PASHTRIKU: ‘ORA E LIDHJES’ – NË 134 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

 (Pashtriku.org, 13. 06. 2012) – Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës organizoi në Prizren për të tretën herë festivalin ndërkombëtar tradicional të poezisë “Drini poetik”, ku morën pjesë rreth njëqind poetë e studiues nga të gjitha viset shqiptare si dhe mysafirë, poetë – artistë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Të shtunën (më 9 qershor) u organizua përurimi i antologjisë “Tingujt e erës”/ poezi bashkëkohore amerikane, e autores Lediana Stillo dhe në këtë kuadër u paraqitën edhe poetët e artistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dejv Brinks (Dave Brinks) dhe Ian Thal. Me krijimet e veta para publikut u paraqit edhe poeti artist nga Franca Yvan Tetelbom. Paraqitjet e tyre ishin të veçanta për spektatorët që ndoqën këtë prezantim.

________________________

Në mbrëmje, në “Lirën magjike”, punimet e tyre poetike i lexuan më shumë se dyzet poetë, kurse të nesërmen (më 10 qershor) u mbajt edhe “Ora e Lidhjes” te Sheshi i Lidhjes së Prizrenit, si dhe ora letrare “Valët e Drinit” në Kukës, që do të jetë tradicionale, ku punimet e tyre i lexuan anëtarë të LSHK-së dhe poetë nga Kukësi e rrethina. Në kuadër të “Drinit poetik” u mbajt edhe sesioni letrar “Letërsia shqipe dhe 100-vjetori i Pavarësisë”, të cilin me një fjalë rasti e hapi Adem Demaçi, kryetar i LSHK-së. Kumtesat e tyre i lexuan pesëmbëdhjetë studiues nga Republika e Kosovës, nga Republika e Shqipërisë dhe nga Maqedonia. Juria e festivalit “Drini poetik” paraqiti edhe laureatët e këtij manifestimi për poezitë më të mira. Çmimin e parë, përkatësisht çmimin “Metafora I” e fitoi poezia. “Në sheshin e Lirisë” e poetit Dibran Fylli, çmimin “Metafora II” poezia “Rima e Tokës” e Violeta Allmuçës dhe të tretin, “Metafora III”, poezia “Larg ma livadojshin nji vashë” e Ibrahim Berjashit, kurse çmimin “Vepra letrare” poezia “Bozhur lirie” e Delvina Kërlukut. Me këtë rast portali pashtriku.org, boton poezinë e Gjokë Dabajt:

____________________________

GJOKË DABAJ: OMERIADË, PËR DITË FESTE

Më shkoi mendja, fillimisht, te Mursel Qerimi.
Mendova, që edhe atij,
mes disa mijëra a më shumë tjerësh,
i takon të thirret në Festë.
Të 6 vjetët, sa i pat mbushur…
dhe s’dinte ende as ç’është PAVARËSIA,
as ç’është COPËTIMI…
E dogjën sërbët të gjallë mu para syvet të t’et!
I jati i Murselit, me 6 vëllezër,
vetë i 7-ti vëlla,
duke shtërnguar dhëmbët për të mos vërritur,
gozhduar mbi dysheme me gozhdë farkëtari,
ndërsa të birin, lidhur te oxhaku,
e përpinin flakët…
Flakët, në mish të njomë, duke këcëllitur!
A mund të festohet një Festë Flamuri në Vlorë,
pa e tundur, mes sa e sa të tillë flamujsh,
edhe flamurndezurin përjetë,
Mursel Qerimin nga Gjilani?!
I rashë me kujtime tejendanë Atdheut,
që nga Preveza gjer në Peshter.
Gjeta gjithandej fëmijë të vrarë,
fëmijë të mbytur,
fëmijë të therur…
Dhimbjerënda Shqipëri,
tejendanë,
këtu një gur, aty një fije bar,
me emrin Omer!
Diku 7 vjeç, diku 9 vjeç,
diku ende pa iu mbushur viti.
Sy të nxjerrë voglushësh,
foshnja të shpuara me bojonetë,
lënë mes shkurreve e mbi zhavorrishte,
një këtu, një atje.
Lemeri e tmerr!
M’u tkurr e m’u thëngjillos shpirti!
Vetëm Bihori na i ka të tillë varre Omerësh 1853!
A mund të harrohet,
këtu e sa të ketë jetë mbi Tokë,
ajo plojë fëmijësh?!
1853!!!
Fluturova e erdha, më në fund, me mend,
mbi vitet që sapo i pamë e na panë.
Kur, qe, Kushtrimi i Adem Jasharit,
me një automatik,
më të madh se vetja, në dorë!
“O, të lumtë gishti, o Kushtrim Jashari, bre!”
Erdhi sakaq 100-vjetori
e unë thirra prapë si më 12-n,
dalë sipër Vlorës, në Kotë:
“A më dëgjove, o Kushtrim Jashari!?.
Merrmi të 9 Omerët e Omeret, aty në Prekaz,
Merrma në Lisovicë të Gjilanit Mursel Qerimin,
bëzaju në Reçak Hasan Beqirit e Halimit,
dhe hajdeni që të gjithë në Vlorë,
se kemi festë!!”
Më ra një rrasë përsipër shpirtit!
Rrodhi së thelli një gjëmë nënash!
U tund dheu nën gurë e plisa!
“Paj, s’un’ po vijmë as tash, bre, baca Gjokë!”
M’u gjegj Kushtrimi.
“S’un’ po vijmë,
se prapë po duket tym nëpër qiell
e po duhet rojë dikush me ndenjë!”
Më tha kështu
e unë rënkova mbytshëm,
pa e ditur në cilin shekull isha.

Durrës, prill 2012 Gj.D.

Për emrat e dëshmorëvet-fëmijë, shih: “Jasharët”, Rilindja, 2000, f.30; “Masakra e Reçakut”, Shtime, 2004, f.454; Gj.Dabaj: “Strategjia e shqiptarëvet”, Tiranë 2011, f.109 dhe112.

________________________

Lista e pjesëmarrësve në festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, Prizren, 9 – 10. 06. 2012
Grupi A

1. Abdyl Kadolli
2. Adem Demaçi
3. Alisa Velaj (kumtesë)
4. Anna Kove
5. Beatriçe Balliçi
6. Bedri Halimi
7. Bedri Zyberaj
8. Begzad Baliu
9. Behar Gjoka
10. Bilall Maliqi
11. Delvina Kërluku
12. Dibran Fylli
13. Dr. Arben Hoxha
14. Edlira Mantho
15. Hamit Xhaferi
16. Helena Grillo
17. Ibish Neziri
18. Ibrahim Berjashi
19. Kadri Rexha
20. Kadrush Radogoshi
21. Manjola Sulaj
22. Meri Lalaj
23. Muhamet Kërveshi
24. Sabahate Byci
25. Sabile Keqmezi – Basha
26. Sadri Fetiu
27. Shyqri Galica
28. Veli Veliu
29. Vera Istrefaj
30. Violeta Allmuça
Grupi B
1. Adem Zaplluzha
2. Adem Zejnullahu
3. Agim Desku
4. Arsim Halili
5. Bedri Neziri
6. Behram Hoti
7. Brahim Avdyli
8. Dren Shala
9. Edit Dibra
10. Fatime Ahmeti
11. Feride Papleka
12. Flori Bruqi
13. Gjokë Dabaj
14. Halil Xani
15. Ilir Paja
16. Ismet Lecaj
17. Kozeta Zavalani
18. Lulzim Hajdari
19. Nebih Bunjaku
20. Nezir Prokshi
21. Nikolla Spathari
22. Petrit Ruka
23. Raimonda Moisiu
24. Ramadan Thaçi
25. Riza Greiçevci
26. Riza Lahi
27. Rushit Ramabaja
28. Sadik Përvetica
29. Sali Bytyçi
30. Sarë Gjergji
31. Skënder R. Hoxha
32. Sulejman Dida
33. Shqipe Hasani
34. Tafil Duraku
35. Ukshin Morina

__________________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura