ÇKA FSHIHET NË SHPIRAG?!

ÇKA FSHIHET NË SHPIRAG?!

Nga Ahmet Çollaku, Inxh Sizmik

Asnjëri nuk po e shpjegon se ҫ’përfaqëson sot grumbullimi në Shpirag, i zbuluar mbi dy dekada më parë, sepse atë nuk e njohin ekonomistët, as gazetarët, as ata pseudo-specialistë që ngrohin karriket në institucionet e naftës dhe as qeveritarët. Atë e njohin vetëm shkencëtarët e naftës me eksperiencë, prandaj ata duhet të dëgjohen me vëmëndje.

Metamorfoza shqiptare është e ҫuditshme, sidomos kohët e fundit ku Shpiragu me Shell-in janë kthyer në podiume, por aty mungojnë shkencëtarët dhe nuk duken gjëkundi as ata, “specialistët”që kërcenin me sustë në studiot e TV-ve për të shpjeguar Shpiragun, ndërkohë që nuk e njohin fare naftën.

Metamorfoza shqiptare është e ҫuditëshme, sidomos kohët e fundit ku Shpiragu me Shell-in janë kthyer në podiume, por aty mungojnë shkencëtarët dhe nuk duken gjëkundi as ata, “specialistët”që kërcenin me sustë në studiot e TV-ve për të shpjeguar Shpiragun, ndërkohë që nuk e njohin fare naftën.

I shikojmë këta! Por u lodhëm shumë me këto show spektakolaret.

Lidhur me perspektivën e Shpiragut, bazuar në rezultatet e deritanishme dhe fitimet që do ketë Shqipëria nga kjo pasuri natyrore, sipas kontratës, pasi dëgjova intervistën e z. Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog nafte, Dr. i Shkencave Gjeologjike, në Euronews Albania, i drejtova disa pyetje.

Ai ka ndarë jetën e tij profesionale midis Shqipërisë dhe emigracionit. Ka punuar në Institutin Gjeologjik të Naftës Fier, ku ka drejtuar për një kohë të gjatë Kabinetin e Vëndburimeve dhe ka kryer studime shkencore mbi zgjerim-vlerësim-prodhimin në shumicën e vëndburimeve të njohura konvencionale ku ka projektuar disa puse, gjeologjinë e rezevuarit dhe llogaritjen e rezervave, metodikën e kërkimit, etj., dhe ka punuar në disa kompani kërkim-prodhimi në disa basene gjeologjike si në Kinë, Amerikë, Malajzi, Kuvait, Libi, Turqi, Argjentinë, etj., për projekte gjeologjike në shkallë regjionale apo vëndburimesh, konvencionale dhe an-konvencionale, bazuar në eksperiencën e tij dhe në konceptet e reja gjeologjike apo teknologjike. Ka gjeneruar sipërfaqe të tëra perspektive, si dhe ka projektuar puse kërkim-vlerësimi dhe qindra puse shfrytëzimi horizontal. 

Gjeologu Isuf Tushe është specialist i kompletuar dhe me dinjitet të lartë. Ky myzeqar i thjesht ka bërë maksimumin për Shqipërinë, por tani është antagonisti numër një me këto qeveri shqiptare. Këto mendime ai i ka shpreh ashiqare në shtypin shqiptarë.

Shkrimet e tij janë një analizë e detajuar dhe e kujdesshme, e mbështetur në fakte konkrete, se si po manaxhohet nafta shqiptare dhe si duhet të jetë në të ardhmen.

Shtypi shqiptarë, po të ishte i moralshëm do t’i kishte rrëzuar këto qeveri mafioze të mbushur me batakçinjë, me të djathtë, të majtë, apo të mesëm.

Qeveritë shqiptare, për problemet e naftës, duhej ta kishin gjeologun, Inxh., Dr. Isuf Tushe, këshilltar të jashtëm. E zgjodha për të bërë këtë INTERVISTË, se ky do ju thotë ç’po ndodh në Shpirag, për të cilin Qeveria Shqiptare u thoshte shqiptarëve të presin se do të hanë me lugë floriri.

INTERVISTOI AHMET ÇOLLAKU

SHPIRAGU, SIPAS Inxh. GJEOLOG ISUF TUSHE, Dr. I SHKENCAVE GJEOLOGJIKE

Ç’përfaqëson grumbullimi hidrokarbur i zbuluar në Shpirag, me të dhënat e deritanishme?

Isuf Tushe: Grumbullimi hidrokarbur në strukturën e Shpiragut (Sqepurit), ka një histori punimesh studimore-projektuese dhe shpime pusesh kërkimi që ka vazhduar në disa dekada, të cilat e kishin lokalizuar mjaft qartë pozicionin e tij, ndërsa me shpimin e pusit Shpiragu-1, në vitin 2001, Kompania Konҫesionare Oxidental Petroleum (OXY), me aq sa të dhëna janë publikuar, e vërtetoi dhe e deklaroi zyrtarisht si zbulim. Ajo e shiti atë dhe u largua.

Pra, ky grumbullim i zbuluar, i dedikohet studimeve shkencore komplekse gjeologo-gjeofizike të specialistëve tanë të Institutit Naftës, si: Hazbi Shehu, Milto Gjikopulli, Begë Canaj, Ali Mema, Vasil Hudhra, Vasil Loni, V. Veizi, Hasan Bakia, Ukë Valbona, Fatmir Fezga, etj, më pak i atyre të OXY-it, dhe aspak i specialistëve të kompanive tjera konҫesionare deri tek Shell-i, që e blenë atë njëra pas tjetrës prej këtij të fundit.

Kompania Shell, zotëron 100% të aksioneve, ka marrë me konҫesion një grumbullim hidrokarburesh të zbuluar dhe jo një objekt të ri kërkimi, siҫ propogandohet shpesh nga disa pseudo-specialistë, qeveritarë dhe gazetarë, që flasin aq shumë për gjeologjinë, zbulimin “gjigand naftëgazmbajtës” në Shpirag, të cilin e paraqesin si sukses të Shell-it, flasin për fitime marramëndëse që do merren prej tij, etj.

Nuk dihet ende, nëse Kompania Shell trashëgon marëveshjen hidrokarbure ekzistuese të lidhur midis Kompanisë OXY-i dhe qeverisë, apo ka një tjetër të re të zyrtarizuar midis tyre, por profesionalisht apo metodikisht Kompania Shell, faktikisht, ka vazhduar fazën e konturim-vlerësimit të plotë të tij, e cila në marrëveshje duhet të ketë një afat kohor të caktuar. Duhej të raportohej zyrtarisht, nëse kemi një vendburim apo një grumbullim sporadik, përmasat tredimensionale, pasurinë hidrokarbure, ektivitetin ekonomik deri në këtë fazë, etj. Duhej të kishte deklaruar edhe strategjinë e saj mbi punimet afatgjatë, investimet dhe kohën kur do ta vërë atë në shfrytëzim të plotë, në rast se do të vazhdonte marëveshjen.

Po ashtu, në mbarim të kësaj faze, n.q.se ështe lënë hapsirë në marëveshjen e konturim-vlerësimit, mund të saktësohet ndonjë term kryesor të saj, midis kompanisë dhe qeverisë mbi ndarjen e prodhimit dhe fitimet.

Pyetje: Cilat janë rezultatet që ka arritur Kompania Shell në Shpirag në gjithë këto vite?

Isuf Tushe: Nga informacionet e deritanishme, Kompania Shell ka shpuar për këtë grumbullim, dy puse ngjitur me Shpiragun–1 (2 dhe 4, pozitiv), teknikisht nuk realizoi shpimin e pusit Shpiragu-3 në jug-jugperëndim dhe ka përfunduar shpimin në pusin Shpiragu-5, rezultatet e testimit nuk njihen ende, por me sa kuptohet nuk janë të kënaqëshme për kompaninë, prandaj rrodhën “thashethemet” në disa media se Kompania Shell po përgatitet për t’u larguar, si dhe mohimi i k/ministrit Rama dhe zëvendëses tij Balluku se këto “thashethemet” nuk janë të vërteta.

Faktikisht kompania, asnjëherë nuk ka bërë prezente, në publik, rezultatet e deritanishme, por vetëm e ka ngjasuar këtë zbulim me vendburimin Val d’Agri në Itali. Ajo është treguar shumë e rezervuar, kështu pra rezulton se “zbulimin” në Shpirag e ka bërë qeveria që e propogandon atë në ҫdo periudhë zgjedhjesh dhe jo kompania?!

Për sa më sipër, metodika që ka përdor Kompania Shell për konturim-vlerësimin e këtij grumbullimi, në një periudhë kaq të gjatë prej 23 vite nga zbulimi, me kosto kaq të lartë financiare dhe kur rezultatet e deritanishme e bëjnë atë akoma më të paqartë, pothuajse shkalla e njohjes është e njëjta me ato në fazën fillestare të zbulimit. Kjo tregon se punimet e deritanishme nuk kanë qënë aspak efektive dhe grumbullimi është i pa konturuar dhe i pavlerësuar.

Kjo tregon gjithashtu se Kompania, nuk ka eksperiencë dhe njohje të mjaftueshme mbi ndërtimin gjeologjik në territorin tonë dhe përshtatjen e teknologjisë që ka përdor në shpimin e puseve. Mungesa e bashkëpunimit me specialistët shqiptarë e bëri punën e vetë. Pra, kompania Shell ka dështuar plotësisht në Shpirag.

Pyetje: Qeveria tha se po shikon mundësinë për të zgjedhur teknologjinë më të mirë…

Isuf Tushe: Justifikimi i k/ministrit dhe zëvëndses tij se kompania po shikon mundësinë për të zgjedhur teknologjinë më të mirë që të vërë në shfrytëzim puset, nuk ka as bazë llogjike dhe as teknike profesionale, sepse teknologjitë që përdoren sot si në shpim apo në shfrytëzimin e puseve janë tërësisht të njohura mirë për ҫdo tip shtratimi apo fluidi, bile ato që kemi përdorur ne vite të shkuara kanë qënë të avancuara dhe bashkëkohore.

Me sa duket kompania po kërkon të përdor edhe asetin e fundit që ka në dorë, testimin e plot klasik dhe studimin eksperimental të puseve ekzistues në rrjedhëshmëri, para se të bëjë vendimin përfundimtar, i cili është domethënës në vlerësimin e një grumbullimi hidrokarburesh, sepse siҫ po dëgjojm testimet e bëra s’kanë qënë të plota. Zgjedhja teknologjisë, nuk është arsye që të ndërpritet shpimi i puseve të rinj për konturim-vlerësimin e mëtejshëm, krahas me vënienë e atyre ekzistues në shfrytëzim. Përkundrazi e shpejton vënien në shfrytëzim të vendburimit. Por siҫ duket Shell-i s’ka bindje për ekzistencën e tij ose ka ndonjë marëveshje të fshehtë midis tyre që punimet të zgjaten deri në Maj-2025, kur janë zgjedhjet elektorale.

Pyetje: Ç’farë fiton ekonomia dhe populli nga pasuria natyrore që pritet në Shpirag?

Isuf Tushe: Moslargimi i Shell-it nga zbulimi i Shpiragut, nëse vërtetohet, sipas termave të marëveshjes që dha në një intervistë, para ca kohësh “specialisti” hidrokarbureve në ministri, Shqipëria dhe populli nuk fiton gjë!. Sipas këtyre termave, gazi i falet i gjithë konҫesionarit. Me ritmin e ulët të punimeve që ka Shell-i në Shpirag dhe koston e lartë të punimeve, faktori “R” do qëndroj vetëm midis vlerave 0<R<1.50 dhe fitimi që do marrë populli, pensionistët, shkollat, etj, është vetëm 1% e fitimit që del nga prodhimi naftës dhe kondensatit.

Po ashtu, Royalty Tax-10% që do merret, këtë sot për sot i takon shtetit sepse toka është shtetërore, por e drejta minerare i takon atij që ka pronësinë e tokës. Në rast se do zgjidhet ligjërisht pronësia tokës, këtë taksë do e marrë pronari i saj. Pra, populli, pensionistët, shkollat, etj., do marrin vetëm 1% e fitimit nga prodhimi naftës dhe kondensatit dhe 99% të tij do e marrë konҫesionari bashkë me gazin që e ka falas! Pra, tani për tani, si të rri Shell-i si të iki, populli nuk fiton gjë nga zbulimi në Shpirag, ato që fliten nëpër ekrane janë përralla.

Le ta shpjegojnë specialistët ekonomistë tabelën më poshtë!

Pyetje: Atëherë ҫ’farë duhet bërë me grumbullimin e zbuluar në Shpirag, nëse Kompania Shell largohet?

Isuf Tushe: Shqipëria fiton vetëm n.q.se Kompania Shell largohet dhe konturim-zhvillimin, si dhe vënien në shfrytëzim të grumbullimit në Shpirag, shteti nuk do e japë më me konҫesion, por ja jep Kompanisë Albpetrol, pra ri-shtetëzohet. N.q.se kjo ndodh, atëherë duhet kryer një studim gjeologo-gjeofizik-kantieral, i detajuar, ku të integrohen gjithë të dhënat dhe rezultatet e arritura deri tani, duke bërë edhe testimin e puseve që kanë dhënë naftë dhe gaz.

Në rastin konkret kur ndërtimi gjeologjik është tepër i komplikuar dhe maskohet nga mbihypja e Malit të Shpiragut, duhet të bëhet një integrim sa më i plotë i të dhënave të gjeologjisë me ato të sizmikës. Ky studim duhet të realizohet nga specialistë me eksperiencë dhe objektivi kryesor të jetë konturim-vlerësimi dhe vënia në shfrytëzim të plotë e këtij grumbullimi naftëgazmbajtës në këtë strukturë, duke e shoqëruar me efektivitetin ekonomik të punimeve.

Prandaj duhet të ngrihet sa më parë Instituti Naftës, të forcohet Kompania Albpetrol dhe të mbështetet si fillim me financime apo kredi nga qeveria dhe të shikohet sa më parë legjislacioni mbi ri-shtetëzimin e pasurive natyrore hidrokarbure dhe të fillojë menjëherë zbatimi i tij, duke prishur të gjitha marëveshjet hidrokarbure me kompanitë konҫesionare fasadë që operojnë ato. Të gjitha janë me shkelje në termat e tyre. Raportojnë se “punojnë me humbje” dhe janë vatra korrupsioni ku fshihen nga pas si “aksionerë” politikanë, qeveritarë dhe militantë hajdutë. Le të merren organet e drejtësisë – SPAK-u, me këta!

Faleminderit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura