EDLIRA DEDJA: TENORI SHQIPTAR SAIMIR PIRGU MË I MEDIATIZUAR SE KURRË

Zürich, 03. 02. 2014 – (A do ta kishte lejuar çensura e nje vendi jo demokratik kete produksion te ri te «Rigoletos 2013»?) – Kompozuar në vitin 1851 brënda 40 ditëve, opera «Rigoletto» i përket triptikut gjenialverdian të periudhës së pjekurisë krijuese të autorit, së bashku me «Trovatoren» dhe «Traviaten». Libretisti i tij, Francesco Maria Piave u mbështet në dramën e Victor Hygo-së «Mbretizbavitet», premiera e së cilës u shfaq në «Komedinë Franceze» në nëntor të vitit 1832 dhe u ndalua menjëhere të nesërmen nga çensura, për shkak se historia prekte direkt mbretin e Francës dhe oborrin e tij. Me gjithë përpjekjet e Viktor Hygo-së për rehabilitimin e veprës, drama nuk e pa më dritën e skenës. Nga ana tjetër, Verdi dhe Piave, për t’i shpëtuar çensurës së autoriteteve austro-hungareze në Italinë e asaj periudhe, u detyruan ta çvendosin aksionin dhe personazhet e Hygo-it në pallatin dukal tëMantovës.
– A ishte thjesht vetëm zbavitja dhe kënaqësia estetike e spektatorëve për të cilën kishin menduar më parë Hugo-i e pas tij, Verdi et Piave?
– Apo mos ndoshta, përtej emocioneve të muzikës sublime, tekstit të saj e mbas të qeshurës groteske të personazheve, të bëhej një reflektim serioz mbi abuzimin e pushtetit absolut, që kjo të ngjallte tek njerëzit revoltën kundër padrejtësisë së kushteve sociale në të cilat ndodheshin?

– Tenori i famshëm Saimir Pirgu –

Në qoftëse Hygo, Piave dhe Verdi zgjodhën ta vendosin intrigën në të kaluarën, a do të ishte legjitime sot të aktualizohej vënia e saj në skenë, për të përcjellë një mesazh të ri, bashkëkohor e shumë të dobishëm për shoqërinë? Viktor Hygo zgjodhi oborrin e Francës, Piave e Verdi pallatin dukal të Mantovës, ndërsa producentët e Zurich-ut e rivendosën kësaj here historinë në një kontekst krejt tjetër, në ditët tona, në tryezën e një Parlamenti modern apo të një keshilli ministrash, në një vend ku pushteti është absolut vetëm në duart e një personi të vetëm, i cili rrethohet nga një bandë servilësh, indiferentësh, frikacakësh e sahanlëpirësish, që bëhen institucioni i përligjur i një krimi që më pas bie pamëshirshëm mbi kokat e tyre.
Për të qënë e suksesshme vënia moderne në skenë e një vepre madhore si Rigoletto, që përcjell prej dy shekujsh mesazhe të mëdha, kërkon një analizë të thellë jo vetëm për t’i nxjerrë në pah idetë e saj, por mbi të gjitha, për t’i ruajtur e përcjellë ato gjithnjë e më aktuale për publikun. Gjetjet e reja regjisoriale mund të shërbejnë që përveç aspektit estetik, artistik apo historik, ato të përcjellin edhe mesazhe të mëdha në shërbim të shoqërisë. Të modifikosh apo të kundërthuash gjëra të përcaktuara më parë prej autorëve, është një demarsh që mund të justifikohet vetëm me arsye tepër të forta dhe me gjetje regjisoriale të ralizuara në mënyrë të përsosur, duke prezervuar nga ana tjetër, të gjitha diferencat dhe statusin social të personazheve.
* * *
Pse zgjodha pikërisht analizën e kësaj kryevepre të lirikës, për të folur për një nga sukseset e kohëve të fundit të tenorit shqiptar me famë boterore, Saimir Pirgu?
Jo sepse ky ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit për të, pasi axhenda e tij e 2012-tës përfshin bashkëpunime me emra të mëdhenj si Franco Zeffireli, Riccardo Muti, Nicolaus Harnoncourt, Philippe Jordan, etj.; skena të mëdha si Arena e Veronës, operat shtetërore të Vienës, Berlinit, Parisit, Barcelonës, San Franciskos, Buenos Aires… por sepse në këtë prodhim të ri të Operës së Zurich-ut kishte një mesazh të veçantë që u përcoll tek publikui gjerë përmes skenës; mesazh që ngjalli shumë debate, duartrokitje dhe kundërshtime, shkrime e artikuj, intervista dhe emisione televizive.
Opera, sipas kritikës së nesërme, ishte e përfshirë totalisht nga sharmi i 3 solistëve kryesorë, Saimir Pirgut, Aleksandra Kurzak e Quinn Kelsey, të cilët i transmetuan publikut emocione të mëdha nëpërmjet vokalit dhe lojës mjeshtërore, ku ndërthureshin njëkohësisht pafajësia, mashtrimi, tradhëtia, mallkimi dhe pamundësia e mbrojtjes prindërore. Vendojsa e ngjarjes në kohët moderne, i dha ngjyra të reja tre personazheve kryesorë, krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim më parë, duke evidentuar edhe më shumë anën vokale, e cila ishte mbulesa më e mirë e dekorit pothuajse të zbrazët skenik.

—————————

Saimir Pirgu, Opernstar in Rigoletto – Opernhaus Zurich.

Notat e para të uverturës tragjike të operës krijuan në sallë një gjëndje të akullt.
Është pikërsiht momenti kur spektatori nis të reflektojë mbi atë që do të ndodhë më pas. Një histori e dhimshme, ku Verdi alternon lotët dhe të qeshurën me një forcë krijuese të paparë deri atëherë; me një personazh të një personaliteti të dyfishtë: atë të një gungaçi që ka humbur gruan e është i detyruar të mbijetojë duke bërë kllounin e paskrupullt pranë një arisokrati të ri e mizor, e nga ana tjetër, atë të një babai të dhimsur për vajzën e tij të vetme, që për shkak të frikës, e detyron të jetojë e izoluar midis kishës e shtëpisë së saj…
Perdja hapet dhe spektatorit i vret sytë drita gri e një skene pothuajse të boshatisur, mbi të cilën ndodhet vetëm një tryezë e madhe dhe e gjërë, rrethuar me karrige të rënda, e cila do ta mbushë dekorin e operës deri në mbarimin e aktit të tretë e të fundit të saj.
– Ç’të jetë vallë kjo tryezë ku qëndron i ulur me kapadaillëk një burrë i ri e i bukur, arrogant në pamje e me këmbët sipër saj?
– Kush janë vallë ata burra që turren të zenë vend nëpër karriget përreth, duke bërë kujdes të mos e shqetësojnë padronin e ri?!
Pallati lluksoz i Dukës së Mantovës është zëvëndësuar me këtë tryezë të zbrazët ku gatuhet një zullum i ri, modern e bashkëkohor, ku duket se luhen kartat e politikës së një vëndi pa emër por që çuditërisht e njohin të gjithë.
Duka i Mantovës, në këtë rast nuk është më arisokrati i rrethuar nga lluksi i shfrenuar i pallatit dukal, por një personazh i një epoke tjetër; i sigurt e arrogant, ndoshta ministër apo kryetar parlamenti, ai rrethohet nga vartës të përulur e servile, përqark një tryeze ku gatuhen marrëzitë, intrigat dhe krimet më të mëdha ndaj viktimave të shoqërisë.
E Rigoletto?
Është e pamundur të kërkosh një bufon në shekullin e XXI apo një figurë analoge me të. Ai nuk është më bufoni gungaç e zbavitës, por një njeri i rëndomë në pamje; një zyrtar që nuk qesh, një servil i padronit të tij që shtyp e dhunon në emër të pushtetit absolut çdo vlerë njerëzore me arrogancë e ligesi, duke nënshtruar pa mëshirë kundërshtarët e patronit të tij.
Me një zë të bukur, herë të fuqishëm e herë melodioz, tenori Saimir Pirgu shpalos nëpëmjet një loje aktoriale të rrallë, tiparet e një Duke arrogant, më të paskrupullt, më mizor e më imoral se kurrë. Epshet e papërmbajtura të këtij padroni të ri duket se nuk kanë më asnjë kufi. Të duket sikur Pirgu e njeh mirë këtë personazh dhe loja e tij rrjedh natyrshëm, duke mos e lënë indiferent spektatorin në sallë. Si në aktrim, ashtu edhe në nuancat më të holla vokale, shpaloset oreksi i madh i një diktatori në pushtet për aventura të shfrenuara, të cilat e implikojnë gjithnjë e më shumë në ndërmarrje të mynxyrshme e imorale, të mbështetura nga vartësi i tij Rigoletto. Zëri i Pirgut kapërcen me mjeshtëri regjistra të ndryshëm emocionalë, duke nisur nga lirika e arieve, duetit dhe kuartetit, në elegancën e këngës «La donna e mobile» e deri në tonet më të larta të të aktit të dytë.
Ndërkohë, Rigoletto jeton në çdo moment me ankthin e mallkimit për gjuhën e tij të pamëshirshme ndaj viktimave të së shkuarës. Në fund të operës, mallkimi bie mbi Gildën, vajzën e tij të vetme, këtij thesari që ai e kishte kultivuar me xhelozinë më të madhe, larg botës së pamëshirshme të krimit dhe vesit. Gilda do të ishte njëkohësisht dobësia dhe ndëshkimi i tij. Ashtu si edhe viktimat e tjera, ajo do të ndiqej prej Dukës, për t’u rrëmbyer më pas me dorën e vetë Rigoletto-s, që beson në rrëmbimin e një tjetër vajze të re. Gilda zgjedh të vdesë vetë nga dora e vrasësit që kishte paguar babai i saj, për të shpetuar Dukën, njeriun që aq pafajësisht i fali dashurinë e saj.
Por edhe në këtë rast nuk do të jetë Sparafuçile ai që do ta kryejë vrasjen, si në çdo version tjetër të mëparshëm të kësaj opere. Vrasësi me pagesë nuk ka më armë në dorë. Në këtë rast, ai është vetëm një spektator apo një dëshmimtar i një krimi kolektiv; ose më mirë, një gjyqtar që e pranon krimin dhe e vret viktimën për herë të dytë me indiferencën e tij. Në krah të tij qëndrojnë obortarët, deputetët apo ministrat, kjo turmë qorre që s’sheh më larg hundës së vet, por që përpiqet të përfitojë ofiqe duke i shërbyer një padroni të egër e barbar, që herë i shtyp e herë qesh me përulësinë e tyre. Ky grup njerëzish parazitë që qëndrojnë të palëvizur deri në fund të operës, indiferentë dhe të ftohtë përpara tragjedisë që zhvillohet përpara syve të tyre, është pa dyshim institucioni i vërtetë i krimit që mban diktatorin nëpushtet; janë varrëmihësit e shoqërisë që u dha mundësinë dhe fuqinë për të qëndruar rreth asaj tryeze zullumi; janë tehu i thikës që nesër do të ngulet në gjoksin e fëmijëve të vet!

* * *
Shfaqja u duartrokit gjatë për lojën brilante të treshes Pirgu – Kurzak – Kelsey. Solistët ishin në një formë skenike dhe vokale të shkëlqyer, e cila u dallua edhe në duetet dhe kuartetin final, një nga faqet më të bukura të muzikës operistike botërore, per të cilin Viktor Hygo është shprehur: «Edhe unë, po të kisha patur mundësi t’i bëja të flisnin në të njëjtën kohë katër personazhe, që publiku të kuptonte fjalët dhe ndjenjat e tyre të kundërta, ashtu si Verdi në këtë kuartet, do të kisha korrur të njëjtin sukses».
Duartrokitje frenetike e shoqëruan përfundimin e premierës së Rigoletto-s në 3 shkurt të këtij viti (2013) në operën e Zurich-ut. Duartrokitje, mes të cilave u ndjenë aty-këtu edhe zëra kundërshtarësh, që më pas u mbytën nga ovacionet e publikut. Ishte një shfaqje e re që na bëri të gjithëve ta «ri-duam» këtë perlë të trashëgimisë botërore të lirikës.
Ndërsa mua, artistes që kishte kaluar rininë nën prangat e një rregjimi totalitar, ku ishte e ndaluar çdo liri e shprehjes dhe e mendimit të lirë, më erdhi nëpër mënd pyetja: A do ta kishte lejuar çensura e një vendi jo demokratik këtë produksion të ri të «Rigoletos 2013»?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

XHORXH GORDON BAJRONI

Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes XHORXH GORDON BAJRONI Nga Xhelal Zejneli                                           Xhroxh Gordon Bajroni (George Gordon…