DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (2)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Ministria e P. Brendshme                                     V.F.L.P

Drejtoria e Sig. Shtetit                                            Tiranë, më 11/II/52

Reparti 2001

Relacion

Mbi arsyet që neve mendojmë të kemi punëtorë operativë të Degës tonë për degët dhe seksionet buzë kufitare[1]

Nga eksperienca e deritanishme mbi drejtimin e gjithë punës nga qendra, neve nuk kemi mundur të shfrytëzojmë pothuajse fare kanalet kundërzbulimit të organeve buzëkufitare e për interes të informacionit, kanale këto që mund të na japin shumë përfitime.

1.   Siç dihet, agjenturat jugosllave dhe greke kanë përdorur dhe përdorin vazhdimisht një shumicë të konsiderueshme emigrante shqiptare që ndodhen në vendet e tyre, me qëllim për të shfrytëzuar rrethin familjar dhe shoqëror të këtyre emigrantëve dhe t’i vënë në shërbim të agjenturës së tyre, si në rrethet buzëkufitare dhe në thellësi të Shqipërisë. Mirëpo, nga të dhënat që kemi neve deri më sot, rezulton se pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve që përdorën kundër vendit tonë, jo vetëm që nuk janë të vendosur t’ju shërbejnë agjendave të mësipërm, porse shumë prej tyre kërkojnë shpeshherë mënyra për t’u larguar nga ajo punë dhe kur gjejnë rast kërkojnë t’u dorëzohen organeve tona.

Këto lëkundje dhe pavendosmëri të këtyre emigrantëve, përfaqësojnë një bazë mjaft me rendësi për punën tonë dhe na japin neve mundësi të rekrutojmë nga këta njerëz dhe t’i përdorim kundër armikut në interes të punës tonë e cila është shumë e vlefshme dhe frytdhënës. Me një punë të këtillë, neve do të jemi në gjendje, jo vetëm të marrim informatat që na interesojnë mbi shtetet armiq rreth nesh, por do të zbulojmë metodat e organeve agjenturiale të këtyre vendeve, synimet e tyre për të ngritur agjenturën në vendin tonë dhe agjentët që ata kanë në vendin tonë aktualisht.

Si shembull për këtë, shënojmë grupin “Sharri” të cilët ishin arratisur në Jugosllavi qysh nga 1948-1949 dhe që UDB-ja i përdorte kundër vendit tonë në drejtim të Kukësit. Por mbasi qenë të penduar, marrim lidhje me këta të cilët rekrutuan. Ata punuan sinqerisht për ne dhe na dhanë mjaft material të çmueshëm mbi situatën në Jugosllavi e sidomos për punën e komitetit të kriminelëve dhe organizimin e këtyre. Siç shihet më sipër, këta “emigrantë” janë burim mjaft i mirë për punën tonë, por që t’i shfrytëzosh këto, duhet që t’i kesh oficerët operativë poshtë, të cilët studiojnë bazat e këtyre, lidhjet me rrethin familjar, e kështu të krijohen konditat për të marr lidhje me ata dhe për t’i venë në shërbimin tonë.

Për më tepër, kemi pasur raste, kur kanë dashur të dorëzohen njerëz që përdor UDB-ja kundër nesh dhe që kanë pasur kredi të madhe te armiku, sikurse që është rasti i grupit prej tre vetash: Taip Shiroka, Ernest Kraja e Musa Rexhepi, të cilët i kishte rekomanduar kryeministri i Malit të Zi, Bllazho Jovanoviq, si besnikët e tij që i kishin shpëtuar jetën dhe iu kishte dhënë nga 10 000 dinarë. Kur këta tentuan të dorëzoheshin, megjithëse i kishin të gjitha mundësitë të mbaheshin sekret e të viheshin në shërbimin tonë, Dega e Shkodrës pa menduar fare për punën tonë i mori në Shkodër duke i djegur për neve. Ky rast i krijuar vet, për të cilin neve punojmë me muaj të tërë, u prish vetëm nga pakujdesia e kryetarit të Degës dhe për arsye se mungojnë shokët tonë poshtë.

2.   Nga eksperienca që kemi, vërtetohet se rreth buzës së kufirit, si nga Jugu ashtu edhe nga Veriu, ka shumë njerëz që kanë lidhje familjare dhe rrethe shoqërore përtej kufirit në Jugosllavi dhe në Greqi. Ka nga këta persona që po të gjenden e të studiohen mirë, shumë kollaj mund të merret lidhja me njerëzit e tyre përtej kufirit dhe të vihen në shërbimin tonë dhe sidomos gjenden njerëz që jo vetëm të punojnë me ne, por dhe të vijnë në tokën tonë për të sjellë informata në mënyrë të atillë që lidhjet të bëhen në tokën tonë dhe mos të jetë nevoja më vonë për t’i dërguar grupet tona për të marrë lidhje me këta njerëz. Nga ana tjetër, nga ky lloj elementi i buzëkufirit që kanë lidhje përtej, mund të gjenden shumë veta që të dërgohen andej në mënyrë legale (për të qëndruar në tokat dhe për të bërë punën tonë).

***

Prandaj, krahas me punën kryesore të qendrës, është i domosdoshme shfrytëzimi i mundësive që ekzistojnë në periferi. Nga sipër neve e shohim të nevojshme që për të kryer detyrat si duhet dhe për t’i shfrytëzuar mundësitë për punën tonë buzëkufirit, vendosin punëtorët tonë operativë nëpër degët dhe seksionet buzëkufitare nën vartësinë direkte të kryetarit të Degës ose shefit të Seksionit, si më poshtë.

Për Sektorin e Veriut 6 (gjashtë) veta: një (1) në Shkodër, një (1) në Tropojë e kemi, një (1) në Kukës, një (1) në Peshkopi, një (1) në Librazhd nën vartësinë e Elbasanit, një (1) në Pogradec. Për Sektorin e Jugut 6 (gjashtë) veta: një (1) në Korҫë, një (1) në Kolonjë, një (1) në Përmet, dy (2) në Gjirokastër, një (1) në Sarandë. Për plotësimin e kuadrove që shënuam më sipër, neve do të dërgojmë 8 (tetë) nga këta kuadro që kemi në qendër, kështu që do të duhen vetëm 4 (katër) veta.

Detyra e punëtorëve operativë

Punëtorët tonë operativë që do të jenë vartës nëpër degë ose seksionet buzëkufitare, do të veprojnë në bazë të këtyre dispozitave:

1. Në organizimi sistematik dhe të thellë kundër Jugosllavisë dhe Greqisë nga ana e degëve ose seksioneve buzëkufitare, të përfshihen në organikën e këtyre (degëve ose seksioneve) edhe punëtorët tanë operativë, të cilët varen nga kryetari ose shefi i seksionit në këtë vend.

2. Kryetari ose shefi i seksionit MPB (në periferi), mbanë përgjegjësinë personale për organizimin dhe kryerjen e punës së çlirimit në rrethin kufitar në zonën e tyre.

3. Kryetari ose shefi i seksionit, detyrohet të drejtojë e organizojë punën operative të punëtorit operativ të Drejtorisë I në përputhje të udhëzimeve të degëve përkatëse.

4. Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë në Degën I (d.m.th. të informacionit) do të kryhen vetëm me pëlqimin e kryetarit të degës dhe me sanksionimin e udhëheqjes së Ministrisë.

5. Kryetari ose shefat e seksioneve, detyrohen të japin llogari herë pas here mbikëqyrjes së Ministrisë nëpërmjet Degës I, për punën e kryer në drejtim të zhvillimit.

6. Detyrat e punëtorëve operativë konsistojnë: Në gjetjen, studimin dhe krijim e aparatit agjenturial të aftë, të pretendojnë në aparatin qeveritar të partive, ushtrisë, ministrive të p. brendshme, në qendrat me rendësi sekrete dhe në komitetet e qendrat e emigracionit shqiptar që ndodhet në këto vende, me qëllim për t’i zbuluar planet e tyre dhe për të marrë informata sa më të sakta, për të gjitha qëllimet armiqësore dhe përgatitjet ushtarake të Qeverisë jugosllave e greke dhe të partnerëve të tyre amerikano-anglezë që përgatisin kundër Shqipërisë dhe vendeve të tjera të socializmit. Për këtë qëllim punëtori operativ duhet t’i kryej këto detyra:

1.   Të studiojë dhe të zbulojë pareshtur mundësit reale për organizimin e punës së zhvillimit në drejtimin që ai ngarkohet. a) Për t’ia arritur këtij qëllimi duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ekzistojnë në rreth me ndihmën konkrete të kryetarit të degës ose shefit të seksionit. b) Në bazë të mundësive të zbuluara, të realizojë një varg rekrutimesh për agjentë rekrutues, ndërlidhës dhe të thjeshtë, të bëjë edukimin dhe drejtimin e tyre që kanë mundësi për zbulim dhe aftësi për këto punë dhe të arrijë ngritjen e agjenturës tonë në tokën jugosllave dhe greke. c) Të organizojë punën sistematike dhe të thellë në agjentin që ka rekrutuar, duke krijuar për këtë qëllim baza të përgatitura mirë dhe shumë sekrete në të dy anët e kufirit (si në tokën tonë e në atë të armikut). ҫ) Të organizohet puna sistematike për të gjithë personat që vijnë nga toka e shteteve fqinjë, që kapen ose dorëzohen, për procedimin sa më të mirë të tyre në mënyrë që t’u merren informata të vlefshme mbi çdo gjë që ata janë në dijeni. d) Me qëllim të kompensimit dhe organizimit të punës sa më të mirë, punëtori operativ i Degës I, duhet t’i zgjidh të gjitha punët që i dalin përpara, vetëm me kryetarin e degës ose shefin e seksionit. Në rast mungese të këtyre (kryetarit ose shefit), punëtori operativ kërkon udhëzime dhe zgjidh çdo problem duke marr udhëzime drejtpërdrejt nga kryetari i Degës I në qendër. dh) Të gjitha dokumentet e punës mbi Degën I do të kryhen veçmas nga sektorët e tjerë të degës ose seksionit dhe do të përpilohen vetëm nga punëtori operativ i këtij sektori. Për këtë, punëtori operativ poshtë do të ketë një zyre krejt në vete nga sektorët tjerë etj.

Shënim: Këtyre punëtorëve operativë që do të shkojnë poshtë nuk do t’u jepet asnjë punë që është ngritur deri tani, e cila do të drejtohet si deri më sot drejtpërdrejt nga qendra.

Komandanti i Repartit 2001

Nënkolonel

(Zoi Themeli)

-4-

Republika P. e Shqipërisë                              V. F. L. P

Ministria e Punëve të Brendshme                        Tiranë, më 19/II/1952

Drejtoria e Sig. Shtetit

Reparti Nr. 2001

Nr. 7

Buletin i përditshëm informativ

Seksioni: Jugosllavi

Grupi “8 Nëntori”, që kaloi në drejtim të Gjakovës u kthye më datën 17.02.1952, dhe na informoi për sa më poshtë: Në Kosovë nuk është vërtetuar asnjë lëvizje ushtarake, përveç forcave që kanë qenë gjatë periudhës së verës. Në qytetin e Prizrenit e të Gjakovës ka një numër të vogël të arratisurish nga ata që UDB-ja përdor kundër vendit tonë. Me këto nuk është konstatuar që UDB-ja të bëjë ndonjë të organizuar politik dhe organizativ.

Në janar të vitit 1952 në një ditë feste në katundin Irsniq të rrethit të Pejës, ka ardhur një i arratisur shqiptar, i cili në mes tjerash, ka thënë: “Populli shqiptar po vuan nën regjimin e sotshëm dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar ndihmën e popullit kosovar për çlirimin e Shqipërisë”. Kjo mbledhje ka qenë spontane, gjithashtu dhe shprehjet e të sipërmit.

Informatat e sipërme i kemi nga agjentët “Lushja dhe Rapi”, të cilëve mund t’u besohet plotësisht.

U shtyp në katër kopje, prej të cilave

e para i dërgohet komandantit,  

Nënkolonel, Zoi Themeli

e dyta gjenerallejtënantit M. Shehut,                   

e treta kol. Kadri Hazbiut,

e katërta ngelet në Arkivin e kësaj Dege.

Konc. XH. Krifos. Dakt. N. Shehu

Komandanti i Repartit Nr. 2001

-5-

Drejtorisë së Sigurimit Shtetit

Kolonel (Kadri Hazbiut)

Sektori III i Shkodrës na njofton se më datën 17.03.1952, në orën 05:00 (të mëngjesit), u vra nga forcat jugosllave zbuluesi civil i këtij sektori, Veli Telaj, nga katundi Goric e lokalitetit Muriqan, i cili së bashku me një grup zbulues shkonte me detyrën tonë në tokën jugosllave. Pjesa tjetër e grupit, nuk ka pësuar gjë.

Me sa informohemi, familja e ka marrë vesh vrasjen e tij, por nga ana jonë nuk është thënë gjë. Mendojmë që t’i thuhet familjes së tij, se ajo ka kuptuar se ku nisej matanë me shërbim.

Presim si të veprojmë.

Tiranë, më 18/III/952

Shef i Degës së Zbulimit të Kufirit

Kapiteni I Raqi Zavalani

-6-

Nr. 1555/953

Notë verbale

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë në Budapest, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë, ka nderin t’i komunikojë Legatës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë në Budapest sa vijon, për t’ia transmetuar Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë.

Duke ndjekur politikën e saj paqedashëse dhe të relatave së fqinjësisë së mirë dhe me qëllim që të kontribuojë në ruajtjen dhe forcimin e paqes në Ballkan, si dhe në uljen e tensionit ndërkombëtare, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e gjen me vend t’i propozojë Qeverisë së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë rifillimin e marrëdhënieve diplomatike normale midis dy vendeve të ndërprera me iniciativën e Qeverisë jugosllave me notën Nr. 421209, datë 11 nëntor 1950.

Në rast se Qeveria jugosllave është dakord me këtë propozim, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë është e gatshme të marrë në shqyrtim çështjen mbi çeljen e përfaqësive diplomatike respektive në Beograd dhe Tiranë.

Legata e Republikës Popullore e Shqipërisë përfiton nga rasti t’i përsërisë Legatës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë sigurimet e konsideratës së saj.

Budapest, më 5 nëntor 1953

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (3)

Nga Prof. dr. Sabit Syla


[1] Dokumentit i mungon faqja e dytë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura