(Pashtriku.org, 26. 03. 2012) – Trembëdhjetë vite pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, gazetari dhe publicisti Fehmi Ajvazi, ka botuar librin me titull, “Dita 24 – Kronikë për Kosovën”. Ky libër, në rend të parë është një kronikë autentike rrëfimi dhe ditari, si dhe një formë personale e meditimit krijues që lidhet me të kaluarën e afërt të Kosovës së fundshekullit XX-të. Bazuar në modelin e të shkruarit, si dhe në strukturën rrëfyese lexuesi ka përpara vetës kronikën origjinale që kujton dhe shënon një nga kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar i Kosovës.
Autori, duke qenë edhe vet vrojtues-protagonist, njëkohësisht dëshmitar dhe shënues autentik i rrethanave nëpër të cilat u detyrua të kalojë Kosova, na e dëfton me kujdes dhe me përkushtim atë që, me të vërtetë s’mund të rrëfehet asnjëherë në tërësinë e vet: luftën e Kosovës. Libri, fillimisht e përshkruan gjendjen e para 24 marsit të vitit 1999, e përshkruan pastaj ditën e fillimit të intervenimit të NATO-s në Kosovë, dhe e përshkruan situatën e pasfillimit të bombardimeve, rrethanat e dëbimit, kalimin në Maqedoni, ditën e kapitullimit të Beogradit etj.
Autori i librit Fehmi Ajvazi
Me këtë libër, nga të rrallët që janë shkruar për këtë periudhë, autori bëhet shkas që secilit qytetar që ka kaluar nëpër këtë kohë, t’ia kujtojë disa nga shqetësimet dhe rrethanat e përbashkëta, disa nga tmerret e përbashkëta. E m’u nga ky aspekt, libri është një rrëfim dhe pasqyrë e një realiteti të tmerrshëm historik të Kosovës, dhe është i rëndësishëm për t’u lexuar. Libri “Dita 24”, padyshim që është edhe një libër që na e kujton intervenimin e NATO-s, një akt ky i Aleancës Veriatlantike që veç humanitetit, kishte për qëllim edhe ndaljen e krimit serb në Kosovë, kishte për qëllim edhe një ndihmesë të pashembullt për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Libri “Dita 24”, është një “libër për të gjithë”, ngase shkruhet i sinkronizuar, pra ka ngjyrime dokumentare, historike, letrare, eseistike, dramaturgjike, kulturo-nacionale etj.
Disa nga përmbajtjet e librit:
– Rrëfimi që s’përfundon,
– Udhëtimi i fundit,
– Expresso në ikje,
– Dita 24,
– Goditjet e para,
– Fletëza të përgjakura ditari,
– Mesazh nga errësira,
– Letër të gjallëve dhe të vdekurve,
– Motive nga ferri,
– Një telefonatë nga larg,
– Shënime nga errësira,
– Mungesa e qirinjëve,
– Mungesa e ushqimeve,
– Dita e zezë,
– Mynxyra e largimit,
– Kalimi në Maqedoni,
– Pranë udhës Via Egnatia,
– Nata e parë pa Kosovën,
– Makthi i Maqedonisë,
– Dialog me Etnikun,
– Kapitullimi i Beogradit,
– Përshkrimi i një dite që s’përshkruhet,
– Takimi lamtumirës etj.
Libri “Dita 24 – Kronikë për Kosovën” ka gjithsej: 228 faqe,
dhe është botuar nga Botuesi: “Ura”- Prishtinë.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>