PARANDJENJA E KOLONELIT PËR NDARJEN E MITROVICËS SË VERIUT – NË NATËN E 12 QERSHORIT 1999!

Pashtriku.org, 19 maj 2017:
Ishin orët e para të datës 12 qershor.
Ishte dita kur sipas vendimit të marrëveshjes së Kumanovës, kishte filluar tërheqja e ushtrisë serbe dhe e të gjithë arsenalit të saj ushtarak.
Koloneli kishte dalë nga dhoma e punës dhe po çpinte këmbët duke lëvizur në lëndinën para godinës operative, por edhe për të larguar gjumin.

Kolonel Dilaver Goxhaj – Shpëtim Golemi.

Ndërkohë doli nga godina Sokol Dobruna dhe iu afrua me hapa të shpejta. Ende pa i afruar mirë i foli: “Shpëtim, morëm një lajm të keq. Thuhet se një kompani e motorizuar ruse po hyn në Kosovë. Na thanë në telefon se ka për qëllim të kapë aeroportin ushtarak të Sllatinës në Prishtinë. Qëllimi i saj me siguri është që të mos vijnë forcat e NATO-s nga ajri a ku e di unë pse. A ka mundësi që t’i ndalojmë? T’i godasim! Ne kemi aq forca sa t’i asgjësojmë. Hë, pse nuk flet?”
Dilaver Goxhait i ra cigarja nga dora. Po e shihte mikun e tij me shumë habi. Nuk ishte i përgatitur për një lajm të tillë.
“Shko një herë te Çeku, mbase di diçka. Nuk besoj që ky veprim i rusëve të jetë bërë pa leje të NATO-s”- tha sa më qetësisht.
“Eja shkojmë bashkë!” – e nxiti Sokol Dobruna.
“Jo,jo!”- kundërshtoi butë Dlaver Goxhai. “Po të shkojmë të dy, nuk dihet si na e merr. Madje, po shkove, thuaji edhe për shqetësimin që ma thatë dje në lidhje me vendosjen e shtabit dhe komandës së zonës së katërt operative të Bajgorës, në Mitrovicën Veriore (*). Mendimi juaj më duket jo i keq dhe me shumë vend. Po nuk e kapëm ne Mitrovicën Veriore ka mundësi që të gjithë serbët e kriminalizuar të Kosovës të grumbullohen atje. Ky dyshim i juaj është shumë bindës. Madje kjo lëvizje është më e rëndësishme se ajo e rusëve. Një kompani rusësh nuk mund të bëjë dot asgjë. Ai operacion është një demonstrim të dobëtish. Mitrovica, Mitrovica ajo është me rëndësi. Shko sa më parë! Çekun mund ta bindësh. Ti je ndryshe. Shko!”
Dhe Baca Sokol u bind menjëherë dhe shkoi drejt “Shtëpisë së Bardhë”.
Doli pas gati gjysëm ore.
“Fola, Shpëtim. Çeku më tha se i kemi marrë masat. “Mos u shqetësoni”, më siguroi. Nuk di nëse është e vërtetë, apo më tha sa për të më qetësuar…”
Dilaver Goxhai nuk i ktheu përgjigje.
“Po fol një fjalë, o lab i dreqit, pse më sheh ashtu edhe nuk flet? Ç’të ka gjetur? Unë sikur të lash mirë…!”
“O Baca Sokol, a shkojmë të pimë një çaj se sikur kam të mardhur!”
U nisën për nga godina operative.
Vetëm pas pak sekondash Sokol Dobruna e kapi Dilaver Goxhain për krahu, e ktheu nga vetja dhe e vështroi drejt në sy.
“Sa i qetë je, mor Shpëtim! Më qetëso edhe mua, ta hajë dreqi!”
Koloneli buzëqeshi hidhur.
“Baca Sokol, mbaroi misioni i UÇK-së. Tani e kanë në dorë të tjerët. Shyqyr që mbetëm gjallë”.
Sokol Dobrunës shikimi i ngriu, bebëzat iu hapën dhe vetëtimthi iu shndërruan në pikëza të errësuara.
“Të lutem, mos ua shpreh këtë shqetësim që sapo shpreha të tjerëve!”-vijoi butësishtë Dilaver Goxhai.- “Ndryshe bashkëluftëtarët tanë do të demoralizohen. Nuk kanë nevojë për parandjenjat e mia. Le ta mësojnë këtë të vërtetë vetëm pasi të jetë bërë fakt i kryer. Unë e ti nuk mund të bëjmë asgjë”.
Dhe i futi Sokol Dobrunës krahun.
Tani mund ta pinin çajin.
(…)
___________________
(*) – (Më 11 qershor) … Sokol Dobruna i tha i shqetësuar kolonelit (Dilaver Goxhai – sh.b) se Mitrovica duhej kapur sa më shpejt dhe atje patjetër duheshin dërguar për t’u vendosur njësi të UҪK-së. Në Mitrovicën Veriore mund të zinte vend shtabi i komandës së katërt operative të Bajgorës. (f.258)
(Marrë nga libri: “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, me autor Ylli Polovina. Tiranë, 2007, f.259-260)

=======================================================

Lexoni shkrimin e Shkëlzen Gashit për këtë ngjarje:
SHKËLZEN GASHI: MITROVICA ME URDHËR TË SHP TË UҪK’së ËSHTË LËSHUAR NGA VERIU I SAJ!
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6487

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura