PASHTRIKU: HISTORIA E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878 – 1881 (II)

Pashtriku.org, 09. 06. 2012 – ( Në 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) – Në vjeshtën e vitit 1880, kur marrëdhëniet ndërmjet Lidhjes Shqiptare dhe Portës së Lartë u acaruan edhe më shumë për çështjen e Ulqinit, përfaqësuesit e Anglisë dhe të Austro-Hungarisë u premtuan drejtuesve të Lidhjes se po të dorëzohej Ulqini pa luftë, do t’u jepnin shqiptarëve të drejtat për autonomi. Kjo i joshi qarqet e moderuara, por patriotët radikalë nuk u besuan atyre premtimeve dhe ishin të vendosur për mbrojtjen e Ulqinit me çdo kusht.
Lufta kundër administratës osmane dhe Kuvendi i Prizrenit (tetor 1879)
Në pranverë 1879 Lidhja e Prizrenit ishte forcuar më tej. Në çdo krahinë shqiptare ishin ngritur degët e saj. Lidhja kishte krijuar forcat e saj të armatosura. Përveç ushtrisë, ajo kishte krijuar në mjaft krahina organet pushtetore të veçanta nga ato të administratës osmane. Përpjekjet e Lidhjes për autonomi patën mbështetjen e lëvizjes popullore, e cila kërkoi me insistim të krijoheshin gjykata shqiptare, taksat të paguheshin në favor të Lidhjes e jo të autoriteteve osmane dhe shërbimi ushtarak të mos bëhej në ushtrinë turke. Lëvizja u përhap sidomos në vilajetin e Kosovës. Gjatë verës së vitit 1879 në krahina të ndryshme pati goditje kundër administratës shtetërore lokale, si në Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe në Vuçiternë. Në vjeshtë 1879, kur përsëri u acarua çështja e Plavës dhe e Gucisë, u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879, një kuvend i përgjithshëm. Lidhur me rrezikun që vinte nga Mali i Zi, të gjithë ishin për një qëndresë të armatosur. Diskutime pati për pikën tjetër të rendit të ditës, për çështjen e autonomisë. Aty u shpreh mendimi se Lidhja duhej të kërkonte jo krijimin e një vilajeti shqiptar si më parë, por të një principate shqiptare ose të një republike shqiptare. Kuvendi zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes me kryetar Ymer Prizrenin. Punimet e Kuvendit të Prizrenit vazhduan më tepër se dhjetë ditë. Pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që kishin për formën e regjimit, të gjithë pjesëmarrësit ishin për t’i siguruar Shqipërisë të drejtën e vetëvendosjes. Punimet e këtij kuvendi shkaktuan shqetësime në Stamboll dhe ai u shpërnda me dhunë pa arritur të miratonte asnjë rezolutë.
LUFTA E LIDHJES PËR RUAJTJEN E TËRËSISË SË TOKAVE SHQIPTARE
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë
Pas ngjarjeve të Gjakovës, Porta e Lartë e kishte shumë të vështirë të ndërhynte në Shqipëri për t’i dorëzuar Malit të Zi krahinat e caktuara nga Kongresi i Berlinit. Megjithatë, knjaz Nikolla kërkonte vazhdimisht nga fuqitë e mëdha që ta detyronin Perandorinë Osmane të zbatonte vendimin e tyre. Në shkurt 1879, Porta e Lartë u shtrëngua të tërhiqte ushtritë e veta nga Podgorica, Shpuza dhe Zhabjaku, të cilat i morën forcat malazeze. Lidhja e Prizrenit nuk e pengoi lëshimin e tyre, sepse ato kryesisht banoheshin nga popullsia sllave. Por ajo kishte vendosur të mbronte me luftë të armatosur Plavën e Gucinë, të cilat banoheshin, në masën dërmuese, nga popullsia shqiptare.

______________________________________

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT ( 1878 – 1881)

_________________________________

Porta e Lartë u përpoq rishtas t’i bindte shqiptarët për t’i dorëzuar këto dy krahina pa përdorur forcën sepse kishte frikë mga shpërthimi i ndonjë kryengritjeje shqiptare, por nuk pati asnjë rezultat. I pakënaqur nga zvarritja e kësaj çështjeje dhe nga qëndrimi i Portës së Lartë dhe i fuqive të mëdha, Mali i Zi vendosi të pushtonte me luftë Plavën dhe Gucinë. Pas veprimeve të para ushtarake të zhvilluara në nëntor, më 4 dhjetor 1879 një ushtri malazeze prej rreth 4 mijë vetash, nën komandën e Mark Milanit, filloi sulmin në drejtim të Plavës dhe të Gucisë. Përballë saj qëndronin forcat e Lidhjes Shqiptare, rreth 3 mijë luftëtarë, nën drejtimin e shtabit ushtarak të kryesuar nga Ali Pashë Gucia. Të dy palët luftuan rreptë. Forcat shqiptare, ndonëse më të pakta dhe pa armatime të mjaftueshme, qëndruan heroikisht. Një nga betejat më të përgjakshme u zhvillua në afërsi të fshatit Nokshiq, ku përveç pushkëve u përdorën edhe jataganët. Pas disa orë luftimesh të ashpra, forcat malazeze pësuan disfatë dhe u tërhoqën në territorin e tyre.
Megjithatë, Mali i Zi nuk hoqi dorë nga synimet e veta dhe organizoi një mësymje të përgjithshme, në të cilën u angazhuan pothuajse të gjitha forcat e tij luftarake, rreth 9 mijë veta. Në mbrojtje të Plavës dhe të Gucisë u grumbulluan rreth 7 mijë vullnetarë shqiptarë të udhëhequr gjithnjë nga shtabi ushtarak i Lidhjes. Luftimet, që filluan më 8 janar 1880, qenë të përgjakshme dhe vazhduan tri ditë. Forcat shqiptare kaluan me shkathtësi nga pozitat mbrojtëse në një sulm të përgjithshëm dhe u shkaktuan përsëri disfatë ushtrive malazeze. Në këtë mënyrë dështuan sulmet pushtuese të Malit të Zi, i cili përsëri kërkoi mbështetjen e fuqive të mëdha.
Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës
Fitorja në Plavë dhe në Guci e ngriti moralin e shqiptarëve, shtoi besimin dhe vendosmërinë për të kundërshtuar çdo ndërhyrje të re në dëm të trojeve kombëtare. Fuqitë e mëdha, duke parë qëndresën e vendosur të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, pranuan ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit lidhur me Malin e Zi. Pas shumë bisedimesh, në prill 1880, fuqitë e mëdha vendosën që në vend të Plavës e të Gucisë, t’i jepnin Malit të Zi krahinat e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat gjithashtu banoheshin nga popullsia shqiptare. Ato menduan se, meqenëse popullsia e këtyre krahinave ishte katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin me Malin e Zi. Këtë vendim e pranoi edhe Porta e Lartë. Parashikohej që këto krahina t’i dorëzoheshin Malit të Zi më 22 prill 1880.
Vendimi i ri i fuqive të mëdha ishte po aq i padrejtë, sa edhe ai për Plavën e Gucinë. Prandaj kudo u shpreh zemërimi dhe vendosmëria për t’i mbrojtur krahinat e rrezikuara. Protesta të reja iu drejtuan fuqive të mëdha dhe Portës së Lartë. Lidhja Shqiptare filloi përgatitjet për luftë mbrojtëse. Më 19 prill 1880 në Shkodër u zhvillua një miting i madh popullor në mbrojtje të Hotit e të Grudës. Po atë ditë u nisën rreth 1 500 qytetarë vullnetarë për t’u bashkuar me mijëra vullnetarë të tjerë nga malësitë e veriut. Shtabi ushtarak i forcave të Lidhjes me në krye Hodo Sokolin u vendos në kalanë e Tuzit. Në zbatim të vendimit të fuqive të mëdha, Porta e Lartë, më 22 prill 1880, i tërhoqi ushtritë e veta nga krahinat që i jepeshin Malit të Zi, por kur forcat malazeze me rreth 10 mijë ushtarë, të komanduara nga Petar Vukotiçi, vjehrri i knjaz Nikollës, u drejtuan për në Hot e në Grudë për t’i marrë ato në dorëzim, ndeshën në forcat e Lidhjes Shqiptare prej gati 8 mijë vullnetarësh. Përpjekja e parë e armatosur filloi te ura e Rzhanicës, pika më e avancuar e kufirit në atë kohë. Forcat shqiptare u hodhën në sulm edhe kundër forcave kryesore malaziase që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Pas disa orë luftimesh malazeztë u thyen dhe u tërhoqën. Menjëherë pas disfatës knjaz Nikolla protestoi përsëri pranë fuqive të mëdha.
Kuvendet e Lidhjes në Gjirokastër (korrik 1880) dhe Dibër (tetor 1880)
Ndonëse kishin kaluar dy vjetë nga Kongresi i Berlinit, nuk ishin zbatuar ende ato vendime të tij që lidheshin me tokat shqiptare. Prandaj u mbajtën dy konferenca ndërkombëtare, njëra në Berlin (16 qershor 1880) dhe tjetra në Stamboll (26 qershor 1880). Konferenca e Berlinit iu përmbajt Protokollit nr. 13 të Kongresit të Berlinit lidhur me kufirin me Greqinë, kurse konferenca e Stambollit vendosi që në vend të Hotit e të Grudës, Malit të Zi t’i jepej qyteti i Ulqinit me rrethin e tij, që banohej krejtësisht me popullsi shqiptare. Në këtë situatë Lidhja Shqiptare organizoi një kuvend të ri, i cili u mbajt në Gjirokastër më 23 korrik 1880. Në të morën pjesë delegatë pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Kuvendi hodhi poshtë vendimet e këtyre konferencave dhe shprehu vendosmërinë për të mbrojtur me armë si Ulqinin në veri, ashtu edhe Çamërinë në jug. Një çështje tjetër themelore që u diskutua aty ishte ajo e autonomisë së Shqipërisë. Programi i paraqitur nga Abdyl Frashëri i kalonte caqet e vilajetit autonom dhe parashikonte krijimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit. Diskutime pati sidomos për kohën dhe mënyrën e realizimit të autonomisë. Një pjesë ishte për shpalljen e menjëhershme të autonomisë, por shumica pranoi si kohë më të përshtashme çastin kur Porta e Lartë do të lejonte copëtimin e tokave shqiptare në veri ose në jug. Lidhur me mënyrën e veprimit, Kuvendi vendosi që t’i parashtrohej edhe njëherë Portës së Lartë kërkesa për autonomi, por të merreshin gjithashtu edhe masa për t’a realizuar atë me pahir, duke organizuar kryengritjen e armatosur.
Në vjeshtën e vitit 1880, kur marrëdhëniet ndërmjet Lidhjes Shqiptare dhe Portës së Lartë u acaruan edhe më shumë për çështjen e Ulqinit, përfaqësuesit e Anglisë dhe të Austro-Hungarisë u premtuan drejtuesve të Lidhjes se po të dorëzohej Ulqini pa luftë, do t’u jepnin shqiptarëve të drejtat për autonomi. Kjo i joshi qarqet e moderuara, por patriotët radikalë nuk u besuan atyre premtimeve dhe ishin të vendosur për mbrojtjen e Ulqinit me çdo kusht. Madje ata mendonin se tani që Porta e Lartë mund ta dorëzonte Ulqinin me forcë, duhej të viheshin në jetë vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës për autonominë e Shqipërisë. Në këto rrethana, më 20 tetor 1880, u mbajt në Dibër një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes, ku morën pjesë rreth 300 delegatë nga krahina të ndryshme dhe që përfaqësonin të dy rrymat e lëvizjes për autonomi. Delegatët e rrymës patriotike radikalë të kryesuar nga Abdyl Frashëri parashtruan programin që ishte i njëjtë me atë të Kuvendit të Gjirokastrës, në të cilin, përveç mbrojtjes së Ulqinit, parashikohej krijimi i vilajetit të Shqipërisë dhe i qeverisë së përkohshme shqiptare. Kuvendi vendosi që Ulqini të mbrohej, por për çështjen e autonomisë pati debate të zjarrta. Delegatët e rrymës së moderuar pranonin edhe kërkesën për formimin e vilajetit autonom të Shqipërisë, por ndaheshin për mënyrën e realizimit. Disa ishin për veprime të armatosura, kurse të tjerët ngulnin këmbë në paraqitjen vetëm të një peticioni, duke ia lënë në dorë sulltanit realizimin e tij. Mirëpo të gjithë delegatët e moderuar ishin kundër formimit të qeverisë së përkohshme. Kuptohet që me ta bashkoheshin edhe delegatët që qëndronin në pozita sulltaniste.
Për shkak të këtyre divergjencave (kundërthënieve), Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta: ajo e rrymës radikale me 130 vota, që kërkonte një autonomi të gjerë të realizuar me forcë, dhe rezoluta e rrymës së moderuar me 150 vota, që kërkonte një autonomi të kufizuar dhe me pëlqimin e sulltanit. Të dy rezolutat u dërguan në Stamboll, kurse për qeverinë e përkohshme Kuvendi nuk mori asnjë vendim.

______________________________________

KËNGË: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT 1878 – EKSPONATE NGA LSHP.

________________________________

FORMIMI I QEVERISË SË PËRKOHSHME SHQIPTARE
Lufta për mbrojtjen e Ulqinit
Që nga qershori i vitit 1880, fuqitë e mëdha i kërkuan Portës së Lartë t’i dorëzonte Ulqinin Malit të Zi, duke përdorur edhe armët kundër shqiptarëve. Madje e kërcënuan se do të zhvillonin një demonstratë detare në bregdetin shqiptar. Nga ana tjetër, Lidhja Shqiptare dhe kuvendet e saj i kishin përsëritur disa herë Portës së Lartë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur Ulqinin. E ndodhur nën një presion të dyfishtë, Porta e Lartë në fillim bëri përpjekje, duke përdorur të hollat, premtimet dhe kërcënimet, për t’i bindur shqiptarët që të hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur, por nuk ia arriti qëllimit. Duke iu përgjigjur thirrjes së Lidhjes, forcat vullnetare shqiptare, nën drejtimin e Isuf Sokolit, Haxhi Mehmet Becit, Mehmet Gjylit etj., rrethuan Ulqinin, e shtinë në dorë atë dhe deklaruan se do ta mbronin deri në fund. Ushtria osmane u detyrua të largohej nga Ulqini. Pas disa ditësh, më 20 shtator 1880, një flotë e përbashkët e fuqive të mëdha, e përbërë prej 17 luftanijesh, arriti para Ulqinit dhe u kërkoi në formë ultimatumi shqiptarëve që ta dorëzonin qytetin. Por forcat e Lidhjes nuk pranuan. Ato do ta mbronin qytetin e tyre, duke qenë të rrethuara, në veri nga ushtritë malaziase, në jug nga ushtritë osmane dhe nga deti nga forcat detare të fuqive të mëdha. Me gjithë qëndresën heroike të 3 mijë vullnetarëve shqiptarë, forcat osmane, që kishin epërsi të madhe ushtarake, hynë në Ulqin, të cilin ua dorëzuan malaziasve më 26 nëntor 1880. Lufta për mbrojtjen e Ulqinit la përshtypje të thellë në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Në shtyp dhe në disa parlamente të Europës pati protesta kundër kësaj politike të padrejtë të Fuqive të Mëdha.
Kuvendi i Prizrenit (janar 1881) dhe formimi i qeverisë së përkohshme shqiptare
Deri nga fundi i vitit 1880 Porta e Lartë nuk i kishte përfillur kërkesat e Lidhjes për autonomi. Për më tepër, mareshali Dervish Pasha, pas dorëzimit të Ulqinit u sul me egërsi kundër organeve të Lidhjes në vilajetin e Shkodrës dhe filluan përgatitjet për ta shtypur Lidhjen Shqiptare në mbarë vendin. Në një thirrje të sulltanit drejtuar shqiptarëve, të gjithë ata që kërkonin autonomi cilësoheshin si armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane. Dorëzimi i Ulqinit dhe masat e reja osmane shkaktuan një pakënaqësi të madhe në Shqipëri dhe i acaruan në kulm marrëdhëniet e shqiptarëve me sunduesit osmanë. Qysh në dhjetor 1880 në Kosovë filluan veprimet e armatosura kundër administratës osmane. Patriotët menduan se tani kishte ardhur çasti i përshtashëm për të vënë në jetë programin për autonomi. Kështu, në fillim të vitit 1881, ata organizuan në Prizren një kuvend të jashtëzakonshëm të Lidhjes Shqiptare. Në të morën pjesë vetëm përkrahësit e autonomisë. Kuvendi përjashtoi nga organet drejtuese të Lidhjes kundërshtarët e autonomisë dhe Komitetin Kombëtar e shpalli qeveri të përkohshme. Në këtë qeveri bënin pjesë Ymer Prizreni (kryetar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi etj. Qeveria e përkohshme e Prizrenit organizoi menjëherë forcat e rregullta ushtarake dhe ngriti administratën e re shqiptare në viset që po çliroheshin. Repartet e qeverisë shqiptare, të komanduara nga Sulejman Vokshi dhe të përkrahura nga populli, çliruan, gjatë janarit 1881, gjithë Kosovën, si dhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën etj.
Lufta e Lidhjes kundër ushtrive osmane
Sukseset që arriti Lidhja në vilajetin e Kosovës e deri në Dibër ngjallën optimizëm të madh te shqiptarët dhe pritej që autoriteti i qeverisë së Prizrenit të shtrihej edhe në krahinat e tjera të vendit. Por, në të njëjtën kohë ato kishin shqetësuar mjaft autoritetet qeveritare të Stambollit. Megjithatë Porta e Lartë nuk kundërveproi menjëherë, sepse ndërkohë Mbretëria Greke, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, e kërcënoi atë se do t’i merrte me luftë Çamërinë e Tesalinë. Për shkak të ndërlikimeve politike që mund të krijoheshin në Ballkan, fuqitë e mëdha ndërhynë energjikisht për ta detyruar Stambollin dhe Athinën t’i jepnin fund sa më parë çështjes së kufirit turko-grek. Duke i bërë lëshime njëra-tjetrës, më 27 mars 1881, qeveria e Stambollit dhe ajo e Athinës nënshkruan marrëveshtjen e re kufitare. Porta e Lartë i lëshoi Greqisë pjesën më të madhe të Tesalisë, por në vilajetin e Janinës, vetëm qytetin e Artës me rrethinë.
Pas kësaj marrëveshtjeje, Porta e Lartë i kishte duart e lira për të vepruar kundër autonomisë shqiptare. Ajo organizoi një ekspeditë të madhe ushtarake të përbërë nga 40 batalione me rreth 20 mijë ushtarë të komanduar nga mareshali Dervish Pasha. Drejtimi kryesor i kësaj ekspedite ishte vilajeti i Kosovës. Qeveria e Prizrenit lëshoi kushtrimin për të rrokur armët kundër ekspeditës osmane. Ajo u dërgoi gjithashtu një memorandum fuqive të mëdha, me anën e të cilit kërkonte ndërhyrjen e tyre. Rreth 6 mijë shqiptarë u vunë nën drejtimin e shtabit të Lidhjes me në krye Sulejman Vokshin. Por në këto çaste vendimtare disa elementë të lëkundur e turkomanë dolën kundër qëndresës së armatosur antiosmane dhe e penguan mobilizimin e forcave vullnetare. Pas rënies së Shkupit, forcat osmane iu drejtuan Kosovës. Qëndresa e parë u bë në Grykën e Kaçanikut më 7 prill 1881 dhe forcat osmane hynë në Ferizaj. Më 20 prill ato sulmuan forcat shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtime. Në betejën e parë, në Slivovë, ra heroikisht edhe komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli, i cili me guxim të rrallë iu hodh topit në grykë. Beteja e dytë u zhvillua të nesërmen, më 21 prill, në Shtime, ku luftimet qenë edhe më të përgjakshme. Forcat shqiptare të udhëhequra nga Sulejman Vokshi qëndruan me heroizëm më tepër se 5 orë, por u detyruan të tërhiqeshin. Pas Shtimes forcat e Lidhjes iu bënë edhe tri prita të tjera ushtrive osmane që iu drejtuan Prizrenit, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në Suharekë, por nuk mundën t’ua ndalnin marshimin. Si rrjedhojë, më 23 prill 1881 forcat e ekspeditës osmane hynë në Prizren, në qendrën e qeverisë së përkohshme dhe në vatrën kryesore të Lidhjes Shqiptare. Aty u shpall menjëherë shtetrrethimi dhe filloi një valë arrestimesh.
Pushtimi i Prizrenit e tronditi thellë opinionin publik të vendit, por nuk shënoi fundin e qëndresës së forcave shqiptare, e cila vazhdoi edhe për disa muaj në Malësitë e Gjakovës, të Lumës dhe të Dibrës. Pas shpërndarjes së Lidhjes Shqiptare, autoritetet osmane dhe forcat e ekspeditës ushtarake ushtruan një terror të pashembullt në Kosovë dhe në gjthë vendin. Kudo u bënë arrestime dhe u ngritën gjyqet ushtarake, të cilat dënuan mijëra shqiptarë me burgime të rënda dhe i internuan në vise të largëta të Perandorisë. Përpjekje të shumta u bënë për të kapur udhëheqësit e Lidhjes dhe të qeverisë shqiptare. Kryetari i qeverisë, Ymer Prizreni, u detyrua të mërgonte jashtë Perandorisë, në Ulqin, ku qëndroi deri sa vdiq, pa pranuar faljen që i ofroi sulltani. Sulejman Vokshi qëndroi gati pesë vjetë i arratisur në Malësinë e Gjakovës dhe u kap më 1885 gjatë shtypjes së kryengritjes antiosmane që ai organizoi në Kosovë. Abdyl Frashëri, në fillim u arratis, por u kap nga forcat që po e ndiqnin dhe u dërgua në Prizren, ku u dënua me burgim të përjetshëm, por më vonë u lirua.
Rëndësia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Megjithëse u shtyp, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka rëndësi të madhe. Në krahasim me besëlidhjet e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, Lidhja e Prizrenit shënoi një hap të rëndësishëm përpara sepse pati një shtrirje territoriale mbarëshqiptare, krijoi një front patriotik luftarak për gjithë popullin shqiptar, pavarësisht nga përkatësia fetare ose shtresa shoqërore, përpunoi një platformë kombëtare të plotë dhe me kërkesa politike, ekonomike dhe kulturore, përdori të gjitha format e luftës çlirimtare: kuvendet, protestat politike, misionet diplomatike, luftën e armatosur dhe veprimtarinë kulturore.  Vitet 1878 – 1881 shënojnë një ngritje të dukshme edhe për nga pikëpamja organizative, me krijimin e një qendre drejtuese të Lëvizjes Kombëtare me degët e saj në të gjitha krahinat shqiptare. Lidhja jo vetëm që kërkoi e luftoi për krijimin e shtetit shqiptar, por arriti më në fund të formonte qeverinë e përkohshme, pothuajse të pavarur nga Porta e Lartë. Me rëndësi të madhe historike është lufta e vendosur diplomatike dhe me armë që zhvilloi Lidhja për të mbrojtur viset shqiptare në veri dhe në jug që rrezikoheshin të copëtoheshin. Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të krijuar shtetin kombëtar. Në saje të Lidhjes së Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën diplomatike ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.
FUND
(Botuar në librin: Historia e Popullit Shqiptar, ETMMKP, Prishtinë 1996.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura