në shtetin e vetëquajtur “socialist”; dhe se klasa punëtore dhe populli shqiptar nuk zhvillon luftë vetëm antikolonialiste, por edhe revolucion socialist. Vështirësitë e kësaj lufte në krahasim me luftën në kolonit klasike qëndrojnë te metodat e kolonializmit. Demagogët jugosllav kanë improvizuar barazinë kombëtare dhe pas saj kanë vu aparatin shtetëror të dhunës – armatën dhe policinë. Ata i fshehin armët, por kohë pas kohe i reklamojnë ato, për të treguar se për çdo raste janë të gatshëm. Pikërisht për shkak të marrëdhënieve të tilla kolonialiste, me demagogji kombinojnë improvizimin e barazisë dhe reklamimin (kanosjen me armë) e armëve si dhe reklamimin e mirëqenies në mjetet e informimit publik dhe me anën e disa “sheqerkave” mundohen ta mashtrojnë dike se gjoja ende po punohet për zhdukjen e diferencave në zhvillim dhe se për disa gjëra ende nuk janë pjekur kushtet. Këto ndikuan që në njerëz të krijohen mendime të ndryshme me të cilat bredhin në hapësirë të pafund, kështu që si rezultat kanë pasur krijimin e rrymave të ndryshme të masat e gjëra popullore shqiptare, ndërsa disa nga njerëzit progresiv përfundonin në demobilizim e pasivizim.
Ky ishte edhe qëllimi i fundit i forcave reaksionare – demobilizimi dhe pasivizimi i çdo rezistence gjegjësisht i çfarëdo qëndrese para kërkesave kategorike për pavarësi dhe barazi klasore e nacionale. Imponimi i një oportunizmi tek masat e gjëra popullore ndaj kësaj çështjeje është ushtruar në mënyra të llojllojshme prej imponimit të unitarizmit si mënyrë e mendimit e gjerë te krijimi i një injorance ndaj veçorive dhe individualitetit kombëtar si diçka të tejkaluar dhe të prapambetur, se gjoja krejt çka është kombëtare është konzervatizëm i tij. Duke injoruar kështu çështjen kombëtare, rekcioni gjithnjë ka vu si element më të rëndësishëm çështjen sociale edhe atë në nivel të standardit jetësor momental pa e shikuar në mënyrë esenciale si diçka që s’ka të bëjë me standardin e përgjithshëm të klasës punëtore dhe kombit – popullit punonjës, si diçka të pa rëndësishme për të ardhmen. Siç shihet nga mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje është dashur të arrihet efekti që çështja nacionale të shikohet si diçka që ka të bëjë me traditën, kulturën e më së largëti me arsimin në gjuhën kombëtare.
Duke u munduar që në mënyrë artificiale të ndahet çështja nacionale nga ajo klasore dhe në këtë mënyrë, interesat e klasës punëtore shqiptare në Jugosllavi të përgjithësohen me ato të klasës punëtore jugosllave. Duke ia mohuar njohjen njëherit edhe interesat e saja të veçanta, që fundi i fundit iu kanë nënshtruar një eksploatimi të pa skrupull të maskuar suksesshëm. Këtë e dëshmon vet gjendja ekzistuese në republikat që e nënshtrojnë klasën punëtore, popullin dhe territorin shqiptar, ku mbar popullit shqiptar i mohohet njohja si komb, i mohohet njohja e madhësisë si popull, për kundër faktit se ai (populli shqiptar në Jugosllavi) paraqet jo pakicë (siç e kane emërtuar për ti ja mohuar të gjitha të drejtat ligjore që i takojnë një populli tjetër në Jugosllavi), për gjysmën e popullit dhe territorit shqiptar që gjendet në Jugosllavi, i cili për kundër të gjitha pasurive natyrore që i ka, është pjesë më e pa zhvilluar në RSFJ.
Ne gjërat i zbërthejmë në elemente të qarta e njerëzit të cilët në mënyrë sipërfaqësore e përcjellin gjendjen e klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, habiten kur kohë pas kohe hasin në disa elemente në shtypin jugosllav, mbi gjendjen ekonomike në Kosovë. Atëherë nga shifrat zbulohet diçka, por jo të gjitha sepse prapambeturia e popullit shqiptarë në rrafshin e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe arsimor nuk shpjegohet ashtu si është, d.m.th. nuk tregohet gjendja reale që është, se kështu e imponon një prapambeturi të tillë dhe se kjo del nga ajo se populli shqiptarë është i copëtuar dhe i nënshtruar, ku eksploatimi nënkuptohet por me një maskë të zbehur dhe me monotoni përsëritet vargu se “e kaluara historike” ka ndikuar që Kosova të jetë 68% nën mesataren jugosllave e mos të flasim për krahinat shqiptare që gjenden nën sundimin e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sikur harrojnë që për historinë e Kosovës janë vetë fajtor e jo dikush nga qielli.
Në mes të çështjes klasore e nacionale, në mënyrë staliniste (Stalini e pat shfaqur mendimin që të gjitha kombet janë produkt i revolucionit borgjez dhe se ato pas ngadhënjimit të revolucionit socialist duhet të shkrihen në një “komb socialist”) të unitaritëve jugosllav (unitaristët jugosllav duan që të gjitha kombet brenda RSFJ të unisohen në “kombin jugosllav” – e majta ekstreme), edhe mes shikimit të kësaj çështjeje nga aspekti hegjemonist-kolonialist të forcave reaksionare jugosllave (e djathtë ekstreme) që e nënshtrojnë popullin shqiptar dhe punën dhe pasurin e tij, përbëjnë një tërësi të taborit antishqiptarë dhe antimarksistë e në esencë edhe anti jugosllav. Këto dy rryma ekstreme në të majtë e në të djathtë gjithsesi kanë krijuar çerdhe tradhtarësh edhe në mes të mikroborgjezisë burokratike-karrieriste shqiptare dhe me ta manipulojnë.
Si më parë edhe tani, ne (PKMLSHJ) i kemi forcat tona brenda LKJ dhe qeveris jugosllave, e cila me vështirësi, por marrë tërësisht qëndron në rrugën e drejtë marksiste – leniniste, duke veçuar fraksionin e brendshëm revizionist që është infiltruar dhe mban disa pozicione brenda tyre. Ata vështrojnë situatën dhe kohë pas kohe mundohen ti zmbrapsin nga populli shqiptarë hegjemonistët e bile në mënyrë evolutive mundohen që të krijojnë mundësi të shkohet përpara. Në këto reaksioni-fraksionist revizionist borgjez reagon në mënyra të ndryshme që edhe ai të përfitoj diçka. Ndërmjet këtyre forcave antisocialiste edhe brenda popullit shqiptar po ashtu janë krijuar rryma të ndryshme si rezultat i treguar i gjendjes që e cekëm më lartë. Këto kushte të klasës punëtore dhe popullit shqiptar, gjegjësisht avangardës së tyre e cila paraqet, gjithë secila specifiket në lëvizjen kombëtare, e bëjnë situatën të ndërlikuar dhe delikate gjë që e dëshmojnë disfatat e njëpasnjëshme politike të LK të Kosovës – komuniste shqiptarë në vinë e LKJ, e organizatës krahinore në platformë të PPSH në RSFJ, të cilave në këto kushte të ndërlikuara politike u mungoi aftësia dhe pjekuria e duhur politike që të dalin fitimtare mbi armikun e përbetuar antishqiptar e antimarksistë-revizionizmit, hegjemonist-kolonialistë dhe unitarizmit shtetmadh jugosllav.
Më në fund doli dhe u ngrit PKJMLSH, e cila hapi frontin kundër reaksionit dhe filloi të udhëheqë luftë intensive me metoda dhe forma të reja më të qëndrueshme dhe me energjike, para të cilave as sot borgjezja e kalbur nuk po paraqet far kundërshtari. PKMLSHJ nuk shpiku as gjë të re, por vetëm mësoi se revolucioni klasik paraqet vetëvrasje për ata që mendojnë të arrin diç me anën e tij, prandaj kjo modernizoi format dhe mënyrën e veprimit duke shkuar përpara drejt fitoreve të reja me hapa të sigurt. Revolucioni afatgjatë di të depërtoi në të gjitha poret e jetës shoqërore në mënyra dhe kombinime revolucionare, të cilat nuk është e thënë të jenë të zhurmshme, po të kenë rezultate dhe ku nuk duhet të na habisë vetëmburrja dhe vetëkënaqësia me kurrfarë fitoresh të vogla. Nuk ka kohë të përcaktuar për ngadhënjimin e revolucionit. Kryesore të mos shkaktohen pasoja të rënda gjatë tij, por të korren suksese dhe të paaftësohet armiku për ndërmarrjen e kundër aksioneve të popullarizuar revolucionare që duhet të kenë jehonë dhe të paraqesin strategji të re, e cila përfshin të gjitha sferat shoqërore. As kush nuk mbetet neutral, por të gjithë vinë në një mënyrë në tjetrën në pozitë të deklarohen si luftëtarë për pavarësi e barazi, ose si armiq e tradhtar të popullit dhe klasës të cilës i takojnë, rrugë të tretë nuk ka.
Iniciativa e PKMLSJ që të vijë gjer te bashkimi i të gjitha forcave progresive shqiptare e sidomos të tri fronteve ideologjike, është e drejtë dhe shumë e nevojshme. Këto tri fronte janë – LK e Kosovës – komunistët shqiptarë në vinë LKJ:
– Organizata krahinore me platformë të PPSH në RSFJ – irredentizmi dhe
– PKMLSHJ në platformën e së cilës duhet të orientohet bashkimi.
Kjo është rrugë më e sigurt për ngadhënjimin e revolucionit socialist,
PRA:
NUK KA BARAZI NACIONALE E KLASORE PA BARAZI DHE PAVARËSI;
– EKONOMIKE
– POLITIKE DHE
– TERRITORIALE
Pa këto elemente vëllazërim-bashkim nuk ka (vëllezërit të cilët nuk sillen vëllazërisht ndaj njëri tjetrit bëhen armiq – Tito)
ARGUMENTET DHE KËRKESAT E PKMLSHJ
– Populli shqiptarë në Jugosllavi nuk është pakicë, por marrë në tërësi është gjysma e popullit shqiptarë. Pra, pasi që nuk është pjesë e vogël kërkon të njihet si popull e jo si pakicë;
– Populli shqiptarë në Jugosllavi për kah madhësia në numër është i treti në RSFJ (është më i madh se kombi maqedon, slloven, mysliman dhe katër herë më i madh se ai malazezë), prandaj kërkon ti njihet statuti i kombit;
– Populli shqiptarë në RSFJ jeton në territorin e vet etnik. Ky territor qëndron i copëtuar nën sundimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ku nuk gëzon njohje nacionale shqiptare, por është i përvetësuar nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia;
– POPULLI SHQIPTAR Në JUGOSLLALVI NUK I KËRKON TERRITORET ETNIKE SHQIPTARE NË TË CILAT SOT NUK JETON FARE APO QËNDRON ME PAKIC POR KËRKON BASHKIMIN NJOHJEN NACIONALE DHE PAVARËSIN E TË GJITHA TROJEVE SHQIPTARE KU JETON AI NË SHUMICËN DËRMUESE;
– Populli shqiptarë ka partinë komuniste dhe vetëm atë e njeh si të veten e legjitime, andaj kërkon pavarësinë politike, gjegjësisht pranimin e PKMLSHJ në kuadrin e LKJ (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë) si parti komuniste nacionale legjitime dhe të barabartë me partitë tjera komuniste nacionale në LKJ. PKMLSHJ në RSFJ përbëhet prej komunistëve shqiptarë anëtarë të LKJ të të gjitha krahinave shqiptare në Jugosllavi. PKSH marksiste-leniniste në RSFJ është e lidhur me LKK (Lidhjen Komuniste të Kosovës) dhe kërkon që Komiteti Krahinor të ketë statutin e KQ (Komitetit Qendror) të LKSH (Lidhjes Komuniste Shqiptare) brenda LKJ;
– Populli shqiptar klasa punëtore dhe PKMLSHJ ka ekonomin e vet, e cila është e copëtuar dhe e uzurpuar. Është e eksploatuar nga kolonizatorët serbë, maqedonë dhe malazezë prandaj është e prapambetur dhe e pa zhvilluar. Ajo është aq e pasur sa që mundëson një jetë të pa varur ekonomike nëse lirohet nga ky ekskploatim jo racional, i egër dhe diskriminues. Kërkon bashkimin e tërë pasurisë ekonomike shqiptare në RSFJ dhe pavarësinë e sajë nga eksploatimi kolonialist;
– Populli shqiptarë në Jugosllavi synon formimin e Republikës Socialiste Shqiptare në RSFJ, si republikë socialiste të pavarur e të barabartë me RS (Republikat Socialiste) tjera nacionale, me të drejta dhe obligime të barabarta ndaj federatës jugosllave. Brenda RSSH (Republikës Socialiste Shqiptare) në Jugosllavi do të jetojnë të barabartë me popullin shqiptar në të gjitha pikëpamjet, pjesëtarët e kombësive tjera që jetojnë në këtë territor.
RREGULLIMI I BRENDSHËM KUSHSTETUTAR I RSSH NË RSFJ
– Kushtetuta e RSSH (Republikës Socialiste Shqiptare) do konstituohet në kombinim të kushtetutës së RPSH (Republikës Popullore të Shqipërisë) për arsye se kemi përkatësi të njëjtë nacionale, por do ti adaptohet kushteve tona në RSFJ. Ajo do të kombinohet edhe me kushtetutën e ndonjërës Republikë të Jugosllavisë, pasi që RSSH do të jetë RS (Republikë Socialiste në kuadër të republikave) jugosllave;
– Sistemi kushtetutave do të konstituohet në bazë të diktaturës së proletariatit;
– Sistemi ekonomik do të rregullohet në bazë të kushtetutës, ku vend të posaçëm do të ketë shpejtimi i zhvillimit dhe i nivelizimit me mesataren Jugosllave;
– Ekonomia shqiptare do të jetë plotësisht e pa varur prej ekonomisë ndërkombëtare;
– Do të shpejtohet zhvillimi i bujqësisë, ajo do të kolektivizohet plotësisht dhe në te do të inkuadrohet e tërë popullata me që gjë do të zgjidhet problemi i pa punësisë;
– Rezervat e metalurgjisë e të energjetikës do të shfrytëzohen me racionalisht. Do të shkohet ka ajo që finalizimi i prodhimeve të bëhet pavarësisht nga jashtë (pra brenda ekonomisë kombëtare);
– Pasuria private do të shoqërorizohet në tërësi. Do të ekzistojë vetëm prona personale dhe ajo shoqërore. Kështu do të del edhe një mundësi për zgjidhjen e problemeve të punësimit dhe banimit;
– Diferencat sociale sidomos të ardhurat personale do të mënjanohen dhe do të lejohet diferenca vetëm një me tre (1-3) e jo si deri me tani 1 me 30;
– Sistemi arsimorë, shkencor e kulturo do të përcaktohet për ndërtimin e socializmit shkencor dhe ta ngrejë moralin dhe patriotizmin nacional dhe internacional socialistë;
– Religjionit do ti ndalohet shkollimi fetarë;
– Rregullimin e brendshëm kushtetutar do ta mbroj DIKTATURA E PROLETARIJATIT e cila do të jetë në përbërje të komunistëve më të aftë nga vetë klasa punëtore e cila do të mbikëqyrë tërë marrëdhëniet shoqërore.
PROGRAMI I ZHVILLIMIT TË SISTEMIT SHOQËROR EKONOMIK DHE POLITIK PAS REALIZIMIT TË BARAZISË DHE PAVARËSISË
Pasi që i shtruam argumentet dhe kërkesat e klasës punëtore e popullit shqiptar dhe avangardës së tyre PKMLSHJ, tani në pika të shkurtuara po flasim për rrugën që duhet ndjekur për realizimin e këtyre kërkesave – ndërtimin e marrëdhënieve socialiste në RSSH në RSFJ.
Deri te realizimi i këtyre interesave jetike të klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi mund të vijë duke i përdorur këto mënyra:
– Së pari në mënyrë paqësore, me ujdi dhe me marrëveshje politike në mes të LK të Kosovës e të LKJ dhe qeverisë Jugosllave;
– Së dyti me metoda të kombinuara, duke bërë presion politik duke bërë greva dhe demonstrata dhe duke organizuar aksione të armatosura:;
– Së fundi edhe me revolucion (luftë) të armatosur.
PKMLSHJ është për mënyrën e parë. Kjo do të dal me kërkesë për pavarësi dhe barazi para LKJ, me propozim që LK e Kosovës të merë iniciativë për shtruarjen e kësaj kërkese para LKJ dhe qeverisë jugosllave. Po që se LKK nuk i përkrah dhe nuk i mbron interesat e klasës punëtore dhe popullit shqiptarë në Jugosllavi PKMLSHJ do të merë vetë iniciativën dhe do ti ja shtroj vetë këto kërkesa, atëherë do tua caktoj afatin për marrjen e vendimeve. Pas përgjigjeve eventuale negativ e ose të heshtjes para kërkesave tona, PKMLSHJ do ti drejtohet me një ultimatum preventiv. Nëse prapë vazhdohet ashtu, do tu drejtohet edhe me një ultimatum me kohë të caktuar dhe së fundi me një ultimatum përfundimtar para nisjes së revolucionit të armatosur e nëse edhe atëherë heshtet, apo japin përgjigje negative, atëherë PKMLSHJ do ti njoftoj masat progresive si brenda ashtu edhe jashtë Jugosllavisë, se klasa punëtore dhe populli shqiptarë në Jugosllavi janë të detyruar të ngiten në revolucion të armatosur dhe në luftë anti kolonialiste, në luftë kundër hegjemonizmit serbo-maqedonaso-malazezomadhë dhe e unitarizmit shtetmadh jugosllav. Do ti njoftojë masat progresive jugosllave dhe ndërkombëtare dhe do ta thërras OKB që të shqyrtoi çështjen e pavarësisë dhe individualitetit kombëtarë, e cila me rregullimin kushtetues i siguron një gjë të këtillë dhe se me të drejtë ndërkombëtare PKMLSHJ do të organizojë dhe do të udhëheqë revolucionin e armatosur për pavarësi dhe barazi nëse kjo nuk arrihet me marrëveshje paqësore.
PKMLSHJ llogarit se kërkesat e drejta të klasës punëtore dhe popullit shqiptar do të hasin në mirëkuptim dhe në përkrahje të LKJ dhe QJ (qeverisë jugosllave) si dhe të gjitha forcave progresive serbe, maqedonase e malazeze dhe në përgjithësi jugosllave. Besojmë se nuk do të lejohet të vihet deri te gjakderdhja, për të cilën klasa punëtore dhe populli shqiptar në RSFJ është i gatshëm vetëm nëse rrugëdalje tjetër nuk ka që ti ja arrijë qëllimit historik dhe të drejtë.
NE NUK KEMI QKA TË HUMBIM VEQ PRANGAVE; se edhe ashtu do të zhdukemi me anë të metodave, gjoja evolutive, të diskriminimit, të e gjenerimit dhe të denacionalizimit kombëtarë që ndaj nesh po ushtrohet qet por dhunshëm.
Metodat moderne të diskriminimit dhe eksploatimit të egër nëse i ndalon me vetëdije socializmit vetëqeverisës, do të kuptojë e do të zgjidhë drejtë çështjen e pavarësisë, individualitetit, dhe të barazisë dhe do të ruaj unitetin, integritetin dhe sovranitetin e RSFJ. Në të kundërtën do të vijë deri te shpartallimi i saj. PKMLSHJ siç shihet nuk e dëshiron shkatërrimin e RSFJ, por është për atë që të ruhet ajo.
* * *
STATUTI I PKMLSHJ
PKMLSHJ në RSFJ është ngritur nga lëvizja revolucionare klasës punëtore të LKK, të LKJ e LKS, si shprehje e kërkesave të klasës punëtore dhe popullit shqiptarë në RSFJ që të ketë parti komuniste kombëtare. Kjo parti do të udhëhiqet në mbrojtjen e interesa e të tyre, do të jetë shprehje e orientimit intensiv të komunistëve shqiptarë në beteja për barazi nacionale dhe vetëvendosje të popullit shqiptarë, ta aktivizojë atë në luftë për realizimin e të drejtave të veta kombëtare, klasore e demokratike të popullit shqiptarë. Në këtë drejtim është e nevojshme që edhe më tutje të zhvillohet luftë ideore kundër pozicioneve që janë në shërbim të hegjemonizmit maqedonaso – malazezo – serbomadh si dhe kundër burokracisë shqiptare. Edhe në sferën ideore duhet të zhvillohet luftë e pa kompromis kundër presioneve të llojllojshme tendencioze të cilat ndikojnë negativisht tek inteligjenca dhe masa e luhatshme.
PKMLSHJS vazhdimisht ndihmon edhe udhëheqë organizimin e klasës punëtore e masave progresive në luftë për të shprehur e sendërtuar qëllimet dhe interesat historikisht të drejta të klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ.
STATUTI PARASHEH
Që anëtarët e PKMLSHJ të jenë edhe anëtarë të LKJ, por ky nuk është kusht i domosdoshëm. Anëtarë të PKMLSHJ mund të bëhen ata që me punën dhe sjelljet e veta meritojnë të jenë komunistë;
Që anëtarët e PKMLSHJ-së të depërtojnë sa më shpejtë vertikalisht dhe horizontalisht në LKJ dhe në OK të PPSH e me punën e vet kreative bëjnë të mundur bashkimin e tyre në platformën e PKMLSHJ;
Që pavarësia:
– Ekonomike
– Politike dhe
– Territoriale
Të arrihet në mënyrë paqësore dhe PKMLSH të shndërrohet në LKSH (Lidhje Komuniste Shqiptare në RSFJ);
Që, nëse LKJ dhe qeveria jugosllave nuk u përgjigjet pozitivisht kërkesave të klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, ato do të realizohen me revolucion të armatosur. Nëse vije deri te revolucioni i armatosur shkëputen të gjitha marrëdhëniet miqësore me LKJ dhe QJ. Atëherë PKMLSHJ do të mbështete në forcat e veta dhe ndihmën që do të kërkojë nga shtetet socialiste e posaçërisht nga Shqipëria, dhe në atë të partive komuniste botërore;
Që gjersa të epet përgjigja nga LKJ dhe QJ (eventualisht negative) në kërkesat e klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, PKMLSHJ do të luftoj kundër secilit që do të mundohet ta cenojë sovranitetin territorial të Jugosllavisë.
PKMLSHJ UDHËHIQET NË MARKSIIZËM-LENINIZËM DHE NGA MATERJALIZMI DIALEKTIK (HISTORIK)
Ashtu siç nuk e çmojmë individin në bazë të asaj që mendon për vetë veten kështu edhe për një etapë të tillë revolucionare nuk mund të gjykojmë vet (ndaras), por duhet ta shpjegojmë nga kontradiktat e jetës shoqërore e ekonomike, nga konflikti që ekziston ndërmjet forcave prodhuese shoqërore dhe marrëdhënieve në prodhim. Prandaj as një formacion shoqërorë nuk shkatërrohet para se të zhvillohen të gjitha forcat prodhuese deri në shkallën që lejohet dhe asnjëherë marrëdhëniet më të larta të prodhimit nuk lindin para se të kenë lindur kushtet materiale për ekzistimin e tyre në gjirin e vetë e shoqërisë së vjetër në shkatërrim. Prandaj njerëzimi gjithmonë i shtron vetes ato detyra të cilat mundë ti zgjedh, sepse kur shikojmë më mirë do të shohim se detyrat lindin vetëm atje ku ekzistojnë, apo janë në formim e sipër kushtet materiale për zgjidhjen e sajë.
Kuptohet se baza ekonomike kushtëzon vetëdije të ultë shoqërore, pra në çfarë shkalle e ngrit shoqëria bazën ekonomike edhe vetëdija do të ngritët në hap me atë zhvillim dhe kështu në secilën shkalë (më të lartë) të zhvillimit ekonomik, shoqëria krijon kushte më të mira për zhvillim mendor e material, për të zgjidhur problemet që qëndrojnë para saj. Detyrat më të mëdha bashkëkohore që shtron shoqëria para vetës janë çlirimi klasor dhe pavarësia kombëtare nga kolonializmi.
PARIMET, ROLI, DETYRAT DHE MËNYRAT E VEPRIMIT TË PKMLSHJ;
PARIMET E PËRGJITHËSHME

PKMLSHJ është organizatë revolucionare e forcave progresive ideopolitike dhe avangarde e klasës punëtore dhe popullit shqiptarë në RSFJ në luftën e tyre për socializëm.
PKMLSHJ në programin e vet revolucionar të luftës për ndërtimin e socializmit parasheh edhe luftën për realizimin e kërkesave të klasës punëtore dhe popullit shqiptarë; për çlirim klasorë, për pavarësi dhe barazi nacionale brenda RSFJ.
Bazë teorike ideore të veprimit PKMLSHJ ka Marksizëm-Leninizmin, e cila në punën e vet praktike nuk lejon kurrfarë revizionizmi apo reformizmi të (në marksizëm).
PKMLSHJ vepron si forcë e brendshme dhe e pa varur nga jashtë, ajo varet nga klasa punëtore dhe populli shqiptar në RSFJ.
Centralizmi demokratik është parim themelor i jetës së brendshme, i organizimit dhe veprimit të PKMLSHJ.
PKMLSHJ është parti kombëtare shqiptare, e cila është pjesë përbërëse e lëvizjes ndërkombëtare komuniste.
Anëtarët e PKMLSHJ kanë detyrat dhe të drejtat e barabarta për pjesëmarrje në luftën e përbashkët.
PKMLSHJ mendon që në mënyrë paqësore ta zgjidhë çështjen klasore dhe të barazisë e pavarësisë kombëtare të popullit shqiptarë në Jugosllavi, por nëse nuk arrihet në këtë mënyrë, atëherë realizimi i tyre do të bëhet me anë të revolucionit të armatosur.
ROLI I PKMLSHJ NË RSFJ
Në aspektin e brendshëm PKMLSHJ është prijës ideore dhe pararojë e klasës punëtore dhe popullit shqiptarë në Jugosllavi, ndërsa në aspektin federativ jugosllav detyrë e saj është që me punën e sajë aktive të del para LKJ me kërkesat unike të klasës punëtore dhe popullit shqiptarë në RSFJ. Ajo duhet ti mbron dhe ti prinë interesat klasore dhe kombëtare në LKJ dhe së bashku me të (LKJ) ta vazhdojë ndërtimin e socializmit të vërtetë vetëqeverisës në RSFJ dhe ta mbrojë nga çdo sulm dhe agresion nga jashtë. Roli i anëtarëve të PKMLSHJ është që në çdo mes ku jetojnë me punën e vet kreative të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes kombëtare në planin ideopolitik marksist-leninist, ta ngritin moralin e klasës punëtore e ta afirmojnë patriotizmin internacionalist socialist, kanë për detyrë që ta afirmojnë PKMLSHJ si forcë progresive revolucionare dhe me sjelljet e veta konkrete në familje, në shkollë, punë e në jetën e përditshme të japin shembull se si duhet të sillet komunisti i vërtetë. Në planin ideologjik rroli i PKMLSHJ është që para masave ta demaskoj çdo lloj ideologjie borgjeze dhe demobilizuese, e ta demaskoi çdo hegjemonizëm e kolonializmi qoftë ai edhe modern dhe para masave ti çjerrë maskën. Objekte sulmuese në planin ideologjik duhet të jenë, unitarizmi, kozmopolitizmi, hegjemonizmi kolonialist-eksploatues, nihilizmi dhe tradhtia nacionale, si dhe denacionalizimi dhe çdo lloj improvizimi i barazisë nacionale që përmban kolonizim, eksploatim dhe asimilim të klasës punëtore dhe popullit shqiptarë në Jugosllavi.
DETYRAT E ANTARËVE TË PKMLSHJ
Në PKMLSHJ anëtarët pranohen vullnetarisht pasi të kenë aprovuar programin dhe statutin e saj dhe pas aprovimit të kërkesës nga ana e partisë.
Pas pranimit në radhët e partisë anëtari ka të drejtë që me iniciativë të udhëheq aksionin për formimin e dhjetëshes (10) të cilët pranimin e vetë duhet ta kenë arritur me punë. Pra ata duhet ti kenë formuar celulat e veta me nga dhjetë anëtarë dhe të bëjnë organizimin e brendshëm pra të formojnë organizatën bazë e cila do të pranohet në PKMLSHJ. Para se të pranohet anëtari në PKMLSHJ vet (individualisht) ose me celulë, duhet ti bëhet me dije se duhet të jetë i gatshëm në sakrifica prej atyre materiale e deri aty ku në pyetje është jeta. Këtu largohen të dobëtit, tradhtarët e karrieristët. Anëtarët duhet të punojnë para masave (me masa) por pa u prezantuar si anëtarë të PKMLSHJ, pa lejen e sekretarëve të komiteteve ekzekutive. Ata duhet ti zotërojnë ndjenjat e jo për shkak të ndjenjave të tyre mburracake ta prezantojnë veten apo ndonjë shok para të pa thirrurve apo të pa njohurve si anëtar partie. Nuk ka detyra partiake të vogla apo të mëdha. Detyrën që i ja ngarkon partia anëtarit të vet duhet ta kryej me ndërgjegjja e përgjegjësi të nyejt-të të madh. Anëtarët me vet kontribut marrin pjesë në financimin e nevojave të përbashkëta dhe funksionimin normal të të gjitha organeve të partisë.
———-
(Vijojnë: INSTRUKSIONET E PKMLSHJ)
Osman Osmani
,

*******************

KALLËZIMI PENAL KUNDËR ORGANIZATËS ‘PKMLSHJ’ NR.1323, DATË 11 MAJ 1982
DHE AKTVENDIMI HEP.NR.91/82

HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/kallezimi-penal-pkmlshj-1982.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura