PANO HALLKO: PËRTEJ FRANCËS… (PYETJA QË NUK MORI PËRGJIGJE NGA PAPA)

Tiranë, 10. 02, 2015 -Një vajzë 12 vjeçare ishte mes 30.000 besimtarëve që u ngjeshën pas njëri-tjetrit në Universitetin Katolik të Manilës, për të parë nga afër Papa Françeskun në vizitën e tij atje. Kjo vajzë quhet Glizele Palomar, është fëmijë e braktisur si qindramijë fëmijë në Filipine, të cilët e nxjerrin bukën me çdo lloj mënyre, në rrugë. Me pafajësinë dhe çiltërsinë e moshës që ka, ajo i bëri Papa Françeskut një pyetje ç`armatosëse, atë më të vetëkuptueshmen: -“Pse zoti e lejon që fëmijët të bëhen prostituta? Shumë fëmijë bien viktima të drogës dhe të prostitucionit. Pse e lejon zoti këtë? Fëmijët janë të pafajshëm!” Papa Françesku i zënë ngushtë nga pyetja e fëmijës, e mbështolli atë në kraharor, e pa iu përgjigjur asaj, iu drejtua të tjerëve në spanjisht: “Është e vetmja që bëri një pyetje, për të cilën nuk ka përgjigje. Prandaj ju ftoj të gjithëve të pyesni veten, secili. Unë përlotem, edhe kur shoh një fëmijë të vetëm të uritur, një fëmijë të pa strehë, të braktisur, një fëmijë të cilin shoqëria e përdor si skllav”. Ndjenja e dhimbsurisë për bashkënjeriun, ishte mesazhi që donte Papa t`u përcillte filipinezëve.

Ashtu si edhe herë të tjera kur ndodh diçka, e rëndë, apo e rëndësishme në botë, në vendin tonë ata që kanë marrë përsipër këto 20 vite të bëjnë analizën e gjithçkaje, “u ndanë në dy kampe”, në dy krahët e moderatorëve, në emisionet e stisura enkas. Madje pati edhe analisto-politikanë që janë radhitur me vepra të shkruara në shërbim të ortodoksisë, të cilët u hidheshin për fyti përfaqësuesve shqiptarë të myslimanëve. Kuptohet, në emër të “lirisë së shprehjes”. A thua se ishin këta të fundit, që i kishin dërguar tre vrasësit në Paris! E po të ishin këto qëndrime, pasojë e mosnjohjes së problemit, do të ishte e keqja më e vogël. Por është komplet ndryshe… I vetmi që foli profesionalisht dhe me këmbë në tokë, ishte skicografi ynë i mirënjohur, zoti Bujar Kapexhiu. …Derisa këtë punë e zgjidhi Papa Françesku, në një intervistë të tijën, dhënë për gazetarët në avion, në udhëtimin e tij për në Manila…
“FOOSNOTAT” PROBLEMATIKE
Të gjithë njerëzit, dua të besoj në gjithë planetin, e dënuan vrasjen makabre të gazetarëve në ambientet e punës së tyre, edhe të katër qytetarëve në supermarketin e hebrenjve. Sepse nuk ka vrasje “të mirë”, apo “vrasje të keqe”. Ka vrasje, që do të thotë këputje në mes të jetëve njerëzore. Por pas kësaj vrasjeje makabre në Paris, njerëzit thuajse u ndanë në dy grupe në gjykimin për ngjarjen.
Grupi i parë, është ai i “foosnotës”. Më konkretisht:, ata që thonë: – “E dënojmë vrasjen, por…(kjo “por” me një shqiptim të thekshëm), -ata të “Charli Ebdosë” e kërkuan edhe vetë”!… Pra kjo është foosnota” që vendosin në fund të gjykimit të tyre jo të drejtë. Është gjykim jo i drejtë, pasi karikaturat, sado të ashpra qofshin, nuk marrin jetë njerëzore.
Ky lloj shpjegimi i shurdhët vuan nga mungesa e logjikës, pasi kërkon të barazojë gjëra që qëndrojnë larg, që nuk kanë asnjë emërues të përbashkët, pra synon të verë në një rrafsh, vrasësit me viktimat.
Nga ana tjetër, rreshtimi i Europës në marshimin e madh të heshtur në Paris, ishte patjetër një vlerë treguese e ndëshkimit shpirtëror-qytetar, të këtij akti makabër.

Vendi ynë u paraqit në mënyrën më dinjitoze të mundshme në këtë marshim, e kuptohet që “qershia mbi tortë” ishte marshimi krah për krah i katër përfaqësuesve fetarë të vendit tonë. Ata, njësoj si paraardhësit e tyre në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjës, i dhanë Europës që na shikon me mosbesim e djallëzi në këtë drejtim, mësimin se besimi është çshtje personale, e nuk ka arsye që të vritemi mes nesh.
Kuptohet, që më së pari është meritë e një kombi i cili sipas meje, as jeton në harmoni për shkak të tolerancës, as i shikon të tjerët me xhelozi për besimin që kanë përqafuar, por…thjesht, beson aq sa duhet, e aty ku dëshiron, apo edhe është ateist. Dhe ateistët nuk vrasin për punë karikaturash, thjesht, sepse nuk ka ç`tju dhembë. Sepse është një komb, i cili në histori nuk e ka ndier nevojën e njëjtësimit të vetvetes me një fe të caktuar, për të… “themeluar një komb”. Ashtu siç kanë vepruar fqinjët tanë vertikalë “ortodoksë”, për të formuar kombet e tyre! Ndodh, që për rastësi djallëzore, fqinjët tanë që quhen ortodoksë, kanë qenë historikisht edhe pushtuesit e trojeve shqiptare. Sepse nuk ka troje shqiptare sot, të pushtuara nga… islami. Pasi perandoria otomane nuk mori troje shqiptare kur u largua nga Ballkani.
As të Zotin e shtëpisë, as Zotin!
Duket se Redaksia e “Charlie Ebdo” ndër vite, ka funksionuar sipas parimit të vjetër anarkist francez, që thoshte: “ni Maitre ni Dieu”, ç`ka është shqipëruar në nëntitullin e mësipërm. Domethënë, sulm kundër pushteteve:-politike, fetare, ekonomike, kulturore. Me një fjalë:- “Nuk njoh, as të Zotin e shtëpisë, as Zotin në qiell”.
Republika franceze u themelua me beteja kundër monarkistëve dhe aleatëve të tyre-katolikëve. Për pasojë në Francë distancimi nga besimet fetare, është i njëjtë, si për të djathtët, ashtu edhe për të majtët. Kjo për arsye se me laicitet, Franca nënkupton njohjen e thellë të kulturës franceze.
Por është po kaq e vërtetë, që në të gjitha vendet demokratike të botës, është në fuqi Ligji që ndëshkon sharjet dhe fyerjet e simboleve fetare.
Kjo është në fuqi edhe në Francë, deri edhe në Alsatinë e cila u bashkua në vitin 1920, pas themelimit përfundimtar të shtetit laik në Francë, në vitin 1905.
Por në Francë kemi paradoksin që, nga njëra anë nuk përbën padrejtësi sulmimi i cilësdo feje, e nga ana tjetër, mohimi e Holokaustit, përbën vepër penale! Madje kjo u provua keqazi para 5-6 vitesh, kur njëri nga skicografët e kësaj reviste-“Charlie”, me emrin Lyseen, u pushua nga puna, pasi kishte bërë karikaturë djalin e ish presidentit Sarkozi, duke e tallur, sepse ai donte të martohej me një vajzë hebreje, për të ruajtur pasurinë. Ai menjëherë u pushua nga puna! Domethënë, dy nivele, e dy vlerësime!
Pra, antisemitizmi në Francë dënohet dhe mirë bëhet. Po sikur të kishte të tillë ligj, edhe për antimyslimanizmin, antikristianizmin, antibudizmin e të tjera fe që mund të ekzistojnë, a do të kishte ndodhur tragjedia?
Bëhet kjo pyetje, pasi edhe në Marrëveshjen Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Kreun X të saj, ndër të tjera përmenden: -“Për arësye të ruajtjes së sigurisë kombëtare ose publike, ndëshkohen përçudnime e shtrembërime, krime të shëmtuara, garantohet kujdesi ndaj shëndetit, moralit, zakoneve dhe besimeve, ruajtja e moscënimi i krenarisë dhe i të drejtave të të tjerëve”. Domethënë, ka edhe kufizime.
“Charlie Ebdo”: – Pse Greqia mbështet Milosheviçin?
Në vitin 1999, kur NATO po bombardonte makinerinë e luftës së Milosheviçit, shkruesi i këtyre radhëve ishte korespondent i “Koha Jonë” në Athinë, pranë Bashkimit të korespondentëve të Shtypit të Huaj aty. Në kulmin e luftës kundër bishës së Ballkanit, erdhën në Athinë dy nga gazetarët më të mirë të “Charlie Ebdo”.
Ishte karikaturisti Bolinski, së bashku me Drejtorin e “Charlie Ebdo”, zotin Sarb. Të dy këta personalitete u vranë në barbarinë e 7 Janarit, në vendet e tyre të punës, bashkë me kolegët e tyre.
Ata erdhën për punët e tyre në Athinë. Por nuk munguan t`u drejtonin “kolegëve” të tyre grekë një pyetje: – “Pse mediat greke mbajnë anën e Milosheviçit, kur ne, “Charlie Ebdo” e bëjmë leckë me karikaturat tona”?
Përgjigja që u dha nga gazetarët grekë, ishte ajo shabllone, vija e shtetit të tyre: “Po ja, ndjenja e përgjithshme e popullit tek ne, është pro serbëve (e kishës duhet të thoshin). Jo vetëm se jemi të dy shtete orotdoksë, por edhe sepse të dy vendet kanë luftuar kundër nazizmit gjerman (a thua se vetëm ato dy vende luftuan në Ballkan!!!) Eee, ja, tani përsëri gjermanët, janë ata që bombardojnë”..?!?
Ishte kaq e turpshme përgjigja që dhanë gazetarët grekë, saqë edhe vetë ata u ndien keq, kurse dy francezët e “Charlie Ebdo”-së mbetën të ngrirë, pa asnjë lloj reagimi, thjesht të keqardhur për nivelin ku kishte rënë masmedia greke, e cila shkonte dhe bënte… “Reportazh në luftë”, kuptohet, para kamerave, brënda korracës së çeliktë të tankeve të Millosheviçit!
Ata që mbetën gjallë në Redaksinë e “Charlie Ebdo”, në numrin e parë të tyre pas masakrës, pasqyruan ato që njihen nga të gjithë tashmë, me kryetitullin “Tout est pardonné”- “Të gjitha falen”. Por “New York Times”, në shenjë respekti për gjakun e derdhur në tavolinën e redaksisë, botoi vetëm tekstin e faqes, e jo karikaturat. Në fund të faqes së saj të asaj dite, jepte një shpjegim redaksional: “Nuk po botojmë figurat, për të respektuar besimtarët myslimanë që kemi këtu tek ne”… E lexuesit e të përditshmes, u njohën me tekstin, por jo me skicat. Ndoshta kjo dhe vetëm kjo mënyrë, do të ishte e mesmja e artë, për të gjithë…
Pyetja që nuk mori përgjigje nga Papa
Një vajzë 12 vjeçare ishte mes 30.000 besimtarëve që u ngjeshën pas njëri-tjetrit në Universitetin Katolik të Manilës, për të parë nga afër Papa Françeskun në vizitën e tij atje. Kjo vajzë quhet Glizele Palomar, është fëmijë e braktisur si qindramijë fëmijë në Filipine, të cilët e nxjerrin bukën me çdo lloj mënyre, në rrugë.
Me pafajësinë dhe çiltërsinë e moshës që ka, ajo i bëri Papa Françeskut një pyetje ç`armatosëse, atë më të vetëkuptueshmen: -“Pse zoti e lejon që fëmijët të bëhen prostituta? Shumë fëmijë bien viktima të drogës dhe të prostitucionit. Pse e lejon zoti këtë? Fëmijët janë të pafajshëm!”
Papa Françesku i zënë ngushtë nga pyetja e fëmijës, e mbështolli atë në kraharor, e pa iu përgjigjur asaj, iu drejtua të tjerëve në spanjisht:
“Është e vetmja që bëri një pyetje, për të cilën nuk ka përgjigje. Prandaj ju ftoj të gjithëve të pyesni veten, secili. Unë përlotem, edhe kur shoh një fëmijë të vetëm të uritur, një fëmijë të pa strehë, të braktisur, një fëmijë të cilin shoqëria e përdor si skllav”. Ndjenja e dhimbsurisë për bashkënjeriun, ishte mesazhi që donte Papa t`u përcillte filipinezëve.

Philippine Girl Glyzelle Palomar to Pope Francis ¿Why Does God Allows Child Prostitution To Happen?

Përtej Francës si vend dhe si ngjarje, kësaj pyetjeje duhet ti` japin përgjigje të gjitha fetë, të gjithë analistët, të gjithë politikanët, të të gjitha racave, sojeve dhe besimeve. Sa për “analiza” mbështetur në kanape? Kemi plot, të paktën në vendin tonë!…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura