MR.SC.METUSH ZENUNI: ROLI I DEMONSTRATAVE STUDENTORE TË 1 TETORIT 1997

Pashtriku.org, 01. 10. 2013 – Ideja për fillimin e demonstratave të studentëve kishte lindur në fund të vitit 1996 dhe fillim të vitit 1997 nga bisedat dhe analizat e shpeshta që kishin bërë studentët, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajqi dhe Nazmi Muzlijaj.1 Në janar të vitit 1997, studentët i kishin shkruar një peticion me 550 nënshkrime Kryetarit Ibrahim Rugova, por në vend të përgjigjes shumë nga studentët e nënshkruar, u arrestuan nga policia serbe nën akuza të ndryshme. 2 Megjithate këto nënshkrime patën efektin e vet, sepse studentët u elektrizuan nga qëndrimet për dhe kundër peticionit. 3 Atëherë askush nuk e dinte se studentët kishin lidhje me LPK-në dhe UÇK-në, e cila i ndihmonte me fonde në sfidën e tyre të dyfishtë, si ndaj serbëve, ashtu edhe ndaj politikës pacifiste.4 LPK, në mars 1997, kishte ngarkuar Habib Elshanin që në bashkëpunim me prof.dr.Muhamet Mehmetin të punonin me studentët e UP-së.5 Në gusht të vitit 1997, studentët në Prishtinë filluan në organizimin e protestave, sepse autoritetet serbe nuk e kishin zbatuar marrëveshjen e vitit 1996 për arsimin, të cilën e kishin nënshkruar Kryetari i Serbisë Sllobodan Millosheviq dhe Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, me ndërmjetësimin e shoqatës ,, Shën Egjidio’’ nga Vatikani.
Në shtator 1997, Ibrahim Rugova kishte tentuar që t’i përqaj studentët dhe të ndalonte mbajtjen e protestave të tyre, por studentët kishin humbur besimin tek partitë politike dhe kur ai kërkoi në shtator t’i ndalonte demonstratat, studentët nuk ia vunë veshin fjalëve të tij. Kryetari i “Republikës së Kosovës” dhe i një vargë funksioneve të tjera, Ibrahim Rugova, madje ishte edhe kundër demonstratave paqësore që i organizonin studentët e Universitetit të Prishtinës, duke u arsyetuar tashmë me slloganin e shumëfamshëm, se “duhet të jemi të kujdesshëm e të mos e tensionojmë situatën pa nevojë, në mënyrë që të mos e prishim rendin e krijuar demokratik”.

Në takim me studentët, Kryetari Rugova nuk i kishte përkrahur ato për mbajtjen e protestave dhe i kishte lutur që protestat e tyre të shtyhen për një kohë të pacaktuar, por studentët e kishin refuzuar kërkesën e tij duke i thënë se janë të vendosur që protesta të mbahej më 1 tetor. Përkrahje studentëve u kishin dhënë, diplomatët Amerikan Robert Gelbard, Ambasada e Shqipërisë në Beograd, Artan Begolli dhe Florian Nova, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Kryerai i saj z. Sali Berisha, të burgosurit politik, Hydajet Hyseni, Ali Lajqi, Berat Luzha dhe Ramë Buja, qindra mesazhe përkrahëse në formë elektronike nga Tirana, Shkupi, vendet Evropiane, Kanadaj, SHBA etj. si dhe shumë profesor të UP-së, të cilët u jepnin zemër studentëve për qëndresë.7
Në këtë periudhë edhe Lëvizja studentore kishte filluar të riorganizohej dhe të kundërshtojë politikën e pritjes e të mosbërjes asgjë kundër pushtuesit Serb. Ajo, e udhëhiqur nga Muhamet Mavrajt, Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Albin Kurti etj., poashtu gjeti përkrahje edhe nga profesori dhe rektori i nderuar Ejup Statovci, i cili me përvojën e tij dhe me shpirtin e një atdhetari intelektual i udhëhiqte ata në rrugën e drejtë të rezistencës e të lirisë. Populli tanime kishte filluar të mendonte ndryshe. Më 1 tetor 1997, rreth 20.000 student arritën t’i bënin ballë me sukses policisë serbe, e cila i rrahu dhe i arrestoi shumë studentë dhe profesorë të tyre. Demonstrata të ngjajshme pati edhe në pjesë të tjera të Kosovës.8 Protestat më 1997, vazhduan sipas planit të Këshillit Organizativ edhe më 29 tetor dhe 30 dhjetor 1997.9
Shtypi vendor, Koha ditore, Zëri, Bujku etj, i dhanë përkrahje protestave të studentëve, të cilat i zgjuan nga letargjia qendrat e vendosjes, pushtuesin serb, por edhe faktorin politik shqiptar.10 Për t’i dhënë jehonë kërkesave të sudentëve të UP-së, redaksia e gazetës ,, Zëri i Kosovës” bëri marrëveshje me redaksinë e gazetës së studentëve ,, Bota e Re”, e cila drejtohej nga Muhamet Mavraj, që të dalin me materiale të njëjta. Muhamet Mavraj kontaktet dhe lidhjet e tij me LPK-në i mbante me Adem Grabovcin dhe Lulzim Etemajn.
Marrëveshja me Redaksinë e ,,Zërit të Kosovës“ dhe me udhëheqës të LPK-së, ishte gojore, e jo në formë të shkruar. Të gjitha shkrimet që botonte gazeta ,, Zëri i Kosovës” në Zvicër, botoheshin edhe në gazetën ,,Bota e Re”.11 Përmes kësaj gazete, studentët kishin mundësi të informoheshin më për së afërmi me aktivitetin e LPK-së dhe të UÇK-së, prandaj atyre u ishte ofruarmundësia për të vlerësuar dhe për t´u përcaktuar se nga duhet shkuar. Ata tani kishin filluar të flisnin, dhe haptas t´a përkrahnin UÇK-në. Kuptohet që rreziku ishte i madh, por studentët dhe rinia arrinin që të njoftoheshin dhe të kuptonin gjendjen aktuale politike dhe të merrnin edhe informacione për aksionet e UÇK-së, përmes këtyre shkrimeve “12
LPK konsideron se pas demaskimit të plotë të përmbajtjes reale të ,,dogovorit“ Millosheviq – Rugova, pjesa më e vendosur e studentëve ndërmori në mënyrë të pa shmangshme hapa konkret drejt realizimit të njërës nga të drejtat e popullit tonë, për lirimin e objekteve arsimore të Kosovës. Më 1 nëntor 1997 në Prishtinë dhe qytete tjera Universitare të Kosovës për këtë qëllim u mbajtën manifestime të studentëve. Intervenimi brutal i policisë tregon edhe një hërë se okupatori është i vendosur të mbajë Kosovën të pushtuar më të gjitha mjetet, të intervenojë kundër çdo shfaqje antipushtuese. Këto demonstrata tregojnë edhe një herë se tentimi për të avancuar çështjen kombëtare në kuadër të sistemit Millosheviq –Rugova, është absurd. Dalja në rrafshin e pavarur nga ky sistem siguron ecje para – dalje në rrafshin e luftës për çlirimin e Kosovës.13
LPK denon dhunën dhe terrorin shtetëror të ushtruar mbi studentët duarthatë, si dhe ata që krijuan klimë të përshtatshme për të intervenuar policia serbe. LPK dënon punën perfide dhe ndërhyrjen brutale të Ibrahim Rugovës, këtij bashkëpunëtori të dëshmuar të kriminelit të luftës Millosheviqit.14 Demonstratat e studentëve patën efektin e madh qysh në fillimin e tyre. Gjithë bota për një çast ktheu vëmendjen tek Kosova e harruar. Demonstrata ka rëndësinë e vetë edhe më të madhe kur kemi parasysh se ato po bëhen në kohën kur UÇK, i ka rritur veprimet e veta. Jemi të bindur se studentët janë të vetëdijshëm se nuk mund të çlirohet vendi me fjalë, pra as objektet që janë brenda tij dhe as ato të arsimit. Demonstrimi kundër uzurpimit të shkollës shqipe është vetëm një nga format e luftës së popullit tonë.
Trupat terroriste të Beogradit nuk do të shkulen nga trojet tona me fjalë. Lufta e armatosur e popullit tonë kundër okupatorëve është determinuese në çështjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.15 Demonstrata të ngjajshme UPSP, organizoi edhe më 2 mars 1998, pas ngjarjeve të përgjakshme në Likoshan dhe Qirez, më 09 mars 1998, pas ngjarjeve të përgjakshme në Prekaz, por edhe për shkak se po këtë ditë mblidhej edhe Grupi i kontaktit, pastaj më 18 mars dhe 30 prill 1998. Në këto protesta, stduentët nuk brohoritnin ,, Drenicë jemi me ty”, por fuqishëm jehonte parolla ,,UÇK, UÇK”.16 Dhe vërtetë, brohoritmat për UÇK-në, nuk ishin vetëm brohoritma kuortazie, por rinia studentore, shumë shpejtë i la bankat e Universitetit dhe iu bashkua luftëtarëve të UÇK-së, për t’i dhënë vrull dhe gjak të pastër rinor. Protestat e UPSP-së, në Prishtinë dhe përkrahja e tyre për UÇK-në, ishin bindja më e mirë për popullin e Kosovës dhe opinionin botëror, se tani kjo rini studentore e dalur maleve, nuk mund të akuzohej se në UÇK, janë disa fshatarë të pa gdhendur që nuk pajtoheshin me pushtetin serb, por se në radhët e saj, UÇK-ja tani kishte të gjitha shtresat e popullit, që nga fshatarët, studentët, punëtorët, intelektualët dhe të gjithë ata që me vite e dekada kishin punuar që një ditë popullit të shumëvuajtur t’i kthehet liria dhe dinjiteti i nëpërkëmbur nga okupatori serb. Gazeta serbe në Kosovë ,,Jedinstvo” kishte të drejtë kur shkruante se në Kosovë ndodhen dy shtabe të UÇK-së, njëri në Drenicë dhe tjetri në UPSP.

————————————–
Referencat:
1. Intervistë e Driton Lajçit, ish – udhëheqës i studentëve në vititn 1997, Epoka e Re, 1 tetor 2005, f.8
2 Komunikatë e LPK-së, 1 tetor 1997.Prishtinë.
3 Driton Lajçi, po aty.
4 Tim Judah, Kosova, luftë dhe hakmarrje, prishtinë 2002, f. 172.
5 Emrush Xhemajli, vepra e cituar, f.18.
6 www.pashtriku. org
7 Intervistë e Driton Lajçit, ish –udhëheqës i studentëve në vititn 1997, Epoka e Re, 6 tetor 2005, f.8
8 Tim Juda, vepra e cituar, fq. 172.
9 Driton Lajçi,…Epoka e Re, 6 tetor 2005, f.8
10. Koha ditore 30.09.1997, Bujku, 03.10.1997, Zëri, 04.10.1997
11. Muhame Mavraj, ish – Kyeredaktor i ,, Botës së Re“ , qershor 2008
12. Intervistë me Muhamet Mavrajn, qershor 2008, Prishtinë
13. Komunikatë e LPK-së, 1 tetor 1997.Prishtinë
14. Po aty.
15. Po aty.
16. Driton Lajçi…,Epoka e Re, 12 tetor 2005, f.10

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura