PASHTRIKU: FAIK KONICA DHE FLAMURI NË GAZETËN ‘TRUMBETA E KRUJËS’

(Pashtriku.org, 15. 11. 2012) – Numuri i parë i gazetës “Trumbeta e Krujës” doli më 20 mars 1911 në Sen Luis (Saint Luis) Misuri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kishte kryeredaktor Faik Konicën. Gjithsej dolën tre numura. Në numrin e parë të kësaj gazete Faik Konica jep kryeartikullin me titull Flamuri. Gazeta “Trumbeta e Krujës” doli në një kohë kur ende nuk ishte ngritur flamuri në Vlorë dhe Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar por ndjenja e lirisë dhe e pavarsisë tek Rilindasit ishin një problem i shtruar për zgjidhje. Pikërisht në numrin e parë të kësaj gazete ribotohet vjersha Flamuri që e pat shkruar 12 vjet më parë.
“Nën titullin flamuri botova dy-mbë-dhjëtë vjet më parë – te ALBANIA, mot 1899 faqe 146- një vjershë, e cila duket sikur u shkrua dje. Me ca ndryshime të vogëla e deklamova në disa mbledhje kombëtre t’Amerikës. Me qënë se shumë atdhetarë m’u lutnë ta botoj përsëri që ta mësojnë dhe ta përhapin, se besojnë që mund t’i ndihë përparimit kombëtar, ua mbush sot dëshirën duke shtypur “Flamurin” mu në krye të gazetës “Trumbeta e Krujës. – Shtoj vetëm një të vënë-re që botova edhe te Djelli: fjala flamur e ka aksentin në a dhe jo në u: flaamur e jo flamuur”.

Po këtë vjershë, Konica e riboton në gazetën “Dielli” me 25 nëntor të vitit 1938, ndërsa poshtë vendos një pikturë që e emërton: “Skënderbeu famëdhënësi i flamurit dhe kryembrojtësi i Shqipërisë”. Ndërsa në anën e djathtë të gazetës jep artikullin “Kryefytyra e gazetës” ku shkruan: “Kryefytyra e Trumbetës së Krujës është përvijësuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit Z. Morse, pas planit dhe dokumenteve që i dhashë. Vëjeni re mirë dhe kuptojeni Më nj’anë Kalaja e Krujës, gysm e prishur. Në majë te një mur-kulle ka dalë një ushtar i veshur me çelik dhe me hekur, si në kohë të Skënder Beut. Shihni sa madhështor është me helmën e Kastriotit përmi përçët, me kordhën mediavalë të varur! Me sa trimëri e mban trumbetën, nga e cila varet flamuri i Skënder Beut. A u ngrit nga të vdekurit, a e kish zënë nonjë gjumë shekullor në çip të haruar të nonjë kulle, apo është hieja e nonjë luftëtari të rënë në muret e Krujës? Trishtimi dhe habia bashkohen në fytyrën e tij, ndofta nga që sheh Krujën e dashur, Shqipërinë e adhuruar të tija të rënë aqe poshtë… Bjer-i trumbetës o kalorës legendar, dhe bjer-i fortë: Bjeri të gjëmojë për kombin që e ka zënë një gjum tepër i rëndë. Vallë ç’na thotë me trumbetën? Ndofta gjëmimi i saj pëlcet në të katër anët e hapsirës këtë vjershë heroike të Shakespeare-it: Sound trumbets! Let our bloody colours ëave! And either victory, or else a grave. “Bini trumbeta! Flamurët tonë të kuq si gjaku le të valojnë! Dhe a të mundim, a të hyjmë në varr”. M’anë tjëtër si një shpresë e largme por jo e kottë, shohin flamurin e Skëndr Beut po flamur feste jo lufte! Jo! Një trëndafil i vjen për rreth dhe i bën një kurorë në ball. Më të mëngjër e më të djathtë jan të dy dokumentet katër qind vjeç të vjetëra, që provojnë se me të vërtetë kështu ish flamuri i Skënder Beut”.

Por ç’njohje kishte Konica me këtë piktor?
Konica shkruan: “Kryefytyra e gazetës, është përvijëzuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit Z. Morse, pas planit dhe dokumentave që i dhashë…”. Në këtë fjali të bën përshtypje fjala përvijëzuar që tani duket si e humbur dhe veçanërisht kur thotë: “pas planit dhe dokumentave që i dhashë”. Pra piktura e paraqitur është kryer nën ndikimin e drejtpërdrjetë të Faik Konicës, i cili mund të quhet dhe bashkautor i saj. Në pikturë jepet emri i autorit C.H.B MORSE. Duke kërkuar në internet këtë mbiemër, menjëherë shfaqet emri i shpiksit të telegrafit Mors, që e ka marrë emrin e zbuluesit Samuel Morse (1791-1872), i cili ka qënë piktor shumë i njohur dhe në trungun e tij e familjar ka shumë piktorë. Piktori i “Kryefytyrës” duhet që në vitin 1912 të ishte i gjallë sepse ka biseduar me Faik Konicën për “Kryefytyrën” dhe-siç thotë Konica-është përvijëzuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit, pra ka qënë piktor i njohur. Megjithatë nuk disponohen të dhëna dhe nuk mund të themi asgjë se kush ka qënë ky piktor?! I mbetet një kohe tjetër për ta zbuluar, ku mud të mësojmë edhe detaje të tjera nga lidhja e tyre miqësore.  

(…)  /Nga Efthim Dodona/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura