PASHTRIKU: MBROJTJA E UKSHIN HOTIT – PARA GJYQIT SERBË – SHTATOR 1994 (I)

(Pashtriku.org, 13. 05. 2012) – ”Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht …” – kështu ka deklaruar Ukshin Hoti para trupit gjykues.
Zonja kryesuese e gjyqit, Të nderuar zotërinj të kolegjit gjykues!
     Njeriu nganjëherë, edhepse mund të gjendet në një situatë specifike, mund të dojë të bëjë një gjë normale, e cila pikërisht sepse është normale, në një situatë të tillë specifike mund të duket si e çuditshme. Kështu p.sh. unë, ndonëse tani prej meje nuk pritet një gjë e tillë, në situatën e dhënë, më duhet t’i shfaq respekt institucionit gjyqësor të fjalës së mbrojtjes. Nuk e di se kur është futur ajo për herë të parë dhe për çfarë shkaku, që t’i ofrojë të pandehurit mundësi të vërtetë për mbrojtje apo që t’i ofrojë gjyqit justifikimin e nevojshëm për verdiktin. Nuk e di nëse është një institucion vetëm formal apo edhe efikas, apo edhe njëra edhe tjetra, po unë megjithatë dua t’i shfaq respektin, sepse kam përshtypjen sikur në atë raportin përjetësisht të pasqaruar midis shoqërisë dhe individit, d.m.th. individit të cilin shoqëria e ka thirrur në përgjegjësi për shkak të veprimeve të tij të menduara apo të realizuara (gjyqi nganjëherë për shkaqe preventive gjykon edhe për “mendime” të cilat i cilëson si veprime); në atë raport në të cilin individi pavarësisht nga avoketërit e tij dhe nga mbrojtja, pavarësisht dhe nga bindjet, nga motivet dhe nga veprimet e veta, por edhe së bashku me to, megjithatë ndodhet plotësisht i vetëm përpara shoqërisë, në këtë raport, institucioni i fjalës së mbrojtjes fut njëfarë imazhi iluzor apo përshtypjen se në një periudhë të caktuar kohe drejtësia dhe e drejta mund të puqen dhe të bëhen një. Në jetën praktike e drejta dhe drejtësia rrallë ndonjëherë ndodh që të puqen, por qoftë edhe si iluzion, duke i dhënë individit mundësinë që të flasë, të thotë, të shprehet dhe të vlerësojë, të mbrohet apo të sulmojë, ajo njëkohësisht i ofron mundësinë që të besojë se po i drejtohet drejtësisë dhe jo vetëm së drejtës. Individi atëherë mendon se mund të ndikojë jo aq në vendimin eventual të gjyqit, sa në kompleksitetin e rrethanave dhe të situatave që mund t’i shkaktojnë gjykimet. Në këtë mënyrë shpresa paraqitet si esenca e vetë iluzionit, ndërkaq edhe filozofët e lashtë kanë vënë re se të shpresosh edhe atëherë kur do të thotë vetëm të jetosh, është gjë e bukur dhe e madhërishme.

Faqja e parë në dorëshkrim e mbrojtjes së Ukshin Hotit.

_____________________________

     Në anën tjetër mësojmë se gjyqi është një institucion juridik i shoqërisë me anën e të cilit shoqëria e mat peshën e konfrontimit të individit me normat pozitive juridike, dhe në pajtim me vlerësimin e vet për lëndimin e këtyre normave ia shqipton individit masat mbrojtëse të vlerave sunduese të shoqërisë në formën e dënimit apo të shkarkimit nga faji. Nëse është kështu, ndërkaq duket se është kështu, gjyqi atëherë paraqitet edhe si instrumenti kryesor i shoqërisë së civilizuar, d.m.th., i shoqërisë që do ta mbajë veten dhe s’do të lejojë që të bjerë në nivelin e totalitarizmit primitiv, përkatësisht, atij primitiv-modern. Ai atëherë paraqitet detyrimisht jo vetëm si instrument i efikasitetit të pushtetit politik të shoqërisë por edhe si indikator i dinjitetit të tij. Institucioni i fjalës mbrojtëse e forcon këtë dimension të gjyqit dhe tërthorazi edhe të shoqërisë. Sepse në masën që një shoqëri i respekton njësoj edhe formën edhe përmbajtjen e pushtetit të vet politik, po në atë masë ajo paraqitet si shoqëri politikisht dinjitoze (degnity society), ndërsa juridikisht legale dhe legjitime. Prandaj institucioni gjyqësor i fjalës së mbrojtjes duket si një institucion serioz, i cili, edhe kur është vetëm formal, ka të bëjë me dinjitetin e gjyqit si një institucion politiko-juridik.
     Në kuadër të këtyre parametrave të tillë të shtruar parimorë , unë, me lejen e këtij gjyqi, do ta shfrytëzoj këtë të drejtë për të provuar përgjigjen në pyetjen:
     Përse po gjykohem në të vërtetë
     Duke e shtruar këtë pyetje në këtë formë, nuk e kam për qëllim t’i përmbys ato që thashë pak më parë lidhur me funksionin e dinjitetit të gjyqit por vetëm t’i nënvizojë ato momente kyçe lidhur me këtë gjyq nga të cilat vetë gjyqi do të mund t’i nxjerrë konkluzionet e duhura lidhur me mua, por lidhur edhe me vetë gjykimin. Do të mbrohem me të vërtetën, dhe pasiqë ajo nuk ka të bëjë vetëm me mua por dhe me gjithë kontekstin e situatës politike në tërësi, do të provoj që të veçoj atë që ka të bëjë me mua dhe që në të vërtetë si juridikisht, ashtu dhe politikisht, paraqitet si plotësisht e paqëndrueshme:
     1.Duke e trajtuar çështjen nga ky aspekt, gjatë gjykimit të gjertanishëm u bë plotësisht e qartë, ose së paku është dashur që të jetë plotësisht e qartë, se aktakuza të cilën Z. prokuror në emër të Republikës së Serbisë ka denjuar ta ngrisë kundër meje është absolutisht kontradiktore dhe e paqëndrueshme. Ajo niset nga aspekti i mosnjohjes juridike të Republikës së Kosovës, që do të thotë nga aspekti i ndarjes teorikisht të paqëndrueshme të formës nga përmbajtja. Së paku filozofët, që nga antikiteti e këtej, nuk e bënë dot këtë esencialisht. Ndërkaq në praktikën e marrëdhënieve politike midis shtetesh, por edhe në praktikën e veprimtarisë se brendshme të vetë shtetit, kjo ndarje, ndonëse në esencë vetëm në dukje, shfaqet si plotësisht reale. Vetë ky gjykim, ashtu si çdo gjykim politik në përgjithësi, përpiqet që të duket sikur nuk ka asnjë lidhje me politikën, që do të thotë përmbajtje, por vetëm me të drejtën, që përfaqëson formën. Në praktikën e marrëdhënieve midis shtetesh janë plotësisht të mundshme situatat kur shtetet e njohin një shtet vetëm de facto d.m.th. faktikisht, por jo edhe de jure d.m.th. juridikisht. Zakonisht ajo e para, d.m.th. njohja faktike, i paraprin së dytës, d.m.th. njohjes juridike të një shteti. Hë për hë do të merremi vetëm me këtë aspekt të kësaj çështjeje për të treguar dhe për të provuar se aktakuza e ngritur kundër meje është plotësisht e paqëndrueshme, sepse është në kundërthënie me përmbajtjen politike, ndërsa me këtë edhe me formën juridike, por fillimisht do të vazhdojmë me shkoqitjen e tezave juridike tashmë të pranuara e të pranueshme nga të gjithë. Në të vërtetë, janë të njohura rastet e “permanencës” por vetëm për një periudhë të caktuar kohe, të shtetit të njohur de facto. Këto raste kanë përfunduar rëndom me ndonjë ndryshim të brendshëm në shtetin e njohur de facto, me ndryshimin e rrethanave të jashtme ose me pranimin e kushtëzimeve të paraqitura nga ana e saj të cilat do ta mundësonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Me fjalë të tjera, të gjitha këto raste zakonisht përfundojnë edhe me njohjen de jure të shtetit të dhënë.
     Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë de facto e njeh. Asnjëherë nuk kam pohuar se unë jam i pari dhe i vetmi që e kam kërkuar atë. Kontributi im në lindjen e Republikës së Kosovës konsiston në dhënien në atë kohë të arsyetimit komplet dhe definitiv politik për nevojën e konstituimit të saj në suazë të RSFJ-së së atëhershme. Këtë e kam bërë vetë dhe plotësisht i pavarur nga të tjerët, për të cilët madje as që kam ditur se kanë punuar rreth kësaj çështjeje. Edhe atëherë edhe tani kanë ekzistuar dhe ekzistojnë tendenca të fuqishme që të minimizohet ose që të mohohet plotësisht kontributi im për këtë çështje. Mirëpo, pasiqë argumentimi politiko-teorik i një intelektuali politik të madh në asnjë mënyrë s’mund të ishte i njëllojtë me argumentimin e një linguisti që merret me studimin e zanoreve të patheksuara në një fjali, të një sociologu që shtirej si politikolog ngaqë e kishte studjuar Makiavelin ndërkaq nuk e kishte vënë re asnjëherë se pikërisht ai përfaqësonte paraardhësin e mendimit politik modern negativ dhe jo pozitiv, d.m.th. të një politike të konceptuar si cinizëm të zhveshur prej çfarëdo morali, të një historiani që kurrë nuk e kishte kuptuar ndërlikueshmërinë e politikës ndërkombëtare, kështuqë botën e reduktonte në kombin vetjak, i cili në këtë mënyrë ekziston në zbrazësinë e vet, pra, pasiqë nuk është e mundur në asnjë mënyrë që të anashkalohen apo të mos merren parasysh faktet që pastaj do t’u bien në kokë, me kohë tendenca të tilla u bënë plotësisht kundërproduktive dhe të dëmshme. Unë do të mund të gjendesha sëbashku në të njëjtën birucë të burgut edhe me një çoban, por do të ishte gjë absurde dhe e marrë po të barazohej vlera e një çobani me atë të një politikani në luftën politike për republikën, në çfarëdo lufte politike dhe për cilëndo çështje. Ndërkaq tendenca të tilla për fat të keq kishte mjaft, dhe s’ishin ato vetëm shprehje e synimeve për të më poshtëruar në zemërim e sipër por kryesisht ishin shprehje të një prepotence. Të tillët ndjeheshin aq të ngrefosur e të vetëmjaftueshëm sa që nuk e vinin dot re atë që ishte qenësore në afërsinë e tyre. Mirëpo kjo i përket së shkuarës dhe nuk ka më ndonjë rëndësi, por kanë mbetur si të rëndësishme dy fakte vijuese: e para, se jam njëri ndër themeluesit e Republikës së Kosovës, dhe e dyta, se jam nxitësi, themeluesi dhe bartësi i mendimit të ri politik në Republikën e Kosovës.
     Lidhur me faktin e parë prokurori publik më akuzon se kam dashur ta ndaj me anë të dhunës Kosovën nga Republika e Serbisë. Pasiqë Republika e Serbisë, e njeh de facto Republikën e Kosovës, unë nuk po akuzohem për ndarjen e saj nga Serbia, sepse kjo tek e fundit përbën cakun e gjithë alternativës politike shqiptare në Kosovë, por vetëm për mënyren e realizimit të këtij qëllimi (d.m.th. me anë të dhunës). Rrjedha e gjertanishme e gjykimit ndërkaq e vërtetoi se kjo gjë nuk qëndron dhe as që dua që, hë për hë, të merrem me këtë çështje. Mirëpo dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen gjyqit të nderuar për një varg rrethanash të cilat sipas meje janë qenësore për vlerësimin e këtij rasti.
     a) Për herë të parë, d.m.th. me 1982, kam qenë i dënuar sipas nenit 114 të LPJ me katër vjet burg. Ky dënim pastaj është ndryshuar sipas nenit 133, alinea 1 të LPJ dhe është ulur në 3,5 vjet burg të cilat i kam mbajtur në tërësi nëpër burgjet hetimore të RSFJ-së së atëhershme. Përveç vitit 90-91, (gjithsejt një vit) gjer te ky arrestim i fundit, gjatë gjithë kohës kam qenë plotësisht i izoluar dhe i ostracizuar në fshatin tim të lindjes. Pra, i kam mbajtur më shumë se l2 vjet burg e jo vetëm 9 vjet, sa m’u dhanë në gjykimin e parë. Shteti e di se kjo gjë është e vërtetë, ashtu siç i di dhe mekanizmat me të cilët e ka arritur një gjë të tillë. Zatën kam pasur mundësi edhe ta ndërpres atë izolim, por me çmimin e lëndimit të integritetit të personit tim ose me çmimin e braktisjes së vendit tim. Nuk kam dashur ta bëj as njërën dhe as tjetrën, dhe në këtë mënyrë kam vepruar ashtu siç do të vepronte çdo njeri normal që e do vetveten dhe vendin e vet. Shtetit i mbetet radha që këtë edhe ta pranojë haptazi dhe jo të vazhdojë edhe më tej që të më gjykojë. Me fjalë të tjera, ky ështe gjyqi i katërt që po më bëhet për të njëjtën çështje, të cilën aktakuzat e formulojnë në mënyra të ndryshme, por të cilën ata asnjëherë nuk e argumentojnë dot sepse e vërteta me të vërtetë po fshihet.
     b) Rrethana e dytë për të cilën dëshiroj ta tërheq vërejtjen është e lidhur me politikën e Kosovës. Zatën në qoftë se Republika e Serbisë e njeh de facto Republikën e Kosovës, atëherë funksionimi i saj në formën e këtij gjyqi në territorin e Republikës së Kosovës ose është akt marrëveshjeje midis tyre, ose është akt i dhunimit ndaj kësaj të fundit. Në rastin e parë, d.m.th. në rast se ky gjyq zhvillohet sipas marrëveshjes së tyre, gjë që unë e besoj thellësisht për disa shkaqe të caktuara, duke e marrë parasysh se ekzistenca e një marrëveshjeje të tillë nuk është shpallur botërisht por përkundrazi, e gjithë politika e tyre zhvillohet sipas shenjës së armiqësisë (mbase vetëm në dukje) atëherë me vetë këtë fakt ajo bëhet lëndë për akuzë për shkeljen e ligjeve të veta mbi të drejtën e qytetarëve për informim objektiv. Politikisht kjo do të nënkuptonte një manipulim të thjeshtë me opinionin publik. Se manipulimet e tilla janë fare të mundshme nuk ka nevojë që të provohet në mënyrë të veçantë. Këtë e pranon madje edhe pioneri i mendimit politik modern qytetar Henry Kissinger, në librin e tij më të ri “Mendja e kombit”, nga i cili gazeta “Borba” para një muaji e gjysëm pati mirësinë që t’i përkthejë dhe të na i ofrojë pjesët më interesante. Autori shkruan aty se në Evropën Lindore nacionalizmi shfrytëzohet në luftë kundër komunizmit, ndonëse me këtë ai nuk na thotë ndonjë gjë të re sepse një rregull i tillë është i njohur tash më shumë se 200 vjet. Ndërkaq shteti serb një përvojë të tillë e ka që nga viti 1924, kur në emër të kapitalit evropian, sidomos në emër të kompanive vajgurore Britanike, dhe me ndihmën e pretendentit të më vonshëm për fronin mbretëror të Shqipërisë A. Zogut, e rrëzoi pushtetin demokratik të Fan S. Nolit, i cili ishte njëri nga intelektualët më të mëdhej shqiptarë të të gjitha kohërave, vetëm për faktin se ky mori guxim që në parlamentin shqiptar t’i bëjë nderimin udhëheqësit të madh të revulucionit rus, V.I.Leninit, që kishte vdekur ato ditë. A mos vallë vërtet e kishte me gjithë mend Evropa, se i përndershmi Noli do ta fuste kontrabandë komunizmin në një vend që s’kishte atëbotë kurrfarë klase punëtore, përveç një fshatarësie të varfër, dhe se një komunizëm i tillë hipotetik do ta rrezikonte Evropen dhe rendin e saj? Dhe a mos vallë ky mbret, që nuk është më i gjallë, të jetë nxitur edhe nga ana e nacionalizmit serb që t’u lajkatohet disa qarqeve të caktuara evropiane për ta marrë prej tyre detyrën kujdestare të luftës kundër komunizmit brenda popullit shqiptar? Duket sikur kësaj lufte që nga viti 1981 e këndej iu bashkua edhe një pjesë e caktuar e ish nomenklaturës titiste në Kosovë, dhe duket sikur të gjithë së bashku po merren me gjueti shtrigash, sepse në Kosovë as që kishte pasur ndonjëherë komunizëm të mirëfilltë në aspektin autentik. Dhe në qoftë se çdo intelektual i ndershëm duhet shpallur komunist në mënyrë që të përndiqet, të burgoset e të gjykohet, atëherë shtrohet pyetja se për çfarë sistemi vallë është fjala dhe mos ndoshta nën të po fshihet një luftë e organizuar e mafisë kundër shoqërisë pasiqë s’mund të bëhet fjalë për një luftë të ndytë klasore në kuptim të plotë të fjalës, sepse nuk kishte komunizëm autentik dhe sepse akoma edhe sot nuk ekziston një klasë punëtore vërtet e pjekur në Kosovë.
    Ndërkaq në rastin tjetër, d.m.th. në rast se ky gjykim do të mund të quhet si akt i dhunimit ndaj Republikës së Kosovës, sepse , veç tjerash, po gjykohet njëri ndër themeluesit e saj, atëherë me këtë Republika e Serbisë via facti do të pranonte se është forcë pushtuese dhe se në këtë mënyrë po sillet sipas kriteresh të veçanta të fuqisë pushtuese në përndjekjen, burgosjen dhe gjykimin e qytetarëve lojalë ndaj Republikës së Kosovës, gjë që ajo gjithsesi e refuzon duke deklaruar se ligjet e veta po i zbaton njësoj në të gjithë territorin e saj, gjë të cilën gjithkush mund ta vërë re se nuk i përgjigjet fare të vërtetës.
     c) Momenti i tretë për të cilin dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen këtij gjyqi ka të bëjë me sa vijon: siç e dini, në Kosovë në vitin 1990 u krye Revolucioni Demokratik. Një revolucion i tillë nuk u bë në Serbi sepse ajo ndryshimet demokratike në shoqëri i akceptoi me rrugë institucionale, atëherë kur e shpalli veten si vend me sistem shumëpartiak, me ç’rast e vuri në jetë edhe parlamentin. Për dallim nga ajo, në Kosovë u krye Revulucioni Demokratik. Unë gjithashtu kam qenë njëri ndër aktorët e tij kryesorë. Kam qenë intelektuali i parë i sërës sime që hapur dhe publikisht jam shprehur në favor të sistemit shumëpartiak. E kam bërë këtë në artikullin që u botua me titull “Gishti i trashë i vëllait të madh” në Alternativa nr. 5, 1990, në Lubjanë, ndonëse ai artikull ishte dërguar për botim në revista të tjera qysh në fillim të vitit 1989. Ai ishte shkruar në formë të përgjigjes ndaj disa sulmeve kundër meje në revistën “Intervju” të Beogradit, dhe në gazeten “As” të Sarajevës. Për më shumë se një vit e gjysëm artikulli u lexua nën dorë në të gjitha qendrat e mëdha të RSFJ-së së atëhershme, sepse ua dërgoja për botim. Nuk deshën që ta botonin me kohë për shkak të përparësisë së disa forcave tjera politike që pretendonin të stoliseshin me të, por, natyrisht, pa pasoja politike apo penale për ta. Ndërkaq orientimi im për ndryshime demokratike përbënte një rrjedhim logjik të shkaqeve për të cilat kisha qenë i burgosur më 1981, me një besim plotësisht të sinqertë se në këtë mënyrë do të mund ta shpërtheja izolimin dhe bllokadën mizore që m’u kishte imponuar për nëntë vjet me radhë. Disa funksionarë të lartë të nomenklaturës së atëhershme intelektuale komuniste, të cilët në ndërkohë u bënë edhe funksionarë të të ashtuqujturës nomenklaturë demokratike, më vonë, në mënyrë fare të paturpshme, këtë izolim dhe këtë ostracizëm e quajtën “vetizolim” dhe “autobllokadë”.
     Pastaj më vonë, në një fjalim posthum funeral, tek varri i njërit prej kushërinjve të mi, Halim Hoti, të vrarë me parullën e lirisë dhe të demokracisë në gojë (prej katër të vrarëve në Brestovc, tre ishin të afërm e të njohur të mi) kërkova që të fillonte dialogu për rirregullimin demokratik të shoqërisë. Pas një kohe të caktuar ky dialog edhe do të fillonte, me vizita zyrtarësh nëpër disa fshatra, me braktisjen e LK dhe LSPP-së së atëhershme etj., dhe me anëtarësimin masiv në LDK. Ky fjalim më vonë do të inkorporohej dhe do të botohej në kuadër të artikullit tim të njohur me titull “Bëje ose vdis” (Rev. “Fjala” në dy numra, shkurt 1992). Artikulli ishte i rëndësishëm për faktin se vinte në spikamë thelbin e vërtetë të gandizmit, duke marrë parasysh se artikujt e deriatëhershëm gazetareskë lidhur me këtë fenomen i fyenin kujtimet e mia për miqtë dhe të njohurit e mi të ndjerë nga India, ish-bashkëpuntorë të ngushtë të Mahatma Gandit si Xhai Prakash Narajan dhe Xhagxhivan Rami, ashtu si dhe njohuritë e mia mbi atë problem. Thënë shkurt, asnjë histori objektive e domokracisë moderne në Kosovë, por edhe në Shqipëri (sipas disa të dhënave të pavërtetuara, viktima e pestë e masakrit në fshatin Brestovc, KK Rahovec, ishte nga Shqipëria) nuk mund të shkruhet pa i përmendur ato viktima, (ishin martirët e parë të demokracisë në Kosovë), as dhe duke iu shmangur emrit dhe veprës sime. Nëse është kështu puna , dhe në të vërtet ajo është e tillë, pavarësisht nga fakti se kjo edhe më tej po tentohet për tu relativizuar, madje edhe për tu mohuar, dhe pavarësisht nga lufta që është zhvilluar kundër meje pikërisht nga ana e atyre prej të cilëve pritej mbrojtja ime, atëherë në mënyrë fare legjitime shtrohet një pyetje mbi pyetjet: zatën, nëse ky gjyq është çështje e marrëveshjes midis dy palëve, dhe sipas të gjitha gjasave duket se është, atëherë shtrohet pyetja nëse orientimi i tyre për demokraci është i vërtetë apo i rremë. Ndërkaq nëse ky gjyq është një çështje që i takon vetëm njërës palë, cilat janë vallë ato forca politike që dëshirojnë nulifikimin, d.m.th. zhdukjen e arritjeve të Revolucionit Demokratik si dhe të zhvillimeve demokratike në Kosovë, qoftë dhe nën hipotezën e thënë hapur se LDK-ja është vetëm një reflektim, apo edhe më keq, vetëm një bisht i SPS-sit serb? Dihet tashmë se ato duhet matur edhe me vitet e jetës, edhe me sasinë e djersës dhe të gjakut, edhe me mundësitë e humbura, edhe me shkallën e vetëdijës politike të njerëzve konkretë, siç jam edhe unë vetë. Dhe nëse është kështu, ndërkaq sipas të gjitha gjasave duket se është, si ka mundësi atëherë që institucione të ndryshme të Evroamerikës, të cilat dinë të ngrenë zërin edhe për gjëra më pak të rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në rastin tim reagojnë vetëm formalisht, vetëm sa për të larë gojën, ndonëse edhe vetë gazetat konfirmojnë se që prej shumë kohësh jam një temë tabu. Përse jam temë tabu? Dhe kujt i pengoj në të vërtetë? Nuk do t’i elaboroj më tutje këto pyetje. Vetëm do të konstatoj se është vërtetë një gjë e pikëllueshme të krijosh shtriga artificiale dhe pastaj t’i shpallësh ato si reale. Nuk mund të ketë kurrfarë shtrigash aty ku ato nuk janë dhe ku objektivisht nuk mund të jenë. d) Gjyqit të nderuar do t’ia tërheq vërejtjen edhe për momentin e katërt dhe të fundit që ka të bëjë me këtë gjykim. Zatën, nëse unë si i pandehur para këtij gjyqi ngul këmbë në qëndrimin se Republika e Kosovës ekziston (nuk do të ishte aspak çudi që revolucionet nganjëherë t’i hanë bijtë e vet); se ajo de facto është e njohur nga Republika e Serbisë; se asnjë histori serioze objektive e Republikës së Kosovës, ashtu si historia e mendimit të ri politik në Kosovë, nuk mund t’i injorojë as ngjarjet e vitit 1981, as emrin dhe kontributin tim në to, se këtë nuk mund ta bëjë çfarëdo historie serioze dhe objektive e ndryshimeve moderne, demokratike në këto hapësira, pavarësisht nga rezultati definitiv i zgjidhjeve të gjithëmbarëshme politike në këtë pjesë të Ballkanit, që nuk do të thotë se një gjë e tillë edhe s’mund të bëhet, por që vetë ai veprim, si i tillë, do të ishte akt i një pushteti totalitar. Atëherë do të ishte më e drejtë të thuhej se desha në të vërtetë në njëfarë mënyre, që për shoqërinë nuk ishte e pranueshme, ta çaja këtë bllokadë të neveritshme dhe ta bëja të njohur atë që ekziston si e tillë. Me këtë aktakuza ndoshta do të ishte më e drejtpërdrejtë, më konkrete dhe më e arsyeshme, dhe jo thjesht një përkthim i mjegullt, i thatë dhe i sofistikuar i veprimtarisë sime publike në një vepër të inkriminuar. Do të dija se përse më akuzojnë në të vërtetë dhe do të provoja që të mbrohesha në formën adekuate të drejtpërdrejtë dhe jo në baza hipotetike, siç po veproj tani, në të cilat realiteti duhet të fitojë pamjen dhe pandehmat, sepse zatën, gjithçka po bëhet sikur dikush pas tij dëshiron të konzervojë atë çfarë është në të vërtetë, d.m.th., i paqëndrueshëm dhe jo ashtu siç do të duhej të ishte.
Zonja kryesuese e gjyqit, Zotërinj të kolegjit gjykues,
     Në qoftë se sipas pjesës së parë të aktakuzës do të duhej të isha anëtar i LPRK-së, si një instrument politik për realizimin e Republikës së Kosovës, sepse një individ i vetmuar nuk e bën dot një gjë të tillë, atëherë sipas pjesës së saj të dytë, ose sipas pikës së dytë të të njëjtit dokument, akuzohem se në cilësinë e Kryetarit të UNIKOMB-it, d.m.th. të një partie që ka në program bashkimin e kombit, kam dashur t’ia bashkoj Republikën e Kosovës Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë aktakuza bëhet e plotë, duke i shtuar veç tjerash edhe mjetin e dhunës, por tani në aspektin e ilegalitetit të UNIKOMB-it, për të cilin, siç u pa gjatë shqyrtimit, doli se është krejtësisht në rregull sipas sistemit të paraqitjeve, është regjistruar në organin kompetent përkatës të RSFJ-së së atëhershme, ashtu si edhe LDK-ja. Kjo e dhënë është shumë interesante nga aspekti politik dhe më duhet të pranoj se unë dyshoja me vete se ndoshta edhe ishte e mundur një gjë e tillë, dhe mendoja se megjithatë do të bëja një punë të dobishme sikur të mund ta legalizoja këtë parti njësoj si LDK-në. Mendimet e tilla ndërkaq i mbaja për vete, ndërsa para opinionit dilja sikur besoja plotësisht se ajo ishte e regjistruar, dhe tani u provua se kishte qenë. Dhe ky fakt më gëzoi, jo për shkak të aktakuzës, por për shkak se askush nuk doli gënjeshtar. Si një tërësi, aktakuza sikur përmbledh një rrugë të kaluar që nga viti 1981 gjer më sot. Në këtë kuadër argumentimi kishte mbetur i njëllojtë sikur të ishte ngurtësuar që atëherë: “Ju e doni republikën që t’i bashkoheni Shqipërisë.” Unë isha ndër njerëzit e rrallë që një argumentim të tillë nuk e kam besuar kurrë. Kam qenë profesor i politikës ndërkombëtare i cili në Qendrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por edhe në Qendrën për studime strategjike ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit në SHBA, jam specializuar pikërisht në temën e reflektimeve të politikave globale në regjione të ngushta siç janë p.sh. Ballkani, Indokina ose Lindja e Afërt. Isha autor i një libërthi të vogël mbi “Lufën e ftohtë dhe detantin” në të cilin temë qendrore ishin marrëveshjet e Helsinkit të vitit l975, por e kisha edhe përvojën e një burrështeti. Me fjalë të tjera, e dija se nuk është i mundur ndrrimi i kufijve ndërkombëtarë pa luftë, kundër së cilës do të ngrihej gjithë bashkësia ndërkombëtare. Ndërkaq pikërisht ky problem përbënte temën qendrore të disertacionit tim të doktoranturës. E njihja jashtëzakonisht mirë atë problem që ta besoja ashtu kot një argumentim të tillë. Pikërisht për këtë shkak argumentimi im shkonte në drejtim të kundërt. Pra unë pohoja se Republika e Kosovës i kontribuon forcimit të Jugosllavisë por edhe sigurisë së Shqipërisë; se ajo s’mund të ishte kundër politikës globale të SHBA-ve dhe as të BRSS-së së atëhershme; se është kështu në thelb, imponon edhe e drejta demokratike e popullit shqiptar për zhvillim më të shpejtuar (që përbënte anën ekonomike të çështjes) dhe për barazi me të tjerët (anën politike të çështjes). Në këtë kohë (janar-mars 1982) ndodhesha nën hetime në Beograd. Më ishte bërë e njohur se në Beograd, njëri pas tjetrit, në një distancë të shkurtër kohe, kishin ardhur Vjencesbergeri – Sekretari amerikan i mbrojtjes, dhe Andrej Gromiko, shefi i diplomacisë së BRSS-së së atëhershme, dhe se ata në të vërtetë e kishin aprovuar argumentimin tim në favor të Republikës së Kosovës. Pak kohë pas kësaj kam qenë i transferuar në burgun e Mitrovicës së Kosovës. Gjatë ndryshimeve demokratike në fillim të këtij dhjetëvjeçari edhe më tej kam insistuar në opcionin jugosllav të Republikës së Kosovës. Vlerësoja se një gjë e tillë nuk do ta shtynte më larg perspektivën e bashkimit me Shqipërinë; që procesi i një bashkimi të tillë do të duhej zhvilluar me rrugë institucionale dhe që Republika e Kosovës do të duhej të ishte në funksion të këtij bashkimi. UDB-ja e kishte sekuestruar një artikull timin studimor lidhur me ato probleme, i cili i dedikohej inteligjencisë së lartë politike të Kosovës. Ai titullohej “Për një politikë unike dhe pa ekuivoke”. Me të do të duhej hapur diskutimi në nivel të tillë për orientimin e mëtejshëm të forcave politike të Kosovës, por kjo ligjëratë nuk u mbajt për shkak të, siç mu tha mua atëherë, të ftohtit të madh që mbretëronte në lokalet e Institutit Albanologjik, d.m.th. se Institutit i mungonte ngrohja. Mirëpo problemet vazhdonin të mbeteshin edhe më tej. Është interesant se si në këtë periudhë (1990-94) u zhvillua një luftë e vërtetë psikologjike e mekanizmave të shtetit e të pushtetit kundër meje. Akuza themelore në këtë luftë të pakompromis dhe të njëanëshme, e cila nga ana e aktivistëve të ndryshëm, madje edhe me tituj profesorësh universitarë, shqyrtohej nëpër oda private nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës, ishte në të vërtetë krejt e kundërt me akuzën e tanishme të prokurorit në këtë gjyq. Thuhej zatën se unë kisha qenë kundër bashkimit me Shqipërinë, bile edhe se unë po e pengoja atë bashkim. U tha dhe u bë shumëçka kundër meje atëbotë, por unë mendoja se është fjala për luftën e disa grupeve për pushtet dhe jo për luftën drejt avancimit të pozitës së Kosovës. Çuditërisht, askush nuk më mbronte në mënyrë të hapur as në Kosovë, as në Shqipëri, as në ish-Jugosllavinë, as në Serbi prandaj as në Evropë. Ndjehesha absolutisht i vetmuar dhe erdha gjer në konkluzionin se në të vërtetë atë Jugosllavi nuk e donte askush. Më çudiste vrazhdësia, intensiteti dhe vëllimi i një lufte të tillë. Kam qenë i shtyrë pothuajse gjer në prak të çmendurisë e të vdekjes, por pikërisht ky fakt më bindi se shkaku i kësaj lufte s’mund të ishte vetëm lufta për pushtet. E dija se ndaheshim rreth vlerësimit të ngjarjeve të vitit 1981, rreth vlerësimit të prioritetit të vendit dhe të subjektit të ndryshimeve demokratike nga viti 1990, rreth vlerësimit të fenomenit të gandizmit dhe të politikës së përditshme; rreth dhënies së përparësisë një numri të caktuar bartësish të ndryshimeve dhe të ngjashme, por e tërë kjo nuk mjaftonte që njeriu thjesht të ekskomunikohej nga bashkësia njerëzore. Për diçka të tillë duhej të ekzistonin shkaqe më të thella të cilat në të vërtetë edhe ekzistonin: ato gjithmonë vërtiteshin rreth bashkimit shqiptar dhe mendoj se është kohë e fundit që këtë çështje tani ta sqaroj në tërësi:
    Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Me rastin e pranimit tek Zonja Rosalyn Carter në Washington DC kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA, dhe mendoj se me kontributin tim nëpër ato tubime dhe ligjërata kam krijuar emrin tim, përkatësisht, emrin dhe identitetin tim amerikan, i cili ishte i njëjtë me emrin tim këtu, por tani i njohur edhe atje. I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike që nga një kabinet i stërmadh me makina shkrimi, ordinatorë, telefona, gjer ke ndihma skofiare e dy sekretareshave që punonin në prag të dyerve të zyrës sime. Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që m’u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. Tani kjo është e qartë. Prandaj, ndonëse duket e çuditshme për shkak të vendit dhe të kohës në të cilën po e bëj këtë, shfrytëzoj rastin që me gjithë zemër ta falenderoj qeverinë e SHBA-ve për qëndrimin tim atje gjatë vitit shkollor 1977-78. Mendoj se nuk është vonë, sepse këtë po e bëj sinqerisht dhe jo vetëm formalisht. Ajo është një qeveri e një vendi të madh, e një populli të mrekullueshëm me mundësi të pakufizuara. Këtë e bëj sinqerisht edhe për shkak se qeveria e këtij populli të madh, dhe e këtij vendi të madh, as përpara, as atëherë dhe as më vonë, kurrëndonjëherë me asgjë nuk e ka kushtëzuar qëndrimin tim atje. Asnjëherë nuk ka kërkuar çfarëdo shërbimi prej meje dhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte me mua. Një gjë e tillë natyrisht imponon respekt. Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. Në të gjitha pyetjet e mia lidhur me këtë çështje ata nuk kishin përgjigje. Literatura e tyre politike si dhe literatura e historisë politike i shmangej përgjigjeve në këto pyetje. Madje edhe Robert Lee Wolf, një autor i vjetër i studimeve të famshme për Luftën e Dytë Botërore në këtë pjesë të Ballkanit, në studimet e veta i është shmangur përgjigjes në pyetjet e mia. Të njejtën gjë e ka bërë edhe Hans Morgenthao (babai i teorive politike ndërkombëtare amerikane); Jeremy Israel, nga Universiteti i Çikagos, Steven Burg , gjithashtu nga Çikago, Dov Ronen nga Harwardi, Erik Hamp nga Çikago e të tjerë. Të gjithë ata e dinin se kam qenë në detyrën e ministrit regjional në një krahinë potencialisht eksplozive të Kosovës dhe që të gjithë ata i shmangeshin me urtësi temave “të nxehta”. Ndërkaq Steven Larabee, një njeri inteligjent i moshës sime, me të cilin edhe shoqërohesha më së shumti dhe i cili atëherë ishte caktuar në Stejt Department në detyrën e shefit të Drejtorisë për Ballkanin, madje edhe ai i shmangej bisedave serioze në këtë temë. Nuk e di se përse e ka braktisur Stejt Departmentin dhe ka shkuar në Institucionin “Rand” pas arrestimit tim të parë, por e di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA. Disa pjesë të caktuara, sidomos ato të bashkuara rreth Legalitetit, një parti zogiste që kërkonte kthimin e Leka Zogut në fronin e Shqipërisë, gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot, si dhe pjesë të caktuara të Ballit Kombëtar, të bashkuara rreth Xhafer Devës, flisnin, por edhe shkruanin, se me shumë dëshirë do t’ia hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil Hoxhës. Ata mendonin se këta ishin fajtorë për mosbashkimin e Shqipërisë menjëherë pasë luftës. Nuk i përgjigjeshin dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria se sa Kosova apo Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e autorëve tanë në këto pyetje që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë e fajësojnë ish-regjimin komunist në Shqipëri, sipas logjikës së shtetësisë: “ata ishin shtet dhe jo ne.” Nuk është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv. Nuk ishte e vështirë që të konkludoja se një rezonim i tillë i emigracionit shqiptar në atë kohë ishte në realitet thjesht një reflektim i disponimit antikomunist të administratës amerikane e cila nuk kishte asnjë lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Lidhur me këtë çështje ata rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. Ata e dinin se qëndrimi i Kominternës (Internacionales Komuniste) lidhur më këtë çështje, që nga viti 1926 e këtej, deri te Kongresi i V i PKJ me 1941, ishte që Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë, prandaj ranë në konkluzionin e kundërt d.m.th. se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishave sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin. Lidhur më këtë ndonjëri prej tyre fliste hapur si me shaka. I kuptoja mirë atëherë parametrat e arsyetimeve të tyre sipas të cilëve gjithçka ishte e shndërruar në kuantitet, por nuk mund të them edhe se më pëlqente një gjë e tillë. Edhe më pak më pëlqente realiteti ynë politik i cili ato pyetje, me metodën e raprezaljeve policore, i kishte shpallur si tema tabu. U desh tepër shumë kohë, punë, djersë dhe gjak që këto çështje më në fund të hapeshin. Qysh atëherë e kisha fituar përshtypjen se autonomia e Kosovës në ish-Jugosllavinë titiste ishte në të vërtetë refleksion i ndeshjes së dy politikave globale pas të cilave qëndronin dy shoqëri globale dhe ky fakt më pati tronditur. Duke mos u futur më thellë në elaborimin e zbulimeve lidhur më këtë pyetje, duke iu drejtuar këtij gjyqi, vetëm mund t’i theksoj bindjet e mia të cilat s’janë obligative për askend, por të cilat përmbajnë kërkesën që lidhur me këto të mendohet, madje edhe nga ana e qeverisë së SHBA-ve në Washington, apo qeverisë Ruse në Moskë, në Beograd, Tiranë apo në Prishtinë:
    Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët. Kur u bë një gjë e tillë në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane në Londër, premieri i atëhershëm britanik, sër Edward Grey, që e kryesonte atëbotë atë konferencë, pati deklaruar publikisht se ishin të detyruar që ta flijonin këtë popull për shkak të ruajtjes së paqes evropiane. Mirëpo paqja me këtë nuk u ruajt as atëherë dhe as më vonë. Misionarë të ndryshëm të Lidhjes së Kombeve nga ajo kohë (1919-20) i propozonin popullit shqiptar që gjeniun e vet krijues ta orientonte në drejtim të rritës së brendëshme e të krijimit, ndërkaq Evropa, nga ana e vet, do të dinte që këtë gjë në një kohë të caktuar ta shpërblente. Ai një gjë të tillë e bëri. Dekada të tëra ai e duroi me dinjitet politikën e asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik të regjimeve të ndryshme serbe. Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë më se 240 000 njerëz. Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë të cilëve iu bashkuan edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve e të dëbuarve, por ai sillet diku rreth dhjetëra mijërave. Shkenca bën të njohur se vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, janë vrarë më shumë se 40 000 shqiptarë. Ekzistojnë madje edhe marrëveshje ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi si turq, por Evropa pati heshtur. Asnjëherë nuk i pati gjykuar, ndonëse ua pati premtuar shqiptarëve mbrojtjen e vet.
     Ne e dijmë që kufijtë ndërkombëtarë Evropa i ka shpallur të pandryshueshëm, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të tyre me pranimin e palëve të interesuara. Prandaj bashkimi i popullit shqiptar duhet të realizohet në rrugë institucionale dhe me metoda demokratike. Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i Berlinit -1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2 në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë km2 në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.
     Në luftën e vet për bashkimin e tij, populli shqiptar ka të drejtë të presë ndihmë jo vetëm nga Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por pikë së pari prej atyre popujve të ish-Jugosllavisë me të cilët ka jetuar bashkërisht, dhe në rend të parë nga serbët. Serbët duhet ta kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar. Ata që e njohin mirë historinë sigurisht që tashmë e kanë kuptuar se gjer me ardhjen e turqve në këto hapësira nuk kishte dominim të njërit mbi tjetrin. Me pranimin e islamizmit nga ana e feudalëve shqiptarë dhe me inkuadrimin e tyre në sitemin turk të administrimit, ka ardhur deri te një proces të cilin serbët kanë mundur ta kuptojnë si dominim të shqiptarëve mbi ta, gjë që s’ishte e vërtetë, sepse inkuadrimi në sistemin e administrimit të Perandorisë Turke dhe pranimi i religjionit islamik nuk ishte vetëm një veçori shqiptare. Me largimin e turqve nga Ballkani, me forcimin e Rusisë dhe pastaj edhe të ish-BRSS-së, në fillim erdhi gjer ke ndarja e popullit dhe e territorit shqiptar, pastaj edhe tek një politikë e gjenocidit sui generis ndaj shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit të tyre. Që nga viti 1844, d.m.th. që nga “Naçertania” e Ilia Garashaninit dhe gjer më sot, politika serbe ndaj shqiptarëve ishte në thelb sub-imperialiste. Ajo ka shkuar linjës së nënçmimit dhe të denigrimit të shtetit shqiptar si dhe të asimilimit të dhunshëm të popullatës shqiptare nën jurisdiksionin e saj. Me fjalë të tjera, forcimi i animozitetit shqiptaro-serb apo serbo-shqiptar ka qenë gjithmonë i lidhur me ndryshimet në rrethimin e tyre ndërkombëtar.
    Në pjesën I të artikullit tim studimor “Viti 81 dhe proceset e demokracisë” pastaj dhe në pjesën II të artikullit “Bëje ose vdis” (Alternativa 7/8, 1991, dhe “Fjala”, mars 1992) unë jam përpjekur të përkujtoj se këta dy popuj gjenden në një nivel të përafërt ose të njëjtë të madhësisë demografike, dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Pa ndikimin e jashtëm historia e tyre do të mund të zhvillohej në drejtim të rivalitetit të shëndoshë në bashkëpunim dhe në zhvillim. Për këtë shkak gjithmonë kam insistuar që politika të heq dorë nga instrumentalizimi i vet për interesa të huaja. Mirëpo me politikën e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve Serbia sikur synon t’i detyrojë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre legjitime dhe nga aspiratat e tyre historike. Kjo sikur arsyetohet me faktin nga që edhe asaj vetë i është e qartë tashmë se një politikë e tillë është absurde dhe jashtë kohës. Me ritualizimin e vrasjeve, siç ndodhi me rastin e Hasan Ramadanit nga fshati Shajkovc, të cilin e përshkruan shtypi në gjuhën shqipe, nuk mund të arrihet asgjë pozitive. Ritualizimi i vrasjeve ka qenë veçori e kanibalizmit, ndërkaq dihet se ai është çrrënjosur. Vdekjet janë tragjike me faktin se na përkujtojnë përkohshmërinë e jetës sonë. Për këtë shkak indiferentizmi ndaj jetës njerëzore nuk mund të jetë përmbajtje e asnjë lloj politike dhe e asnjë ardhmërie. Për këtë shkak politika që ndalet në gjykimin formal të rasteve të tilla, ndërsa më vonë prej tyre, me të gjitha mjetet e mundshme përpiqet të kapitalizojë dhe të mbledhë poena për veten, një politikë e tillë, e cila, veç tjerash, mbështetet ekskluzivisht në faktorët e jashtëm në dëm të faktorit të brendshëm, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me popullin shqiptar. Në qoftë se ajo nuk është shprehje e tradhtisë së interesave nacionale atëherë ajo është edhe vetë viktimë e ndonjë komploti, gjë që nuk e zvogëlon përgjegjësinë e saj për gabimet dhe për lëshimet e bëra. Mirëpo, gjykuar sipas faktit se si njëra më arreston e tjetra më sulmon vetëm për shkak se unë po insistoj në zbulimin e së vërtetës dhe të vërtetave, është shumë afër mendësh se politikat e tilla në të dy anët synojnë në zgjidhje shumë specifike dhe të përcaktuara në këtë pjesë të Ballkanit. Përndryshe, përse si këtu ashtu edhe në Shqipëri po burgoset dhe po gjykohet një profil shumë i përcaktuar intelektualësh, pikërisht ai që ka përvojë të caktuar prej burrështeti, nën akuza që tingëllojnë cinike, dhe që nuk i kanë hije askujt, as kohës dhe as vendit?
 VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura