(Pashtriku.org, 25. 2012) – Më 4 gusht 2012, në Prishtinë – nën patronatin e Ministris së Diasporës (Departamenti për Kulturë) bëhet promovimi i romanit të shkrimtarit Fatmir Brajshori “Toplica, një foshnjë mbi Berlin”. Libri është botuar nga SHB “NOSITI” në Prishtinë (2011) dhe i ka 342 faqe. Në libër shpërfaqen ngjarjet më dramatike të historisë sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shek.XIX.
Në të vërtet në këtë roman, pasqyrohet në mënyrë të argumentuar, shpërngulja e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit nga trojet e tyre stërgjyshore, (në fund të vitit 1877 dhe në muajt e parë të vitit 1878) me dhunë nga regjimi pushtues serbë i obrenoviqëve. Në Roman përshkruhet fati i një Familjeje shqiptare, që nga fillimi i shpërnguljes së saj me dhunë nga shtëpia dhe toka e tyre e lashtë, vendosjen në brendi të Kosovës, peripetit e shumta për mbijetesë, për të arritur kulminacionin me epilogun ku sipërfaqësohet, trashëgimia e familjes dhe fati po thuajse i njejtë, i brezave të ardhshëm të cilët përjetuan të njejtin gjenocid e terror në fund të shek. XX – (1998 – 1999).
Autori i librit Fatmir Brajshori
___________________________
Fatmir Brajshori u lind në vitin 1964 në Prishtinë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1990 diplomoi në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore në Prishtinë. Për bindjet e tija politike, ishte përndjekur nga pushtuesi serb dhe ishte arrestuar dy herë; në vitin 1981 dhe në vitin 1993. Fatmir Brajshori që nga viti 1986 e gjer në vitin 1993 ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i së përditshmës “Rilindja” gjegjësisht “Bujku” dhe për një kohë edhe i “Fokusit”. Ai, së bashku me shokë të ilegalës, ka nxjerrë fletushkën “Rruga e Lirisë”, ndërsa ishte korrespodent i “Zërit të Kosovës”, për shumë kohë nga Prishtina (gjatë viteve të 90-ta), dhe më vonë bëhet anëtar i redaksis së ZiK-ut në Zvicër.
Kopertina e librit: “Toplica, një foshnjë mbi Berlin”.
_______________________________
Në vitin 1989 nxjerrë, së bashku me shokë, një numër të fletushkës ilegale me titull “Minatori”. Po ashtu, ka qenë edhe bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi”. Fatmir Brajshori mirret kryesisht me prozë dhe publicistikë. Në vitin 1996 ka botuar romanin e parë “Udha e Blirëve”, ndërkaq “Toplica, një foshnjë mbi Berlin” është romani i tij i dytë. Fatmir Brajshori në periudha të ndryshme kohore, e në konkurse të shumta Letrare, është shpërblyer me çmime të para, për tregimet e shkruara, si; “Xhaxhi si është Moti”, “Ajo iku bashkë me ne”, “Jehona e një Aksioni”, “Epopeja e Kodrës së Diellit” etj. Ka në dorëshkrim, edhe dy romane dhe një përmbledhje me tregime, ndërsa së shpejti pritet të dalë nga shtypi, libri i tij Publicistik me titull: “Bacë, a u krye?”. Fatmir Brajshori që nga viti 1994 jeton dhe vepron në Cyrih të Zvicrës…
(Nga Sh.Berisha, kryeredaktori i pashtriku.org